AKUZOHET PËR "TERRORIZËM", I SHQIPTAOHET DËNIMI PËR ARMËMBAJTJE PA LEJE

Anulohet seanca gjyqësore kundër kumanovares Fatmire Sahiti

Fatmire Sahiti, 26 vjeçare nga Kumanova edhe pse e ka vuajtur dënimin prej 9 muaj e tetë ditë në burgun hetues të Shutkës nën akuzën për “terrorizëm” asaj iu është shqiptuar dënimi për aktakuzë “armëmbajtje pa leje” dhe tani siç na njoftoi avokati mbrojtës i saj, pritet të rishqyrtohet lënda që nga fillimi i akuzës dhe të bëhet verifikimi i dëshmive

 

“Rasti i Fatmires është rast specifik për arsye se në fillim aktakuza ishte për armbëmbajtje pa leje dhe meqë u kryen hetimet dhe kur u sqaruan gjërat se për atë vepër nuk ka dëshmi dhe se nuk mund të vërtetohet një gjë e tillë, prokurori bëri rikualifikimin e lëndës në fjalë dhe më pastaj e akuzoi për vepër “përgatitje të terrorizmit”, deklaroi Numan Limani, avokat mbrojtës i të akuzuares Fatmire Sahitit, 26 vjeçares nga Kumanova, kundër të cilës është ngritur procedurë penale pasi u arrestua më 26 shkurt të vitit 2002 në afërsi të Ambasadës së Gjermanisë në Shkup.

Sipas avokatit Limani, e gjithë lënda është shqyrtuar për aktakuzë “terrorizëm” kurse shqiptimi i dënimit është bërë për vepër tjetër, për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, për shkak të mungesës së të akuzuares Fatmires, Gjykata e Apelit e ka anuluar seancën e fundit që ishte caktuar për ditën e premte të këtij muaji.

“Pasi e kuptoi qëllimin e kërkesës së palës mbrojtëse për rikthimin e lëndës nga fillimi, prokurori filloi të “luajë” në atë mënyrë që të akuzuarit të fitojn nga 3 vite burg. Mirëpo këtë gjë nuk e arriti pasiqë lënda nga akuza për armëmbajtje kaloi në akuzë për terrorizëm”, tha Limani.

Dënimi maksimal që parashihet në Ligjin për armëmbajtje pa leje paraprakisht thotë: “personi i cili kapet me armë pa leje nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) automatikisht dënohet me më së paku 3 vite burg”.

“Nuk e fshehi kënaqësinë time për dënimin e shqiptuar nga ana e gjykatës klientes sime dhe për kthimin e lëndës nga fillimi. Dënimet për armëmbajtje pa leje janë shumë të rrezikshme dhe afatgjate. Për rastin në fjalë nuk duhet të dyshohet se a bëhet fjalë për montim klasik apo jo. Kjo vetëm se është parë që nga dita e parë se gjithçka është përgatitur nga policia”, u shpreh Limani.

Nëntë vjet e tetë ditë burg për Fatmire Sahitin

Të përkujtojmë, më 26 shkurt të vitit 2002, Fatmire Sahiti u arrestua nga policia maqedonase në afërsi të Ambasadës së Gjermanisë në Shkup.

E gjithë ngjarja ka ndodhur kur Fatmirja së bashku me kunatën e vet pasi kanë kryer punë në ambasadë dhe me të hyrë në veturë aty në dalje të ambasadës, dy vetura të policisë e kanë bllokuar Fatmiren dhe me revole në dorë katër policë e kanë urdhëruar atë të dal nga vetura me duar lart.

“Nga ai moment nuk kam ditur se ku dhe për çfarë arsye më kanë ndalur dhe arrestuar. Mërzitesha për kunatën se çfar i ka ndodhur asaj”, thotë Fatmirja e cila ka vuajtur dënimin prej 9 muaj dhe tetë ditësh në burgun hetues të Shutkës.

Pasi e kanë arresuar, Fatmiren e kanë detyruar ta vë nënshkrimin e saj në një letër të pastër. “E gjithë që mbaj mend është se më kanë detyruar të nënshkruaj në një letër të bardhë të pastër dhe më thanë se kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër por është vetëm një nënshkrim i thjeshtë”, theksoi Fatmirja e cila thotë se më pastaj iu janë shpalosur akuzat e “montuara”.

“Nuk është e vërtetë se në çantën time kanë gjetur ndonjë bombë apo revole. Unë vetëm se pata dalur nga ambasada e aty nuk mund të hysh e armatosur. Ky është montim klasik që më është bërë mua”, tha ajo.

Në seancën e parafundit, Fatmirja është ballafaqur me inspektorët të cilët e kanë detyruar të nënshkruaj në letrat që ato i kanë ofruar.

Mirëpo, kategorikisht inspektorët në fjalë e kanë mohuar një gjë të tillë edhe pse avokati mbrojtës i saj, Limani ka shpalosur dëshmi për konfirmimin dhe vërtetimin e deklaratës së Fatmires.

Kjo ishte edhe arsyeja kryesor që Gjykata e Apelit ka pranuar që lënda të kthehet nga fillimi. “Nuk është e mundur që të dënohet Fatmirja për armëmbajtje pa leje.

Është qesharake një dënim i tillë. Më mirë të dënohet për terrorizëm se sa për ërmëmbajtje pa leje. Kohën kur klientja ime u arrestua në fuqi akoma ishte Ligji për amnesti dhe pikërisht për këtë kam kërkuar që lënda te transferohet në akuzë për terrorizëm”, tha avokati Limani.

Ndryshe, motra e Fatmires, Gjylsere Sahiti që nga fillimi i konfliktit të armatosur të vitit 2001 në rajonin e Likovës, u kyç drejtëpërsëdrejti në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Pas një ofenzive të marrë nga forcat e sigurimit maqedonas, ajo mbetet e vdekur në vijën e frontit të luftës në fshatin Nakushtak të Likovës.

“Mendoj se burgosja ime është hakmarrje për atë se motra ime ishte ushtare e UÇK-së. Kjo edhe është arsyeja e arrestimit dhe maltretimit që më është bërë nga policia maqedonase, së paku unë mendoj ashtu”, thekson Fatmirja.

Ndryshe, seanca e ardhëshme gjyqësore do të mbahet më 30 qershor të këtij viti.

shkruan:
Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com