Dezinformatat e mediave maqedonase nuk kanë të ndalur
LSDM qëndron prapa informacioneve se gjoja në Maqedoni kanë hyrë grupe të armatosura

Ministria e Mbrojtjes në mënyrë më energjike i demantoi informacionet se në Maqedoni në disa territore shqiptare kanë hyrë grupe të armatosura të cilët bëjnë indikacione për zgjidhjen e problemeve në lidhje me pakon e decentralizimit

 

“Mediat maqedonas dezinformatat të cilët i përhapin për gjoja praninë e grupeve të armatosura në vend e bëjnë nën inicimin e partisë në pushtet, LSDM-së. Këto informata të rrejshme të cilët janë bërë aktuale ditëve të fundit kanë për qëllim që BDI-ja të lëshojë pe në lidhje me decentralizimin e pushtetit lokal”, theksoi një përfaqësues i lartë i BDI-së në lidhje me informatat e plasuara se kinse në disa rajone shqiptare në mënyrë ilegale kanë hyrë disa grupe të armatosura nga Kosova. Këtë e përgënjeshtroi përfaqësuesi i partisë shqiptare në pushtet, BDI-së i cili tha se LSDM është ajo e cila qëndron prapa këtyre informatave.

Mediat maqedonase, duke u thirrur në burime jozyrtare, kanë bërë të ditur se grupe të armatosura shqiptare të cilët në Maqedoni kanë hyrë në mënyrë ilegale kanë për qëllim që koalicionin qeveritar, partinë e LSDM-së dhe PLD-së ta detyrojnë të pranojë versionin e BDI-së në lidhje me decentralizimin e pushtetit dhe dygjuhësinë në Shkup. Ministria e Mbrojtjes (MM) lajmin e plasuar nga mediat maqedonase për gjoja praninë e grupeve të armatosura shqiptare në Maqedoni e ka vlersuar si joserioz me karakter të rrejshëm.

“MM dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në mënyrë më energjike i demanton lajmet e fundit të disa mediave të cilët konstatojnë se në Maqedoni paska grupe të armatosuar të cilët në vend kanë hyrë në mënyrë ilegale. Gjendja e sigurisë në Maqedoni sipas MM dhe MPB-së është stabile dhe deri më tani nuk ekzistojnë indikacione për destabilizimin e saj”, deklaroi zëdhënësi i MM-së, Marjan Gjurovski.

Ai bëri të ditur se brigada kufitare e ARM-së në bashkëpunim me KFOR-in nuk kanë të regjistruar ndonjë kalim ilegal në kufirin ne Kosovën dhe vendet tjera fqinje.

Sipas njohurive të sigurimit të mbrojtjes së Maqedonisë, ekzistojnë vetëm disa grupe kriminele që operojnë në rrethinën e Tetovës dhe brenda saj, mirëpo kjo sipas Gjurovskit nuk duhet të keqinterpretohet si grupe të armatosura shqiptare të cilët bëjnë presione dhe indikacione në ndonjë parti politike në vend.

Sipas mediave maqedonase, grupet e armatosura janë duke operuar në territoret shqiptare konkretisht në rajonin e Gostivarit, Tetovës dhe Kumanovës të cilët në qoftë se dështojnë bisedimet rreth pakos së decentralizimit dhe nëse LSDM-ja nuk e pranon versionin e BDI-së, ata do të marrin aksione guerile me çka do të pësojnë qytetarët maqedonas. Kryetari i komunës së Likovës, Husamedin Halili i demantoi informatat e plasuara në lidhje me praninë e grupeve të armatosura në këtë rajon.

“Nuk është e vërtetë se në hapsirën e komunës së Likovës ekzistojnë grupe të armatosura të ardhura nga Kosova. Këto janë spekulime të mediave maqedonase që thjeshtë i trillojnë apo ndoshta këto dezinformata u duhen për momentet të caktuara apo për qëllime politike”, deklaroi Halili.

shkruan:

Vedat Memedaliu
Copyright www.agimi.com