|
Pesë pikat e deklaratës për pavarësi
- Kosova me kufijtë e vet administrativë
të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës të
vitit 1974 shpallet shtet sovran, i pavarur e demokratik, duke pranuar
ushtrimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve që
dalin nga të gjitha aktet ndërkombëtare, e veçanërisht
të drejtat dhe liritë e njeriut për qytetarët
e Kosovës pa kurrfarë dallimi të bazuar në racë,
fe, etni apo bindje politike.
- Kuvendi i Kosovës angazhon të
gjitha institucionet legale dhe legjitime të Kosovës,
qendrore dhe ato lokale, të gjitha forcat politike në
Kosovë, të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht
nga përkatësia e tyre etnike, fetare, racore apo bindje
politike, të angazhohen fuqimisht për jetësimin e
shtetit të pavarur të Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës kërkon nga
të gjitha shtetet demokratike, në veçanti nga SHBA-të
dhe shtetet e Unionit Evropian që të mbështesin e
të ndihmojnë popullin liridashës të Kosovës
në krijimin dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit
të Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës kërkon nga
KS të OKB-së që realitetin e ri të krijuar në
Kosovë ta njohë si të arritur të përbashkët
të qytetarëve të Kosovës dhe Bashkësisë
Ndërkombëtare dhe këtë ta miratojë me një
rezolutë të re për njohjen e shtetit të pavarur
të Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës e fton NATO-n për
prezencë afatgjatë në Kosovë duke konsideruar
se kjo prezencë është në interes të qytetarëve
të Kosovës, stabilitetit dhe paqes në rajon.
- Me deklaratën për Kosovën
shtet sovran dhe të pavarur njoftohen: të gjitha shtetet
anëtare të OKB-së; Sekretari i Përgjithshëm
i OKB-së, zoti Kofi Anan; presidenti i SHBA-së, zoti Xhorxh
W Bush; të gjitha shtetet anëtare të BE-së,
të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe Sekretari
i Përgjithshëm, Lordi Xhorxh Robertson.
Deputetët që firmosën deklaratën për pavarësi
i kërkojnë kryesisë së Kuvendit një seancë
të jashtëzakonshme
Deklarata për pavarësinë- javën tjetër
në Kuvend
“Shtajner jo vetëm që mund të mos e miratojë,
por ai ka kompetencë të shpërndajë edhe Parlamentin”
Dyzet e dy deputetë nga të gjitha grupet parlamentare,
me përjashtim të koalicionit serb “Kthimi”
i kanë dërguar një kërkesë kryesisë
dhe Kryetarit të Kuvendit që të enjten e ardhshme
(më 13 shkurt) të thirret seanca e jashtëzakonshme
e Kuvendit, me rend dite miratimin e “Deklaratës për
Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur”. Sipas rregullores
së përkohshme të punës së Kuvendit, një
çështje duhet të hyjë në rend dite, nëse
këtë e kërkon së paku një grup parlamentar.
Përfaqësuesi i këtij grupi inicues, deputeti i Aleancës
për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bujar Dugolli
tha dje se kërkesa vjen si rezultat i zhvillimeve pas miratimit
të Kartës Kushtetuese të Unionit Serbi dhe Mali i
Zi, në preambulën e së cilës Kosova përmendet
se pjesë e Serbisë, por edhe si shprehje e vullnetit të
popullit të Kosovës. Nëse miratohet, deklarata e
shpall Kosovën shtet sovran, të pavarur dhe demokratik
të të gjithë qytetarëve të saj, “me
kufijtë e saj administrativë, të përcaktuar
me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974”. Më
pas, qeveria e Kosovës do të hartojë ligjin për
vënien në jetë të pavarësisë, duke
caktuar afatet e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet
vendase, për të përcaktuar nëse ushtarët
e KFOR-it duhet të vazhdojnë të kujdesen edhe më
tej për sigurinë në Kosovë etj.
Por si do të reagojë administrata që udhëheq
sot Kosovën, pra UNMIK-u në një rast të tillë?
Dihet se edhe një rezolutë në lidhje me kufijtë
e Kosovës e miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar, u hodh poshtë
nga kreu i UNMIK-ut Mihail Shtajner. Ai e justifikoi një vendim
të tillë me kompetencat që ai ka si përfaqësues
i OKB-së në Kosovë. “Sipas rezolutës 1244
që qeveris Kosovën, Parlamentit i takon të merret
me çështje dytësore dhe jo me probleme të
tilla si ai i kufijve dhe i sigurisë në vend”, -ka
argumentuar Shtajner. Ai edhe më parë vazhdimisht ka paralajmëruar
kundër vendimeve të njëanshme në lidhje me statusin
e Kosovës. Në fakt, Dugolli thotë se “kjo deklaratë
nuk ka për qëllim që të ashpërsojë
marrëdhëniet me UNMIK-un”. “Ne jemi të
vetëdijshëm se jemi në rrethana specifike, jemi në
një administrim ndërkombëtar, reagimi ynë është
reagim i vullnetit të popullit dhe nuk ka për qëllim
të irritojë apo të keqësojë marrëdhëniet
me mekanizmat ndërkombëtarë që janë në
Kosovë, por përkundrazi do t'u lehtësojë edhe
atyre misionin e vet në Kosovë, sepse me afatizime të
kryerjes së detyrave tona, por edhe të administratës
së UNMIK-ut, ne do të përshpejtojmë pranimin
e statusit përfundimtar konform vullnetit të popullit,”
- tha ai. Por Dugolli tha se deputetët që e kanë
firmosur deklaratën janë të vetëdijshëm
se kreu i UNMIK-ut, Mihail Shtajner mund ta kundërshtojë
këtë hap. Ai ka kompetencën, gjithashtu, që
edhe të shpërbëjë Parlamentin. “Ne jemi
para dy dilemave: të biem në konflikt dhe kundërshtim
me vullnetin e popullit apo të jemi në kundërshtim
me UNMIK-un, i cili thotë se nuk është koha,”-
tha Dugolli. “Ne nuk mund të pajtohemi dhe ta kalojmë
këtë çështje në heshtje duke u futur
nën sovranitetin dhe integritetin e Republikës së
Serbisë,” - tha ai. “Edhe faktori ndërkombëtar
kurdo qoftë do të detyrohet ta njohë vullnetin e
popullit, sepse kështu ka bërë edhe në vendet
e tjera që kanë qenë në forma siç është
Kosova”, -tha ai. Në lidhje me kartën kushtetuese
Serbi-Mali i Zi, e cila u miratua nga të dy parlamentet e këtyre
vendeve, UNMIK-u dhe përfaqësuesit e lartë të
BE-së kanë thënë se kjo kartë nuk do të
ketë asnjë ndikim mbi Kosovën, se për Kosovën
vendos vetëm OKB-ja. Por tashmë në këtë
kartë të këtij unioni të ri Serbi-Mal i Zi,
(e cila varrosi përfundimisht Jugosllavinë) Kosova përcaktohet
si pjesë e Serbisë dhe një gjë e tillë
e komplikon çështjen e Kosovës. Miratimi i kësaj
karte është përshëndetur tashmë nga Bashkimi
Evropian kjo ka shqetësuar politikanët e Kosovës,
të cilët marrin iniciativa të tilla. Përveç
kësaj në irritimin e shqiptarëve kanë ndikuar
edhe deklaratat e pavend të kryeministrit serb Zoran Gjingjiç
në lidhje me kthimin e trupave serbe në Kosovë. Është
fakt se çështja e Kosovës po bëhet gjithnjë
e më urgjente. Sipas burimeve të selisë së OKB-së
në Nju Jork, situata në Kosovë do të diskutohet
më 6 shkurt në Këshillin e Sigurimit. Debati do të
bëhet mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë
në Kosovë, ku pritet të raportojë edhe kryeadministratori
Mihail Shtajner.
|