PAQJA DHE SHQIPTARËT

Është tepër e qartë se dimensionimi dhe dozimi i gjendjes së acaruar ka prapavijën e caktuar politike nga qendra të cilat mungesën e rezultateve konkrete në shumë sfera, e sidomos në ate ekonomike e sociale, dëshirojnë ta kompensojnë përmes shkaktimit të tendosjeve dhe shkallëzimeve të kontrolluara, duke poentuar politikisht si te opinioni i brendshëm ashtu edhe te ai ndërkombëtar

Sido që të përfundojë situata e cila aktualisht është e tendosur, domosdo imponohet nevoja për një analizë të thukët të gjendjes, pozicioneve dhe interesave të strukturave të ndryshme e posaçërisht të vetë pozicioneve të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe më gjërë. Ajo që ndodh tani në rajonin e Likovës dëshmon ndjeshmërinë e shprehur të gjendjes këtu, të determinuar në rend të pare nga konflikti i disa viteve më parë dhe objektivisht është iluzore të mendohet se çështjet e ndieshme mund të harrohen aq shpejt.
Është tepër e qartë se dimensionimi dhe dozimi i gjendjes së acaruar ka prapavijën e caktuar politike nga qendra të cilat mungesën e rezultateve konkrete në shumë sfera, e sidomos në ate ekonomike e sociale, dëshirojnë ta kompensojnë përmes shkaktimit të tendosjeve dhe shkallëzimeve të kontrolluara, duke poentuar politikisht si te opinioni i brendshëm ashtu edhe te ai ndërkombëtar. Te të parët, duke ua vënë në bindje se në dallim nga struktura e kaluar qeveritare, ky pushtet di profesionalisht të menaxhojë situata konfliktuoze, duke pamundësuar acarimin dhe zgjerimin e saj, kurse sa i përket faktorit ndërkombëtar, përveç këtij qëllimi, atij njëkohësisht i vëhet në dije reagimi tepër militant i opozitës maqedonase (VMRO-DPMNE). Pa dilemë këtu duhet potencuar edhe interesat e disa qendrave fqinjësore (por edhe disa qendrave evropiane të vendosjes), të cilat kanë interesa nga satanizimi dhe diskreditimi i shqiptarëve në frymën e ekzistimit të antagonizmave të thella në mes këtyre shteteve dhe SHBA-ve.
Megjithatë, pa marrë parasysh interesat për profitime politike të strukturave të ndryshme, qofshin ato të brendshme, pushtetmbajtëse apo të jashtme, për ne është shumë me rëndësi të sqarojmë se sa me vetëdije apo pa vetëdije disa qarqe te ne kontribuojnë në ushqimin e projekteve në esence antishqiptare, duke analizuar të gjitha aspektet dhe objektivat relevante të cilat paraqesin kompleks të realitetit tonë, përfshirë këtu edhe segmentin e paqës dhe sigurisë në këtë rajon. Jam i mendimit se gjendja e krijuar meriton një analizë të thuktë nga shumë kënde, në rend të parë nga prizmi i interesave shqiptare në Maqedoni. Jo rastësisht figurat kompetente institucionale dhe analitike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dolën me qëndrime të qarta tani të njohura për opinionin këtu. Në fakt, situata (e cila objektivisht tepër e improvizuar) ka për qëllim që më së shumti t,i dëmtojë vetë shqiptarët. Së pari, sërish synohet që shqiptarët të satanizohen si faktor destabilizues të rajonit ballkanik, me ç'rast pos shumë profitimesh tjera, në veçanti dëshirohet të arrihen objektiva relevante në cënimin e pozicioneve të Kosovës në rrugën e saj për formalizimin e pavarësisë. Në këtë kontekst duhet trajtuar edhe të gjitha incidentet e rënda të cilat ndodhin në Kosovë. Së dyti, duke i imponuar opinionit ndërkombëtar tezën për shqiptarët si ,,faktor destabilizues të Ballkanit,, dëshirohet diskreditimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët duhet të mbajnë së paku ,,përgjegjësi morale,, ngase kanë mbajtur anën e ,,destabilizuesve,, të rajonit. Natyrisht se kjo çështje duhet të trajtohet në kuadër të frymës së ndasisë së thellë aktualisht ekzistuese në mes disa shteteve relevante evropiane dhe SHBA-ve në lidhje me konfliktin në Irak. Dhe jo rastësisht tani serbët paralelisht luajnë në tri sfera: 1. propagimi për kampet e trajnimit të AKSH-së në Maqedoninë perëndimore; 2. imponimin e tezës për përfshirjen e TMK-së në procesin e destabilizimit të Ballkanit; dhe 3.synimi i afërsisë së Serbisë me shtetet perëndimore e sidomos me SHBA-të.
Nisur nga objektivat ekzistuese, nëse ndokujt më së tepërmi i nevojitet qetësia, paqja dhe siguria – ata janë shqiptarët. Gjendja ekzistuese ekonomike dhe sociale sidomos në mjediset ku banojnë shqiptarët është katastrofale. Tani shteren edhe ato burime financiare të cilat vinin nga vendet perëndimore, nga përfitimet e anëtarëve të familjes të cilët kanë punuar në botën e jashtme, pasi pjesa dërrmuese e tyre tani jetojnë atje me familjet e tyre dhe mundësia e kursimit të parave është tejet minimale, kurse një numër i madh i tyre tani edhe shpirtërisht shkëputen nga këto treva. Nëse bëjmë një analizë reale komparative me disa vite më pare, tani lirisht mund të flasim për ekzodus i determinuar në rend të pare nga faktori ekonomik e social.
Të gjithë duhet të vetëdijsohemi se patriotizmi më i preferuar për zgjidhjen e të ashtuquajturës çështje kombëtare fillon ekskluzivisht me segmentin ekonomik dhe social. Cdo gjë tjetër mund të jetë improvizim dhe tejet e dëmshme. Që të mund të ketë startim të një zhvillimi të përgjithshëm, kusht fundamental është siguria, paqja dhe qetësia. Pa këtë parakusht as që mund të bisedohet çfarëdo progresi. Praktika tregon se në çdo mjedis ku ka ndodhur konflikt, dekada me radhë investimet, qofshin nga jashtë apo nga brenda, kanë qenë të destimuluara. Nëse kjo nuk kuptohet së shpejti do të mund të konstatojmë se kjo popullatë do të jetë dominantërisht e vjetërsuar, kurse ardhmëria e kësaj treve do t,i gjasojë ardhmërisë së Saharës. Këte gjë në rend të pare kanë për obligim ta sqarojnë intelektualët të cilët shpresoj se janë më të çliruar nga pasionet iracionale për pushtet apo për ndonjë interes tjetër, i cili fatkeqësisht realizohet në emër të patriotizmit kombëtar, por në fakt duke varrosur kombin në emër të të cilit edhe thirren. Historia nuk do të na e fal gabimin që mund ta bëjmë duke ndihmuar projektet e huaja, ndoshta edhe pa vetëdije, sepse siç, thotë Sokrati, ,,të gjitha vuajtjet e popullit rrjedhin nga mosdija e tij,,.

nga:

Mersel Bilalli
© 2001 Lobi
Copyright www.agimi.com 2002