BUXHAKU PËRPILON INFORMATOR PËR TA NJOFTUAR KOSTOVIN ME PUNËN E TIJ

Pas spekulimeve të fundit për shitje të lokacioneve në qendër të Shkupit

Kryeministri Kostov, ka paralajmëruar se poqëse analizat tregojnë se në Ministrinë për Transport dhe Lidhje ka pasur keqpërdorime do të ketë përgjegjësi nga ana e ministrit Buxhaku i cili është angazhuar që të përpilojë informator për të gjitha shitjet që janë bërë me vendim të tij

Shkup, 21 qershor – Me vendim të ministrit për Transport dhe Lidhje, Agron Buxhakut janë shitur p ërafërsisht 2000 metra katrorë të lokacionit në qendrën e Shkupit, në afërsi të ndërtesës së “Metropolit” për 25 euro metëra katrorë.

Vendin në fjalë e ka blerë një firmë me kapital të huaj e quajtur “Macedonian Group”e cila është e regjistruar në qytetin e Shtipit kurse udhëheqës kryesore përmendet emri i një shqiptari Gazmend Osmani.

Sipas disa informatave, partnerë në këtë marrëvshje është firma “Orka Holding”.

Lokacioni sipas planit urbanistik është përafërsisht 2 000 metra katrorë dhe përfshinë një pjesë të sheshit “Maqedonia”.

Bëhet e ditur se në këtë vend do të ndërtohet një objekt prej katër katësh me nënkulëm në të cilën do të vendosen disa objekte qeveritare si dhe disa veprimtari administrative dhe udhëheqëse e sektorëve të ndryshme si ato tregtare e të tjera.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, me këtë rast kryeministri Hari Kostov ka kërkuar nga ministri Buxhaku që të përgatis një informator për shumën e përgjithshme të qirasë dhe shitjes së tokës shtetërore që është bërë deri më tani me vendimet e kësaj ministrie.

“Ministria për Transport dhe Lidhje brenda një kohe të shkurtër duhet të përgatis raport ku do të jenë të gjitha nënshkrimet dhe marrëveshjet për sjelljen e vendimeve që janë bërë në sektoret që i mbulon kjo ministri. Nëse përfundohet se gjatë marrëveshjeve që janë shitur lokacionet ka pasur keqpërdorime atëherë do të ketë edhe përgjegjësi nga ana e ministrit Buxhaku”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Sasho Çollakovski.

Për shitjen e tokës apo vendit në qendrën e Shkupit, Çollakovski bëri të ditur se janë në përfundim e sipër analizat paraprake nga anëtarët e Qeverisë. Çollakovski, bëri të ditur se me vendim të Qeverisë, ministri Buxhaku nuk guxon të sjellë vendime për shitje apo dhënie me qira të ndonjë objekti apo vendi përderisa nuk konsultohet me qeveritarët tjerë.

“Nëse nuk jepet leje për kërkesën e ministrit nga Qeveria, atëherë ajo nuk guxon të miratohet në praktikë”, tha Çollakovski.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e pestë të saj të rregullt ka sjellë edhe vendimin për miratimit e fazës së parë të Ligjit kundër kufizimit të konkurencës, Ligj i cili do të dorëzohet së shpejti në Parlamentin e Maqedonisë.

Poashtu Qeveria ka vendosur që të përpilojë një Ligj të përbashkët për sigurimin e lirive të tregjeve dhe ndërmarrjeve dhe mbrojtjen e tyre të njejtë me të gjitha tregjet tjera që sipas Çollakovskit, kjo është në pajtim me ligjet e Bashkimit Evropian.

“Ka qenë kërkesë e kahmotshme për përfshirjen e të gjitha këtyre në një Ligj të përbashkët. Ligj i njejtë është sjellur edhe në vitin 1999 mirëpo në tekstin e këtij ligji kishte mangësi të cilët tani janë të mbuluara”, tha Çollakovski.

Sistematika dhe forma e ligjit të vitit 2002, sipas vlersimit të Qeverisë është bërë në përshpejtësi dhe kjo ka pamundësuar ndalimin e Ligjit për kufizimin e konkurencës në lëminë e prodhimeve të vendit.

Qeveria ka konstatuar se qëllimi kryesor i Ligjit për lirinë e konkurencës do të shpie në drejtim të rritjes së efikasitetit ekonomik në vend.

shkruan:

Vedat Memedaliu

Copyright www.agimi.com