Vështrim mbi Problemin

HYRJE NË RAPORTIN E DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TE SH.B.A.
MBI TRAFIKIMIN E PERSONAVE
PËR VITIN 2002

Gjatë vitit të kaluar, të paktën 700,000 dhe ndoshta deri edhe katër milionë burra, gra e fëmijë në mbarë botën u blenë, shitën, transportuan dhe u mbajtën kundër vullnetit të tyre në kushte të ngjashme me skllavërinë. Në këtë formë moderne të skllavërisë, të njohur si “trafikimi i personave,” trafikantët përdorin kërcënimet, poshtërimet dhe dhunën për t’i detyruar viktimat të angazhohen në akte seksuale apo të punojnë në kushte të krahasueshme me skllavërinë për përfitime financiare për trafikantët. Gratë, fëmijët dhe burrat trafikohen në tregtinë ndërkombëtare të seksit për qëllime të prostitucionit, turizmit të seksit dhe shërbimeve të tjera tregtare seksuale si dhe në situata pune të detyruar në punishte shfrytëzimi, kantiere ndërtimi dhe bujqësi. Praktika mund të marrë edhe forma të tjera, përfshi rrëmbimin e fëmijëve dhe rekrutimin e tyre në forca qeveritare apo ushtri rebele, shitjen e grave e fëmijëve si shërbëtorë-skllevër në shtëpira, si dhe përdorimin e fëmijëve si lypës rrugësh dhe argatë krahu.

Trafikantët shpesh i lëvizin viktimat prej komuniteteve të tyre për në zona të tjera – brenda vendeve të tyre apo në vende të huaja – ku viktima është e izoluar dhe mund të mos jetë në gjendje të flasë gjuhën apo të mos njohë kulturën. Në shumë raste, viktimat nuk kanë dokumente imigracioni ose kanë dokumente false të ofruara nga trafikantët. Ç’është më e rëndësishme, viktimat humbin rrjetin e tyre të mbështetjes tek familjet dhe miqtë, duke u bërë kështu më të prekshëm ndaj kërkesave e kërcënimeve të trafikantëve. Viktimat mund të ekspozohen gjithashtu edhe ndaj një game shqetësimesh shëndetësore, përfshi dhunën shtëpiake, alkoolizmin, problemet psikologjike, HIV/SIDA dhe sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme. Viktimat në këto situata nuk dinë si të arratisen nga dhuna apo se ku të shkojnë për ndihmë. Viktimat mund të vendosin të mos u drejtohen autoriteteve nga frika se mos burgosen apo të kthehen mbrapsht, veçanërisht ngaqë qeveritë e disa vendeve i trajtojnë viktimat si kriminelë. Në vende të tjera, nuk ekziston mbrojtje për viktimat që dalin përpara për të ndihmuar ndjekjen penale të trafikantëve.

Trafikantët rekrutojnë dhe gjejnë viktima të mundshme në një numër mënyrash. Trafikantët nxjerrin reklama në gazetat vendase për vende pune me paga të larta në qytete tërheqëse. Ata përdorin gjithashtu edhe agjencitë mashtruese të punësimit, udhëtimit, modelimit dhe shkesisë për të joshur burrat e gratë jodyshues brenda rrjeteve të trafikimit. Në fshatrat lokale, një trafikat mund të pozojë si një “mik i një miku,” të takohet me familjet dhe të bindë prindërit se fëmijët e tyre do të jenë më të sigurtë dhe se “miku” do të kujdeset më mirë për ta. Trafikantët shpesh i mashtrojnë prindërit e i bëjnë të besojnë se fëmijëve të tyre do t’u mësohet një zanat i dobishëm – por fëmijët përfundojnë në dyqane të vogla, në ferma apo si shërbëtorë-skllevër shtëpish. Trafikantët gjithashtu u premtojnë prindërve se do martohen me vajzat e tyre – por vajzat detyrohen të futen në prostitucion. Në disa situata të dhunshme, trafikantët mund t’i rrëmbejnë viktimat.

Shkaqet e Trafikimit

Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik rrit shumë gjasat që një vend të bëhet burim i viktimave të trafikimit. Në vendet me papunësi kronike, varfëri të përhapur gjerësisht dhe mungesë të shanseve ekonomike, trafikantët përdorin premtimet për paga të larta dhe kushte të mira në vende të huaja për t’i joshur njerëzit në rrjetet e tyre. Viktimat, të cilët duan një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre, binden lehtësisht nga premtimet e trafikantëve. Trazirat civile, konfliktet e brendshme të armatosura dhe fatkeqësitë natyrore destabilizojnë dhe zhvendosin popullsi dhe, për rrjedhojë, rrisin prekshmërinë e tyre nga shfrytëzimi dhe abuzimi. Në disa vende, praktikat sociale dhe kulturore kontribuojnë në trafikim. Për shembull, statusi i ulët i grave e vajzave në disa shoqëri kontributon në industrinë në rritje të trafikimit duke mos i vlerësuar jetët e tyre aq shumë sa të popullsisë mashkullore. Në shoqëri të tjera, praktika e të besuarit të fëmijëve të varfër tek miq apo të afërm më të pasur mund të çojë në situata abuzive dhe shfrytëzuese.

Në shumë vende destinacioni, shfrytëzimi seksual tregtar dhe kërkesat për punë të lirë janë rritur gjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Shumë trafikantë që janë pjesë e rrjeteve kriminale të përfshira në krime të tjera ndërkombëtare kanë kuptuar se mund të fitojnë shumë duke furnizuar njerëz për t’i përmbushur këto kërkesa. Trafikimi nuk kërkon një investim të madh kapitali dhe shpesh ka pak risk zbulimi prej zbatuesve të ligjit. Gjithashtu, viktimat e trafikimit, ndryshe nga drogat, mund të rishiten dhe të përdoren në mënyrë të përsëritur nga trafikantët. Në disa vende, korrupsioni kontribuon në problemin e trafikimit, ku zyrtarët vendas ose janë të përfshirë në trafikim, ose bëjnë një sy qorr.

Viktimat e trafikimit shpesh sillen përmes “vendesh tranzit” nga një vend burimi në një vend destinacioni. Trafikantët mund të përdorin dokumente false për ta bërë këtë. Kontrollet e dobëta të kufirit dhe korrupsioni i zyrtarëve të migracionit mund të lehtësojnë më tej tranzitimin e viktimave.

Shtrirja
Duke pasur parasysh natyrën e trafikimit dhe fytyrën e tij shpesh të fshehur, është jashtëzakonisht e vështirë të zhvillohen statistika të sakta mbi gjerësinë e problemit. Sipas një vlerësimi të Qeverisë së Sh.B.A. të bazuar mbi të dhëna të vitit 1997, 700,000 vetë, kryesisht gra e fëmijë, trafikohen nëpër kufijtë kombëtarë në mbarë botën çdo vit. Vlerësime të tjera globale për numrin e viktimave të trafikuara çdo vit variojnë nga afërsisht një deri në katër millionë. Sipas një vlerësimi të vitit 1997 nga Organizata Ndërkombëtare për Migrimin, numri i viktimave të trafikuara brenda dhe nëpër kufijtë kombëtarë është katër millionë. Shtetet e Bashkuara janë kryesisht një vend tranzitimi dhe destinacioni për trafikimin e personave. Sipas një vlerësimi të vitit 1997, afro 50,000 gra dhe fëmijë trafikohen çdo vit për shfrytëzim seksual në Shtetet e Bashkuara.

Akti i vitit 2000 për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit
Në Tetor 2000, Akti për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit (Ndarja A e Ligjit Publik 106-386) (“Akti”) u ratifikua për të luftuar trafikimin, për të siguruar ndëshkimin e drejtë dhe të efektshëm të trafikantëve dhe për të mbrojtur viktimat. Akti përfshiu krime të reja, forcoi ndëshkimet penale ekzistuese, siguroi mbrojtje të reja për viktimat e trafikimit dhe vuri në dispozicion përfitime dhe shërbime të caktuara për viktimat e formave të ashpra të trafikimit. Me anë të kësaj përqasjeje të gjithanshme ndaj problemit, Akti krijoi mandate të rendësishme për një sere agjencish të qeverisë federale, përfshi Departamentin e Shtetit, Drejtësisë, Punës, Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore si dhe Agjencinë e Sh.B.A. për Zhvillimin Ndërkombëtar. Një prej përgjegjësive të Departamentit të Shtetit është paraqitja e përvitshme para Kongresit e një raport mbi statusin e formave të ashpra të trafikimit të personave; ky raport është i dyti. Përkufizimi nga Akti për “format e ashpra të trafikimit të personave” është më poshtë, ashtu si dhe përkufizimet e termave të tjera që janë elementë të atij përkufizimi. Për qëllimet e këtij raporti, termi “trafikim” i referohet “formave të ashpra të trafikimit të personave” sipas përkufizimit në Akt.

Përkufizimi i “Formave të Ashpra të Trafikimit të Personave”

Akti e përkufizon “formën e ashpër të trafikimit të personave” si

(a) trafikim seksi në të cilin një akt seksual për tregëti kryhet me forcë, mashtrim, apo detyrim, ose në të cilin personi i detyruar të kryejë një akt të tillë nuk ka mbushur 18 vjeç; ose (b) rekrutimi, strehimi, transportimi, sigurimi, apo marrja e një personi për punë apo shërbime, me anë të përdorimit të forcës, mashtrimit apo detyrimit për qëllim nënshtrimin për robëri, punë argati, shtrëngim nëpërmjet borxheve apo skllavërisë së pavullnetshme.

Përkufizim i Termave të Përdorur në Termin “Forma të Ashpra të Trafikimit të Personave”:

“Trafikim seksi” do të thotë rekrutimi, strehimi, transportimi, sigurimi, apo marrja e një personi për qëllim të një akti seksual për tregëti.
“Akt seksual për tregëti” do të thotë çfarëdo akti seksual për të cilin diçka me vlerë i jepet një personi apo merret prej një personi.
“Robëri e pavullnetshme” përfshin kushtet e një robërie të sjellë me anë të (A) çfarëdo skeme, plani apo modeli që synon ta bëjë një person të besojë se, nëse personi nuk hyn apo nuk vazhdon të qëndrojë në kushte të tilla, atëhere ai person ose një person tjetër do të vuante dëm serioz ose shtrëngim fizik; ose (B) abuzimit apo kërcënimi për abuzim të procesit ligjor.
“Shtrëngim nëpërmjet borxhit” do të thotë statusi apo kushtet e një borxhliu që lindin nga një premtim i borxhliut për shërbimet e veta apo të një personi tjetër nën kontrollin e tij/saj si garanci për borxhin, nëse vlera e atyre shërbimeve sipas një vlerësimi të arsyeshëm nuk aplikohet ndaj likuidimit të borxhit apo nëse kohëzgjatja dhe natyra e atyre shërbimeve nuk kufizohen dhe përkufizohen respektivisht.
“Shtrëngim” do të thotë (A) kërcënimet për dëm serioz apo kufizim fizik kundër cilitdo personi; (B) çfarëdo skeme, plani apo modeli që synon ta bëjë një person të besojë se refuzimi për të kryer një akt do të çonte në dëmtim serioz apo kufizim fizik ndaj cilitdo personi; ose (C) abuzimi apo kërcënimi për abuzim të procesit ligjor.

Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara
Qeveria e Shteteve të Bashkuara e dënon trafikimin e personave dhe mbetet e përkushtuar vendosmërisht për ta luftuar këtë murtajë dhe për të mbrojtur viktimat që bien pre e trafikantëve. Qeveria e Sh.B.A. ka ndërmarrë një sërë hapash për të përforcuar përpjekjet e saj për të monitoruar dhe luftuar trafikimin, përfshi dhe hartimin e përvitshëm të këtij raporti.

Pas Aktit, Presidenti Bush ngriti Task Forcën Ndër-Agjencish të Presidentit për të Monitoruar dhe Luftuar Trafikimin e Personave. Kjo Task Forcë drejtohet nga Sekretari i Shtetit dhe përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Punës, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Drejtori i Agjencisë Qëndrore të Zbulimit, Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, si dhe nga Administratori i Agjencisë së Sh.B.A. për Zhvillimin Ndërkombëtar. Përgjegjësitë e Task Forcës përfshijnë bashkërendimin e zbatimit të Aktit si dhe ndihmën për Sekretarin e Shtetit në përgatitjen e këtij raporti. Task Forca mbajti mbledhjen e vet të pare, të kryesuar nga Sekretari Pauell, në Shkurt 2002.

Sipas autorizimit nga Akti, Departamenti i Shtetit ngriti Zyrën për Monitorimin dhe Luftën kundër Trafikimit të Personave në Tetor 2001. Zyra e Trafikimit udhëheq zhvillimin dhe zbatimin e angazhimit tone ndërkombëtar mbi trafikimin e personave dhe ofron asistencë për Task Forcën. Ajo gjithashtu përgatit raporte dhe analiza mbi trafikimin, bashkërendon programe ndërkombëtare për të parandaluar trafikimin dhe për të ndihmuar viktimat dhe kryen përhapje informacioni me organizatat jo-qeveritare (OJQ) dhe organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, agjenci të tjera të përfaqësuara në Task Forcë ofrojnë hollësi për Zyrën e Trafikimit me qëllim që të forcohet bashkërendimi midis agjencive dhe për të ndihmuar veprimtaritë e Task Forcës. Më shumë informacion mbi Zyrën e Trafikimit mund të gjendet në faqen e saj në internet <www.state.gov/g/tip>.

Përpjekjet e Zyrës së Trafikimit drejtohen nga një mandat legjislativ për të luftuar dhe çrrënjosur trafikimin njerëzor. Duke pasur parasysh shtrirjen dhe urgjencën e kësaj detyre, përparësitë e Zyrës së Trafikimit janë:

• Të ndihmojë vendet për eliminimin e trafikimit;
• Të promovojë bashkëpunim rajonal dhe dypalësh për çrrënjosjen e trafikimit; dhe
• Të mbështesë ofruesit e shërbimeve dhe OJQ-të në përpjekjet e tyre për parandalimin e trafikimit dhe mbrojtjen e viktimave.

Departamenti i Shtetit ka ndërmarrë hapa të shumta për të ndërtuar dhe zbatuar një strategji të gjithanshme për të luftuar trafikimin në mbarë botën gjatë vitit të fundit. Departamenti i Shtetit po ndihmon bashkërendimin e politikës dhe programeve anti-trafik midis agjencive federale, organizatave ndërkombëtare, qeverive të huaja dhe OJQ-ve në mbarë botën. Ky raport, i cili trajton 89 vende që u pane se kishin një numër të konsiderueshëm viktimash të trafikimit, është vlerësimi më i gjithanshëm ndërkombëtar anti-trafikim i nxjerrë nga një qeveri e vetme.

Duke pasur parasysh vëmendjen e nxitur nga Raporti mbi Trafikimin e Personave, Departamenti i Shtetit angazhohet në mënyrë të vazhduar me zyrtarë të qeverive të huaja për të promovuar bashkëpunimin dhe fushatat e përforcuara anti-trafikim, si në bazë rajonale ashtu dhe në bazë vendesh. Departamenti gjithashtu vazhdoi të zgjeronte raportimin mbi trafikimin e personave në Raportet e tij të Përvitshme mbi Praktikat e të Drejtat e Njeriut për Vendet.

Zyra e Trafikimit po punon me agjenci të tjera të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që ndjekin politika agresive për të parandaluar trafikimin, për ndjekjen penale të trafikantëve dhe për të mbrojtur e ndihmuar viktimat brenda dhe në nivel ndërkombëtar. Agjenci të ndryshme të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara kanë punuar sëbashku për të krijuar broshura informuese mbi trafikimin për viktimat, OJQ-të dhe personelin e zbatimit të ligjit; për të kryer programe trainimi për zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara; për të nxjerrë rregullore dhe për të përcaktuar udhëzime në lidhje me mbrojtjen dhe ndihmën për viktimat e trafikimit; si dhe për të financuar veprimtari anti-trafikim në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Një kronikë e përpjekjeve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të zbatuar Aktin përfshihet në dokumentin “Vështrim i përgjithshëm mbi Zbatimin nga Administrata të Aktit për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit,” i cili mund të gjendet në faqen e internetit të Zyrës së Trafikimit.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështeti mbi 110 programe anti-trafikim në afro 50 vende gjatë vitit fiscal 2001. Llojet e asistencës përfshijnë të mëposhtmet: programe alternativash ekonomike për grupe në nevojë; programe edukimi; trainim për zyrtarë qeveritarë dhe personel mjekësor; zhvillim apo përmirësim i ligjeve anti-trafikim; ofrim pajisjesh për agjenci të zbatimit të ligjit; ngritja apo rinovimi i strehave, qendrave të krizave, apo shtëpive të sigurta për viktimat; mbështetje për kthimin e vullnetshëm dhe dashamirës si dhe asistencë për riintegrim për viktimat; mbështetje për shërbimet psikologjike, ligjore, mjekësore dhe këshillimore për viktimat, ofruar nga OJQ, organizata ndërkombëtare dhe qeveri. Përparësia e Departamentit është të ndihmohen qeveritë e vendeve të Grupit 2 dhe 3 që kualifikohen për asistencë dhe që janë të përkushtuara ndaj luftës kundër trafikimit. (Shih faqet 10 – 12 për shpjegimin e listave të grupeve.)

Departamenti i Shtetit ka kërkuar në mënyrë aktive bashëpunimin kyç të OJQ-ve, duke pasur parasysh përvojën e tyre të çmuar praktike. Do të ishte diçka sfiduese të zbatoje me sukses një fushatë ndërkombëtare në vazhdim kundër trafikimit pa partneritetin e tyre. Gjatë vitit të fundit, Zyra e Trafikimit ka organizuar takime dhe raportime të shumta me OJQ për të dëgjuar ekspertizën dhe rekomandimet e tyre. Për më tej, në përgatitje të këtij raporti, Zyra e Trafikimit u kërkoi mbi 140 OJQ-ve të jepnin informacion mbi praktikat e trafikimit dhe programet kundër tij në mbarë botën. Duke zbatuar mandatin legjislativ për të angazhuar OJQ-të, Zyra e Trafikimit fton sugjerime të mëtejshme për të përforcuar bashkëpunimin me OJQ-të.

Angazhimi Ndërkombëtar

Trafikimi ka arritur përmasa shtangëse përreth globit. Zgjidhja e këtij problemi dhe shpëtimi i viktimave të shumta të tij do të jetë i mundur vetëm nëpërmjet përpjekjeve të bashkëpunimit. Ky bashkëpunim duhet të ndodhë në nivel dypalësh dhe shumëpalësh midis qeverive, por edhe midis qeverive dhe shoqërisë civile, përfshi edhe OJQ-të. Duhet të angazhojë bashkërendimin qeveritar për strategjitë kombëtare kundër trafikimit, si dhe bashkërendimin në nivel lokal. Vendet e destinacionit duhet të punojnë me vendet e tranzitimit dhe të origjinës për të ndaluar rrjedhën e trafikimit; vendet e origjinës duhet të punojnë jo vetëm për të parandaluar trafikimin por edhe për të ndihmuar riintegrimin e viktimave të trafikimit në shoqëritë e tyre amë. Angazhimi ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara përqëndrohet në përforcimin e vullnetit politik ndërkombëtar për ta luftuar problemin, rritjen e dialogut midis vendeve për të identifikuar mënyra për zgjerimin e përpjekjeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare për të trajtuar trafikimin, si dhe përforcimin e përpjekjeve të vendeve për të luftuar trafikimin.

Protokolli i OKB-së për të Parandaluar, Ndaluar dhe Ndëshkuar Trafikimin e Personave, veçanërisht të Grave e Fëmijëve, i cili i plotëson Konventën e OKB-së kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe që u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nëntor 2000, është një mjet i ri i rendësishëm për të lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Qeveritë që e nënshkruajnë dhe e ratifikojnë këtë Protokoll angazhohen për të penalizuar trafikimin, për të mbrojtur viktimat e shumta të tij, dhe për të parandaluar trafikimin në të ardhmen. Deri më sot, Protokollin e kanë nënshkruar Shtetet e Bashkura dhe 104 vende të tjera.

Kohët e fundit janë miratuar edhe dy instrumente të tjera ndërkombëtare që trajtojnë shitjen dhe trafikimin e fëmijëve – Konventa 182 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në lidhje me Ndalimin dhe Veprimin e Menjëhershëm për Eliminimin e Formave më të Këqia të Punës së Fëmijëve (të cilën Shtetet e Bashkuara e ratifikuan në dhjetor 1999), si dhe Protokolli për Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve mbi Shitjen e Fëmijëve, Prostitucionin e Fëmijëve dhe Pornografinë e Fëmijëve (të cilën Shtetet e Bashkuara e nënshkruan në korrik 2000). Konventa 182 e ILO kërkon që vendet të ndërmarrin hapa për t’u ofruar fëmijëve të larguar nga format më të këqia të punës së fëmijëve, si prostitucioni dhe pornografia, akses ndaj arsimit bazë falas. Protokolli kërkon që shtetet të penalizojnë prostitucionin dhe pornografinë për sa u përket fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Qeveria e Shteteve të Bashkuara angazhohet me bashkëfirmëtarët e Konventës 182 të ILO për t’u siguruar që përpjekjet e qeverive kundër shfrytëzimit të fëmijëve të mbeten të qëndrueshme dhe domethënëse.

RAPORTI

Ky është raporti i dytë i përvitshëm për Kongresin, siç kërkohet nga Akti, mbi statusin e formave të ashpra të trafikimit të personave në mbarë botën. Raporti mbulon periudhën Prill 2001 deri në Mars 2002. Në raportin e këtij viti, një numër vendesh janë zhvendosur nga grupet ku ishin përfshirë vitin e kaluar, siç diskutohet në faqet 14 dhe 15. disa vende nuk janë radhitur në raportin e këtij viti për shkak të mungesës së informacionit të besueshëm, siç diskutohet në faqet 13 dhe 14. Me anë të këtij raporti vjetor, Shtetet e Bashkuara synojnë të tërheqin vëmendjen ndërkombëtare, si të qeverive ashtu dhe të publikut të gjerë, ndaj praktikës së tmerrshme të trafikimit të personave. Ky raport shërben si një mjet i rendësishëm diplomatic për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila shpreson që qeveritë e tjera do ta konsiderojnë si një instrument për dialog të vazhduar, nxitje të punës së tyre aktuale, si dhe si një instrument për t’i ndihmuar ato që të përqëndrojnë punën e tyre të ardhshme mbi ndjekjen penale, mbrojtjen dhe programet e politikat e parandalimit. Pas nxjerrjes së raportit të këtij viti, Departamenti do të vazhdojë të angazhohet në diskutime me qeveritë mbi përmbajtjen e raportit për të ndihmuar forcimin e përpjekjeve bashkëpunuese për të çrrënjosur trafikimin. Departamenti do të përdorë informacionin e përftuar në hartimin e raportit të këtij viti për të drejtuar programet e asistencës në mënyrë më të efektshme dhe për të punuar me vendet që kanë nevojë për ndihmë në luftën kundër trafikimit. Së fundi, Departamenti shpreson që raporti do të jetë një mjet për përpjekjet e qeverive për të luftuar trafikimin e personave në mbarë botën me qëllim që kjo praktikë poshtëruese të eliminohet.

Metodologjia

Për të drejtuar përpjekjet e Departamentit të Shtetit në përgatitjen e këtij raporti, Zyra e Trafikimit ngriti një panel me staf nga Zyra e Trafikimit dhe agjenci të tjera të Qeverisë së Sh.B.A. Paneli përfshinte përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, komuniteti i zbulimit dhe Byroja për Demokracinë, Të Drejtat e Njeriut dhe Punën dhe Byroja e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit të Departamentit të Shtetit, dhe mori këshillim nga Zyra e Këshilltarit Ligjor.

Departamenti i Shtetit e mori informacionin nga një gamë burimesh në përgatitjen e këtij raporti. Ai kërkoi informacion nga ambasadat e konsullatat e Sh.B.A. në mbarë botën. Këto poste diplomatike raportuan mbi përmasat e trafikimit në vendet ku punojnë dhe përpjekjet e qeverive të vendeve për të trajtuar problemin. Raportet e tyre reflektonin diskutime me qeveritë e vendeve, OJQ-të vendase dhe ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, zyrtarë të imigracionit, policinë, gazetarë, akademikë dhe viktima, përveç shqyrtimeve të raporteve të qeverisë, shtypit dhe të OJQ-ve. Përveç këtyre raporteve nga postet, paneli i raportit shqyrtoi informacion edhe nga burime të tjera që përfshijnë, jo vetëm, agjenci të tjera të Qeverisë së Sh.B.A., Fondi i Emergjencës për Fëmijët i OKB-së, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, Human Rights Watch, Amnesty International, Projekti i Mbrojtjes, media, akademikë dhe qeveri të huaja. Paneli mori gjithashtu parasysh informacion të marrë nga stafi i Zyrës së Trafikimit në takime të shumta me zyrtarë të qeverive të huaja, OJQ dhe organizata ndërkombëtare. Së fundi, Zyra e Trafikimit krijoi një adresë poste elektronike, <tipreport@state.gov> ku OJQ-të mund të raportojnë informacion mbi përparimin e qeverive në trajtimin e trafikimit, për të ofruar azhornime mbi shtrirjen e problemit dhe për të përqendruar vëmendjen mbi pengesat që hasin në punën e tyre.

Për të hartuar raportin e këtij viti, Departamenti përdori përqasjen e dy hapave që përdori edhe për raportin e vitit të shkuar. Së pari, paneli i raportit vendosi nëse një vend është “një vend origjine, tranzitimi apo destinacioni për një numër domethënës viktimash” të trafikimit. Për ta vendosur këtë, paneli kërkoi raportime të besueshme që vendi ishte vend origjine, tranzitimi apo destinacioni për një numër viktimash sipas njëqind ose më shumë, i njëjti kufi që u përdor në raportin e vitit 2001. Vetëm ato vende që arrijnë ketë kufi janë përfshirë në raport.

Si një hap i dytë, paneli i raportit vendosi secilin prej vendeve që përfshihen në raport në njërën prej tri listave, të përshkruara si grupe, sipas mandatimit nga Akti. Kjo vendosje bazohet mbi përpjekjet e qeverive për të luftuar trafikimin. Në përputhje me Aktin, vendet qeveritë e të cilave përputhen plotësisht me standartet minimale të Aktit për eliminimin e trafikimit u vendosën në Grupin 1. Vendet qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me ato standarte u vendosën në Grupin 2 nëse po bëjnë “përpjekje domethënëse për të arritur nivelin e përputhjes” me standartet, ose në Grupin 3 nëse jo. Secili grup përfshin një gamë të gjerë vendesh.

Standartet Minimale

Akti përkufizon “standartet minimale për eliminimin e trafikimit”, të cilat përmblidhen si më poshtë:

1) Qeveria duhet ta quajë të jashtëligjshëm trafikimin dhe të ndëshkojë aktet e trafikimit.

2) Qeveria duhet të përcaktojë ndëshkim në të njëjtën masë si për krimet e rënda, të tilla si sulme seksuale me dhunë, për dijeninë për kryerjen e trafikimit në disa prej formave të tij më të ndëshkueshme (trafikim për qëllime seksuale, trafikim që përfshin përdhunim apo rrëmbim apo trafikim që shkakton vdekje.)

3) Për dijeninë e kryerjes së çfarëdo akti trafikimi, qeveria duhet të përcaktojë ndëshkim që është mjaft shtrëngues sa për të parandaluar dhe që pasqyron në mënyrë të saktë natyrën e poshtër të kundravajtjes.

4) Qeveria duhet të bëjë përpjekje serioze dhe të qëndrueshme për të eliminuar trafikimin.

Akti përcakton gjithashtu shtatë kritere që “duhen shqyrtuar” si shenja për pikën e katërt më lart, “përpjekje serioze dhe të qëndrueshme për të eliminuar trafikimin.” Të përmbledhura, ato janë:


1) Nëse qeveria heton dhe ndjek penalisht në mënyrë energjike aktet e trafikimit brenda territorit të saj.

2) Nëse qeveria mbron viktimat e trafikimit, nxit asistencën për viktimat në hetim dhe ndjekje penale, u ofron viktimave alternativa ligjore ndaj dërgimit të tyre në vende ku mund të përballen me ndëshkim apo vështirësi dhe sigurohet që viktimat nuk penalizohen pa të drejtë vetëm për akte të jashtëligjshme si rezultat i drejtpërdrejtë i të qenit të trafikuar.

3) Nëse qeveria ka miratuar masa, të tilla si edukimi publik, për të parandaluar trafikimin.

4) Nëse qeveria bashkëpunon me qeveri të tjera në hetimin dhe ndjekjen penale të trafikimit.

5) Nëse qeveria ekstradon personat e akuzuar për trafikim siç bën me krime të tjera serioze.

6) Nëse qeveria monitoron modelet e imigracionit dhe emigracionit për të dhëna trafikimi, dhe nëse agjencitë e zbatimit të ligjit u përgjigjen siç duhet të dhënave të tilla.

7) Nëse qeveria heton dhe ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarë publikë që marrin pjesë ose lehtësojnë trafikimin, dhe merr të gjitha masat e përshtatshme kundër zyrtarëve që injorojnë trafikimin.

Akti gjithashtu përcakton tri faktorë që Departamenti duhet të marrë parasysh kur vendos nëse një vend po bën përpjekje domethënëse për të qenë në përputhje me këto standarte minimale. Të përmbledhura, këto shqyrtime janë: 1) masa e trafikimit në vend; 2) masa e mospërputhjes së qeverisë me standartet minimale, veçanërisht masa në të cilën zyrtarët qeveritarë kanë marrë pjesë, lehtësuar, injoruar, apo kanë bashkëpunuar në mënyra të tjera në trafikim; dhe 3) çfarë masash janë të arsueshme për të bërë që qeveritë të sillen në nivelin e përputhjes me standartet minimale nën dritën e burimeve dhe aftësive të qeverisë.

Grupet

Grupi 1

Qeveritë në Grupin 1 zbatojnë plotësisht standartet minimale të Aktit. Qeveri të tilla penalizojnë dhe kanë ndjekur penalisht me sukses trafikimin dhe kanë ofruar një gamë të gjerë shërbimesh mbrojtëse për viktimat. Viktimat nuk burgosen apo ndëshkohen vetëm si rezultat i të qenit të trafikuar, dhe nuk kthehen menjëherë në një vend ku mund të përballen me vështirësi si rezultat i të qenit të trafikuar. Gjithashtu, këto qeveri sponsorizojnë ose bashkërendojnë fushata parandalimi që synojnë ndalimin e rrjedhës së trafikimit.

Grupi 2

Qeveritë e vendeve në Grupin 2 nuk janë ende plotësisht në përputhje me standartet minimale të Aktit por po bëjnë përpjekje domethënëse për të arritur nivelin e përputhjes me ato standarte. Disa janë të forta në ndjekjen penale të trafikantëve, por ofrojnë pak ose aspak asistencë për viktimat. Të tjera punojnë për të ndihmuar viktimat dhe për të ndëshkuar trafikantët, por nuk kanë ndërmarrë ende hapa domethënëse për të parandaluar trafikimin. Disa qeveri vetëm sa po fillojnë të trajtojnë trafikimin, por megjithatë tashmë kanë ndërmarrë hapa domethënëse drejt çrrënjosjes së trafikimit.

Grupi 3

Qeveritë e vendeve në Grupin 3 nuk përputhen plotësisht me standartet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje domethënëse për të arritur nivelin e përputhjes. Disa prej këtyre qeverive refuzojnë të pranojnë problemin e trafikimit brenda territoreve të tyre. Nga ana tjetër, diçka pozitive është që një numër qeverish të tjera në ketë kategori po fillojnë të ndërmarrin hapa konkrete për të luftuar trafikimin. Megjithëse këto hapa nuk arrijnë ende nivelin e duhur të rendësisë, shumë prej këtyre qeverive janë në rrugën drejt vendosjes në Grupin 2.

Ndëshkimet

Sipas Aktit, duke filluar me raportin e vitit 2003, vendet në Grupin 3 do t’i nënshtrohen sanksioneve të caktuara, kryesisht dhënia fund e asistencës jo-humanitare dhe jo të lidhur me tregtinë. Në bazë të Aktit, vende të tilla gjithashtu do të përballeshin me kundërshtimin nga ana e Sh.B.A. ndaj asistencës (përveç asistencës humanitare, të lidhur me tregtinë dhe disa lloje asistence të lidhur me zhvillimin) nga institucionet financiare ndërkombëtare, specifikisht Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe banka shumëpalëshe zhvillimi të tilla si Banka Botërore. Të gjitha ose një pjesë e sanksioneve dypalëshe apo shumëpalëshe të sanksioneve mund të anulohen nëse Presidenti vendos që ofrimi i asistencës së tillë për një vend do të promovonte synimet e Aktit ose nëse do të ishte në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Akti deklaron se Presidenti i anulon këto sanksione kur nevojitet për të shmangur ndikime të kundërta mbi popullsi në nevojë, përfshi gratë dhe fëmijët.

Vlerësimet për Vendet

Ky raport ofron një vlerësim të shkurtër për çdo vend të përfshirë në një grup. Vlerësimet nuk përfshijnë hollësi të gjera apo informacion të gjithanshëm mbi vendet apo qeveritë e tyre. Por, ofrojnë një shikim të përgjithshëm të situatës së trafikimit në atë vend dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar trafikimin. Paragrafi i parë në çdo vlerësim përshkruan shtrirjen dhe natyrën e problemit të trafikimit në vend dhe në këtë mënyrë lë të kuptohen arsyet se pse vendi është përfshirë në raport. Paragrafi i dytë përshkruan disa prej përpjekjeve të qeverisë për të luftuar trafikimin, duke ilustruar në këtë mënyrë arsyet se pse vendi është vendosur në Grupin 1, 2 ose 3 të raportit. Ky paragraf i dytë trajton përpjekjet e qeverisë në disa fusha: së pari në fushat e zbatimit të ligjit dhe ndjekjes penale të trafikantëve, pastaj mbrojtjen e viktimave të trafikuara dhe së fundi parandalimin e trafikimit.

Ngritja e task forcave dhe planeve të veprimit janë metoda që disa vende i kanë përdorur me sukses për të krijuar synime dhe piketa për përpjekjet e tyre anti-trafikim. Megjithatë, këto plane e task forca, më vete, nuk kanë shumë peshë në vlerësimin për vendosjen e vendeve në grupe. Por, raporti përqendrohet në përpjekjet konkrete që kanë ndërmarrë qeveritë për të luftuar trafikimin. Gjithashtu, raporti nuk i jep shumë peshë ligjeve që janë në formë draftesh apo që nuk janë miratuar ende, sepse ende nuk mund të përdoren për të luftuar trafikimin. Në disa raste, task forcat, planet e veprimit apo projektligjet janë përmendur në vlerësimet për vendet si shembuj të një qëndrimi pozitiv, apo hapa paraprake që qeveria po fillon të ndërmarrë për të luftuar trafikimin.

Në disa vende, forca të armatosura përtej kontrollit të qeverisë detyruan fëmijë të bëheshin ushtarë apo argatë, apo t’u ofronin shërbime seksuale rebelëve. Në vende të tilla, qeveria mund të mos jetë në gjendje të marrë shumë masa, përgajtë linjës së “standarteve minimale” të Aktit për të luftuar problemin e trafikimit. Ky raport i kategorizon këto vende së pari mbi bazën e hapave, nëse ka të tilla, të marra nga qeveritë e tyre për t’i ndihmuar këto viktima. Këto shqyrtime pasqyrohen në vlerësimet për vendet.

Departamenti vlerëson përgjigjen ndaj raportit të vitit të kaluar, përfshi edhe reagimet nga Kongresi, shtypi, qeveritë e huaja dhe OJQ-të. Pjesa më e madhe e përgjigjes ishte pozitive dhe kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit ndaj çështjes së trafikimit të personave. Duke vlerësuar kërkesat statutore për raportin dhe synimin e tij përfundimtar për të ndihmuar eliminimin e trafikimit të personave, shqyrtuam me kujdes sugjerimet e bëra për raportin e vitit të kaluar. Për shembull, ndërmorëm hapa të mëtejshëm për të trajtuar lidhjen midis korrupsionit dhe trafikimit dhe raporti përfshin informacion më të hollësishëm mbi korrupsionin. Në mënyrë të ngjashme, u përpoqëm të rrisnim qëndrueshmërinë e vlerësimeve për vendet.

Vendosjet në Grupe

Disa vende nuk u përfshinë në raportin e vitit 2001 apo në këtë raport. Lënia e tyre jashtë nuk duhet konsideruar domosdoshmërisht si një rezultat pozitiv i përpjekjeve të këtyre vendeve për të eliminuar trafikimin e personave. Por, lënia e tyre jashtë mund të nënkuptojë që, në kohën e përgatitjes së raportit, Departamenti nuk kishte informacion të besueshëm që të ofronte fakte për një numër të konsiderueshëm viktimash të trafikimit. Siç vihet në dukje më sipër, trafikimi është një veprimtari kriminale e nëndheshme dhe, si e tillë, është e vështirë të merret informacion mbi të. Departamenti i Shtetit mori raporte për trafikim të mundshëm në shumë vende që nuk paraqiten në këtë raport. Departamenti i shqyrtoi të gjitha raportet me misionet tona diplomatike jashtë dhe me burime të tjera. Nëse Departamenti vendosi që informacioni i marrë nuk ishte i besueshëm ose nuk dokumentonte në mënyrë adekuate një numër të konsiderueshëm viktimash, vendi nuk u përfshi në raport. Nëse do të merret informacion shtesë, vende të tilla mund të përfshihen në një raport të ardhshëm. Disa shembuj të shumë vendeve në këtë situate përfshijnë Uzbekistanin, Turkmenistanin dhe Botsvanën.

Një tjetër vështirësi për marrjen e informacionit, që ndikon kryesisht në vendet e tranzitimit, del nga fakti që mund të jetë e vështirë të bëhet dallimi midis trafikimit të personave dhe kontrabandës së klandestinëve. Thjesht lehtësimi i hyrjes së jashtëligjshme në një vend nuk është, më vete, trafikim personash, megjithëse një kontrabandë e tillë klandestinësh mund të jetë pjesë e një operacioni trafikimi. Viktimat e trafikimit, tek lëvizen nëpër vendet e tranzitimit, mund të mos e dinë që do të detyrohen të futen në prostitucion apo punë të detyruar kur të arrijnë në vendin e destinacionit. Po kështu, zyrtarët e patrullimit të kufijve apo të migracionit mund të dallojnë hyrjen e jashtëligjshme apo tranzitimin në një vend por mund të mos kenë informacion që u tregon se kalimet e jashtëligjshme janë pjesë e një situate trafikimi. Në përgatitjen e këtij raporti, Departamenti vuri në dukje disa vende, të tilla si Kroacia, që duket të kenë nivel të konsiderueshëm kontrabande të klandestinëve, dhe për pasojë mund të jenë vende tranzitimi për trafikimin. Megjithatë, për arsyet e përmendura më sipër, Departamenti nuk ka informacion të mjaftueshëm tani për tani për t’i përfshirë këto vende në raportin e këtij viti.

Departamenti ka vetëm informacion minimal mbi disa vende. Koreja e Veriut përbën shqetësim të veçantë, dhe është e vështirë të konfirmohet informacioni verbal mbi trafikimin. Shembuj të tjerë të vendeve për të cilat ka informacion minimal janë Iraku dhe Somalia. Në këto raste kemi informacion minimal sepse, për shembull, nuk ka prezencë diplomatike në vend, shoqëria është e mbyllur, nuk ka shtyp të lirë, apo pak OJQ funksionojnë në vend. Departamenti përdori të gjithë informacionin që mund të mblidhej nga burimet në dispozicion mbi këto vende, por aftësia jonë për të arportuar mbi to është domosdoshmërisht e kufizuar. Do të vazhdojmë të kërkojmë informacion shtesë mbi këto vende nëpërmjet mjetesh të tjera, ndërkohë që njohim vështirësinë e verifikimit.

Sërish, vendet e lëna jashtë raportit të këtij viti mund të përfshihen në raporte të ardhshme mbi bazën e rrethanave të ndryshme apo informacionit të ri. Departamenti, postet e tij diplomatike në mbarë botën, dhe agjenci të tjera të Qeverisë së Sh.B.A. do të vazhdojnë të monitorojnë trafikimin në të gjitha vendet, me theks të veçantë mbi ato vende që nuk janë në raportin e këtij viti, por që përbëjnë shqetësim për arsyet e përshkruara më sipër, dhe do të vazhdojë të kërkojë burime të reja informacioni për raportet e ardhshme. Struktura e Zyrës së re të Trafikimit do të mundësojë një mbledhje më të madhe informacioni gjatë gjithë vitit. Departamenti gjithashtu mirëpret azhornim të informacionit të paraqitur këtu.

Disa vende që nuk ishin përfshirë në raportin e vitit 2001, shfaqen në këtë raport për shkak të rrethanave të ndryshuara apo informacionit të ri mbi numrin e viktimave të trafikuara në ato vende. Gjithashtu, disa vende që ishin përfshirë në raportin e vitit 2001 nuk janë në raportin e këtij viti. Kjo mund të nënkuptojë ose një rënie të numrit të viktimave të trafikuara deri nën limitin “domethënës” apo pasjen e informacionit të ri që çoi një rivlerësim të gjetjeve të vitit të kaluar.

Meqenëse vendosja e një vendi në një prej tri grupeve bazohet mbi vendosmërinë e përpjekjeve të atij vendi për të trajtuar trafikimin, kemi shqyrtuar nga afër rrymat dhe zhvillimet në çdo vend gjatë vitit të shkuar. Disa vende rritën përpjekjet e tyre për të luftuar trafikimin qysh prej nxjerrjes së raportit të Departamentit për vitin 2001. në disa raste, përpjekjet e rritura justifikuan kalimin e vendit në një grup më të lartë. Si shembull, Koreja e Jugut, e cila ka bërë hapa të jashtëzakonshme qysh nga raporti i fundit, kaloi nga Grupi 3 në Grupin 1. Rumania dhe Izraeli gjithashtu bënë hapa të mëdha në forcimin e përpjekjeve të tyre, duke demonstruar një angazhim të qartë ndaj kësaj çështjeje dhe duke zbatuar një game të gjerë aktivitetesh për ta luftuar problemin. Të dyja janë lëvizur nga Grupi 3 në Grupin 2. Vende të tjera që kaluan nga Grupi 3 në 2001 në Grupin 2 këtë vit si rezultat i përmirësimit të përpjekjeve të tyre anti-trafikim janë Shqipëria, Gaboni, Kazakistani, Malajzia, Pakistani dhe Jugosllavia. Megjithëse ato nuk përmbushin ende plotësisht standartet minimale, secila këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, u pa të bënte përpjekje domethënëse për ta bërë këtë.

Një numër vendesh të tjera që ishin vendosur në Grupin 2 në vitin 2001 u përmirësuan deri në atë masë sa ato tani janë në përputhje të plotë me standartet minimale dhe janë në Grupin 1 të këtij viti. Këto vende janë, Republika Çeke, Franca, Lituania, Maqedonia dhe Polonia. Një numër i vogël vendesh, përpjejket e të cilave u ngadalësuan zhgënjyeshëm gjatë vitit të shkuar, ranë nga Grupi 2 në vitin 2001 në Grupin 3 këtë vit.

Është e mundur që një vend të ketë një numër të madh viktimash të trafikuara dhe që qeveria të bëjë përpjekje domethënëse edhe nëse ka dobësi më se të dukshme. Për shembull, Tailanda dhe Vietnami radhiten në Grupin 2 sepse nuk janë plotësisht në përputhje me standartet minimale por kanë bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë, duke ndërmarrë masa për të parandaluar trafikimin dhe për të mbrojtur viktimat me anë të një numri përpjekjesh si fushatat e ndërgjegjësimit publik; zhvillimi social dhe ekonomik për individë në rrezik; partneritet me OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë e huaja për të trainuar policinë; dhe ofrimi i shërbimeve dhe strehimit për viktimat. Megjithatë, në të dyja vendet, zbatimi i ligjit është i ulët për shkak të korrupsionit dhe përfshirjes nga disa zyrtarë policie dhe qeverie. Qeveritë e Tailandës dhe Vietnamit kanë kryer hetime dhe kanë ndjekur penalisht disa trafikantë, megjithatë, ato mund dhe duhet të bënin më shumë për t’i dhënë fund mosndëshkimit të zyrtarëve të korruptuar dhe për të rritur arrestimet dhe ndjekjet penale të trafikantëve.

Pavarësisht nga vendosja në grupe, çdo vend mund të bëjë më shumë. Ato vende që janë lëvizuar nga një grup në vitin e kaluar në një grup më të lartë në raportin e këtij viti, kanë demonstruar veçanërisht përparim në trajtimin e problemit të trafikimit. Është gjithashtu e mundur që vendet të kalohen në një grup më të ulët duke pakësuar apo kufizuar përpjekjet e tyre. Vendosja e asnjë vendi nuk është e përhershme. Të gjitha vendet duhet të ruajnë dhe të rrisin përpjekjet e tyre për të luftuar trafikimin. Duke qëndruar drejt synimit për çrrënjosjen globale të trafikimit, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të monitorojnë përparimin në mbarë botën dhe të punojnë me partnerët për të forcuar përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj murtaje.

###

Shqipëria (Grupi 2)

Shqipëria është një vend origjine tranzitimi kryesisht për gratë dhe vajzat të trafikuara për qëllime shfrytëzimi seksual në Itali dhe Greqi, dhe për në vende të tjera të BE, si Belgjika, Franca, dhe Hollanda. Viktimat që kalojnë tranzit në Shqipëri vijnë kryesisht nga Rumania dhe Moldavia, dhe në numër më të vogël nga Bullgaria dhe Ukraina. Gjithashtu, raportohet të ketë edhe djem të vegjël që trafikohen nga Shqipëria si lypës në Itali dhe Greqi.

Qeveria Shqiptare ende nuk përmbush plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikimit; sidoqoftë, po bën përpjekje domethënëse për një gjë të tillë. Kodi Penal e ndalon trafkimin. Megjithë mungesën e theksuar të burimeve, Qeveria ka arrestuar 96 persona për krime trafikimi nga dhjetori 2000 deri në tetor 2001, dhe shpeshtësia e arrestimeve vazhdon të rritet. Nga këto, ka pasur të paktën 12 dënime, nga të cilat
9 kanë marrë burgim minimal. Prokurorët fajësojnë shkallën e ulët të dënimit në bazë të mungesës së fakteve. Me përjashtim të tre personave të dënuar në mungesë për trafikimin e personave në shkurt 2002, të gjitha dënimet deri më sot janë dhënë për akuza të reduktuara të tilla si përkrahje e prostitucionit. Trafikimi hetohet nga Sektori i Antitrafikimit dhe Sektori i Krimit të Organizuar. Megjithatë, korrupsioni i policisë pengon përpjekjet anti-trafikim. Zyra e Kontrollit të Brendshëm heton pjesëmarrjen e policisë, por sipas një studimi nga organizata ndërkombëtare, 10 përqind e viktimave të huaja të trafikuara nëpërmjet Shqipërisë raportuan se policia kishte qenë e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pak policë apo zyrtarë qeveritarë ndiqen penalisht. Në planin rajonal, qeveria bashkëpunon me qeveri të tjera nëpërmjet një organizate ndërkombëtare dhe shkëmbeu informacion mbi 15 çështje të trafikimit në vitin 2001. Në lidhje me mbrojtjen, policia nuk i trajton më viktimat si kriminelë dhe në mënyrë rutinë i drejton viktimat tek strehat e OJQ-ve dhe organizatave ndërkombëtare. Me ndihmën e OJQ-ve dhe bizneseve vendase, shefat e policisë në Fier dhe Durrës ngritën brenda prefekturave të tyre streha të përkohshme për mbrojtjen e dëshmitarëve. Megjithatë, qeveria nuk ka një program të gjithanshëm për mbrojtjen e dëshmitarëve. Nuk ka përpjekje parandalimi të sponsorizuara nga qeveria, por Sektori i Anti-Trafikimit po përgatit një studim mbi modelet dhe metodat e trafikimit, i cili mund të ndihmojë në strategji parandaluese të të ardhmes.

raporte
05 QERSHOR 2002
Copyright www.agimi.com 2002