Komisioni për Kulturë nuk debatoi për iniciativën e shoqatës së të rënëve maqedonas

Kërkohet lokalitet në Shkup për ndërtimin e lapidarëve për heronjtë maqedonas

Shoqata e invalidëve dhe të rënëve maqedonas në luftën e vitit 2001 kanë deklaruar se Qeveria dhe Komisioni për Kulturë medoemos duhet ta miratojnë iniciativën e tyre për t'i marrë disa lokalitete të rëndësishme në Shkup dhe t'i ngrenë lapidarët kushtuar heronjve të tyre

 

Shkup, 21 korrik - “Të gjitha përmendoret memoriale dhe ngjarjet përkujtimore të cilat janë ngritur në territorin e Maqedonisë dhe që shënojnë ngjarje dhe personalitete të të gjithë qytetarëve, pjesëtarë të të gjitha bashkësive që jetojnë këtu, siç janë populli maqedonas, shqiptar, turk, vlleh dhe paraqesin rëndësi të madhe për zhvillimin shoqëror në Maqedoni dhe këto propozim-ligje dhe iniciativa, do të përkrahen dhe miratohen si nga Qeveria ashtu edhe nga Parlamenti”, theksoi Fazli Veliu, anëtar i Komisionit për Kulturë dhe njëherit deputet nga radhët e BDI-së.

Komisioni për Kulturë në mbledhjen e tij të fundit e rishqyrtoi kërkesën e Shoqatës së invalidëve dhe të rënëve maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001, me çka kërkojnë që komisioni në fjalë së bashku me Parlamentin ta miratojnë iniciativën e tyre për ngritjen e lapidarëve të heronjve maqedonas në disa lokalitete të Shkupit. Mes tjerash, Shoqata e të rënëve maqedonas, duke i etiketuar shqiptarët si vrasës dhe terroristë, ka kërkuar që vendi përballë “Teatrit Kombëtar Maqedonas” të dedikohet për ndërtimin e lapidarëve të cilët, siç thuhet në letrën e tyre, janë vrarë në mënyrë barbare nga shqiptarët “terroristë”.

Kërkesën në fjalë e refuzoi deputeti Veliu, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës (SHVL) të UÇK-së.

“Përderisa nuk kalon dhe miratohet ligji për monumentet historike, nuk mund të debatojmë apo të miratojmë ndonjë iniciativë apo kërkesë nga ndonjë shoqatë e tillë. Edhe SHVL-ja ka kërkesat e tilla në lidhje me monumentet e heronjve dhe dëshmorëve shqiptarë”, tha Veliu.

Ndërkohë, numri më i madh i letrave dhe kërkesave të Shoqatës së invalidëve dhe të rënëve maqedonas gjatë luftës së vitit 2001, në Komisionin për Kulturë kanë arritur gjatë vitit të kaluar. Shoqata e sipërpërmendur në mbledhjen e saj të fundit, të realizuar më 29 nëntor të vitit të kaluar, ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Kongresin Botëror Gjithëmaqedonas të Todor Petrovit, ku edhe e kanë miratuar iniciativën dhe kërkesën që me çdo kusht Parlamenti dhe Qeveria e Maqedonisë ta miratojë ligjin për ngritjen e lapidarëve në disa lokalitete të Shkupit.

Në këtë mbledhje, Komisioni për Kulturë u zotua se do të përpilojë amendament për udhëheqjen e bilbliotekave në kuadër të Ligjit për bibliotekat dhe muzeumet.

Konstatimi i anëtarëve të këtij komisioni ishte se udheheqja e bibliotekave së bashku me administratën e saj duhet të ketë kuadër profesional dhe ata të emërohen nga parlamentarët apo nga ndonjë komision në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Përderisa Biblioteka e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” është shndërruar në bibliotekë kombëtare maqedonase, Fazli Veliu në këtë mbledhje kërkoi që një bibliotekë kombëtare shqiptare të ngrihet edhe në qytetin e Tetovës.

“Së pari duhet të sistematizohen dhe modernizohen bibliotekat e vendit, pastaj të zhvillohen dhe të mbrohen objektet kulturore si dhe është e nevojës që të ngrihet një bibliotekë kombëtare shqiptare në Tetovë”, tha Veliu duke kërkuar që Ministria e Kulturës dhe Komisioni për Kulturë ta evidentojë propozimin e tij në procesin e propozimeve.

Nryshe, bibliotekat kombëtare dhe ato lokale për 15 vjet me radhë janë udhëhequr nga Ministria e Kulturës.

shkruan:

Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com