|
Një
rezolutë të re e Këshillit të Sigurimit për
rregullimin e statusit të Kosovës.
Në një intervistë për televizionin publik ZDF,
Mihajl Shtajner tha se që nga koha e hyrjes së forcave
ndërkombëtare, civile dhe ushtarake, gjendja e sigurisë
në Kosovë është përmirësuar dukshëm
dhe puna e bashkësisë ndërkombëtare është
shpërblyer.
Ai tha po ashtu se krimi është zvogëluar ndjeshëm,
në 50 vrasje në vit, nga 50 në javë që
ishte në vitin 1999.
Por Mihajl Shtajner nënvizoi se papunësia që kap
shifra astronomike, për momentin 56% si dhe varfëria janë
pengesat kryesore për një paqe të qëndrueshme
në Kosovë. 12% e popullsisë së Kosovës
- ka kujtuar diplomati gjerman – jeton në kushtet e varfërisë
absolute.
Ai është shprehur më tej se Këshilli i Sigurimit
të Kombeve të Bashkuara duhet të shqyrtojë çështjen
e statusit të Kosovës. Pikërisht kjo ide e hedhur
nga Shtajner është shtjelluar nga shtypi gjerman sot.
Cydojçe Cajtung, shkruan se diplomati gjerman vlerëson
që vendosja e institucioneve funksionale është kusht
paraparak i padiskutueshëm për të zgjidhur statusin
përfundimtar të Kosovës.
Nonëse ka pranuar se statusi i Kosovës është
ende plotësisht i hapur, Shtainer ka hedhur poshtë një
numër mundësish: kështu ai ka thënë se
nuk ka asnjë mundësi rikthimi në gjendjen e para
1999 dhe se natyrisht nuk bëhet fjalë për një
ndarje sipas linjave etnike me vetqeverisje të kufizuar.
Sipas Shtajner mund të konsiderohen vetëm dy opsione:
pavarësia ose lidhje brenda një shteti federal me Serbinë
ose Jugosllavinë.
Por në një fjalim në Universitetin Humbolt të
Berlinit, Shtajner bëri thirrje për një rezolutë
të re të Këshillit të Sigurimit, me qëllim
që të rregullohet, siç u shpreh, sa më shpejt
që të jetë e mundur statusi i ardhshëm i Kosovës
– shkruan e përditshmja tjetër gjermane, Frankfurter
Rundshau.
‘Mbi këtë bazë Bashkimi Evropian duhet të
marrë përgjegjësitë që aktualisht i kanë
Kombet e Bashkuara dhe ta përfundojë detyrën e administrimit
sipas mënyrës evropiane’ – citon kjo gazetë
për të vazhduar ‘pikëpamja se duhen dhe shumë
vite përpara se statusi i Kosovës të zgjidhet, ka
ndryshuar si pasojë e luftës kundër terrorizmit’.
Vetqeverisja substanciale për Kosovës, sipas rezolutës
1244 të Këshillit të Sigurimit, nuk mund të
realizohet përmes kthimit të statusit të mëparshëm
si pjesë e Serbisë. Në mënyrë të ngjashme,
një ndarje apo kantonizim as që shtrohen për diskutim.
Çfarë mbetet është një model për
reflektim nëse Kosova në të ardhmen do të jetë
një vend sovran duke qenë në të njëtën
kohë e lidhur me perspektivën evropiane siç po
ndodh me Serbinë dhe Malin e Zi.
Frankfurter Rundshau citon Shtajnerin të ketë thënë
se ‘këtë vit për të parën herë
ka ndodhur që të kemi më shumë anëtarë
nga pakicat që kthehen, krahasuar me ata që largohen.
Kosova duhet të bëhet një shoqëri shumë-etnike
evropiane me pjesmarrje të plotë të pakicave’.
Megjithëse dyshues se kosovarët mund të pajtohen
me njëri tjetrin lidhur me statusin e rajonit – komenton
kjo gazetë – Mihajl Shtajner thotë se bashkësia
ndërkombëtare gjendet përballë nevojës
për të zgjidhur brenda një kohe të shkurtër
këtë çështje, ndërkohë që vihet
re një pakësim i dukshëm i gadishmërisë
së saj për të financuar adminstratën e shtrenjtë
të Kombeve të Bashkuara.
Me zgjerimin e Bashikimit Evropian në Lindje, Ballkani do të
shndërrohet në një lloj hapësire pa sinorë,
çka kërkon që Brukseli të përgatisë
strategji konkrete. Bashkimi Evropian sipas rezolutës së
re të mundshme të Kombeve të Bashkuara duhet të
marrë përsipër që të bashkërendojë
udhëheqjen e Kosovës. Vetë Shtajner thotë se
është optimist se deri sa të vijë kjo kohë
institucionet e rimëkëmbura të Kosovës do të
jenë në gjendje të punojnë në mënyrë
të pavarur dhe të përgjegjshme – shkruan Frankfurter
Rundshau.
|