NËNË TEREZA "MAQEDONASE" REFUZOHET NGA ROMA

Italianët nuk pranojnë të ngrenë monumentin e dhuruar nga Maqedonia. Pas presionit të politikanëve, Kadaresë dhe forumit të intelektualëve.

“Quajeni çështje të mbyllur”, -i tha dje Edi Ramës prefekti i kryeqytetit italian, Veltroni

Monumenti i Nënë Terezës, me mbishkrimin “E kombit maqedonas ”, nuk ka për t’u ngritur në kryeqytetin italian. Ka qenë vetë prefekti i Romës, Valter Veltroni, që ka dhënë lajmin në Shqipëri. Mbasditen e djeshme, në një bisedë telefonike mes tij dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Veltroni bëri premtimin: “Konsiderojeni të mbyllur këtë çështje, monumenti nuk ka për t’u vendosur në Romë”.
Pse tha Roma jo
Mësohet se prefekti i Romës ka patur shumë arsye për t’i thënë jo vendosjes së monumentit të shumëpërfolur, dhuratë nga Maqedonia me mbishkrimin e çuditshëm. Përveç bisedës me kryetarin Rama, i cili, pasi i ka bërë zotitVeltroni një përmbledhje të hollësishme të qëndrimit mbarëshqiptar ndaj çështjes, i ka kërkuar edhe sqarime, nuk kanë munguar as presionet e tjera, njëri prej të cilëve ka qenë padyshim reagimi i menjëhershëm e publik i shkrimtarit shqiptar më të njohur në botë, Ismail Kadare. Ai i ka quajtur “falsifikime dhe mashtrime shumë të rënda” të gjitha përçapjet e shtetit fqinj, për t’i veshur Nënë Terezës një identitet të rremë. Kadare, gjatë një interviste dhënë njërit prej stacioneve shqiptare televizive, ka shkuar edhe më larg, duke fajësuar Evropën për racizëm antishqiptar. Nuk munguan as reagimet e figurave të tjera publike, anëtarë të Forumit të intelektualëve. Një letër e nënshkruar nga plot 38 shqiptarë të njohur të politikës, letrave, arteve etj, nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, dënonte ngritjen e monumentit maqedonas të Nënë Terezës në Romë dhe i bënte thirrje shtetit shqiptar që, në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, të ngrihej sa më parë një statujë e shenjtores. Shpejt ka reaguar edhe ambasadori shqiptar në Romë, Pëllumb Xhufi. Në një intervistë dhënë “Shekullit”, ai ka theksuar se kërkesa e palës maqedonase nuk do të merret parasysh nga ajo italiane. Xhufi nuk gabohej. Një javë pas deklaratës së tij, Valter Veltroni i tha jo dhuratës maqedonase.
Në gjurmë të një historie
Në të gjallë të saj, Nënë Tereza pati thënë shumë herë se kishte kombësi shqiptare. Një pohim të tillë e bënte sapo i jepej rasti, me siguri pa e çuar nëpër mend tërë këtë zhurmë që do të bëhej pas vdekjes së saj. Gjithsesi, pohimet publike, me zë të lartë të shenjtores, nuk i shmangën abuzimet. Të parat përçapje zyrtare të maqedonasve, për ta bërë të tyren Gonxhe Bojaxhiun, lidhen me emrin e ambasadorit maqedonas në Italinë e vitit 2000, Viktor Gamber. Ai shkroi një letër ku i kërkonte Ministrisë së Jashtme italiane dhe prefektit të Romës, z. Françesko Ruteli, një shesh ku të vendosej busti i Nënë Terezës, “Dhuratë nga Maqedonia”, me rastin e 90 -vjetorit të lindjes së saj. Monumenti mbante mbishkrimin “Nënë Tereza e kombit maqedonas”. Nuk ishte ndonjë trill i çastit sepse që nga ajo ditë maqedonasit nuk do t’i rreshtnin përpjekjet. Ata i dërguan një letër prefektit të tanishëm të Romës, Valter Veltroni. Por punët nuk u lanë me kaq, maqedonasit ndërhynë deri në Selinë e Shenjtë. Ambasadori i tyre në Vatikan i propozoi Komisionit të Kanonizimit të merrte parasysh faktin se “Nënë Tereza ishte maqedonase”. Gjithçka doli më hapur kur pak kohë më parë, kryeministri maqedonas Branko Cervenkovski dhe shefja e diplomacisë, Ilinka Mitreva, gjatë një qëndrimi në Itali, kërkuan pa iu dridhur qerpiku që autoritetet italiane “të përshpejtonin procedurat për vendosjen e monumentit të Nënë terezës”. Sapo është njohur me këtë kërkesë, Partia Demokratike shqiptare në Maqedoni i dërgoi një letër të ashpër kryeministrit dhe presidentit maqedonas.

nga:
Elda Spaho
Copyright www.agimi.com 2002