MICHAEL STEINER PARA KS MË 03.07.03

Fjalimi i PSSP-së Michael Steiner në Këshillin e Sigurimit

Javën e ardhshme do të largohem nga Kosova. Kur kam arritur para një viti e gjysmë, nuk kishte qeveri – përkundër zgjedhjeve të përgjithshme të suksesshme. 153 të burgosur nga koha e luftës ende mbaheshin në Serbi. Në pjesën veriore të Mitrovicës kishte vakum juridik dhe trazira. Më shumë pjesëtarë të komuniteteve pakicë e braktisnin Kosovën se sa që ktheheshin në të. Prishtina dhe Beogradi nuk flisnin në mes vete.

Prej atëherë ne e kemi sajuar një qeveri multietnike. I kthyem të burgosurit. Mitrovica ende nuk është qytet i zakonshëm evropian. Por, ne e vendosëm administratën e UNMIK-ut në pjesën veriore të Mitrovicës, ku tani policia bën patrullime të rregullta. E ndryshuam tendencën negative lidhur me kthimet. Të dy palët kanë thënë që tani janë të gatshme për dialog të drejtpërdrejtë.

Ne avancuam në krijimin e kornizës për përparim në të ardhmen. Kjo kornizë është përmbledhur në tetë standardet, duke i përfshirë themelet e çdo shoqërie funksionale demokratike. Ju e keni parë raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm në të cilin jepen hollësirat e përmbushjes së secilit prej këtyre standardeve nga ana e Kosovës.

Ne i kemi sqaruar standardet dhe e kemi nxitur mbështetjen e opinionit për standardet përmes TV-së, radios dhe diskutimeve në tryeza të rrumbullakta anekënd Kosovës. Koordinatori i ri për strategji i UNMIK-ut do t’ia paraqes pasardhësit tim planin për operacionalizimin e mëtejshëm të këtyre tetë standardeve. Mekanizmi përcjellës i Komisionit të Bashkimit Evropian e konfirmon se standardet poashtu e hapin rrugën drejt Evropës.

Mbeten sfida të mëdha. Por përmes disa zhvillimeve të reja të cilat do t’i përmend tani, është shtruar themeli për përparimin e ardhshëm të Kosovës.

Standardet

Ta rishikojmë përparimin e Kosovës në aspektin e standardeve.

Institucionet funksionale demokratike: Qeveria e pëkohshme dhe institucionet e tjera të Kosovës nuk janë të përkryera. Por ato janë duke funksionuar dhe duke mësuar. Deputetët serbë marrin pjesë në punën e Kuvendit. Deri më tani kanë hyrë në fuqi tetëmbëdhjetë ligje nga Kuvendi. E kemi një proces të organizuar për përfundimin e bartjes së përgjegjësive të parezervuara tek qeveria deri në fund të këtij viti.

Në të njejtën kohë, institucionet e përkohshme vazhdojnë t’i tejkalojnë kompetencat e tyre. Kuvendi nuk i respekton gjithmonë të drejtat e pakicave. Natyrisht, ne duhet ta sigurojmë pajtueshmërinë me 1244 dhe me Kornizën Kushtetuese.

Sundimi i ligjit: Ne kemi krijuar një gjyqësi multietnike dhe një forcë policore prej 5,407 policëve duke filluar nga zeroja. Policia e UNMIK-ut bashkëpunon me homologët e saj në Beograd, Shkup dhe Tiranë.

Pasqyra e rasteve të krimit te ne tashmë është më e mirë se që besojnë shumë njerëz. Ndërmjet qershorit dhe dhjetorit të vitit 1999 kanë ndodhë 500 vrasje. Rreth 150 prej këtyre personave ishin serbë. Në vitin 2002 numri ka rënë në vetëm 68 vrasje, prej tyre gjashtë serbë.

Ishte UNMIK-u ai që i ofroi provat dhe dëshmitarët që e dënuan ish-udhëheqësin gjerman të kompanisë energjetike të Kosovës, lidhur me akuzat për korrupcion. Kjo i tregoi popullit të Kosovës që kur themi “zero tolerancë për korrupcionin” atëherë kjo vlen për secilin.

E pajisur me instrumente të reja teknike dhe ligjore për shfrytëzimin e masave të fshehura, zyra për krimin e organizuar i ka vënë në shënjestër strukturat e nëntokës në Kosovë.

Gjyqësia poashtu ka qenë aktive kundër krimit të organizuar. Kriminelë famëkeq janë dënuar dhe gjykime të rëndësishme janë duke u mbajtur. Kur një shqiptar i Kosovës i rangut të lartë u akuzua nga Tribunali i Hagës, ai publikisht e shprehu gatishmërinë e tij që të shkojë në Hagë vullnetarisht.

Pa e paragjykuar rezultatin, policia është duke bërë çdo gjë që mundet për t’i zënë kryesit e vrasjes së neveritshme të trefishtë të një familjeje serbe në Obilic. Të gjithë liderët kryesor të Kosovës e dënuan këtë krim.

Ekonomia: Shumica e kosovarëve e rendisin ekonominë si brengën e tyre kryesore. Ata kanë të drejtë: Shkalla e papunësisë është 57%.

Por ne e kemi shtruar themelin për një ekonomi të qëndrueshme në të ardhmen. Euro-ja e siguron stabilitetin monetar. Ky ka qenë një sukses i madh që na e ka mundësuar krijimin e një sistemi efikas bankar. Një miliardë marka që më parë janë ruajtur nën dyshekë tani janë të kursyera si 500 milionë euro në banka, të cilat mund të shfrytëzohen për huadhënie.

Kosova e ka një buxhet të ekuilibruar që mbështetet në një shërbim funksional për arkëtimin e të hyrave. Ne e kemi krijuar një kornizë ligjore për t’i mbrojtur investimet dhe për ta nxitur ekonominë e tregut, me ligjet për çdo gjë prej kontratave e deri te falimentimi. Me rëndësi vendimtare është se ne e kemi filluar procesin e privatizimit duke bërë shpalljen e tenderëve për ndërmarrjet e para shoqërore.

Ajo që na nevojitet tani është besimi i investitorëve. Kjo do të arrihet vetëm përmes një shoqërie funksionale të bazuar në sundimin e ligjit. Edhe standardet kanë të bëjnë me këtë.

Multietniciteti dhe kthimi:

Deri më tani janë kthyer 7,000 persona të zhvendosur. Prej muajit mars të këtij viti janë kthyer 1,100 persona. Po, ky numër është tepër i vogël. Por tani e kemi kornizën për kthime, të bazuar në qasjen nga poshtë-lart.

Multietniciteti po përmirësohet gradualisht. Pjesëtarët e komuniteteve pakicë e përfaqësojnë 15% të Shërbimit Policor të Kosovë – që përbën diskriminim pozitiv. Në gjeneratën e diplomuar së fundi në shkollën e policisë, gjysma e policëve të rinj ishin serbë të Kosovës. Gjuha serbe mund të dëgjohet në rrugët e Prishtinës dhe të Prizrenit. Në mbrëmjen e ditës më të gjatë të verës, qindra të rinj nga të dy anët e lumit në Mitrovicë kanë marrë pjesë në një ndejë tekno të mbajtur mbi urën e famshme të qytetit.

Megjithatë, ende nevojitet shumë punë që Kosova të bëhet një shoqëri vërtetë multietnike. Ngadalësia me të cilën po bëhet kthimi dhe integrimi mbeten e meta jonë më e madhe.

Z. Kryetar,

Prandaj kam kënaqësinë t’ju informoj se dje në Prishtinë është bërë publike një thirrje e hapur, të nënshkruar në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze nga të gjithë liderët jo-serb të Kosovës. Në të ju bëhet thirrje refugjatëve dhe personave të zhvendosur në Serbi, Mal të Zi dhe IRJM që të kthehen në Kosovë tani. Po e citoj:

“Është koha që ju të ktheheni në shtëpi. ... Ne nuk ju ‘ftojmë’ të ktheheni në shtëpinë tuaj sepse Kosova është shtëpia juaj dhe ju keni të drejtë të jetoni këtu në paqe. Kosova është shtëpia juaj, sikur që është edhe e jona; ne dëshirojmë dhe punojmë që ju të ktheheni dhe të jetoni në paqe me ne si fqinjë, në frymën e respektit të ndërsjellë. Me të vërtetë ka ardhë koha kur duhet ta lëmë të kaluarën prapa dhe të ecim përpara. ...

Ne jemi të gatshëm të kujdesemi për nevojat tuaja në shëndetësi, shërbime publike dhe në arsim në mënyrë të barabartë si edhe për banorët e tjerë të Kosovës. Nuk mund të ofrojmë më shumë se kaq, por atë që jemi në gjendje ta ofrojmë e bëjmë me sinqeritet.”

Ky është angazhimi konkret i liderëve për të cilin kemi punuar ne, në mënyrë që t’i bindim personat e zhvendosur.

Kosova nuk i takon shqiptarëve ose serbëve ose ndonjë grupi tjetër etnik – Kosova ju takon të gjithë banorëve të saj. Njohja e këtij fakti është çelës për të ardhmen e Kosovës.

Forcat centrifugale

Përkundër përparimit që e kemi arritur, retorika është bërë më kontradiktore. Të dy palët janë duke u para-pozicionuar për statusin e ardhshëm.

Në Prishtinë, shqiptarët e Kosovës përpiqen t’i shkelin kompetencat e rezervuara. Ata vazhdojnë ta përkrahin pavarësimin sa më të shpejtë. Beogradi vazhdon t’i mbështes strukturat paralele me paratë e fshehura nën ulëset e veturave dhe e pengon lirinë e lëvizjes duke mos i pranuar tabelat e regjistrimit të KB-ve për Kosovën. Disa e paraqesin një pasqyrë të errët të realitetit në Kosovë, duke e shkurajuar kthimin në këtë mënyrë.

Liderët në të dy anët duhet ta nxisin besimin. Nëse liderët nuk janë duke i çuar zgjedhësit e tyre përpara, ata janë duke i kthyer ata pas.

Sa na përket neve, ne duhet ta mbajmë drejtimin tonë - jo si reagim ndaj kritikave që vijnë nga të dy palët, por për shkak të tyre.

E ardhmja evropiane e Kosovës

Duke e shikuar rrugën përpara, ne kemi arritur shumë gjëra. Por një standard në të cilin na ka munguar përparimi qe sa kohë është dialogu i drejtpërdrejtë me Beogradin për çështje praktike.

Selaniku e ndryshoi këtë.

Unë i kam pasur tri qëllime për samitin e BE-së për Ballkanin perëndimor të mbajtur në Selanik. I pari: një hap mëtej drejt BE-së. I dyti: dërgimi i një delgacioni multietnik. Dhe i treti: ta vë në binarë dialogun e drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike – standardi i shtatë.

Pra, çka është arritur?

Së pari, sipas fjalëve të Kryetarit të Komisionit, Prodi, integrimi i Ballkanit në BE, duke e përfshirë edhe Kosovën, “tani është i pakthyeshëm”. Së dyti, delgacioni im ishte multietnik dhe së treti, dialogu për çështje praktike u vu në binarë – dialogu i kërkuar nga misioni i Këshillit të Sigurimit pas vizitës së zhvilluar në Kosovë dhjetorin e kaluar. Përkundër retorikës, dialogu do të vie.

Themeli i shtruar

Ajo që është duke e bërë UNMIK-u në Kosovë është diçka e re – dhe ne ende po mësojmë. Bosnja, Afganistani dhe Iraku e vërtetojnë se sa vështirë është të fitohet paqja, të krijohen institucionet funksionale dhe të ngjallet ekonomia. Kosova e mban edhe barrën shtesë të statusit të saj politik të pazgjidhur. Tani kjo ngadal po del në plan të parë. Askush nuk duhet të befasohet me këtë.

Më befasuese është sa larg kemi arritur – dhe prej çfarë vendeve të largëta kanë ardhur njerëzit për të na ndihmuar të arrijmë aty ku jemi tani. Burra dhe gra nga 119 vende shërbejnë në UNMIK. KFOR-i, kontributi i të cilit në krijimin e një ambienti të sigurtë është bazë themelore për tërë punën tonë, mban në vete forca nga 37 vende. Pasi që kontigjenti rus po shkon, i falënderoj që për katër vjet kanë ofruar shërbim profesional.

Z. Kryetar,

Kosova është tani duke shkuar drejt standardeve që do ta përkufizojnë vendin e saj në Evropë.

Kush do ta paramendonte para një viti e gjysmë që Bashkimi Evropian do të thoshte që Kosova është paracaktuar të jetë pjesë e BE-së?

Kush do të mendonte se kryetari, kryeministri dhe koordinatori ndërministror për kthime serb i Kosovës do të ishin mirëpritur së bashku si pjesë e delegacionit të UNMIK-ut në një samiti të BE-së?

Kush do të mendonte që kryetari i IRJM-së do ta ftonte kryetarin Rugova të jetë pjesë e delegacionit të UNMIK-ut që do ta vizitoj Shkupin?

Kush do të mendonte që ne do ta vinim Prishtinën në binarë për dialog të drejtpërdrejtë me Beogradin?

Kush do të mund t’i paramendonte para një viti e gjysmë të gjithë liderët e komunitetit më të madh në Kosovë duke ju bërë thirrje zyrtarisht personave të zhvendosur të kthehen në Kosovë tani?

Pasardhësi im do të trashëgojë shumë probleme. Ai ose ajo poashtu do ta trashëgojë një ekip të njerëzve të përkushtuar dhe të talentuar. Ishte kënaqësi dhe privilegj ta udhëheq këtë ekip në një mision të tillë të veçantë të KB-së. Dhe ishte nder t’i shërbej popullit të Kosovës. PSSP i ardhshëm dhe i tërë stafi i UNMIK-ut kanë nevojë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ndërkohë unë po e lë misionin në duart e afta të Charles Brayshaw.

Edhe shumë gjëra mbeten për t’u bërë në mënyrë që të përfundojë transformimi i Kosovës në një shoqëri ku i tërë populli i saj mund të jetojë në siguri dhe me dinjitet. Por me ndihmën e mijëra meshkujve dhe femrave nga të gjitha komunitetet e Kosovës dhe nga shumica e vendeve të botës, unë po e lë pas një bazament të fortë.

Nga shtypja, poshtërimi dhe tragjedia e vitit 1999 Kosova është në rrugë drejt një shoqërie të çliruar, funksionale dhe demokratike. Ende nuk është arritur pjesëmarrja e të gjithëve. Ëndrra ende nuk është realizuar. Por themeli është shtruar.

raporte
www.agimi.com
Copyright www.agimi.com 2002