| “Rubin”-i nuk heq dorë nga ndërtesa e Vilajetit të Kosovës dhe postës së parë të Shkupit
Mbishkrimi mbi derën hyrëse të ndërtesës së Vilajetit të Kosovës që më pastaj të shndërrohet në Postë të Shkupit është shkatrruar të martën në mbrëmje nga një grup maqedonas për të cilin grup policia thotë se nuk i ka të njohur
Shkup, 3 qershor – Një grup maqedonas parmbrëmë për së dyti herë kanë arritur ta dëmtojnë ndërtesën e Vilajetit të Kosovës njëherit edhe postën e parë të qytetit të Shkupit e ndërtuar në vitin 1899 me urdhër të sulltan Abduhamidit të dytë.
Ata kanë shkatërruar mbishkrimin e kësaj godine në të cilën është e shkruar data e themelimit të Vilajetit të Kosovës që më pastaj të shëndrrohet në Postë të Shkupit.
Ky grup i (pa)njohur për autoritetet e sigurisë kanë dëmtuar hyrjen e godinës së Vilajetit të Kosovës e cila gjendet në afërsi të xhamisë së Mustaf Pashës e cila sipas arkeologëve dhe ekspertëve të ndryshëm daton që nga koha e Perandorisë Osmane.
“Ndërtesa e cila gjendet afër xhamisë “Mustaf Pasha” sipas dokumentëve është e ndërtuar në vitin 1899 me urdhërin e Sulltan Abdulhamidit të dytë. Në këtë ndërtesë është karakteristikë ndërtimi i stilit neoklasik osman i arkitekturës profane gjë që dëshmon se është objekt fetar islam”, deklaroi Behixhudin Shehabi, historian i artit islam. Objekti në fjalë sipas Shehabit, është ndërtesa administrative e Vilajetit të Kosovës, dhe “telegrafanja” e parë e Shkupit dhe për këtë dëshmon qartë mbishkrimi mbi derën hyrëse të ndërtesës tashmë të dëmtuar nga vandalistët maqedonas.
“Aty qartë lexohet se ndërtesa ka qenë “konaku” i udhëheqësve të Vilajetit të Kosovës”, tha Shehabi.
Dekani i fakultetit të Shkencave Islame të Maqedonisë akuzon shtetin dhe qeverinë për dëmtimin e këtij objekti.
“Kur u dëmtua për herë të parë ndërtesa nga ndërrmarja “Rubin”, pata shtruar kërkesë deri tek ish kryeministri Cërvenkovski, ministri i Kulturës, Bllagoja Stefanovski dhe deri tek ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Agron Buxhaku”, deklaroi për “Kohën Ditore”, Ismail bardhi, dekan i FSHI-së.
Ai thotë se ndërtesa e Postës së parë të Shkupit nuk është në pronësi të Bashkësisë Islame por nuk është pronësi edhe e “Rubin”-it.
“ Ky është një akt vandal i cili shpesh herë po përdoret në Maqedoni, ku më tepër jemi mësuar me këso vandalizma sesa me çështje të rregullta. Asgjë racionale nuk është duke funksionuar në shumë ministri të këtij shteti ”, thotë Bardhi.
Bardhi ka kërkuar nga institucionet qeveritare që ndërtesa në fjalë t'i jepet në përdorim FSHI për shkak se ky vend sipas tij, i plotëson kushtet themelore për këtë fakultet. Përgjigje nga kjo kërkesë Bardhi ende nuk ka marrë.
Ndryshe, këtë ndërtesë para disa mujave e vërshuan bulldozherët e disa personave për të hapur një lokal nate. Fatmirësisht me iniciativën e disa shqiptarëve musliman arritën që projektin për hapjen e një lokali nate ta ndërpresin edhe pse dyert dhe muret në brendësi veçmë se ishin të dëmtuara.
Urdhërin për shkatërrimin e këtij objekti të lashtë historik e ka dhënë punëtoria për përpunimin e arit “Rubin Kardin”, e cila ka thënë se objekti në fjalë është pronë e artarisë “Rubin” dhe se për këtë disponon me dokumentacion paraprak.
Përgjegjësja për informim pranë Entit për mbrojtjen e monumenteve islame në Maqedoni, Aneta Tanevska pat thënë se drejtori i punëtorisë “Rubin”, pa asnjëfarë leje nga instituti i sipërpërmendur ka tentuar që ta përpunojë ndërtesën me çka edhe ka shkatrruar derën e hyrjes dhe ka dëmtuar ndërtesën në brendësi.
Në ndërkohë edhe përkundër tentimeve tona të kontaktojmë me drejtorin e punëtorisë së “Rubin Kardinit”, nuk arritëm që të marrin deklaratë rreth asaj se me urdhërin e kujt është dëmtuar ndërtesa.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) na bëjnë të ditur se personat të tillë të cilët kanë shkatërruar mbishkrimin e ndërtesës nuk janë të njohur për policinë.
“Rast të këtillë nuk është paraqitur në MPB mirëpo do ta shqyrtojmë këtë problem dhe do të punojmë në zbulimin e autorëve të rastit”, tha Borçe Peshevski, zëdhënës i MPB-së. |