|
Sa shqiptarë jetuan dhe
sa janë tani në Beograd?
Numri i shqiptarëve në Beograd sipas regjistrimeve të
popullsisë:
1880 59
1921 421
1948 1.137
1953 3.262
1961 8.262
1971 6.978
1981 8.212
1991 4.985
2002 1.492
Sipas regjistrimit të vitit 1991 prej 4.985 shqiptarëve
shumica janë deklaruar se i takojnë fesë myslimane,
95 prej tyre janë deklaruar katolikë, 14 ortodoksë,
një protestant dhe një judist, njëri prej tyre ka
thënë se është fetar por nuk e ka saktësuar
se cilit konfesion i takon, 122 thanë se janë ateistë,
ndërsa 392 fare nuk janë deklaruar.
Në vitin 1981 prej 8.212 shqiptarëve të regjistruar,
5.067 ishin meshkuj dhe 3.115 femra, kurse 1.008 prej tyre deklaruan
se gjuha e tyre amtare është serbokroatishtja.
Sipas të dhënave të Dhomës Ekonomike të
Beogradit në vitin 1983 në territorin e këtij qyteti
prej 7.632 dyqaneve private afër 3% ishin në duart e shqiptarëve.
Më së shumti kishte pastiçeri (afër dy të
tretat në këtë degë), pastaj bukëpjekës
(pak më shumë se një e pesta), në mesin e tyre
ishte edhe Elez Nuredini, i quajtur "mbretri i byrekut",
të cilit në vitin 1983 iu mor leja për punë
(dyqani i tij gjendej te stacioni hekurudhor i Beogradit), prej
570 kafeneve dhe restoranteve njëzet pronarë ishin shqiptarë,
tre shqiptarë i kishin ofiqinat për riparimin e automjeteve,
disa argjentarë kanë edhe sot dyqane në qendër
të qytetit (Angjel Mjeda, Alfonc dhe Kolë Çivlaku,
Gjergj Shkreli, Sokol Zeka, deri vonë edhe Lalush Lalevski,
dhëndri i Anton Çetës).
Në zgjedhjet e mbajtura në vitin 1996 në zonën
e Beogradit, 4.415 shqiptarë kishin të drejtë vote.
Mirëpo, një numër romësh të detyruar nga
pushteti paraqiteshin si shqiptarë. Këta gjatë bombardimeve
të NATO-s protestuan me banderola: "Edhe ne shqiptarët
jemi kundër bombardimeve".
Pas luftës 1999, brenda disa jave, nga Beogradi janë shpërngulur
më se 300 familje. Në fakt, largimi i shqiptarëve
filloi në fund të tetëdhjetave. Meqë ligji nuk
e lejonte ndërrimin e banesave me serbët e Kosovës,
ai bëhej përmes avokatëve duke bërë vetëm
kontrata. Pas luftës shqiptarët që ishin të
interesuar ta bëjnë ndërrimin e banesave lutjet i
paraqitnin në xhaminë e Beogradit ku serbët dhe shqiptarët
viheshin në kontakt.
Shpeshherë në shtypin beogradas pohohej, dhe këtë
e përcillnin edhe gazetat e huaja, se në Beograd kinse
jetonin prej 80 deri 100 mijë shqiptarë. Kështu,
javorja beogradase "Nedelni telegraf" (më 2 qershor
të vitit 1999), shkroi se në Beograd "jetojnë
afro 80.000 shqiptarë", duke shtuar se në mesin e
tyre "afro 10 mijë janë pronarë të ndërmarrjeve
private dhe dyqaneve zejtare". Artikullshkruesi në fund
bëri pyetje: "Vallë, a do të bëhet Beogradi
viktimë e terrorizmit shqiptar". Këtë propagandë
e bënte regjimi i Milosheviqit, i cili dëshironte ta paraqesë
kinse rrezikun nga ekspansionizmi i shqiptarëve.
Si e përjetuan kohën e luftës shqiptarët në
Beograd në vitin 1999?
Pasi që mbaroi lufta, shqiptarët në Beograd përveç
problemeve tjera që përjetonin më parë (mosbesimi
ndaj tyre, ofendimet, urrejtjet), me ardhjen e refugjatëve
serbë nga Kosova jeta e tyre u bë edhe më e vështirë.
Një numër i madh shqiptarëve vendosi të shpërngulet
nga Beogradi nga frika për të ardhmen. Gjatë kohës
së luftës kur disa shqiptarë u larguan nga Beogradi
banesat e tyre i zunë refugjatët serbë nga Kosova,
me justifikim se ne na kanë përndjekur shqiptarët,
prandaj ne kemi të drejtë të veprojmë kështu
thoshtin ata. Me saktësi nuk mund të thuhet sesa është
numri i atyre që ua kanë zënë banesat. Në
mesin e tyre ishte edhe banesa e gazetarit të njohur Bahri
Canit, të cilit banesa iu kthye pas tri vitesh. Pushteti fare
nuk u ndihmoi shqiptarëve në këto raste. Kur këta
kërkonin ndihmë, policia u thoshte duhet t'ia parashtroni
ankesën gjykatës. Korriku dhe gushti i vitit 1999 ishin
muajt më të vështirë për shqiptarët
në Beograd. Disa prej tyre u sulmuan fizikisht, kishte edhe
ofendime të rënda. Shumë dyqaneve të shqiptarëve
iu thyen xhamat. Një grup i vogël i studentëve shqiptarë
të Universitetit të Beogradit në maj të vitit
1999 u burgos me akuzë se ka përgatitur akte terroriste.
Gjatë seancës kryesore të të akuzuarit në
mënyrë të hollësishme e përshkruan torturën
që përjetuan gjatë paraburgimit nga ana e policisë,
ku siç thanë ata me mjete dhunuese kanë qenë
të detyruar ta pranojnë kryerjen e veprave penale me të
cilat janë rënduar. Pas disa muajsh shumica e tyre janë
liruar si të pafajshëm.
Çfarë kanë punuar shqiptarët në Beograd?
Në fillim të shek. XX në Beograd, jetonin afro njëqind
shqiptarë, shumica prej atyre ishin ardhur për bukë
goje. Sidomos vëreheshin salepçinjtë dhe bozaxhinjtë,
të cilët ishin të veshur me rroba kombëtare
shqiptare. Në kokë kishin plisin, e mbështjellur
me maramë. Në rrugë gjithashtu mund të shiheshin,
sipas historianit të njohur të arkitekturës, Aleksandër
Derokut, 'grupet me nga dy-tre turq', siç i quanin atëherë,
në rroba të veta nga shajaku i bardhë sharra dhe
kambalecat mbi supe. Ata sharronin dru ahu 'në katër prerje,
pesë copa' ose 'në tri prerje, katër copa', ashtu
siç merreshin vesh". Gazeta beogradase Radniçke
novine në vitin 1913, shkroi: "Ne në Beograd shqiptarët
i njohim si punëtorë mjaft të vyeshëm, të
cilët buzë lumit Sava dhe Danubit i ngarkojnë dhe
shkarkojnë barrët. Ata poashtu janë sharraxhinj dhe
ende nuk ekziston asnjë beogradas i cili është ankuar
në përtacinë e shqiptarit". Në atë
kohë në Beograd u shkollua edhe një numër i
vogël i shqiptarëve. Midis tyre ishte edhe Nikoll Ivanaj,
bashkë me dy anëtarët e familjes së vet, Martin
dhe Mirash Dodë Ivanajn, të cilët merreshin me poezi
në gjuhën serbe. Ata vjershat i botuan në vitin 1906-1911.
Në mesin e zejtarëve dhe tregtarëve në Beograd
kanë qenë disa shqiptarë. Si tregtar dhe njeri i
kamur sidomos ka qenë i njohur Hajrullah Hajrullahoviq (Hajrullahu),
pronar i dyqanit të qilimave persian, në qendër të
Beogradit. Vëmendjen e beogradasve e ka tërhequr sidomos
automobili i tij i madh i bardhë "hispano-suis",
të cilin e ka drejtuar një arab me uniformë. Ka rënë
në sy edhe bashkëshortja e tij joshëse, hungarezja
e re, të cilën e ka sjellë nga Vjena, por me të
cilën nuk qe gjatë në martesë. Bashkëshortja
e mëparshme ishte turke nga Istambulli, ndërsa e treta
nga familja Mahmutbegoviq, familje e njohur e bejlerëve të
Pejës me të cilën është martuar në
Tiranë, ku mbreti Zogu ia ka besuar kujdesin për doganat,
në shenjë mirënjohjeje për ndihmën të
cilën ia ka ofruar ky derisa ishte në egzil në Beograd.
(Kushëriri i tij Imer Dauti, ishte oficer i ish-Armatës
Popullore të Jugosllavisë dhe historian ushtarak, i cili
ka jetuar në Beograd).
Në gazetën Politika, më 2 prill të vitit 1939,
është publikuar artikulli me titull "Shqiptarët
- kurbetçinj të cilët u shesin dru me kredi beogradasve",
në të cilin gazetari thotë se "njeriu gati do
të mund të mendonte: sikur të mos kishte dru kush
e di se çka do të ndodhte me shqiptarët, e çka
pastaj me Beogradin e varfër sikur të mos kishte shqiptarë".
Beogradasit nga shqiptarët kanë blerë dru për
nxemje gjatë tërë muajit, kurse e kanë paguar
në fillim të muajit tjetër. "Nëse rastësisht
lihet anash ndonjë muaj, pagesa vazhdohet deri në verë".
Në atë artikull zhvillohet biseda me kurbetçiun,
Xhabirin, kryetarin e bursës së kurbetçinjve. Në
Beograd ka ardhur nga rrethi i Gostivarit dhe Tetovës.
Pas Luftës së dytë botërore poashtu shumica
e shqiptarëve në Beograd ishin punëtorë fizikë,
sharraxhinjtë, pastrues të rrugëve, por me kohë
gjithnjë e më shumë kanë punuar në ndërtimtari,
sidomos gjatë viteve 70-ta dh 80-ta. Një numër i
tyre në atë kohë kanë marrë banesa. Sipas
të dhënave të Dhomës Ekonomike të Beogradit
në vitin 1983 në territorin e këtij qyteti afro 3%
e dyqaneve private ishin në duart e shqiptarëve. Më
së shumti kishte pastiçeri, pastaj bukëpjekës,
në mesin e tyre ishte edhe Elez Nuredini, dyqani i të
cilit ishte deri në vitin 1983, më i vizituar në
këtë qytet. Njëzet shqiptarë ishin pronarë
të restoranteve, po aq vetë i kishin kamionët e tyre
privatë dhe merreshin me transportin e mallrave, tre shqiptarë
i kishin ofiqinat për riparimin e automjeteve. Duhet të
përmenden edhe pesë argjentarë, prej të cilëve
Mjeda dhe Çivlaku edhe sot i kanë dyqanet në qendër
të Beogradit. Në Këshillin Ekzekutiv Federativ, në
Kuvendin e Jugosllavisë dhe shërbime tjera punonin rreth
40 përkthyes dhe nëpunës tjerë.
Dy gazeta beogradase me shkrime në gjuhën shqipe
Në dhjetor të vitit 1900, në Beograd, filloi të
botohet gazeta dyjavore Bratimstvo (Vëllazërimi) emërtimi
i së cilës ishte i shkruar edhe në gjuhën shqipe
me shkrimin cirilik. Pronar i gazetës ishte Aleksa Bogosavleviq
- Berisha, me origjinë nga vëllazëria Berisha. Gjatë
vitit të parë të botimit të kësaj gazete
u botuan artikujt edhe në gjuhën shqipe (në shkrimin
cirilik). Prej vitit 1902 deri 1906 është botuar gazeta
Albania në gjuhën serbe me alfabetin cirilik dhe në
gjuhën shqipe në alfabetin latin, në dialektin gegë).
Kohë pas kohe është shkruar edhe në gjuhën
frënge, rumune dhe italiane. Në kopertinë shkruante
në gjuhën shqipe "Shipja e shkiptarëvet"
(Shqipëria shqiptarëve). Gazeta përpiqej për
pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve dhe gjithsej u shtyp
në 44 numra. Pronari i saj ka qenë Jashar Erebara. Redaksia
e kësaj gazete në atë kohë ishte si qendër
kulturore shqiptare në Beograd. Në numrin 30, prej 7 marsit
të vitit 1904, lexuesit u njohtuan: "Në redaksi gjenden
punimet origjinale, letrare, historike dhe poetike të bashkëvendasve
tanë. Gjenden përkthimet nga greqishtja në gjuhën
latine dhe nga gjuhët tjera në gjuhën tonë amtare,
si dhe librat prej klasës I të shkollës fillore deri
në klasën e 4, të gjimnazit si edhe Kurani. Shumica
janë shkruar edhe me shkrimin cirilik. Nëse dikujt i nevojitet
diçka le të vijë në redaksi, rruga Knez Milosh
nr. 23 ose le të drejtohet me letër, kartolinë, dhe
redaksia do t'ia dërgojë.
Beogradi shpesh ishte vendstrehim për emigrantët shqiptarë
Beogradi u bë vend ku gjatë disa vlimeve politike në
Shqipëri për një kohë të shkurtër
gjetën strehim disa intelektualë dhe politikanë shqiptarë.
Kur në shtator të vitit 1923, Zogu u rrëzua me ndihmën
e liberalëve dhe nacionalistëve, të udhëhequr
nga peshkopi ortodoks Fan Noli, ai me dhëndrin e vet Ceno beun
Kryeziun (Crnoglaviqin) dhe afro 500 përkrahës erdhën
në Jugosllavi. Disa muaj Zogu jetoi në Beograd, në
hotelin "Bristol". Në fund të vitit të
ardhshëm, me ndihmën e Mbretërisë së Serbëve,
Kroatëve dhe Sllovenëve arriti që me fisin dhe përkrahësit
e vet të bëjë përmbysjen në Shqipëri.
Pasi e ka rimarrë pushtetin Zogu, një numër i kundërshtarve
të tij u arratisen ne Beograd. Në mesin e tyre qe edhe
prifti katolik dhe shkrimtari Lazër Shantoja, i cili e shkroi
tregimin "Fëmijët shqiptarë në lulishte
të hueja..." (në vitin 1925, botuar në vitin
1928). Në këtë përshkruhen dy familje shqiptare,
të cilat një ditë të bukur pranvere shëtisnin
me fëmijët e tyre në Kalemegdanin e Beogradit dhe
bisedonin lidhur me jetën e tyre në Evropë. Duke
e qarë fatin e fëmijëve të tyre, njëri
prej tyre thotë: "I mjeri fëmí! Ka pá
gjith at botë e nuk njeh enè vendin e vet. Rrinte në
kafe Moskva të Belgradit në prêhën të
general Vešoviçit, e nuk mund të rrije në
prêhën të gjyshit e të gjyshes së vet."
(Fjala është për gjeneralin Radomir Veshoviç,
dikur ministër i Malit të Zi dhe idhtarë i mbretit
Nikolla, të cilin mbreti serb Aleksandër e amnistoi.)
Beogradi dikur ishte qendër e albanologjisë
Shkencëtari i parë i cili seriozisht filloi ta studiojë
gjuhën shqipe midis serbëve ishte Henrik Bariqi, katolik
i Raguzës, i cili studioi në Gracë dhe në Vjenë.
Në vitin shkollor 1920/1921, në kuadër të seminarit
nga gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane, e përfshiu
edhe Historinë e gramatikës së gjuhës shqipe.
Kjo konsiderohet si fillim i albanologjisë në Universitetin
e Beogradit. Shumë shpejt doli revista Arhiv za arbanasku starinu,
jezik i etnologijiu (Arkivi për vjetërsinë, gjuhën
dhe etnologjinë) (1923-1926), e para e këtij lloji në
botë, pronar i të cilës u bë profesori i universitetit,
etnologu i famshëm Tihomir R. Gjorgjeviq. Revista shumë
shpejt e tërhoqi vëmendjen e opinionit shkencor botëror
dhe u bë prestigjioze. Për këtë revistë
punoi një numër i madh i shkencëtarëve të
njohur të vendit dhe të huaj.
Katedra e albanologjisë në Beograd Këshilli i Fakultetit
Filozofik në Universitetin e Beogradit, më 31 maj të
vitit 1925 e ka marrë vendimin të themelohet Seminari
për "filologjinë shqipe", i cili i është
besuar Henrik Bariqit. Për lektor me honorar për gjuhën
dhe letërsinë shqipe është zgjedhur Xhevat Korça,
në vitin 1925, emigrant i Shqipërisë, ish-drejtor
i gjimnazit në Shkodër. Ai gjatë vitit shkollor 1927/28
e ka mbajtur "Kursin e gjuhës shqipe për fillestarë",
pas së cilit është larguar nga Beogradi. Si lektor
- vullnetar, për shkak të mungesës së mjeteve,
është zgjedhur në vitin 1935 Vojisllav Dançetoviq,
serb i Kosovës, i lindur në Vushtrri, i cili ka ditur
të flasë shqip mirë. (Dançetoviq, po atë
vit e ka mbaruar romanistikën në Zagreb). Në vitin
1937 ky seminar është suprimuar, gjatë kohës
së afrimit të Shqipërisë dhe Italisë.
Në këtë fakultet seminari për gjuhën shqipe
e ka rifilluar punën në vitin shkollor 1948/49, dhe për
ligjërues është zgjedhur Vojisllav Dançetoviq.
Në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve
ndërshtetërore midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë
në vitin 1949 dy muaj është suprimuar. Pas kësaj
e ka vazhduar punën normalisht. Për asistentë janë
zgjedhur Anton Çetta dhe Idriz Ajeti në vitin 1950,
të cilët pikërisht e kanë kryer romanistikën
në Universitetin e Beogradit. Më vonë të dytë
janë bërë shkencëtarë prestigjiozë.
Në vitet e 60-ta, Seminari për Albanologji në Fakultetin
Filologjik të Beogradit e ka vazhduar punën si Katedër
e veçantë e gjuhës dhe letërsisë shqipe,
të cilin e ka udhëhequr dr. Vojisllav Dançetoviq,
dhe pas vdekjes së tij dr. Halit Tërnavci dhe një
kohe si lektore, dhe pastaj si docente dr. Gjystina Shushka. Në
vitet e 50-ta në këtë katedër ka studjuar një
numër i madh i intelektualëve të Kosovës, profesorë,
shkencëtarë, shkrimtarë, kryeredaktorë të
gazetave, në mesin e tyre është edhe dr. Gani Luboteni,
dr. Latif Mulaku, Fahredin Gunga, Enver Gjergjeku etj. Për
nevojat e mësimit më herët kanë qenë të
angazhuar profesorët e Universitetit të Kosovës,
mirëpo kjo praktikë është ndërprerë
në vitet e 80-ta për shkaqe politike, për çka
kjo katedër ka pësuar dëme të mëdha.
Një kohë Beogradi ishte qendër e studimeve për
shqiptarë të Kosovës
Para Luftës së Dytë Botërore një numër
i konsiderueshëm i shqiptarëve të Kosovës studiuan
në Beograd. Në Gjimnazin e parë të meshkujve
maturoi Mehmed Barjaktereviq (Meto Bajraktari), i cili më parë
për shkak të propagimit të komunizmit, u largua nga
Medresa e Madhe në Shkup (e quajtur "Medresa e Kuqe"),
pastaj u përjashtua nga gjimnazi në Prishtinë, u
refuzua nga gjimnazi në Vranjë dhe u ndoq nga gjimnazi
në Pejë. Në Universitetitn e Beogradit drejtësinë
e studiuan Zejnel Ajdinoviq (Ajdini), Mehmed Barjaktareviq (Meto
Bajraktari), Ramiz Sadikoviq (Sadiku), që të tre e kanë
humbur jetën si partizanë në Luftën e Dytë
Botërore dhe janë shpallur heronj të popullit, Rashiq
Dedoviq (Deda), gjithashtu e humbi jetën si partizan, Aziz
Sulejmanoviq, luftoi si partizan, Esad Imeroviq (Imeri), Kurtesh
Agusheviq (Agushi), Shaip Mustafoviq (Mustafa), njëherë
anëtar i PKJ, kurse gjatë Luftës së Dytë
Botërore kolaboracionist gjerman, veterinën Esad Mekuloviq
(Mekuli), i cili 1933-36, i botoi vjershat shoqërore në
revistat përparimtare të atëhershme, agronominë
Qamil Ibrahimoviq (Ibrahimi), romanistikën Ferid Peroli, teknikën
Hivzi Sulejmanoviq (Sylejmani), pas luftës shkrimtar i njohur,
dhe Veli Dediq (Dedi), nga Medvegja në Serbi, i cili më
pas në Itali e ka kryer akademinë ushtarake, pas së
cilës ka marrë pjesë në Luftën e Spanjës,
ku në vitin 1938 është dekoruar me çmimin
e lartë "No pasara", e pastaj është bërë
hero si komandant i forcave antifashiste në Marsej, etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore Beogradi një
kohë ishte qendër ku studionin shumë shqiptarë
të Kosovës. Doktorët e parë të shkencave
nga radhët e shqiptarëve të Kosovës dolën
nga Universiteti i Beogradit. Idriz Ajeti, disertacionin e mbrojti
në vitin 1958 në Fakultetin Filozofik nga lëmi i
shkencave filologjike. Në Fakultetin e Shkencave Natyrore,
në vitin 1959, në mënyrë madhështore e
mbrojti tezën e doktoraturës Dervish Rozhaja nga lëmi
i shkencave biologjike, dhe atëherë ishte doktori më
i ri i shkencave në Jugosllavi, po këtë vit në
lëmin e veterinës doktoroi Esat Mekuli. Hasan Kaleshi
në vitin 1960, në Fakultetin Filozofik e mbrojti tezën
e doktoraturës. Mehdi Bardhi dhe Hilmi Agani në vitin
1958 ishin të parët që magjistruan në Fakultetin
Filozofik në lëmin e albanologjisë. Ali Hadri 1960
në fushën e historisë, poeti Enver Gjergjeku në
vitin 1961 në albanologji, që të gjithë këta
më vonë u bënë profesorë të njohur
në Universitetin e Prishtinës. Deri në vitin 1989
në Beograd doktoruan afro 100 shqiptarë të Kosovës.
Në këtë qytet si shkencëtar filloi të formohet
edhe Martin Camaj, emigrant nga Shqipëria, poet lirik, i cili
diplomoi gjuhën sllave në Fakultetin Filozofik, por si
i papërshtatshëm politikisht, ai në vitin 1957 qe
i detyruar të largohet nga Jugosllavia me bashkëshorten
serbe. Në vitet 50-ta Instituti Etnografik i Akademisë
Serbe të Shkencave i angazhoi si bashkëpunëtorë,
Mark Krasniqin dhe Kadri Halimin, të cilët në revistat
shkencore i botuan disa artikuj me rëndësi për etnologjinë.
Akademinë e Arteve Figurative e mbaruan Musli Muliqi, Gjelosh
Gjokaj, Ëngjëll Berisha, Bedri Emra, Tahir Emra, Hysni
Krasniqi, Sylejman Cara, artet aplikative Mateja Rodiqi, Rexhep
Ferri dhe Shyqri Nimani, Akademinë e Muzikës Krist Lekaj,
Selim Balata, Mark dhe Gjergj Kaçinari, Bajar Berisha, Fahri
Beqiri, Bahri Çela, Selim Kabashi etj., kurse Akademinë
e teatrit dhe të filmit, aktorët Bekim Fehmiu, Faruk Begolli,
Enver Petrovci, Xhevdet Qorraj, regjistorët Isa Qosja, Selami
Taraku, Emin Halili, Artan Skender, dramaturgjinë Ekrem Kryeziu,
Petrit Imami, montazhën Mustafa Presheva, i cili me sukses
e ka filluar karrierën në Beograd dhe pastaj e ka vazhduar
në Turqi, ku është sprovuar edhe si aktor duke e
luajtur rolin e Ata Turkut, meqë ngjan shumë me të.
U lidhën edhe shumë martesa të përziera
Në Beograd një numër studentësh shqiptarë
kanë lidhur martesë me serbe, Anton Çetta (e ka
një djalë në Beograd), Mark Krasniqi (një vajzë),
Hasan Kaleshi (dy djem), Hilmi Thaçi (një vajzë),
aktorët Bekim Fehmiu (dy djem, Uliksin dhe Hedonin) dhe Faruk
Begolli, Mateja Rodiqi (një djalë), Adem Bllaca, ndihmësdrejtor
i Bibliotekës Popullore të Beogradit (në fund të
viteve të 70-ta ka kaluar në Prishtinë). Martin Camaj
ishte i martuar me motrën e Dimitrije Bogdanoviqit (autori
i "Librit për Kosovën"), e të tjerë.
Shumë nga këto martesa me kohë janë prishur.
Si ishte jeta e shqiptarëve në Jugosllavinë socialiste?
Jeta në Beograd për shqiptarët dikur ishte krejt
ndryshe. Më parë këtu vinin të punonin dhe të
studionin shumë shqiptarë të Kosovës dhe të
Maqedonisë. Në shumë organe federative dhe republikane
ekzistonin shërbimet e përkthimeve ku punonte një
numër i madh i përkthyesve. Por nga punëtorët
më së shumti kishte të atillë që punonin
punë krahu, shumica e tyre vinin vetëm gjatë verës
(vala e fundit ishte gjatë vitit 1994/95). Vite me radhë
spitalet e Beogradit ishin përplotë me shqiptarë
dhe personeli mjekësor sillej mirë ndaj tyre, veçanërisht
ndaj atyre që vinin me marka gjermane.
Shqiptarët e dalluar të cilët ishin banorë
të Beogradit
Në Beograd ishin vendosur politikanët Mehmet Hoxha, Ismet
Shaqiri, Alush Gashi (mbesa e tij është gazetare e njohur
RTV B92 Antigona Andonov), Ali Shukria, Sinan Hasani, Kol Shiroka,
Hadije Morina me bashkëshortin Murat Morinën, Sokol Nimani,
drejtor i Fondit për Rezerva, me bashkëshorten Antigona
Nimanin, përkthyese dhe spikere. (Ata me fëmijët,
të birin Akilin dhe vajzën Zanën u shpërngulen
në Kanada kur filluan luftrat në ish-Jugosllavi), ambasadorët
Elhami Nimani, Rexhep Xhiha, Xhavit Emini, Gjon Shiroka, Mesud Besniku,
Kol Shkreli, shkrimtari (Elhami Nimani pas një ngjarje tronditëse
vdiq më 1998, në varrimin e të cilit në Beograd
u grumbulluan shumë miq për t'ia dhënë lamtumirën
e fundit), përkthyesi dhe shkrimtar Sitki Imami, gazetaret
Hilmi Thaçi, korrespondent i "Rilindjes" dhe Masar
Murtezai, redaktor i emisioneve në gjuhën shqipe të
TV Beogradit (68-74), më vonë shef i kabinetit të
Fadil Hoxhës dhe Sinan Hasanit. Eprorët ushtarakë
të lartë Xhemail Bajraktari, i cili bëri vetëvrasje,
dhe Imer Dauti, i cili ishte disa vite komesar i Spitalit Ushtarak
të Beogradit, e pastaj punoi si historian në Institutin
Ushtarak për Histori, doktorët Beqir Saitoviq, kirurg
në Spitalin e Traumatologjisë dhe Ortopedisë (vdiq
në vitin 1976), dhe Zekeria Elmazi, internist në Entin
për sëmundje urgjente interne dhe cerebralo-vaskulare,
Albert Dushi drejtor i "Filmske novostit" (Kinoditarit),
Sherif Dunica, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë,
Ismet Gjoshi, zbutës i njohur i qenëve dhe autor i librit
"Zbutja dhe zbukurimi i qenëve", i cili u ribuotua
disa herë, Shefik Kryeziu, pilot i Armatës Popullore të
Jugosllavisë, i cili u pushua nga puna më 1993, tani biznesmen
i suksesshëm, Ali Taraku, kapiten i reprezentacionit jugosllav
dhe trajner i ekipit të femrave "Radniçki"
të Beogradit (vdiq në vitin 1980), Petrit Fejzullahu,
hendbollist i shkëlqyer në klubin e "Crvena zvezdës"
edhe në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë,
Fahri Musliu, gazetar i cili një kohë ishte korrespodent
i "Rilindjes", pastaj i "Bujkut", i të
përditshmes "Zëri" të Prishtinës,
por në të njëjtën kohë dhe i "Zërit
të Amerikës", piktori dhe dizenjatori Mateja Rodiqi
dhe piktori Isak Asllani, xhiruesi televiziv Fatmir Nushi, mjeshtër
i spoteve muzikore, në Fakultetin e Dramës në Beograd
profesor i skenarit për film është Petrit Imami,
i cili në vitin 2000 e botoi librin "Serbët dhe shqiptarët
ndër shekuj", ku i trajtoi marrëdhëniet politike
dhe kulturore midis këtyre popujve, aktorët Bekim Fehmiu,
Faruk Begolli dhe Enver Petrovci, të cilët patën
karrierë artistike shumë të suksesshme në Beograd.
Cilët shqiptarë ishin më të njohur në Beograd?
Padyshim më i njohuri është aktori i famshëm
i filmit Bekim Fehmiu. Me rastin e vizitës Beogradit qysh në
vitin 1962, shkrimtari i njohur francez, Zhan Pol Sartër e
vërejti talentin e tij në shfaqjen e dramës "Pengjet
nga Altona" edhe pse ai kishte një rol shumë të
vogël, i cili zgjati vetëm disa minuta. Famën botërore
e arriti në filmin jugosllav "Mbledhësit e puplave"
i cili në vitin 1967 ka bërë bujë në festivalin
e filmit në Kanë. Në Beograd e botoi pjesën
e parë të memoareve të veta "Shkëlqimi
dhe tmerri", ku në mënyrë tërheqëse
e përshkruan fëmijërinë e vet në Prizren.
Gjatë viteve të 80-ta një nga këngëtaret
më të popullarizuara të pop-muzikës ishte Zana
Nimani. Edhe pse nuk jeton më në Beograd këngët
e saj edhe sot e kësaj dite dëgjohen me të madhe.
A ka pasur shoqata të shqiptarëve në Beograd?
Fill pas Luftës së Dytë është formuar një
shoqatë e shqiptarëve e cila ka vepruar një kohë
shumë të shkurtër. Nga mesi i nëntorit të
vitit 1957 në Universitetin e Beogradit u themelua Shoqata
letrare "Përpjekja", të cilën e përbënin
studentët shqiptarë të cilët kishin ardhur për
të studiuar. Ajo së shpejti u bë shoqatë letrare-muzikore
dhe gjatë ekzistimit të saj zhvilloi aktivitete mjaft
të begatshme. Iu ndalua puna në vitin 1984. Në maj
të vitit 1990 një grup i shqiptarëve biseduan për
mundësinë e formimit të një shoqate të
shqiptarëve, ku një nga nismëtarët ishte korrespodenti
i atëhershëm i "Rilindjes" Fahri Musliu, por
shpejt u pa se një gjë e tillë në atë kohë
ishte e pamundur. Ajo shoqatë është dashur të
quhet "Nënë Tereza".
Disa rrugë në Beogradi i morën emrat sipas shqiptarëve
Skender-begova ulica (Rruga e Skënderbeut) gjendet në
pjesën e vjetër të Beogradit, në Dorqol, dhe
quhet sipas heroit më të madh të kombit shqiptar,
Gjergj Kastriot Skënderbeut që nga viti 1896. Një
nga rrugët më të vjetra në qendër të
Beogradit "Makedonska ulica", prej vitit 1872 deri 1896
është quajtur "Kastriotova ulica" (Rruga e Kastriotit),
në kohën kur është menduar se ai ka qenë
me origjinë serbe.
Ulica Majke Angeline (Rruga e Nënës Angjelinë) e
mban emrin e bijës së Arianitit e cila është
e martuar në Shkodër më 1460 për princin serb
Stefanin e Verbër. Ai ishte i biri i Gjurgj Brankoviqit nga
Smedereva, të cilit për dënim i ka nxjerrë sytë
në vitin 1441 dhëndri i tij Sulltan Murati II. Angjelina
u është përkushtuar të varfërve dhe të
sëmurëve, për çka në Srem e kanë
quajtur "Nënë Angjelina". Në shenjë
përkujtese për të, Kisha Ortodokse Serbe e kremton
12 gushtin si Ditë të Shën Angjelinës. Në
fillim të shek. XVII kulti i saj është përhapur
edhe në Rusi. Prej vitit 1940 në Beograd një rrugë
në komunën Zvezdara quhet sipas saj.
Kondina ulica (Rruga e Kondës) quhet sipas një shqiptari
ortodoks nga Shqipëria Jugore, i cili ka treguar trimëri
të madhe në vitin 1806 kur Beogradi është çliruar
nga turqit. Kjo rrugë në qendër të Beogradit
e mban emrin e tij prej vitit 1872.
Esad-pašina ulica (Rruga e Esad Pashës) është
emërtuar me emrin e këtij shqiptari në shenjë
mirënjohjeje, pasi i ka ndihmuar ushtrisë serbëve
gjatë tërheqjes përmes Shqipërisë. Gjenerali
serb, Dragutin Milutinoviq ka thënë: "Sikur të
mos e kishim pasur Esadin si mik, ne do të kalonim edhe më
keq në vitin 1915 me rastin e tërheqjes". Pikërisht
për shkak të kësaj një rrugë në komunën
e Vozhdovcit e mban emrin e tij prej viti 1935.
Ulica Sadika Ramiza (Rruga e Ramiz Sadikut) e ka marrë emrin
sipas këtij revolucionari dhe komunisti nga Kosova, hero i
popullit në Luftën e Dytë Botërore. Rruga gjendet
në Beogradin e Ri, afër bregut të lumit Sava, në
lagjen e dikurshme të punëtorëve, sot jo larg hoteleve
më luksoze në Beograd "Hajatit" dhe "Interkontinentalit".
Skadarska ulica (Rruga e Shkodrës) konsiderohet si një
nga rrugët më atraktive në Beograd, në tëcilën
gjenden disa kafene të vjetra shumë të vizituara,
dhe këtë emër e ka marrë qysh në vitin
1872. Kjo rrugë dhe pjesa e qytetit është e njohur
edhe me emrin Skadarlija. Me të njëjtin emër quhet
edhe një rrugë e vogël në Zemun.
Albanska ulica (Rruga e Shqipërisë) gjendet në një
nga komunat më të vjetra të Beogradit, në Palilulë.
Këtë emër e ka marrë në vitin 1927, dhe
e ka pasur deri në vitin 1972, kur është ndryshuar
në "Ulica Albanske spomenice" (Rruga e Përkujtimores
së Shqipërisë). Emrin e ka marrë sipas asaj
që kanë mbajtur mend ushtarët serbë të
cilët janë tërhequr në kushte shumë të
rënda përmes Shqipërisë në vitin 1915.
Në komunën e Zemunit, menjëherë pas Luftës
së Dytë Botërore, gjithashtu, një rrugë
është quajtur Albanska ulica (Rruga e Shqipërisë),
dhe këtë emër edhe sot e kësaj dite e mban.
Dracka ulica (Rruga e Durrësit) gjendet në pjesën
e vjetër të qytetit, në Dorqol, dhe këtë
emër e ka marrë në vitin 1930 sepse ai qytet në
Shqipëri u ka mbetur në kujtesë të bukur ushtarëve
serbë gjatë viteve 1912-1913.
Lješka ulica (Rruga e Lezhës), e cila gjendet në
komunën e Çukaricës, e ka marrë këtë
emër në vitin 1930 për shkak të kujtimeve të
cilat i kanë pasur ushtarët e Ushtrisë serbe në
vitin 1912, kur më 18 nëntor e kanë çliruar
këtë qytet nga turqit, dhe më 1915 kur në rrugët
e ngushta të këtij qyteti, në rrugën në
drejtim të Durrësit, kanë kaluar shumë ushtarë
të rraskapitur serbë dhe civilë duke u tërhequr
para ushtrisë austriake.
Palata Albanija (Pallati i Shqipërisë) gjendet në
vendin ku para Luftës së Parë Botërore, në
qendër të Beogradit, ka qenë kafeneja "Albanija",
emrin të cilin pronari ia ka dhënë për nderë
të luftëtarëve serbë të cilët në
vitin 1912-1913 kanë luftuar në Shqipëri. Është
ndërtuar në vitin 1939 dhe ka qenë ndërtesa
më e lartë në atë kohë në Jugosllavi,
të cilën e kanë quajtur "Pallati i Shqipërisë",
sipas kafenesë në fjalë, dhe me këtë emër
beogradasit e quajnë edhe sot e kësaj dite.
|