LIGJI PËR FINANSIMIN E KOMUNAVE DO TË PËRFUNDOJË ME PAKËNAQËSI NË KËSHILLET VENDORE

ZELS me kritika ndaj Qeverisë dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal

ZELS ka kërkuar që Ministria e Pushtetit Lokal dhe Qeveria e Maqedonisë të mendojë edhe një herë rreth Ligjit për finansimin e komunave për arsye se Ligji i propozuar nga kjo qeveri parasheh shumën prej 3.1 përqind të të hollave nga buxheti shtetëror t'u dedikohet komunave lokale me të cilën sipas ZELS-it do të pamundësohej zhvillimi ekonomik i komunave të Maqedonisë

Bashkësia e Njësive të Vetqeverisjes Lokale të Maqedonisë (ZELS), të enjten ka promovuar raportin e fundit në lidhje me analizat e komisioneve pranë këtij institucioni për decentralizimin e pushtetit qendror në atë vendor.

ZELS në këtë konferencë për shtyp, shpalosi edhe qëndrimin e saj për metodën e finansimit dhe zhvillimit të komunave nga përqindja e dedikuar nga buxheti shtetëror.

Kështuqë, sipas kryetarit të ZELS-it, Goran Angelov, përqindja e tatimeve me vlerë të shtuar duhet të arrijë më tepër se ajo që është ofruar nga Qeveria.

“Në Slloveni kjo përqindje arrin në 35, në Bullgari 50 përqind kurse tek ne në Maqedoni vetëm 3.1 përqind. Kjo është e papranueshme”, theksoi Angelov.

Në këtë drejtim, ZELS ka kërkuar që shuma e dedikuar për komunat të jetë në relacion nga 1 përqind në atë 18 përqind dhe kjo të bëhet nga shuma e përgjithshme e buxhetit shtetëror.

Qëndrimin e Komisionit për kulturë praën ZELS-it e kumtoi, kryetari i komunës së Sarajit, njëherësh edhe nënkryetar i ZELS-it, Imer Selmani.

“Kemi kërkuar që Qeveria të paraqesë kritere afatgjate dhe të drejta në lidhje me seleksionimin e institucioneve kulturore dhe këta të fundit të jenë transparente në nivel të bashkësive etnike”, deklaroi Selmani.

Ky komision ka bërë të ditur se ndarje më e mirë e institucioneve kulturore do të ishte nëse ndahen 15 institucione deri në 18 në nivel nacional kurse pjesën e mbetur ta kontrollojnë komunat.

Ndryshe, pas miratimit të këtij Ligji ku parashihet ndarja e institucioneve kulturore, kanë reaguar edhe disa komuna si ajo e Dibrës, Strugës, Kërçovës, Tetovës, Gostivarit dhe disa komuna tjera.

“Të vetmet vërejtje që i ka pranuar Qeveria nga Komisionet e ZELS-it është ligji për ndarjen e Shkupit. Mirëpo në këtë Ligj shihen disa mangësi një mosmarrveshje e vogël në lidhje me ingerencat në mes komunave dhe qytetit të Shkupit”, tha Angelov.

ZELS, siç na njoftoi Angelov, insiston që Qeveria para se ta miratojë Ligjin për organizimin territorial të bashkëpunojë dhe të bisedojë me qeverisjet locale të komunave në Maqedoni. “Deri më sot nuk kemi realizuar asnjëfarë takimi direct me qeveritarët dhe me Ministrinë e Pushtetit Lokal në lidhje me organizimin territorial në vend. Demokracia koncenzuale mund ta ndalojë decentralizimin e pushtetit për shkak të ndonjë mosmarrveshjeje në lidhje atë se si do të duket organizimi territorial”, ka shtuar Angelov.

Kryetari i Sarajit, Selmani para gazetarëve bëri të ditur gjithashtu se bashkimi i Sarajit me Kondovën nën kufijtë dhe ingerencat e Shkupit do të mundësonte që edhe kjo komunë shqiptare të shfrytëzojë mjetet e shtetit, gjë të cilën më herët nuk ka mundur.

“Saraji është i lidhur me qytetin e Shkupit. Përderisa disa lagje të Shkupit nuk kanë ekzistuar më herët kur ka qenë Saraji, Shkupi e ka shfrytëzuar kapacitetin e saj. Qendrat rekreative, infrastrukturën dhe shumë qendra të tjerë të Sarajit shfrytëzohen edhe nga qyteti i Shkupit. Kjo është arsyeja kryesore për të cilën duhet të bashkohemi dhe të shfrytëzojmë edhe ne mjete nga shteti se përndryshe nuk do të mundemi të ekzistojmë”, tha Selmani.

Ndërkohë, buxheti shtetëror i Maqedonisë për këtë vit arrin shumën prej 57.255 milion denarësh.

BOX:

Allarova kërkon ingerenca mbi Çarshinë e Vjetër

“Çarshia e Vjetër është monument historik i cili pa dyshim se ofron mjete finansiare. Ajo duhet të jetë nën ingerencat e komunës Qendër”, tha Violeta Allarova, e cila insiston në ndryshimin e Ligjit për komunën e Çairit.

Edhe pse komuna Qendër asnjëherë se pa të arsyeshme të finansojë dhe ta rindërtoje Çarshinë e Vjetër, Allarova me përgjigje se ingerencat e përkujdesjes së Çarshisë janë mbi Këshillin e qytetit të Shkupit.

“Ana e majtë e Shkupit konkretisht pjesa e Çarshisë nuk ka sjellur ndonjë fitim të madhë që do të mundej të ndërtohej ndonjë ndërtesë apo institucion i rëndësishëm. Pjesa tjetër e qytetit në anën e djathtë të Vardarit, i paguan të gjitha llogaritë dhe kjo është arsyeja e ndërtimit të kësaj pjese”, tha Allarova.

Ajo gjithashtu theksoi se Qeveria është fajtore për ndarjen e komunave në përgjithsi dhe ndarjen e institucioneve siç është paralajmëruar se Kalaja dhe Çarshia e Vjetër do të mbetet nën ingerencat e ndonjë komune shqiptare.

shkruan:
Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com