"MERRE LIBRIN NËSE DON TA KALOSH PROVIMIN"

Profesorët e UT-së blerjen e librit e kushtëzojnë me kalimin e provimit

Librat e profesorëve të UT-së që kushtojnë jo më pak se 50 euro kushtëzohen me kalimin e provimit dhe studentëve u pamundësohe që librat t'i kopjojnë sepse sipas profesorëve, librat në fjalë e humbin estetikën apo diçka tjetër

 

Tetovë, 21 qershor - Një libër i gjuhës angleze në Universitetin e Tetovës (UT) nuk kushton më lirë se 50 euro edhe atë së bashku me një “shpërblim falas”, një libër tjetër po të asaj lënde. Këtë çmim e ka libri i gjuhës angleze “Modern Rhetoric” të autorit dhe proseforit nga Shqipëria, Ukë Zenel Buqpapaj i cili në UT ligjëron dy lëndë, Civilizim Angloamerikan dhe Përkthim-interpretim të gjuhës angleze.

Që absurdi të jetë edhe më i madhë, libri në fjalë mundëson edhe kalimin e provimit. Kjo është bërë e ditur pasiqë profesori i lartëpërmendur, pasi e ka botuar librin “Modern Rhetoric”, i ka njoftuar studentët e Fakultetit të gjuhës Angleze, ata të vitit të dytë, se këtu pamundësohet mënyra e kopjimit të librit i cili kushton jo më pak se 100 denarë.

Poqëse studenti vendos ta blejë vetëm librin “më të hollë” të asaj lënde, atëherë ai kushton vetëm 25 euro. Jo rastësisht në UT, sidomos tek studentët e gjuhës Angleze është përhapur parolla “Merre librin nëse don ta kalosh dhe provimin”.

Nga ana tjetër, nëse nuk blehet libra nga studenti i këtij fakulteti, automatikisht bie nga provimi edhe përkundër asaj se konkluzionet nga ana e profesorit jepen përpara provimit. Këtë, që studentët e këtij universiteti e quajnë mallverzim dhe detyrim për të blerë atë që mund të kopjohet, na e kanë njoftuar ditë më parë në lokalet e UT-së. “Përveç që paguajmë nga 100 euro dy semestrat e studimeve, ne jemi të detyruar të paguajmë edhe më së paku nga 50 euro për një libër që na e ofrojnë profesorët tanë. Si duket këtyre profesorëve u interesojnë vetëm paratë e studentëve. Ata nuk mërziten se me këto kushte që i kemi në shtëpi nuk mund t'i mbulojmë as sudimet e mos të flasim për të blerë libra nga 50 euro”, thotë një studente e cila me mënyra jo të rëndomta i ka siguruar të hollat për ta blerë librin dhe normalisht për ta marrë shpërblim një libër tjetër të po këtij profesori.

Nuk është ky profesor i vetëm i cili ka botuar libër dhe studentëve ua shet nga 50 euro. Një libër krejtësisht ndryshe nga ai i gjuhës angleze, “Anatomia Patologjike” e botuar nga profesori Shyqyri Subashi nga Shqipëria që ligjëron në Fakultetin e mjeksisë, librin studentëve të tij ua shet vetëm 42 euro.

Njëashtu, libri i profesorit Ilmi Islamit nga Prishtina, profesor në Fakultetin e mjeksisë, librin “Bazat e farmakologjisë” e shet 47 euro edhe atë duke iu bashkangjitur vlersimit të dy profesorëve të lartëpërmendur se librat e këtillë nuk bëhen kopje që do të mundësonte pa dyshim uljen e shumëfishtë të çmimit nga ai i ofruar. Ndryshe, dy semestrat në Fakultetin e mjeksisë kushtojnë 850 euro.

“Po të botojnë për çdo muaj nga një libër profesorët tonë të nderuar atëherë vaj halli për ne, na nevojiten miliona për ti kryer studimet. Është e patjetërsuesshme të blehet libri se përndryshe bie nga provimi”, thotë një student i mjeksisë i cili nuk dëshiron ti botohet emri për shkak të frikës së hakmarrjes së profesorit ndaj tij.

Këto janë vetëm disa nga shembujt ku profesorët e UT-së bëjnë pazarllëqe me librat e tyre apo thënë shkurt me notat e studentëve.

Ekzistojnë edhe profesorë-asistentë të cilët edhe kërkojnë këmbim për notën e tij që duhet t'ia shkruaj studentëve.

Këto këmbime zakonisht bëhen me studentet femra të cilat edhe përkundër asaj se e ka përgatitur lëndën asaj nuk i shënohet nota nëse nuk është e gatshme t'i bindet kërkesës së profesor-asistentit.

Rektorati i UT-së i mohon këto ndodhi lidhur me kërkesat e profesor-asistentëve për këmbim kurse për çmimin e shtrenjtë të librave thonë se është e drejta e sejcilit autorë të vendos për çmimin e librit të tij, për atë ka dhënë mund.

shkruan:
Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com