Belgo-shqiptarët në sulm për parlamentet e Brukselit dhe të Evropës. Jetojnë në Belgjikë dhe kandidojnë për partitë më të mëdha
Nermin Kumanova, Viktoria Mandi dhe Durak Duraku, përfaqësuesit e Shqipërisë për në BE
Nermin Kumanova, Viktoria Mandi dhe Durak Duraku, tre emra shqiptarësh në listat e zgjedhjeve krahinore dhe evropiane në Belgjikë. Eshtë hera e parë që belgo-shqiptarët marrin pjesë dhe kandidojnë në fushata elektorale kaq të rëndësishme dhe që prej një muaji, tashmë që të tre kandidatët e kanë shkundur bashkësinë shqiptare nga amullia që e ka karakterizuar deri më sot komunitetin e pranishëm në Belgjikë, që prej 42 vjetësh tashmë. Nermin Kumanova kandidon në Partinë e Ekologjistëve frankofonë-belgë, për në Parlamentin Evropian. Durak Duraku dhe Viktoria Mandi, që të dy pjesëtarë të partisë tjetër frankofone, Qendra Demokrate Humaniste, kandidojnë për në Parlamentin krahinor të Brukselit. Belgjika është shtet federal dhe përveç Parlamentit kombëtar, numëron edhe tre kuvendet krahinore. Kandidatët me origjinë shqiptare kanë pak a shumë të njëjtën histori. Familjet e tyre janë arratisur nga Shqipëria dhe nga Maqedonia në vitet ´50-´60 dhe pasi i kanë kaluar vështirësitë e kampeve ish-jugosllave, kanë mbërritur në Belgjikë ku dhe janë vendosur përfundimisht. Që të tre kandidatët kanë marrë pjesë më parë, kryesisht në zgjedhjet komunale belge, por asnjëri prej tyre nuk ka fituar deri më sot. Sipas disa burimeve jozyrtare, vetëm krahina e Brukselit numëron rreth 8000 qytetarë belgë me origjinë shqiptare, të cilët e kanë të drejtën e votës. Ndërsa për Nermin Kumanovën, e cila mbledh, përveç Brukselit, edhe votat e krahinës frankofone, shanset janë akoma më të mira për të fituar postin e eurodeputetes, po në Bruksel. Që të tre janë tërësisht të integruar në shoqërinë belge dhe nuk kërkojnë vetëm votën e shqiptarëve. Ndoshta të dielën, më 13 qershor dhe pas 42 vjetësh, komuniteti shqiptar në Belgjikë do të fitojë përfaqësimin politik, si të gjitha komunitetet e tjera në vend.
Kush është Nermin Kumanova
Nermin Kumanova, studente dhe vetëm 23-vjeçare, megjithëse e re në moshë, është angazhuar herët në politikë. Nermini ka lindur dhe jeton në Namyr, qytet që gjendet në pjesën frankofone belge, në një familje shqiptare. Familja e saj, siç e tregon edhe vetë emri, vjen nga Maqedonia dhe në vitet ´50 e ka braktisur ish-Jugosllavinë për t´u instaluar për 18 vjet rrjesht në Turqi. Rreth viteve ´70, prindërit e Nerminit largohen nga Turqia dhe zgjedhin Belgjikën, vend ku Nermini lindi në vitin 1981. Që në moshën 15 vjeç, kandidatja me origjinë shqipare angazhohet në lëvizjet e ndryshme sindikale, si dhe në jetën shoqërore dhe sociale. Për momentin, studente në Degën e Shkencave të Punës në Namyr, në Partinë e Ekologjistëve frankofonë, që në Belgjikë njihet me emrin Ekolo, ku Nermini është angazhuar 3 vjet më parë. E ndjeshme ndaj çështjes shqiptare, përveç prioriteteve të tjera të rëndësishme, Nermin Kumanova shpreson se, nëse zgjidhet, të bëjë shumë për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Motua që Nermini 23-vjeçare ka zgjedhur për fushatën ështëë: “Duhet kohë për ta ndryshuar botën; atëherë le të fillojmë sa më shpejt”. Nermin Kumanova është e katërta në listën për zgjedhjet evropiane të Partisë Ekologjike frankofone.
Kush është Durak Duraku
“Të mendosh në mënyrë humaniste, do të thotë të veprosh ndryshe”, është motoja që ka zgjedhur për fushatën e tij Durak Duraku, pjesëtar i Partisë Qendra Demokrate Humaniste, që prej 20 vjetësh tashmë. Në tubimin që kandidati shqiptar organizoi në Bruksel, me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore, të ftuar ishin përfaqësues të forcave politike shqiptare në Belgjikë, përfaqësues të shoqatave kulturore apo fetare të diasporës, intelektualë shqiptarë, që jetojnë në Bruksel, por edhe kolegë të tjerë belgë të Partisë Qendra Demokrate Humaniste. Ky i fundit ka lindur 56 vjet më parë në fshatin Morinë të Kukësit dhe ka qenë vetëm 11 vjeç kur familja e tij me 24 pjesëtarë, arratiset nga Shqipëria në fund të viteve ´50-të. Pas peripecive të shumta në kampet e ish-Jugosllavisë, familja e Durakut mbërrin në Trieste të Italisë, për të ardhur më vonë në Belgjikë. Durak Duraku kryen në fillim shkollën teknike “Don Bosko” e më pas ndjek studimet për juridik në Universitetin e Lùvenit. Përveç kësaj, ai diplomohet dhe në fushën e gazetarisë dhe pas disa funskioneve të ndryshme, që prej vitit 1995 punon si inspektor ekonomik pranë Ministrisë së Qeverisë së Brukselit. Përveç vlerave të përgjithshme të partisë, familja, edukimi apo zgjidhja e problemeve të banimit në Bruksel, Durak Duraku lufton edhe për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Parlamentin e Brukselit. Durak Duraku është kandidati nr. 39 në listën e Partisë Qendra Demokrate Humaniste.
Kush është Viktoria Mandi
Viktoria Mandi ka lindur në Bruksel në vitin 1974 dhe me origjinë është nga Shkodra. Familja e saj e ka braktisur Shqipërinë në vitet ´60 dhe para se të mbërrinte në Belgjikë, ka kaluar nga kampet e burgimit jugosllav. Babai i Viktorias vdiq në vitin 1975 dhe nëna e saj i rriti vetë të katër fëmijët jetimë, në atë kohë Viktoria ishte një vjeç. Kandidatja shqiptare ka kryer studime sociale dhe që prej njëzet vjetësh punon në Komitetin e Përgjithshëm të Aksionit në lagjen Marol të Brukselit. Në kontat direkt dhe të vazhdueshëm me njerëzit, përveç origjinës shqiptare, Viktoria sjell në fushatë edhe eksperiencën e terrenit. Motoja e saj është pikërisht ndër prioritetet kryesore të kandidates shqiptare, përveç përfaqësimit të komunitetit shqiptar, krijimi i banesave sociale, barazia në sistemin e edukimit, dhe zhvillimi i mëtejshëm i shoqatave që operojnë në terren. Në listën e votimit të Partisë Qendra Demokrate Humaniste (CDH), Viktoria Mandi mban numrin 20.
Intervista
Do të mbroj shqiptarët në Parlamentin Evropian. Ky është premtimi i Nerminit, kandidate me origjinë shqiptare për në Parlamentin Evropian, në gjirin e Partisë Ekologjike frankofone (Ecolo). Ka lindur në Bruksel, por di të flasë edhe shqip. Në një intervistë të dhënë për gazetën, ajo shpjegon jetën e saj belge dhe çfarë do të bëjë për çështjen shqiptare, në rast se zgjidhet depuetete në BE.
Nermin Kumanova, si ju lindi ideja për të kandiduar në Parlamentin Evropian?
Në fillim duhet t'ju bëj të ditur që unë militoj në sindikata dhe në jetën shoqërore apo sociale, që prej moshës 15 vjeç, dhe kjo është fushata e tretë zgjedhore ku marr pjesë. Në vitin 2000 kam kandiduar në zgjedhjet komunale. Vitin e kaluar, në zgjedhjet për senatin belg, dhe këtë vit jam angazhuar në nivelin evropian, sepse për mua është vazhdimi dhe plotësimi i angazhimit tim në terren.
Ju jeni vetëm 23-vjeçare dhe numëroni tri fushata zgjedhore në aktivin tuaj. Si e shpjegoni?
Shpjegimi është thjesht, ambicia dhe dëshira për të ndryshuar botën ku jetojmë dhe e cila vuan në nivelin human, në pabarazisë shoqërore, në atë klimatik apo ekonomik. Përballë problemeve sociale dhe problemeve të ndryshme që egzistojnë, unë personalisht, nuk mund të qëndroja pasive dhe zgjidhja e vetme, në vend që të rrija dhe vetëm të kritikoja, ishte që të merrja pjesë në ndërtimin e gjërave me dëshirën për t´i përmirësuar ato.
Në fushatën zgjedhore ju jeni kandiate e partisë ekologjike. Pse zgjodhët pikërisht këtë parti, dhe pse jo një tjetër?
Kam zgjedhur Partinë Ekologjike pasi në shkallën politike është një parti që pozicionohet në krahun e majtë. Duke qenë se unë i përkas botës së të majtëve, si militante që jam, atëherë ishte logjike që të zgjidhja një parti që pozicionohet në këtë krah politik, dhe pikërisht me të gjelbërit, sepse janë një parti ku puqen aspekti i ambjentit, ai ekonomik dhe social dhe të gjitha këto me një vizion të qëndrueshëm, afatgjatë, me idenë që problemet të mos ripërsëriten, duke menduar në të njëjtën kohë, për brezat e rinj që do të vijnë.
Ju jeni efektivi nr. 4 në listën e partisë suaj për zgjedhjet evropiane. Sa të larta janë shanset për t´u zgjedhur të dielën?
Kjo gjë, sigurisht që do të varet nga votat që do të mbledhim, në fillim në nivelin e partisë, e pastaj dhe në atë të kandidaturës sime personale. Në këtë moment, situata politike e Partisë Ekologjike frankofone nuk është shumë e mirë, pasi vitin e kaluar ne u përballëm me një disfatë katastrofike, duke humbur shumë poste në Parlamentin Federal belg, dhe shpresoj, që këtë vit të mund të ruajmë një numër deputetësh në parlamentet krahinore dhe mbi të gjitha, në Parlamentin Evropian, pasi pa grupin e të gjelbërve, Evropa rrezikon të drejtohet drejt një bote akoma më liberale.
Përveç problemeve klimatike dhe atyre që përmendët, çfarë do të donit të ndryshonit tjetër në Botë, nëse do të jeni eurodeputete?
Sigurisht, që nuk ka vetëm probleme klimatike. Në fillim qëndron problemi i njeriut, i personit human si i tillë apo i personit në lidhje me familjen e tij dhe me gjithë kontekstin që e rrethon: punësimi apo papunësia dhe edukimi. Të gjitha këto janë problematika që unë i kam përzemër. Personalisht, luftoj për një edukim cilësor dhe të qëndrueshëm, pasi dihet se baza e zhvillimit të një vendi është pikërisht, edukimi dhe ky i fundit duhet të drejtohet gjithmonë nga shteti dhe nga shërbimet publike. Në partinën tonë luftojmë që kjo fushë të mos privatizohet.
Nermin Kumanova. Keni një emër dhe mbiemër shqiptar. Votat i kërkoni edhe pranë komunitetit shqiptar në Belgjikë apo jo?
Fushata zgjedhore po zhvillohet gjithandej dhe sigurisht, që nuk kërkojmë vetëm votat e qytetarëve belgë me origjinë shqiptare. Por, duke qenë kandidate, dhe meqë kam dhe origjinë shqiptare, shpresoj që komuniteti shqiptar do të më mbështesë. Kjo, sepse gjatë historikut 42-vjeçar të emigracionit shqiptar në Belgjikë, është hera e parë që kemi një kandidate me origjinë shqiptare për në Parlamentin Evropian dhe shpresoj që të gjithë sëbashku, do të bashkohemi për ta fituar më në fund betejën tonë të përfaqësimit politik. Pikërisht, shqiptarët e Belgjikës, ndoshta nuk interesohen shumë për problemet e klimës në botë. Ata mund të kenë dëshira më personale, siç janë zgjidhja e problemeve në Kosovë apo Maqedoni.
A do të angazhoheni dhe për zgjidhjen e problemeve të tilla?
Sigurisht, që origjina ime më bën të ndihem afër komunitetit shqiptar në Belgjikë e më larg. Studimet që po kryej më marrin shumë kohë, por që e vogël nuk e kam pasur mundësinë të investoj në fushën e shoqatave shqiptare këtu, por projektet për këtë gjë egzistojnë në mendjen time. Me rastin e fillimit të vitit të ri social, në shtator, kam një projekt për zhvillimin e kurseve për alfabetizimin e popullatës shqiptare në Belgjikë, dhe jo vetëm për ta, pasi mund të afrohen dhe persona të tjerë joshqiptarë, që mund të jenë të interesuar. Dhe sigurisht, që në lidhje me Shqipërinë, Kosovën apo Maqedoninë, unë jam shumë e ndjeshme ndaj integrimit të ardhshëm të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, dhe i mbështes si dhe do t´i mbështes në të ardhmen, me anë të angazhimit tim brenda Partisë Ekologjike, dhe ndoshta, dhe në gjirin e Parlamentit Evropian, nëse zgjidhem. Për këto vende, duhet një ndihmë akoma më e madhe në nivelin evropian, në mënyrë që zhvillimi i tyre të realizohet në harmoni, si edhe pavarësia e Kosovës të njihet.
Ju flisni kryesisht frëngjisht, pasi keni lindur në Belgjikë, por flisni edhe shqipen që jua kanë mësuar prindërit. Cila është odiseja e familjes suaj?
Unë jam shqiptare dhe, megjithëse kam lindur këtu para 23 vjetësh, e flas edhe shqipen. Prindërit e mi vijnë nga Kumanova e Maqedonisë, vend nga ku janë larguar në vitin 1951, për t´u vendosur në Turqi, ku kanë qëndruar rreth 18 vjet. Më pas kanë ardhur në Belgjikë ku dhe kam lindur unë, në qytetin Namyr të krahinës frankofone belge. Unë jam shqiptare pasi e kam gjakun shqiptar, por nganjëherë më vjen turp të flas shqip, pasi nuk e kam mësuar në shkollë dhe shpesh vazhdimi është në frëngjisht, pasi nuk e zotëroj akoma siç duhet shqipen.
Ju keni kontakte edhe me komunitetin turk në Belgjikë. A do të angazhoheni, edhe për këta të fundit, nëse zgjidheni?
Unë punoj për të gjithë. Nëse zgjidhem, nuk mund të jem vetëm eurodeputetja e komunitetit shqiptar. Kjo s'do të ishte logjike. Kur je eurodeputete belge, lufton për interesat e të gjithë vendit, ku bëjnë pjesë komuniteti turk, shqiptar apo afrikan. Nuk duhen bërë kurrë dallime komunitarizmi. Po sigurisht, që në të njëjtën kohë, duke pasur ndjeshmërinë shqiptare, do të jem më afër dosjeve që kanë të bëjnë me vëllezërit dhe motrat shqiptare.
Ju jeni krejtësisht e integruar, jeni belge pra. A keni pasur probleme nga origjina shqiptare?
Nganjëherë në universitet. Kur lexojnë Nermin Kumanova, ka persona që më pyesin me nënkuptim: Çfarë është kjo origjinë? Dhe kjo gjë ndodh pasi jam në një universitet ku disa profesorë kanë idetë e tyre të qarta për shqipëtarët. Unë nuk e fsheh asnjëherë origjinën time, sigurisht, pasi të gjithë tashmë e njohin historinë e ish-Jugosllavisë, si edhe jemi shqiptarë me origjinë, dhe s'kam turp ta them.
Pikërisht, a do të angazhoheni në këtë rast për të mundësuar zbutjen e problemeve që rrjedhin nga origjina apo mentaliteti i njerëzve këtu në Belgjikë?
Unë angazhohem më shumë në drejtim të integrimit të komuniteteve tona dhe zhvillimit të tyre në fushën shoqërore për të marrë kështu vendin që na takon, dhe për të kërkuar të drejtat tona, por nuk dua kurrsesi të harrojmë origjinën tonë. Kjo gjë s'duhet të ndodhë. Asimilimi është një politikë që personalisht e refuzoj kategorikisht. Pra, nuk duhet të harrojmë se jemi shqiptarë me origjinë, dhe se gjuha jonë është shqipja, por, në të njëjtën kohë, nuk duhet qëndruar në një stad fillestar. Duhet që origjinën tonë shqiptare, të gjitha tradidat që përbëjnë pasurinë tonë dhe që s'duhen harruar, të kërkojmë sa më mirë t´i puqim me jetën këtu në Belgjikë dhe sidomos, me studimet, për t´u ndjerë tërësisht në vendin tonë këtu.
Ju treguat për angazhimet tuaja, nëse zgjidheni. Po nëse nuk zgjidheni, çfarë do të bëni?
Sido që të ndodhë, edhe nëse nuk fitoj, atëherë do të vazhdoj betejën time, gjë që e kam bërë me bindje që në moshën 15-vjeçare dhe as nuk bëhet fjalë që të ulur krahët. Pra, do të vazhdoj. Në fillim në gjirin e Partisë Ekologjike, por edhe në gjirin e lëvizjeve shoqërore dhe sindikale. Dhe përveç kësaj, kam dëshirë të nis një tjetër luftë në gjirin e komunitetit shqiptar, për të qenë sa më afër problemeve të veçanta të shqiptarëve. Sidoqoftë, shpresoj që komuniteti shqiptar në Belgjikë do ta mbështesë kandidaturën time dhe nuk do të shohë partinë ku kandidoj, por mbi të gjitha, njeriun. Unë jam e katërta në listën e kandidatëve, dhe kjo, jo falë fatit, por falë angazhimit tim të vazhdueshëm. Betejën që kam nisur, do ta vazhdoj deri në fund.
|