SIPAS ANKETËS TË PVPM-së, SHQIPTARËT DEKLAROJNË SE JANË DORË E DYTË NË MAQEDONI

Mbi 50 përqind të anketuarve maqedonas deklarojnë se flamuri dhe gjuha shqipe është i papranueshëm në institucione shtetërore

Në pyetjen se kujt i takon Maqedonia, numri më i madhë i qytetarëve, 61 përqind kanë deklaruar se Maqedonia i takon qytetarëve në përgjithësi kurse 14 përqind mendojnë se ajo u takon qytetarëve maqedonas. Shqiptarët me 0.4 përqind nuk e kanë bërë të ditur opinionin se kujt në të vërtetë i takon Maqedonia në krahasim me 11.3 përqind të cilët kanë deklaruar se Maqedonia i takon kriminelëve dhe politikanëve me 10.9 përqind

 

Organizata joqeveritare Projekte për Vizione të Përbashkëta në Maqedoni (PVPM) këtyre ditëve ka mbaruar fazën e dytë të konsultimeve dhe analizave paraprake me qytetarët e Maqedonisë në formë anketeje ku kanë qenë të shtjelluara konkretisht pyetjet e fundit të cilët në publik transmetohen në mënyra të ndryshme.

Kjo fazë sipas kësaj organizate ka përfshirë një numër të madhë të qytetarëve prej të gjitha grupeve nacionale dhe grupeve etnike në Maqedoni.

Në këto hulumtime ku kryesisht bëhet fjalë për sferën e ekonomisë, ato sociale, intergrimet dhe decentralizimi, janë përfshirë gjithsej 24 rajone në tërë Maqedoninë.

Hulumtimet janë bërë nga ekspertë të lëmive të ndryshme, juristë, ekonimista dhe gazetar. Faza e dytë e hulumtimeve e kësaj organizate gjegjësisht është shtjelluar në atë se si duhet të duket Maqeonia në të ardhmen dhe bashkëpunimi ndëretnik i qytetarëve brenda Maqedonisë.

Në këtë mënyrë, 60 përqind e qytetarëve kanë deklaruar se Maqedonia duhet të jetë vend multietnik në krahasim prej 18 përqind të cilët kanë deklaruar për pastrime etnike kurse pjesa tjetër prej 7 përqind kërkojnë federalizim.

Përmirsimi i bashkëpunimit ndëretnik sipas të anketuarve bëhet vetëm me anë të arsimimit dhe punësimit të qytetarëve.

Rezultatet tregojnë se shumica e qytetarëve të Maqedonisë edhe atë 52.5 përqind shumë rëndë e pranojnë dygjuhësinë në institucionet shtetërore kurse vetëm 23.3 përqind janë dakord që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në vend.

Për 34.9 përqind të të anketuave është e papranueshme përfaqësimi i drejtë i bashkësive etnike në administratën shtetërore përderisa për 31.1 përqind është e drejtë dhe barabarësi një përfaqësim i tillë.

 

Maqedonasit nuk i pranojnë simbolet kombëtare të shqiptarëve

 

Ndërkohë që, përdorimi i simboleve etnike së bashku me atë të Maqedonisë në institucione shtetërore për 63.4 përqind të maqedonasve është i papranueshëm në krahasim me 21 përqindëshin e të anketuarve të cilët kanë deklaruar se nuk u pengojnë flamujt e bashkësive tjera të cilët janë banorë të Maqedonisë.

Shqiptarët në përgjithsi kanë deklaruar se nuk do të ishte tragjike nëse krahas flamurit shtetëror të Maqedonisë të përdoret edhe ai shqiptar.

Kategorik në mohimin e flamujve të bashkësive tjera etnike sipas hulumtimeve kanë qenë qyteti i Manastirit, Shtipit dhe Resnjës.

Ndërsa, për anëtarsimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) janë deklaruar pozitivisht pjesa më e madhe e të anketuarve edhe atë 94.4 përqind.

Mirëpo, për anëtarsimin e Maqedonisë në BE, të anketuarit kanë deklaruar se kushti themelor është përmirësimi i bashkëpunimit ndëretnik në vend.

Mbi 40 përqind të qytetarëve kanë deklaruar gjithashtu se Maqedonia nuk është vend me demokraci të plotë dhe se shteti binacional ekziston vetëm në 28.9 përqind.

Në pyetjen se kujt i takon Maqedonia, numri më i madhë i qytetarëve, 61 përqind kanë deklaruar se Maqedonia i takon qytetarëve të saj kurse 14 përqind mendojnë se ajo u takon qytetarëve maqedonas. Shqiptarët me 0.4 përqind nuk e kanë bërë të ditur mendimin se kujt në të vërtetë i takon Maqedonia në krahasim me 11.3 përqind të cilët kanë deklaruar se Maqedonia i takon kriminelëve dhe politikanëve me 10.9 përqind.

Shumica e të anketuarve prej 43.7 përqind janë optimistë se qytetarët mund të ndjehen si pjesëtarë të “një identiteti” shtetëror apo nacional.

Kështu, shqiptarët të cilët në këtë pyetje janë përfaqësuar me 66.4 përqind kanë deklaruar se në udhëtimet jashta vendit prezentohen si shqiptarë të Maqedonisë kurse 27 përqind prej tyre prezentohen si shqiptarë-banorë të ish Jugosllavisë.

 

Policia me dallime etnike - dhunë ndaj shqiptarëve

 

Shqiptarët nga rajonet e krizave kanë bërë të ditur se policia vepron në mënyrë ndaras duke ushtruar dhunë më së shumti ndaj shqptarëve.

Kjo deklaratë është karakteristike në rajonin e Pollogut konkretisht në fshatrat e Tetovës dhe Gostivarit.

Nga kjo del se maqedonasit kanë pozitë diametrale ndaj pozitës së shqiptarëve. Numri më i madhë i maqedonasve me 64.3 përqind kanë deklaruar se përdorimi i forcës nga policia bëhet në mënyrë të njejtë sikur ndaj të gjitha bashkësive në Maqedoni kurse shqiptarët me 69.9 përqind mendojnë se policia ushtron dhunë vetëm ndaj tyre.

Çështje tjetër që është prekur nga anketa e PVPM-së është edhe korupsioni në Maqedoni. Mendimi i shumicës së qytetarëve në Maqedoni, rreth 87 përqind kanë deklaruar se lufta kundër korupsionin vetëm se është marrëveshje në letër dhe se pikërisht Qeveria dhe institucionet e saja e zhvillojnë korupsionin.

Megjithatë, PVPM-ja në fazën e tretë e cila pritet të përfundojë në shtator të këtij viti, pret që Qeveria e Maqedonisë t'i implementojë kërkesat dhe analizat përfundimtare të gjendjes momentale në vend dhe e gjithë ajo të kalojë në duart e parlamentarëve.

Ndryshe, PVPM-ja është organizatë joqeveritare e cila vepron në kuadër të organizatës zvicërane ËSP-international me seli në Zhenevë. Misioni themelor i PVPM-së sipas udhëheqësve të kësaj organizate është që t'i ndihmojë shoqërive të rrënuara nga lufta për të tejkaluar konfliktin dhe të ndërtojnë paqe të qëndrueshme në vend.

Kjo organizatë mes tjerash ka edhe pesë grupe terenesh të cilët drejtëpërsëdrejti anketojnë qytetarët të konfesioneve dhe etniteteve të ndryshme.

Aktivitetet e kësaj organizate janë publike të cilët bazohen në pjesëmarrje të gjërë të përfaqësuesve të qytetarëve, partive politike si dhe komunitetit ndërkombëtar.

shkruan:

Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com