NË LEKO (LECCO) TË ITALISË DY DITË TË PLOTA KUSHTUAR NËNËS TEREZE

MANIFESTIMI «BIJA SHQIPTARE - NËNA E BOTËS MBARË - SHENJTËRESHA E DASHURISË» DRITË SHKENCORE E SHPIRTËRORE - MIKPRITJE TIPIKE SHQIPTARE, BASHKIM SHPIRTËRASH DHE DËFRIM

Dr Don Valentino Salvoldi: Përmes Popullit Shqiptar e njoha Nënën Tereze dhe përmes Nënës Tereze e njoha Popullin Shqiptar ! Ajo me angazhimin personal, i ka detyruar krerët e vendeve të BE-së dhe të SHBA-ve për çlirimin e Kosovës.
- Dr Don Lush Gjergji, duke e cituar Nënën Tereze: Pa paqe e pa dashuri jeta nuk ka kuptim !

Leko (Lecco) ITALI, 14 qershor 2003

Siç ishte paraparë dhe paralajmëruar, në Lecco u zhvillua me mjaft sukses manifestimi dyditor ndërkombëtar kushtuar Nënës Tereze - «BIJA SHQIPTARE - NËNA E BOTËS MBARË - SHENJTËRERSHA E DASHURISË», që nga ora 9 e së shtunës e deri në ora 22 të së dielës - një maratonë e vërtetë dhe shumë e këndshme - shpirtërore, shkencore, kulturore, artistike, sportive... Çdo gjë ishte përgatitur bukur nga veprimtarët e Shoqatës «Nëna Tereze» e në koordinim me Qendrën Koordinuese Integruese Kulturore e Humanitare «Albeuropa».

Mysafirët e nderuar kishin filluar të vinin që të premtën. Kush do të mbërrinte i pari, në mos veprimtarja tashmë e dëshmuar dhe e njohur edhe si Nënë Tereza e Triestes - Znj. Vitore Stefa-Leka, bashkë me të bijën - Mardena Kelmendi, me Sokol Galanxhi-un dhe Monica (vajza italiane nga Udine që - e ndihmuar nga e nderuara Vitore, që e thërret Mama, është liruar nga varësia narkotike dhe punon e bën një jetë shumë të rregullt në Trieste). Nuk e përmenda kot Monikën, që dikush mund ta njihni edhe nga një udhëpërshkrim imi në Italinë verilindore, në muajin maj. Monika kishte sjellur me vete shumë rroba dhe gjësende tjera të shoqeve dhe të kolegeve të saja të punës - për t'i bekuar nga Dom Lush Gjergji, me bindjen se si përcjellës i Nënës Tereze me bekimin e tij mund t'i sjellë mrekullitë e Shenjtëreshës Shqiptare.

Salla e teatrit të famullisë në lagjen Maggianico të Lecco-s, si dhe bina e skenës verore jashtë ishin dekoruar nga të rinjtë shqiptarë. Kremtja filloi të shtunën në ora 9, me turneun e futbollit të vogël, ku dhjetë skuadra (shqiptarë, italianë, marokienë, algjerianë senegalezë) garuan fer. Ndeshjet i kanë referuar gjyqtarë zyrtarë të Federatës Italiane të Futbollit, të vetofruar vullnetarisht. Për finalen e madhe janë kualifikuar skuadrat «Nëna Tereze» dhe «17 Nëntori» - e para me lojtarët nga Stublla e Karadakut, kurse e dyta me lojtarë kryesisht nga Tirana.

Akademia solemne ka filluar rreth orës 18,30. Salla ishte e vogël për t'i zënë të gjithë të interesuarit.Udhëhequr nga sopranja e mirënjohur - Lajde Mjeda, e ardhur posaçërisht për këtë manifestim, nga Zagrebi, të gjithë të pranishmit kemi kënduar Hymnin Kombëtar! Ligjërata e parë ishte ajo e Dr Don Valentino Salvoldi-t, i cili tha se është njohës i mirë i popullit shqiptar dhe posaçërisht i Kosovës, ku shkon shpesh, i ftuar nga miku i madh i tij - presidenti ynë, Dr Ibrahim Rugova. duke folur në temën e tij: «Nëna Tereze - një kulturë e paqes e llojit grua», ai ndër të tjera solli edhe dëshmi nga angazhimi i Shenjtëreshës Shqiptare për lirinë e Kosovës, në takimet e saja me kryetarë e qeveritarë të shteteve të BE-së dhe me ish presidentin amerikan Bill Klinton, i cili i kishte premtuar se do ta çlirojë Kosovën dhe e ka realizuar premtimin. Mu në këto ditë të pluhurit të grekërve dhe sllavomaqedonasve, për ta "shpallur" Nënën Tereze si bijë të kombeve të tyre, Dr Salvoldi tha një dëshmi shumë vulosëse: "Përmes Popullit Shqiptar e njoha Nënën Tereze dhe përmes Nënës Tereze e njoha Popullin Shqiptar"!

Dr Antonella Lucchini, një e re nga rrethi i Novarës, e cila kohë më parë ka doktoruar mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze, në fakultetin e shkencave politike në Milano, me entuziazëm të madh dhe e emocionuar nga gëzimi që ndodhej në mesin e qindëra bashkëkombasve të Shenjtëreshës Shqiptare, ka shtjelluar temën: "I varfëri, i vuajturi - një përngjajshmëri dhembshurie e Krishtit", duke potencuar se Nëna Tereze në njeriun e vuajtur shihte vetë Jezu Krishtin dhe i ndihmonte me plot dashuri, që ishte efikase mbi të gjitha medikamentet.
Pastaj sopranja e shkëlqyeshme Lajde Mjeda, e shoqëruart nga tingujt e mrekullueshëm në piano, nga Shtjefën Dodes këndoi pjesë nga opera "Mrika" të Prenk Jakovës dhe këngën e mirënjohur "Ave Maria", duke fascionuar të gjithë të pranishmit që e përcollën me duartrokitje frenetike.

Dr Adriano Stasi (anëtar i Akademisë Mariane Papnore), për një urgjencë të paparashikuar nuk ka mundur të vijë personalisht, por e ka dërguar sekretareshën e tij - Francesca Losa, e cila ka lexuar temën e tij: "Gruaja e krishterë në shenjtëri", duke e krahasuar Nënën Tereze me Zonjën e Bekuar dhe popullin shqiptar me popullin e zgjedhur të Zotit.
Dr Don Lush Gjergji ligjëratën e tij e ka mbajtur në gjuhën shqipe, edhepse gati gjysma e sallës ishte e mbushur me italianë, të cilëve iu shpërnda teksti i shkruar italisht i ligjëratës së Dom Lushit.

Ai së pari ka folur mbi origjinën dhe gjendjen e Familjes Bojaxhiu e pastaj për jetën dhe veprën e Nënës Tereze, duke sjellur shumë dëshmi nga takimet e tij të shumta me Shenjtëreshën Shqiptare.Gjatë ligjëratës së tij, Dom Lushi është ndërprerë shpesh me duartrokitje frenetike.

Pastaj moderatori Don Agim Qerkini ia ka dhënë fjalën arkitektit Umberto Trenta - autor i projektit famnoz «Tempulli i Lirisë - Nëna Tereze» që së shpejti do të fillojë të ndërtohet në Hajvali - afër Prishtinës. Arkitekti Trenta ka theksuar se ndjehet i privilegjuar të jetë autor i këtij projekti të madh dhe të jetë mik i shqiptarëve - mik i popullit të Nënës Tereze, të cilën tha se përherë e ka në zemër.

Ai kishte përgatitur projektin, që me nënshkrime të shumë pjesëmarrësve, nga ky manifestim, me datën 12 e 13 korrik 2003 nga Lecco t'i dërgohet drejtëpërdrejtë sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York - Z. Kofi Annan.
Përveç ligjëruesve, projektin publikisht e solemnisht e kanë nënshkruar edhe: ipeshkëvi i Lecco-s - Imzot Merisi, shumë priftërinj italianë, përfaqësues të institucioneve të pushtetit lokal dhe të organizatave joqeveritarëve, gazetarë, artistët e këtij manifestimi, shumë veprimtarë të ardhur nga të gjitha anët, si: Vitore Stefa - Leka, Mimoza Ahmeti, Nirvana Pistulli, Mardena Kelmendi, Hajredin Kaza, Sokol Galanxhi, Mark Topollaj, Zef Ahmeti, Albert Ramaj, Lajde Mjeda, Gjon Frroku, Albert Dani, Shtjefën Dodes, Pashk Ballabani (kryetari i Shoqatës "Nëna Tereze"), Engjëll Koliqi (kryetar i Qendrës "Albeuropa") e shumë të tjerë. Z. Umberto ka thënë se gjatë ditëve përkujtimore që Shoqata "Nëna Tereze" organizon në Kosovë (26 gusht 5 shtator 2003) duhet të bëhet rrethimi i truallit të Sheshit të Paqes dhe të vëhet gurthemeli. Për mbikqyrjen e punimeve tha se janë emëruar dy studentë të arkitekturës në Prishtinë dhe dy të tjerë - në Ascoli Piceno, në Itali. Ai tha - "Nëna Tereze ka lindur atje dhe ne duhet të shkojmë atje e jo të mblidhemi në festat e Saj këndej!" Edhe ai është ndërprerë disa herë me duartrokitje frenetike.

Akademia solemne në sallë është mbyllur me dy pika të bukura artistike. Brizida Balla ka interpretuar jashtëzakonisht bukur rolin e Nënës Tereze në monodramën e shkruar enkas për këtë manifestim, nga Gjon Ballabani. Kantautori dhe rapsodi ynë i mirënjohur, i ardhur enkas nga Lezha për manifestimin - Gjon Frroku i ka ngritur në këmbë të gjithë të pranishmit, me këngën e tij të mrekullueshme kushtuar Nënës Tereze.

Pastaj, në binën verore, është shtruar sofra shqiptare, me ushqime e me pije për qindëra pjesëmarrës. Mysafirëve posaçërisht u kanë pëlqyer specialitetet tona (pite, byrekë, ëmbëlsira...), të ofruara nga organizatorët, si ushqim që Nëna Tereze ka ngrënë në fëmijëri dhe në rini. Aty organizatorët, bashkë me mysafirët janë dëfryer deri në mesnatë. Përmes Luz Koliqit, rapsodi Gjon Frroku i ka aktivizuar në këngë e në valle dhjetëra të rinj të pranishëm - që nga Vlora e deri në Mitrovicë. Lecco buçiste vetëm shqip. Edhe italianët, që e njohin si Madre Teresa, sonte shqiptonin: Nëna Tereze ! Rroftë populli shqiptar! Rrofshin tradidat, mikpritja dhe solidariteti shqiptar!!!

Të dielën, në ora 11 filloi mesha solemne kushtuar Shenjtëreshës Shqiptare. Në meshën që e udhëhoqi ipeshkëvi - Imzot Merisi bashkëçelebruan edhe: Dom Lush Gjergji, Dom Mikel Sopi, Dom Agim Qerkini, Dom Valentino Salvoldi, Dom Guido, Dom Gaudenzio, Dom Alessandro e disa priftërinj të tjerë italianë, emrat e të cilëve nuk i mësova. Me nivelin e lartë të këngëve kishtare, të interpretuara nga kori shqiptar, udhëhequr nga Lajde Mjeda, Shtjefën Dodes, Motra Maria Aurora Koliqi e nga Albert Dani - janë befasuar për të mirë të gjithë të pranishmit. Jo vetëm kisha, por edhe oborri i saj ishte i vogël për t'i pranuar të gjithë të pranishmit, që tani më nuk ishin disa qindëra, por mijëra.

Pjesëmarrja e madhe në këtë manifestim dhe kapaciteti i vogël i sallës së teatrit, na "detyruan" ta përgatisim skenën verore, ku menjëherë pas meshe u rishtrua sofra shqiptare dhe u ulën mysafirët. Rreth orës 13 ka filluar maratona kulturo-artistike e sportive. Rrapsodët Gjon Frroku e Nue Çokaj kanë entuziazmuar të pranishmit me këngët e tyre të zgjedhura. Edhe Luz Koliqi ka interpretuar mjaft bukur këngën mbi Nënën Tereze, përgatitur enkas për këtë manifestim. Albert Dani i ka kënaqur të pranishmit me interpretimin e jashtëzakonshëm të tri këngëve të tij të muzikës së lehtë, si dhe me këngë të përpunuara të Ansamblit "Trix".

Kaptinë në vete ka qenë shou i komikëve të mirënjohur italianë Rosy-Salvi, ( të njohur me humorin e tyre nga RAIUNO e CANALE5) të ardhur enkas për këtë manifestim, nga Mantova.Janë lexuar shumë përshëndetje e poezi kushtuar Nënës Tereze, të mbërrijtura nga Shqipëria, nga Kosova, nga Presheva, nga SHBA-të, nga Suedia, nga Gjermania, nga Franca, nga Austria, Zvicra e nga vende të tjera - nga shumë patriotë e krijues shqiptarë. Edhe mysafirët - Vitore Stefa-Leka, Hajredin Kaza, Mardena Kelmendi, Nirvana Pistulli e të tjerë, kanë përshëndetur manifestimin nga bina. E paraqitur me plot të drejtë si Nënë Tereza e Triestes - shkrimtarja, gazetarja e humanistja jonë e dëshmuar - Vitorja, ua ka përcjellur të pranishmëve edhe përshëndetjet për manifestimin e sidomos për të madhin Don Lush Gjergjin, të bëra përmes telefonit, nga gazetarët - Beqir Sina në New York e Vasil Çesari në Bordo të Francës, nga poeti Petraq Pali nga SHBA-të, përshëndetjet e gazetares Irena Shabani nga Tirana e nga veprimtarë të tjerë. Në ora 17 ka filluar ndeshja finale e turneut të futbollit, në mes skuadrave "Nëna Tereze" dhe "17 Nëntori". Fituese doli skuadra "Nëna Tereze". Programi festiv ka vazhduar deri në ora 22.

Ajo që e ka karakterizuar këtë manifestim madhështor dyditor kushtuar Nënës Tereze - ishte pjesëmarrja masive edhe e grave dhe e fëmijëve, që edhe kanë kontribuuar me recitime e vallëzime, por edhe me shërbime në tryezën shqiptare. Një gjë që të gjithë e kemi dëshiruar - të gjithë të pranishmit janë shpërndarë jashtëzakonisht të kënaqur, me mbarëvajtjen e këtij manifestimi.

nga:
Engjëll KOLIQI
Copyright www.agimi.com 2002