KUSH PO I KTHEN
VRASJET NDËRETNIKE NË KOSOVË
· Provokimet në kufirin Kosovë Serbi, të
shoqëruara edhe me arrestime, madje edhe vrasje nga persona
të panjohur, që futen nga Serbia në territorin
e Kosovës e ikin - ngacmojnë plagët e vjetra e shkaktojnë
edhe shqetësime të reja
· Si u keqpërdor një lojë e padjallëzi
adoleshentësh për ndezje gjakrash në marrëdhëniet
ndëretnike kur ato po shënonin ngritje edhe në Mitrovicë
· Sa kanë të drejtë protestuesit ti
cenojnë të drejtat e të sëmurëve, të
nxënësve etj. dhe cilat do të ishin format e tjera
të presionit për realizimin e ndonjë të drejte
që konsiderohet e shkelur
Privimet e dhunshme nga jeta janë ndër shkeljet më
të rënda të të drejtave të njeriut
të drejtës për jetë. Vrasjet me motive ndëretnike
janë aq më të rënda kur prekin në marrëdhëniet
ndëretnike dhe lirinë e jetës e të lëvizjes.
Janë disa muaj që në Kosovë nuk kemi shënuar
ndonjë vrasje me motive ndëretnike, ndërkohë
që edhe numri i veprimeve të tjera kriminale është
gjithnjë në rënie dhe Kosova, sipas vlerësimeve
të përgjithshme, numërohet ndër rajonet më
të qeta në Ballkan.
Si për ta thyer këtë pohim e prishur imixhin
e fituar të vendit më të qetë, këtë
muaj, në Kosovë, kanë ndodhur vrasje e plagosje të
kualifikuara si krime të rënda me motive ndëretnike
dhe vrasje me motive të ulëta. Dy vrasje e një plagosje
afër kufirit të Kosovës me Serbinë - me motive
të paverifikuara dhe nga persona të panjohur
- vetvetiu mund të kualifikohen si vrasje ndëretnike për
vetë faktin se ndodhin në territorin e Kosovës por
mu afër kufirit me Serbinë, ku kohëve të fundut
janë shënuar mjaft shpesh provokime nga persona të
uniformuar, që arrestojnë e maltretojnë qytetarët
kosovarë në tokën e tyre, duke shkelur kështu
kufirin, rrjedhimisht edhe Rezolutën 1244 të Këshillit
të Sigurimit të OKB, që siguron paprekshmërinë
e kufirit dhe integritetin territorial të Kosovës, Rezolutë
kjo të cilën regjimi aktual i Beogradit, jo vetëm
e ka njohur, por shpeshherë edhe mbështetet në të
kur i duket se ka ndonjë interes të vetin
A mund të jetë prerja e drurëve - shkas për
vrasje mizore
Të mërkurën, më 11 shtator, rreth orës
16.00, në Bjeshkë të Moknës, në kufirin
Kosovë-Serbi, te Kroi i Zmetit, janë vrarë Sylë
Haxhijaj (38) e Skënder Haziraj (18) dhe është plagosur
Ukshin Haziraj (48), të tre nga fshati Rakosh i komunës
së Burimit. Nuk ka njoftime as për dorasit e as për
motivet. Por, i plagosuri ka deklaruar se së bashku me
dy viktimat ka qenë me traktor 2-3 kilometra larg kufirit me
Serbinë dhe persona të panjohur i kanë sulmuar me
rafale automatikësh.
Banorët e fshatit thonë se edhe më parë
në Bjeshkë të Moknës, afër kufirit Kosovë-Serbi,
ka pasur incidente të vogla e provokime me të shtëna
me armë zjarri nga paramilitarët serbë ndaj barinjve
dhe druvarëve të Rakoshit. E dy viktimat dhe i plagosuri
Ukshin Haziraj ishin duke u kthyer në shtëpi me traktor
të ngarkuar me dru. Kjo vrasje e dyfishtë në tokën
e Kosovës në kufi me Serbinë nuk mund të quhet
më provokim apo incident i vogël, por vrasje e qëllimtë
për ta kthyer vrasjen ndëretnike në Kosovë,
për të krijuar pasiguri dhe për ta penguar qarkullimin
e lirë të qytetarëve, rrjedhimisht për ta penguar
dhe rrënuar stabilitetin e Kosovës.
Edhe vrasjes enigmatike të Shefqet Halit Mehollit (32) në
lagjen Livadhi të Stantërgut të Mitrovicës
mund ti jepet ngjyrë ndëretnike për vetë
faktin se, vonë në mesnatën e 1 shtatorit, ai është
vrarë në oborr të shtëpisë së vet
nga persona të maskuar, ndërkohë që familjarët
e tij thonë se askujt kurrë nuk i ka pasur kurrfarë
borxhi dhe kurrfarë shkaku apo shkasi për një veprim
të tillë. Ndërkaq, më 5 shtator është
vrarë me armë zjarri vajza 17 vjeçare Shahe Hoti
dhe është plagosur i ati, Halil Hoti (70), nga Ratkoci
i Rahovecit. Po atë ditë është vrarë edhe
pjesëtari i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës
Abaz Taraku nga Vitaku i Skënderajt, por këto janë
cilësuar - e para si vrasje për hakmarrje dhe e dyta si
- vrasje e natyrës personale dhe pa kurrfarë
lidhjeje me TMK-në dhe me imazhin e saj.
Vazhdon ankthi për të zhdukurit dhe varrezat masive
Ankthi për të zhdukurit e varrezat masive dhe identifikimin
e viktimave të luftës e zbulimin dhe hapjen e varrezave
ende të pazbuluara - po vazhdon të mbajë në
ngërth jo vetëm familjarët e viktimave, por edhe
mbarë popullsinë e Kosovës. Në Shtëpinë
e Kulturës Hasan Prishtina në Skënderaj
këtë muaj janë ekspozuar 144 fotografi me rroba dhe
gjësende të tjera të trupave të pajetë,
që konsiderohen se janë vrarë më 28 mars 1999
në Izbicë të Skënderajt e që janë
gjetur në Petrovo-Selo të Serbisë. Udhëheqësi
i Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore
(OMFPF) pranë UNMIK-ut, Jose Pablo Baraybar, në një
konferencë shtypi në Prishtinë, njoftoi se që
nga viti 1999 në Kosovë janë zhvarrosur 4.500 trupa
të pajetë, nga të cilët më shumë se
gjysma janë identifikuar. Në Batajnicë të Beogradit
janë zhvarrosur 162 trupa të pajetë e janë bërë
82 autopsi. Ende nuk dihet sa do të jetë numri i përgjithshëm
i kufomave që mund të gjenden aty, por kemi të bëjmë
me një numër të madh, madje deri në 700 kufoma,
shifra këto që, siç tha z. Baraybar, ende nuk janë
të konfirmura.
Ndërkaq, Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi
Ligjore në Prishtinë ka edhe rreth 50 dosie plotësuese
të varrezave masive, e duhet të zbulohen edhe 200 varreza
të tjera. Ekzistojnë shënime se deri në fund
të këtij viti mund të zbulohen edhe 150 viktima kështu
që duhet të zhvarrosen dhe në të njëjtën
kohë të identifikohen mbi 300 viktima. Ndërkohë
përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm
të OKB në Kosovë, Mihael Shtajner, ka urdhëruar
që deri më 31 dhjetor të përfundohet zhvarrimi
nga të gjitha varrezat në Kosovë.
Shefi i Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi
Ligjore dhe njësia për persona të zhdukur e policisë
së UNMIK-ut kanë mohuar se ka varreza masive të viktimave
serbe në Rahovec dhe kanë theksuar se ato janë
varreza të personave që kanë vdekur para shumë
vitesh. Ato po ashtu kanë mohuar deklaratën e deputetes
serbe Rada Trajkoviq se ekziston një varrezë masive e
viktimave serbe pas fabrikës Ballkani në Therandë.
Ndërkohë, Shoqata Serbe e Familjeve të të Zhdukurve
ka kërkuar nga nënkryeministri i Qeverisë së
Serbisë, Nebojsha Çoviq, ku janë 400 serbë
të zhdukur që janë ende gjallë, të
cilët, sipas pohimeve të tij, ndodhen në burgjet
e Kosovës e të Shqipërisë. Lidhur me këtë
Sajmon Hajzelok, shef i UNMIK-ut për informim, i ka thënë
agjencisë serbe të lajmeve Beta se nuk
ka kurrfarë të dhënash në lidhje me këto
pohime dhe se nuk beson se në Shqipëri ka diçka
të këtillë. Edhe Këshilli ynë është
interesuar në instancat më të larta të Republikës
së Shqipërisë dhe është informuar se atje
nuk ka kurrfarë burgjesh private dhe as në burgjet shtetërore
nuk ka kurrfarë të burgosurish apo pengjesh serbë
apo kosovarë.
Ndërkohë, Shërbimi ynë për Informim po
vazhdon të informohet për ekzistimin eventual të
varrezave të viktimave të luftës. Nënkëshilli
i KMDLNJ-së në Vushtrri njofton se në pishnajën
ndërmjet fshatrave Brusnik dhe Taraxhë, dyshohet se ekziston
një varrezë masive në një vend të fshehur,
ku forcat serbe e kanë grryer tokën me eskavator. Në
vendin e quajtur Hamoc, afër fshatit Brestoc të Rahovecit,
janë gjetur një kafkë njeriu, disa eshtra dhe rroba
të dëmtuara. Në trekëndëshin Mali i Zi
- Kosovë - Shqipëri është gjetur skeleti i një
femre që supozohet të jetë shqiptare e vrarë,
e mbetur aty që nga koha e luftës.
Ndërkaq, në Kosovë po vazhdojnë të mbahen
protesta, tubime e greva në kërkim të çfarëdo
informacioni për fatin e të zhdukurve. Natën e 27
shtatorit, në prag të mbledhjes së Kuvendit të
Kosovës, rreth 40 prindër, gra e motra kosovare bënë
grevë 24-orëshe para selisë së Parlamentit me
kërkesë që të bëhet më shumë
nga ana e institucioneve vendore e ndërkombëtare për
ndriçimin e fatit të të zhdukurve dhe lirimin e
tyre.
Në Serbi kanë filluar të gjykohen e në Kosovë
edhe të lirohen të akuzuarit për krime lufte
Ndjekja dhe gjykimi i të dyshuarve për krime lufte, krime
kundër njerëzimit e gjenocid gjithsesi reflektohet në
gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë
jo vetëm pse krimi, në këtë mënyrë,
merr dënimin e merituar nga organet e drejtësisë,
por edhe pse ngadalë e qetëson dhe e paralizon ndjenjën
e hakmarrjes jo vetëm te të dëmtuarit, por edhe në
një rreth më të gjerë. Kjo, për vetë
faktin se u lihet organeve të ndjekjes dhe të drejtësisë
të merren me ndjekjen e bartësve të krimit dhe dënimin
e drejtë të tyre.
Pas dënimit muajin e kaluar nga Gjykata e Qarkut në Prokuple
të Serbisë me 8 vjet burg të ish-rezervistit të
Ushtrisë Jugosllave, Ivan Nikoliq, për vrasjen e dy civilëve
shqiptarë në fshatin Penduh të Podujevës, në
Gjykatën Ushtarake në Nish këtë muaj ka filluar
gjykimi i nënkolonelit të Ushtrisë Jugosllave Zlatko
Mançiq, nga Piroti, i kapitenit Rade Radojeviq nga Medvegja
dhe i ushtarëve Danilo Teshiq nga Beogradi dhe Mishel Seregi
nga Subotica. Të katërt akuzohen për vrasjen e dy
civilëve shqiptarë në fshatin Kuzhnin të Prizrenit
në prill të vitit 1999. Ushtarët akuzohen se me urdhrin
e eprorëve Mançiq e Radojeviq i kanë vrarë
dy civilët shqiptarë dhe trupat e tyre i kanë djegur.
Prokuroria nuk e klasifikon vrasjen si vrasje klasike, por si vrasje
në kushtet e luftës dhe të shkeljes së
të drejtës ndërkombëtare të luftës.
Ndërkohë që organeve të ndjekjes e të
gjyqësisë në Serbi sikur ka filluar tu bjerë
në mend se edhe vetë duhet ti ndjekin dhe ti
gjykojnë urdhërdhënësit dhe kryerësit e
krimeve të luftës në Kosovë, këtë
muaj, në Kosovë, prapë kanë filluar të
gjykohen, por edhe të lirohen të akuzuarit për krime
të luftës. Kështu, në Gjykatën e Qarkut
në Pejë po mbahet procesi gjyqësor kundër Veselin
Beshoviqit nga Gorazhdeci i Pejës, i akuzuar për krime
lufte në rajonin e Pejës, kurse në Gjykatën
e Qarkut në Mitrovicë për krime lufte po gjykohet
Miroslav Vuçkoviq. Ndërkaq, në Gjykatën e
Qarkut në Prizren, për mungesë të provave, u
lirua si i pafajshëm Sasha Gërkoviq nga Rahoveci, i akuzuar
për krime lufte ndaj popullatës civile në mars të
vitit 1999 në fshatrat Fortesë (Bellacërkë),
Celinë, Krushë e Vogël dhe Mamushë.
Më 17 tetor, në Banjë të Albanikut (Leposaviqit),
policia e UNMIK-ut arrestoi Slavisha Nedelkoviqin (39) nga Banja,
i dyshuar për krime lufte mbi popullatën shqiptare në
Kosovë në vitet 1998/99. Të arrestuarit menjëherë
iu caktuan 30 ditë paraburgim. Ndërkaq më 26 shtator,
në Lipjan, janë arrestuar tre shqiptarë të dyshuar
se në qershor të vitit 1999 kanë vrarë serben
59-vjeçare Milena Stojanoviq nga Lipjani. Ndërkohë,
në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, u lirua si
i pafajshëm Stevo Zhigiq nga Mitrovica, i akuzuar për
vrasjen e Muharrem Sokolit në masakrat e 3 dhe 4 shkurtit të
vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës,
kur u vranë 11 civilë shqiptarë, u plagosën
me armë zjarri 25 e u keqtrajtuan 93 të tjerë, 2
prej të cilëve vdiqën më vonë në spitalin
e Prishtinës. Me atë rast nga shtëpitë e banesat
e veta në veriun e Mitrovicës e në periferinë
e saj u dëbuan 1564 familje shqiptare me 11364 anëtarë.
Këtë muaj, në Gjykatën e Qarkut në Pejë,
ka filluar gjykimi i shtetasit egjiptian Sherif El Aziz, ish-pjesëtar
i policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut me shërbim
në Pejë, i akuzuar për vrasjen e Vlora Bërbatit
(23), ish-përkthyese në një stacion të policisë
në Pejë. Ky është rasti i parë që
gjykohet për krim një nëpunës ndërkombëtar
në gjykatat e Kosovës.
Në Serbi dhe nga Serbia prapë po arrestohen shqiptarët
Ndërkohë, brenda në Serbi, në kufi me Kosovën,
ose edhe brenda në Kosovë, në zonën buzë
kufirit, pjesëtarët e Sigurimit Shtetëror serb, të
policisë serbe ose edhe të Ushtrisë Jugosllave, me
pretekste të ndryshme, po arrestojnë qytetarët shqiptarë
duke shkelur kështu të drejtën elementare të
lëvizjes së tyre të lirë në tokën
e vet, ose të qarkullimit të lirë me dokumente relevante
në Serbi apo Mal të Zi.
Prerja e druve në mal brenda Kosovës, por afër kufirit
me Serbinë, edhe këtë muaj, sikurse edhe muajin e
kaluar, është bërë shkas për arrestimin
e shqiptarëve nga ushtria ose policia serbe e mandej edhe për
dënimin e tyre me procedurë të shpejtë në
gjykutat serbe për kundërvajtje. Kështu, më
23 shtator, në fshatin Desivojcë të Dardanës,
në brezin kufitar Kosovë-Serbi, brenda territorit të
Kosovës, policia serbe ka arrestuar qytetarët e Kosovës
Xhemajl Shkodra (1958), Besim Shkodra (1982), Aziz Shkodra 1972),
Blerim Shkodra (1982), Sabri Shkodra (1982), Rexhep Ibrahimi dhe
Fazli Lipovica, të gjithë nga Desivojsca e Dardanës.
Ndërkohë, Blerim Shkodra është lirar, kurse
të tjerët qenkan dënuar nga një gjykatë
serbe për kalim ilegal të kufirit. Po me këtë
motiv po mbahen në arrest edhe Sali Dragobuzhda e Zenel Muharrem
Dushica, të arrestuar më 21 shtator brenda territorit
të Kosovës. Edhe Rrahman Brahim Zeka (1984) nga Kulla
(Metërgoci) i Besianës më 24 shtator është
arrestuar nga një patrullë ushtarake brenda territorit
të Kosovës dhe i është dorëzuar Sekretariatit
të Punëve të Brendshme të Kurshumlisë në
Serbi.
Lidhur me arrestime të këtilla, zëdhënësi
i policisë ndërkombëtare në Kosovë, Derek
Chapell, ka deklaruar se nëse personat e arrestuar kanë
hyrë në terrtorin e Serbisë dhe kanë prerë
dru atje, policia dhe ushtria jugosllave kanë pasur të
drejtë ti arrestojnë, por nëse ata persona
kanë qenë brenda territorit të Kosovës, dhe
policia e ushtria serbe kanë hyrë dhe i kanë arrestuar,
atëherë kjo do të ishte shkelje e Rezolutës
1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Vetëm dy-tri ditë më vonë, edhe në territorin
e fshatit Muçibabë në rajonin e Gjilanit, përgjatë
kufirit me Luginën e Preshevës, forcat ushtarake dhe policore
serbe përsëri kanë shkelur hapësirën territoriale
të Kosovës dhe janë futur rreth 500 metra në
thellësi. Sipas koordinatorit të fshatit, Vehid Ibrahimit,
me këtë rast forcat serbe kanë keqtrajtuar fizikisht
Samet Zymberin dhe kanë kërcënuar Fatmir Selmanin
se toka në të cilën janë kapur i takon
Serbisë dhe se atypari nuk mund të kalohet
me kurrfarë dokumenti. Fshatarët e Muçibabës,
sikurse edhe të fshatrave të tjera brenda territorit të
Kosovës buzë kufirit me Serbinë, i kanë njoftuatr
organet komunale të Gjilanit dhe të KFOR-it e të
policisë së UNMIK-ut e të Shërbimit Policor
të Kosovës dhe kanë kërkuar që të
mbikëqyret zona kufitare ngase janë të shqetësuar
nga veprimet e ushtrisë serbe.
Kur pengohen përpjekjet me qëllime të mira për
afrimin e etniteteve në Mitrovicën e ndarë
Hapja e të ashtuquajturit kontejner kulturor (Qendrës
Kulturore-Sportive) në zonën e sigurisë rrëzë
urës së Ibrit, e cila tash më se tre vjet ndan qytetin
e Mitrovicës në pjesën veriore nën qeverisjen
e të ashtuqaujturve rojtarë të urës
e të organeve paralele serbe, dhe në pjesën jugore
të qytetit nën qeverisjen e organeve legale e legjitime,
shumë shpejt filloi të keqpërdoret nga ekstremistët
e ndryshëm për të penguar afrimin e të rinjve
dhe bashkimin sa më shpejt të të dy anëve të
qytetit. Një lojë e padjallëzi adoleshentësh
u keqpërdor për ndezje të gjakrave e prishje të
marrëdhënieve ndëretnike që sapo po shënonin
një lloj ngitjeje në të dy anët e qytetit.
Nga fundi i shtatorit mori dhenë lajmi se një vajzë
e re 17 vjeçare boshnjake dhe një vajzë e mitur
13 vjeçare serbe janë nxjerrë nga kontejneri
kulturor në zonën e sigurisë të Mitrovicës,
janë kidnapuar dhe dërguar në drejtim të Prishtinës,
ku janë dhunuar nga një grup të
rinjsh shqiptarë. Prindërit, policia, opinioni e
mediat u alarmuan dhe tërë ngjarja u cilësua skandal
i rëndë ndëretnik. Vajzat ishin boshnjake e serbe,
e dhunuesit - shqiptarë. Por pas hetimeve urgjente
shumë shpejt u konstatua se vajzat, bashkë me moshatarët
e tyre shqiptarë, kishin dalë me dëshirën e
tyre nga kontejneri në shëtitje në pjesën jugore
të qytetit. Këtë e vërtetoi edhe komisari i
policisë ndërkombëtare, Stefan Feller, i cili derklaroi
se vajzat me vetëdëshirë e kanë lëshuar
kontejnerin kulturor dhe se nuk janë shitur apo
dhënë ndonjë grupi tjetër. Ato as nuk janë
kidnapuar, por janë njohur me parë me perspnat me të
cilët kanë dalë së bashku. Këtu,
si tha zoti Feller, nuk ka pasur kurrfarë dhunimi etnik.
Pa hyrë në zbërthimin e mëtejshëm të
tërë lojës adoleshente të këtyre të
rinjve dhe përfundimit të saj me lirimin e të
dyshuarve për dhunim, na duhet të themi se kjo lojë
e padjallëzi e adoleshentëve u keqpërdor ngutshëm
për alarmimin e opinionit dhe u mirëprit nga qarqe të
ndryshme për ndezje gjakrash në marrëdhëniet
ndëretnike në Mitrovicë e më gjerë.
Megjithatë, edhe në këtë muaj, në rajonin
e Mitrovicës, Qendra Rajonale e KMDLNJ-së, ka shënuar
22 raste me 41 forma të dhunës, duke filluar nga vrasja
enigmatike e Shefqet Halit Mehollit e deri te sulmet me bombë
e mjete eksplozive, keqtrajtimet fizike e psikike, bllokimet e rrugëve
e format e tjera të dhunës, që kufizojnë ose
shkelin të drejtat themelore të qytarëve për
të shkuar lirisht në punë a në shkollë,
për të shfrytëzuar objektet infrastrukturore e shërbimet
e institucioneve shtetërore e publike etj.
Kështu, Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë
njofton se në Lagjen e Boshnjakëve, në pjesën
veriore të qytetit, në tri ditët e para të shtatorit
kanë ndodhur njëra pas tjetrës tri shpërthime
të fuqishme të lëndëve eksplozive. Në njërën
nga shtëpitë e kësaj lagjeje janë dëmtuar
dera, muri dhe dy dritare. Po në këtë lagje, një
grup prej rreth 20 huliganësh serbë kanë bllokuar
rrugën dhe kanë ndalur një veturë të policisë
së UNMIK-ut dhe i kanë kërcënuar me bombë
policët për shkak se në mesin e tyre paska qenë
një polic shqiptar i Shërbimit Policor të Kosovës.
Huliganët serbë, të shoqëruar nga të ashtuaqujaturit
rojtarë të urës, më 23 shtator,
në pjesën veriore të Mitrovicës, u përpoqën
të pengojnë trajnimin e 24 kadetëve serbë të
Shërbimit Policor të Kosovës, që po përgatiteshin
për patrollime në pjesën e veriore të Mitrovicës.
Incidenti më i rëndë ka ndodhur më 29 shtator,
në mbrëmje, kur 6 policë ndërkombëtarë
janë sulmuar nga rreth dyzet serbë në veri të
Mitrovicës për shkak se po sillnin pjesëtarë
të Shërbimit Policor të Kosovës në veri
të urës së Ibrit. Turma e shfrenuar ka gjuajtur
me gurë e gjësende të tjera në drejtim të
automjetit me të cilin po kalonin policët e sulmuar.
Një grup tjetër huliganësh serbë, më 9
shtator, rreth orës 04.00 të mënegjsit, hodhi një
bombë dore në oborr të shtëpisë së
boshnjakut Shaqir Hasan Pushkës (45), në rrugën Kozara,
gjithashtu në Lagjen e Boshnjakëve në pjesën
veriore të qytetit. Të lëndur nuk pati, por u thyen
xhamat e dritareve të shtëpisë. Më 23 shtatror,
rreth orës 10.00, punëtori lokal i UNHCR-it në Mitrovicë,
Safet Çolakoviq, ofendoi rëndë dhe keqtrajtoi psikikisht
të rejat 18-veçare Arbnore Agim Hajrizi, Ganimete Bajram
Azemi dhe Albana Xhavit Ferizi. Arbnorja është e bija
e Agim Hajrizt, të cilin, më 24 mars 1999, e kanë
pushkatuar në shtëpinë e tij kriminelët serbë
së bashku me të birin 12 vjeçar Ilirin dhe nënën
60-vjeçare Nazmijen.
Në Tejibër (Suhadoll) të Mitrovicës, më
16 shtator, në orët e mbrëmjes, persona të panjohur
hodhën një bombë dore në shtëpinë
e një serbi, që gjendet afër postëbllokut të
ushtrisë franceze të KFOR-it. Pati vetëm dëme
materiale. Po këtë ditë, rreth orës 15.30, në
fshatin Sërbovc të Zveçanit, katër huliganë
serbë sulmuan një patrullë të policisë
kur kjo tentoi ti kontrollojë pas shkeljes së rregullave
të komunikacionit. Ndërkohë, policëve u erdhën
në ndihmë kolegët e tyre me tri vetura të policisë
dhe i arrestuan sulmuesit.
Në fshatin Bajgorë të Mitrovicës, pjesëtarët
francezë, grekë dhe belgë të KFOR-it, më
10 shtator, në orët e hershme të mëngjesit,
e kanë bastisur për armë shtëpinë e Naser
Fazli Beqirit (43), tek i cili kanë gjetur një automatik
kallashnikov pa muncion, e kanë lidhur, e kanë
tërhequr zvarrë nëpër lëndinë, e kanë
gjuajtur në ujë, mandej e kanë nxjerrë prej
ujit dhe e kanë hedhur në asfalt, ku e kanë rrahur
brutalisht. Gjatë gjithë kësaj kohe një ushtar
grek e ka sharë dhe fyer në gjuhën serbe. Naseri
ka mbetur i shtrirë në asfalt derisa ka ardhur një
patrullë e Shërbimit Policor të Kosovës, e cila
e ka zgjidhur dhe e ka dërguar në burgun e policisë
në Mitrovicë, prej nga të nesërmen është
liruar.
Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë njofton
edhe se më 1 shtator, në Zubin Potok, një grup huliganësh
serbë i kanë sulmuar dy shqiptarë, të cilët
gabimisht ishin futur me veturë në rrugën në
drejtim të Zubin Potokut, i kanë keqtrajuar rëndë
fizikisht, ua kanë plaçkitur të gjitha të
hollat, që kanë pasur me vete, ua kanë thyer veturën
e marrë targat e saj. Ndërkaq, në fshatin Pestovë
të Vushtrrisë, dy të rinj shqiptarë kanë
kidnapuar të miturën shqiptare Medina Jeton Basholli (14).
Në lagjen e romëve në Vushtrri persona të panjohur
i kanë vënë zjarrin ahurit të një romi,
por policia dhe zjarrfikësit kanë intervenuar me kohë
dhe ahuri ka shpëtuar pa u djegur.
Të shtënat sporadike, që kanë ndodhur për
nja një gjysmë ore më 14 shtator, rreth orës
11.30, në brezin kufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë,
në lagjen Bardhi të Bllacës, në
afërsi të vendkalimit kufitar të Hanit të Elezit,
kanë shqetësuar një numër banorësh të
shtëpive dhe për afro një orë është
mbyllur vendkalimi kufitar në Han të Elezit.
Fërkime ndëretnike dhe me ndërkombëtarët,
që prekin edhe të drejtat e qytetarëve
Një paralajmërim i rrejshëm për ardhjen e 15
mjekëve shqiptarë për të punuar në Shtëpinë
e Shëndetit në Graçanicë, afër Prishtinës,
më 6 shtator, i ka nxitur rreth dyqind punëtorë shëndetësorë
serbë që ta bllokojnë për më shumë
se 12 orë Shtëpinë e Shëndetit dhe ta dëbojnë
drejtotreshën e saj Zorica Nedelkoviq, e emëruar në
këtë detyrë nga UNMIK-u. Më 11 shtator një
delegacion i Kuvendit të Komunës së Prishtinës,
i kryesuar nga administratori ndërkombëtar Ivo Shanc dhe
drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë të
komunës së Prishtinës, dr. Ilir Tolaj, është
nisur të negociojë me punëtorët e rebeluar shëndetësorë
për kthimin në vendin e punës të drejtoreshës
Zorica Nedelkoviq dhe për disa ndryshime në strukturën
udhëheqësë të këtij institucioni, por është
sulmuar nga protesuesit.
Po vazhdojnë të sulmohen në krye të detyrës
edhe pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës.
Këtë muaj kemi shënuar rastin kur dy pjesëtarë
të këtij Shërbimi janë sulmuar nga tre persona
të maskuar që, më 5 shtator, në Skënderaj,
po provonin të plaçkisnin në Fabrikën e Plastikës.
Njëri nga plaçkitësit është zënë
ndërsa dy të tjerët kanë ikur duke shtënë
me armë.
Ndonëse më pak dhe në përmasa më të
vogla se në të kaluarën, këtë muaj kemi
shënuar edhe ca incidente ndëretnike, që prekin drejtpërdrejt
në të drejtat e qytetarëve për qarkullim të
lirë dhe siguri në shtëpitë dhe në pasurinë
e tyre. Kështu, më 8 shtator, në Viti, ndodhën
dy shpërthime mjetesh eksploduese. Rreth orës 15.00 një
shpërthim ndodhi në oborrin e shtëpisë së
pabanuar të një serbi përballë Çerdhes
së Fëmijëve. Dëme materiale e as të lënduar
nuk pati. Një shpërthim tjetër ndodhi po atë
ditë rreth orës 21.40 në rrugën pas postës
së Vitisë, me çrast janë thyer xhamat
e dritareve të disa automjeteve që kanë qenë
afër vendit të shpërthimit të këtij mjeti
eksplodues.
Më 14 shtator, rreth orës 16.00, rojtarët e termocentralit
Kosova B kanë zënë duke peshkuar Abedin
Hajdin Sylën (1964), që jeton në kampin e hashkalinjve
në Analum (Plemetin) të Kastriotit, duke zënë
peshk në Sitnicë bashkë me shokët e tij të
kampit Nesip Berisha, Elvis Bunjaku e Dragan Prokiq dhe i kanë
dërguar në portën nr. 1 të termocentralit ku,
sipas deklaratës së Abedinit në Nënkëshillin
e KMDLNJ-së në Kastriot, i kanë ketrajtuar fizikisht.
Ndërkaq, më 23 shtator, rreth orës 20.00, në
Gushtericë të Epërme të komunës së
Lipjanit, nga një grup rreth 15 serbësh është
sulmuar Ekrem Limani (28) nga Okllapi dhe ka pësuar lëndime
të rënda trupore e është shtruar në Spitalin
e Prishtinës.
Më 26 shtator, persona të panjohur kanë hedhur një
bombë dore te stacioni i trenit në Analum (Plemetin) të
Kastriotit, por as këtu nuk ka pasur të lënduar e
as dëme materiale. Ndërkaq, në lagjen Abdullah
Presheva të Gjilanit, ku jetojnë disa familje rome,
gjatë këtij muaji kanë ndodhur dy shpërthime.
Më 11 shtator, rreth orës 00.15, në oborrin e shtëpisë
së Ali Avdullahut (1943), i papunë, është hedhur
një mjet shpërthyes nga i cili është lënduar
lehtë në këmbë bashkëshortja e tij Ferka
Avdullahu (1943), amvise. Aliu me familje, pas luftës, ka jetuar
në Bujanoc dhe më 5 shtator, së bashku me bashkëshorten,
është kthyer në Gjilan dhe është vendosur
në shtëpinë e tij - për të shikuar kushtet
për jetesë në mënyrë që, më pas,
ti kthejë edhe anëtarët e tjerë të
familjes, të cilët ende kanë mbetur në Bujanoc.
Të lënduarës i është dhënë ndihma
e parë në Ambulancën e qytetit dhe është
kthyer në shtëpi.
Më 27 shtator, në orën 20.50, gjithashtu në
rrugën Abdullah Presheva, në Gjilan, persona
të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes
i cili e ka shqetësuar familjen 7-anëtarëshe të
romit Shefik Alishani (1961), i papunë. Lëndime as dëme
materiale gjitashtu nuk ka pasur.
Përfaqësuesit e QR të KMDLNJ-së në Gjilan
i kanë vizituar të dy familjet dhe menjëherë
i kanë paraqitur rastet për hetime në polici. Ndërkaq,
me të dëmtuarit kanë biseduar për sigurinë
e tyre dhe përgjithësisht të të kthyerve në
shtëpitë e veta, mandej për lëvizjen e lirë
të tyre, për ndihmat humanitare që marrin të
kthyerit dhe kushtet e jetesës së tyre, për shkollimin
e fëmijëve dhe kthimin e romëve të tjerë
që ende jetojnë në Bujanoc dhe në qendra të
tjera të Serbisë.
Grevat e protestat - formë presioni për realizimin e
të drejtave themelore
Grevat dhe protestat kanë filluar të marrin përmasa
shqetësuese, të cilat, dashur pa dashur, po prekin në
të drejtat e personave të tretë, krejtësisht
të pafajshëm në relacionet midis protestuesve dhe
atyre ndaj të cilëve bëhet presion për realizimin
e ndonjë të drejte të tyre. Këtë muaj,
kjo ka qenë me e shprehshme në grevat e protestat e disa
punëtorëve të shëndetësisë dhe për
grevën e paralajmëruar të punëtorëve të
arsimit - në të dy rastet për rritjen e pagave. Së
pari, më 2 shtator, 60 nga 92 punëtorët e pushuar
të shëndetësisë të Shtëpisë së
Shëndetit në Drenas, u hodhën në grevë
urie me të vetmen kërkesë që të kthehen
në vendet e tyre të punës.
Mandej, po në grevë urie, më 3 shtator u hodhën
7 punëtorë të Shërbimit të Anestezionit
në Qendrën Spitalore të Prizrenit për rregullimin
e disa çështjeve midis kuadrove të këtij shërbimi
e sidomos për njohjen certifikatave të tyre si anestezistë,
të lëshuara nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës.
Por, sipas shefit të Shëprbimit Intensiv të Qendrës
Spitalore të Prizrenit, dr. Rafet Abazi, prapa grevës
fshihet pakënaqësia e grevistëve me pagat e vogla.
Por, me këtë nuk jam i kënaqur as unë
personalisht e as kolegët e tjerë në spital dhe në
shëndetësi përgjithësisht, tha ai. Mirëpo,
kjo nuk është në kompetencën tonë.
Dhe greva u ndëpre, pasi drejtoria e Spitalit grevistëve
ua ka mveshur atributin se greva ka konotacion politik.
Ndërkohë, me dhjetëra mjekë dhe infermierë
të Qendrës Kryesore të Shëndetësisë
Familjare në Prishtinë, më 12 shtator, janë
tubuar para dyerve të kësaj Shtëpie të Shëndetit
për të protestuar për shkak të pagave të
ulëta, duke kërcënuar se, nëse nuk përmbushen
kërkesat e tyre, do të pasojë protesta e përgjithshme.
Ndërkaq, greva njërorëshe e punëtorëve
të shëndetësisë në të gjithë
Kosovën, që u mbajt më 11 e u paralajmërua se
do të mbahej edhe më 13 shtator, bëri që për
një orë të gjithë pacientët, në të
gjitha repartet, të mbesin pa ndihmën e domosdoshme të
mjekëve dhe pa përkujdesjen e personelit tjetër mjekësor.
Këtë muaj, u hodhën në grevë edhe një
numër i gjinekologëve të Repartit Gjinekologjik-Akusherik
të Spitalit Rajonal të Gjilanit për mospërfilljen
e procedurës për zgjedhjen e drejtorit të ri.
Sipas tyre, për këtë post paskan konkurruar 9 kanditadë,
e qenkan ftuar për intervistim vetëm tre prej tyre. Gjinekologët
madje kërcënuan se reparti i tyre mund të mbyllet
nëse nuk përfillen kërkesat e tyre.
Në prag të vitit të ri shkollor 2002/3 qe paralajmëruar
greva e përgjithshme e trupit mësimor të shkollave
fillore e të mesme të Kosovës - gjithashtu me kërkesë
themelore thuaja ultimative për rritjen e pagave. Greva
u pezullua pas marrëveshjes së Sindikatës së
Bashkuar të Arsimtarëve të Kosovës me Ministrin
e Arsimit të Qeverisë së Kosovës, i cili i siguroi
sindikalistët se do të përpiqet të gjejë
ndonjë zgjidhje deri në fund të shtatorit. Në
rast të kundërt, greva e përgjithshme, thanë
sindikalistët, do të fillojë më 1 tetor 2002
- deri në përmbushjen e kërkesave të arsimtarëve.
Protesta të një natyre tjetër
Por, edhe këtë muaj kemi shënuar protesta e greva
natyre tjetër. Para ndërtesës së Kuvedndit të
Kosovës u mbajt greva 24-orëshe e nënave dhe e familjarëve
të tjerë për zbardhjen e fatit dhe lirimin e të
zhdukurve. Nënat e familjarët e ish-pjesëtarëve
arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
e të pjesëtarëve aktualë të Trupave të
Mbrotjes së Kosovës edhe këtë muaj kanë
vazhduar të kërkojmë me greva e protesta lirimin
e bijve të tyre dhe kanë vënë lule para dyerve
të burgut qendror në Prishtinë. Familjarët e
të arrestuarve Skënder Halilaj, Florim Kiçina e
Burim Ramadani nga Baica e Drenasit kanë protestuar që
nuk janë lejuar ti vizitojnë të afërmit
e tyre në burgun e Bondsteel-it afër Ferizajt edhe pse
për këtë paskan të drejtë sipas rregullores
së burgut.
Ndërkaq, rreth 600 serbë në pjesën veriore
të Mitrovicës kanë protestuar më 5 shtator duke
kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që,
aty ku serbët kanë shumicën e popullsisë, të
kenë komunat e tyre dhe enklavat serbe të kenë vetëqeverisje
të lartë. Pos kësaj, këta protestues kërkuan
nga UNMIK-u që të heqë dorë nga arrestimi i
kryetarit të Këshillit Nacional Serb në veriun e
Mitrovicës, dr. Milan Ivanoviqit, dhe të lejojë që
ai të mbrohet i lirë. Protestuesit kërkuan gjithashtu
që të ndriçohet fati i serbëve të zhdukur
në kohën dhe pas luftës në Kosovë.
Punëtorët e Fabrikës Petoletka në
Albanik (Leposaviq) kanë bërë këtë muaj
grevë për arsye se tash tre vjet janë duke marrë
të ardhura personale minimale të garantuara, kurse në
50 ditët e fundit nuk janë duke marrë kurrfarë
të ardhurash edhe pse në këtë fabrikë punohet
në tri turne dhe prodhimet e saj eksportohen. Koordinatorja
e Nënkëshillit të KMDLNJ-së në Albanik,
Brankica Mrvoviq, lajmëron se punëtorët e kësaj
Fabrike kanë paralajmëruar udhëheqjen e Fabrikës
se do të bëjnë grevë për çdo ditë
nga dy orë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
Ndërkaq, arsimtarët Shkollës fillore Kadri
Bistrica në Bistricë, të vetmes shkollë
shqipe në komunën e Albanikut (Leposaviqit), janë
hedhur në grevë nga 22 shtatori duke kundërshtuar
një vendim të zyrtarëve ndërkombëtarë
të arsimit në këtë komunë që shkolla
e tyre të shkrihet në Shkollën Fillore Serbe Vuk
Karaxhiq të Soçanicës, e cila punon me planprogramin
e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, i cili,
si thonë ata, nga vetë UNMIK-u konsiderohet sistem
paralel i arsimit të Kosovës dhe si i tillë
duhet të eliminohet.
Rreth 1200 nxënës të Shkollës së Mesme
Ekonomike Hasan Prishtina më 23 e bashkë me
nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë
Xheladin Deda edhe më 30 shtator, protestuan para
objektit të shkollës së tyre që e mbajnë
pjesëtarët e KFOR-it francez ndërkohë që
ata ende janë të detyruar ti ndjekin mësimet
nëpër bodrume. Protesta qe ndërprerë më
23 shtator pas premtimit të kolonelit të xhandarmërisë
franceze Leger Pascal se së shpejti do të lirohehj ky
objekt.
Prishtinë, 12 tetor 2002
|