|
Reçension
(Përkitazi me librin e Ethem Çekut,
"Mendimi politik i Lëvizjes ilegale në Kosovë
1945-1981", Brezi ’81, Prishtinë, 2003, f.405)
Gjashtë dekada më parë, një grup intelektualësh
shqiptarë, në Kosovë kishin themeluar bashkimin politik
“Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”. Ishe koha
e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,
kur pas një përpjekjeje të tyre për të
shfrytëzuar madje edhe konceptet më të urryera në
botë, në interes të zgjidhjes së çështjes
nacionale, tashmë po përpiqeshin ta merrnin veten më
ftohtë, në interes të idealeve të tyre historike:
ruajtjes së kufinjve etnikë të trojeve shqiptare.
Prej atij momenti historik e deri më sot, janë themeluar
shumë organizata, shumë parti politike dhe madje politiko-ushtarake,
të cilat kanë vepruar sipas kodeve të shkruara në
statutet dhe programet e tyre politike, dhe janë organizuar
sipas situtatave të caktuara historike nëpër të
cilat kanë kaluar. Ndonëse gjatë kësaj kohe
konceptet e tyre kur më pak e kur më shumë kanë
dalluar, qëllimet e tyre kanë mbetur të njëjta,
pikësynimi i tyre largvajtës ka qenë i njëjtë
dhe më në fund pesha e sakrificës së tyre ka
qenë vetëm një vazhdim gjeneratash.
Autorin e këtij libri dhe brezin e tij, të cilëve
edhe ua kushton këtë vepër, i bashkon përpjekja
e djeshme e mendimit politik në lëvizjen ilegale dhe angazhimi
i sotëm prej studiuesi, që konceptet e djeshme t’i
shikojë mbi metoda të reja të mendimit shkencor,
historik dhe kritik.Ka shumë kohë që janë bërë
përpjekje për të shndritur veprimtarinë, kryesisht
për një pjesë të grupeve dhe organizatave ilegale
si dhe të programeve politike të tyre. Mirëpo, më
parë se sa të nxirreshin të vërtetat për
to, një kohë të gjatë është punuar
dhe është shkruar me qëllim të trashjes së
dosjeve të tyre për gjyqet e hapura e të mbyllura,
prandaj është kaq e kuptueshme pse edhe sot, dhjetë
vjet pas përpjekjeve të para për të thënë
të vërtetën për ta, ende vazhdohet me përshkrimet
historiciste të bëmave të tyre, me po atë fjalor
pozitivist dhe me një njohje kryesisht periferike të koncepteve
dhe programeve të tyre politike.
Monografia e parë historike, politike dhe kritike, e mendimit
politik të lëvizjes ilegale në Kosovë
Vepra e Mr. Ethem Çekut, Mendimi politik i lëvizjes
ilegale në Kosovë 1945-1981, sot paraqet të parën
monografi historike, politike dhe kritike të mendimit politik
të lëvizjes ilegale, dhe, madje jo vetëm të
saj, në Kosovë. I përgatitur mbi baza të metodave
bashkëkohore të studimit, i çliruar nga kompleksi
i së kaluarës dhe i vendosur të ballafaqohet me pengesat
që mund t’ia sjellë e ardhmja, autori i kësaj
vepre është përpjekur që mendimin politik të
Lëvizjes ilegale në Kosovë ta shehë në
dritën e zhvillimeve ndërkombëtare, të mendimit
politik të ish-Jugosllavisë dhe të mendimit politik
të qeverisë shqiptare. Kuptohet, ky është rrafshi
historik, vetëm njëri prej tri rrafsheve të trajtimit.
Rrafshin e dytë e përbën vlerësimi i zhvillimeve
të brendshme të grupeve, partive dhe organizatave të
Lëvizjes ilegale, ndërsa rrafshin e tretë e përbën
Arkivi i saj.
Mbi këto parime është trajtuar: procesi i natyrshëm
i diferencimit të çështjes shqiptare brenda Jugosllavisë
Mbretërore, si rezultat i zhvillimeve ndërkombëtare
në prag të Luftës së Dytë Botërore;
çështja shqiptare në kontekstin e ndarjeve gjeostrategjike
ndërkombëtare, përpjekjet kur më të zëshme
e kur nën rrogoz të qarqeve serbe për “riintegrimin”,
apo sikur është bërë zakon të thuhet “riokupimin
e Kosovës”; pozita e disfavorshme e shtetit shqiptar
pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,
marrëdhëniet me qeverinë e re jugosllave dhe varësinë
e saj ekonomike, ushtarake e sidomos diplomatike; lëshimet
e njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare në
organizimin e brendshëm dhe sidomos në marrëdhëniet
me Perëndimin; lëvizjet gjysmëshekullore të
politikës shqiptare mes nacionalizmit dhe ideologjisë
komuniste; lindja e një lëvizjeje të re politike
ilegale si pasqyrim i ndikimit kulturor dhe politik të shtetit
shqiptar; vlerësimi kritik i Organizatave, Partive dhe Programeve
të tyre; nxjerrja apo ndërtimi i një hierarkie të
re në Lëvizjen ilegale, pamja në një kontekst
të ri e personaliteteve kryesore të kësaj Lëvizjeje:
Profesor Imer Berishës, Adem Demaçit, Metush Krasniqit,
Jusuf Gërvallës, Hydajet Hysenit, Bajram Kosumit; relativizimi
i konceptit ideologjik të Tiranës pas demonstratave të
vitit 1981 etj.
Vend të rëndësishëm u është dhënë
dënimeve të rënda që u bëheshin drejtuesve
dhe anëtarëve të grupeve politike, si dhe shtypjeve
të hekurta të aktiviteteve të tyre nga regjimi jugosllav,
me qëllim të ndalimit të veprimtarisë së
tyre; ndryshimeve të mëdha dhe historike që i sollën
demonstratat e vitit 1981 në ardhmërinë e Kosovës,
misionin që kryen në kontekst të krijimit të
një hierarkie të qëndrueshme deri te themelimi i
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj. Prej kësaj
vepre shkencore, në të vërtetë prej vlerësimeve
të autorit të saj, kuptojmë se fatin tonë historik,
më parë se ne, e kanë shkruar fuqitë e mëdha,
se ndonëse politika serbe e pasluftës së dytë
botërore duket se ndryshon në interes të afirmimit
të popujve të vegjël nën Jugosllavi, mendimin
largëvajtës për shqiptarët, apo konceptin e
vjetër të tyre për zhbërjen dhe çrrënjosjen
prej trojeve të tyre nën Jugosllavi, do ta rimerrë
sa herë t’i jepet hapësira më e vogël
politike dhe gjeostrategjike në vend, në rajon dhe në
botë. Prej vlerësimit të mendimit të politikës
së Tiranës, ndërkaq, do të kuptojmë sa
shumë na ka kushtuar politika e udhëhequr ideologjikisht,
sa shtrenjtë na ka kushtuar politika e moralizuar ndaj fqinjëve,
dhe sa rëndë na ka peshuar nacionalizmi i ri pa përmbajtjen
e kodeve nacionale, sado që, edhe ashtu, përkrahja verbale
asnjëherë nuk ka munguar.
E gjetur kështu, mes përndjekjes së përhershme
jugosllave dhe refuzimit shpesh të pakuptimtë të
shtetit shqiptar, Lëvizja ilegale e Kosovës ka kaluar
disa sprova historike, përvoja e së cilës do të
mund të ju shërbente edhe sot idealistëve të
rinj. Lexuesi i derisotëm, i lodhur prej citimeve të burimeve
të dyshimta apo prej burimeve të dorës së dytë,
i mërzitur prej vardisjeve politike, prej kompilimeve të
djeshme e të sotme, në interes të individëve,
organizatave të përkushtuara ideologjike dhe situatave
të caktuara politike, sot ka mundësi që brenda një
vëllimi të ketë programet politike dhe statutet e
Organizatave, Partive e Grupeve të vogla apo atyre më
të mëdha; atyre që kanë vepruar më gjatë
apo janë shuar madje para se ta marrin aksionin e parë,
atyre që kanë shënuar një aktivitet të
rëndësishëm apo atyre që e kanë ndryshuar
fatin tonë historik dhe historinë përgjithësisht,
sikur janë ato që përgatitën demonstratat e
vitit 1968, ato që udhëhoqen me demonstratat e vitit 1981
dhe ato që u bënë themeltarët e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës.
Pra, nuk është hera e parë as libri i parë që
gjatë këtij gjysmë shekulli po merret me studimin
e Lëvizjës ilegale të Kosovës. Veçse
metodat dhe qëllimet ndryshojnë dukshëm. Të
parët, duke u marrë me studimin e kësaj lëvizjeje
u përpoqën t’i arsyetojnë edhe shkencërisht
përndjekjet që ua bëri regjimi jugosllav, ndërsa
të dytët, kryesisht u morën me përshkrimin e
strukturave të tyre, duke mos u dhënë vend të
parë programeve politike. Kujtoj se për herë të
parë, këtu ne lexojmë intelektualisht dhe në
mënyrë kritike bëmat e kësaj Lëvizjeje
dhe rrethanat historike, krahas të cilave ka vepruar. Prandaj,
mund të thuhet: më parë se autorin dhe librin e tij,
këtu ne po e promovojmë një metodë shkencore
dhe një koncept të avancuar të studimit të historisë
bashkëkohore.
(E dërgoi për botim: Baki Ymeri)
|