MUZIKA DHE MEDIAT NË KOSOVË

Në mediat tona elektronike nuk i krijohet ndonjë hapësirë e veçantë krijimtarisë origjinale të fushës së muzikës. Për ngjarjet muzikore nuk mungon informimi, por mungon kritika e paanshme dhe vlerësimi profesional. Mediat e shkruara informojnë, ndonjëherë bëjnë analiza të fenomeneve, por edhe ato, në shumicën e rasteve, bien në grackën e joprofesionalizmit...

Mediat elektronike, transmetimi dhe vlerësimi

Në Kosovë tanimë punojnë disa kanale televizive, disa radiostacione lokale e qendrore. Këto institucione, natyrisht që kanë skemat e tyre programore njëvjeçare, njëmujore, javore dhe ditore. Në këto programe duhet të jetë planifikuar edhe prania e krijimtarisë muzikore të krijuesve tanë. Prania a kësaj krijimtarie duhet të bëhet temë diskutimi e profesionistëve, veçmas e asociacioneve kompetente të muzikës. Për të pasur një pasqyrë më të qartë e më objektive për programet muzikore në mediat e përmendura, kërkohen të bëhen analiza, anketime, grumbullim i të dhënave, në mënyrë që të shihet përqindja (po edhe vlera artistike) e muzikës, në krahasim me programet e tjera. Pas viteve nëntëdhjetë dhe, natyrisht, edhe pas luftës së fundit në Kosovë, me konsolidimin e mjeteve auditive dhe audivizuele nuk është bërë ndonjë hulumtim lidhur me prezentimin e krijimtarisë muzikore të kompozitorëve tanë. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, nuk duhet mund i madh që të vërehet se çfarë është kjo prani dhe cila është cilësia e saj. Ka indikatorë relativisht objektivë se kjo krijimtari është fare pak e pranishme në këto media, sidomos në radiostacionet lokale. Ne nuk dimë për ndonjë emision të veçantë në mediat elektronike që i kushtohet kijimtarisë sonë muzikore. Kjo krijimtari mund të jetë e pranishme në emisione të ndryshme informative, përmes incizimitfilmimit e më pas emetimit të kësaj krijimtarie në raste koncertesh, festivalesh etj. Tash, kur më nuk punon produksioni i muzikës, mungon edhe incizimi i veprave të kompozitorëve tanë. Për dallim nga radiot, kanalet televizive janë më të kufizuar kohësisht që të japin emisione me muzikë serioze, aq sa ofron mundësia e radios. Megjithatë, televizionet, sidomos RTK-ja, po edhe RTV-21 kohëve të fundit, gati çdo herë bëjnë incizimin e koncerteve ndër festivale të kësaj muzike, ku ka edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë. Këto incizime më pas transmetohen, në raste dhe rrethana të ndryshme, ashtu siç janë incizuar, në tërësi, pa ndonjë veçim dhe dallim të asaj që është vepër e nodnjërit nga komopzitorët tanë. Pra, prezentimi i muzikës sonë edhe në rrethana të këtilla është gati si një rastësi.

Muzika në mediat e shkruara

Kundrejt mediave elektronike, shtypi ka një funksion tjetër në lidhje me prezentimin dhe me praninë e krijimtarisë muzikore. Përderisa mediat elektronike ofrojnë mundësinë e përjetimit të veprës muzikore, shtypi u ofron mundësi të tjera adhuruesve të këtij arti. Përmes formave të ndryshme shkrimore bëhet prezentimi, studimi, vlerësimi, lajmërimi dhe propagandimi i krijimtarisë muzikore të një mjedisi të caktuar e më gjerë. Shtypi ka qëllimin e drejtpërdrejtë të afirmimit dhe të njohjes me të arriturat krijuese artistike, duke dhënë mundësinë të inkuardohen në rrjedhat e krijimtarisë edhe ata që nuk janë krijues të drejtpërdrejtë të veprës apo interpretues të saj. Pos mënyrave informuese lidhur me koncertet, me vepra të krijuara, me paraqitjen e programit të mjeteve komunikuese etj., krijimtaria muzikore duhet të gjejë vend edhe në aspektin vlerësues. Përkundër përpjekjeve, mundësive që ofrojnë redaksitë e gazetave e revistave tona, mund të thuhet se prezenca e krijimtarisë muzikore në to ende është në sasi të vogël dhe me një kriter gjthashtu joadekuat. Në mungesë të profesionistëve (përjashtuar këtu ata pak emra shkruesish bashkëpunëtorë të jashtëm) që do të prezetonin me një nivel të lakmueshëm krijimtarinë muzikore dhe të arriturat e tjera nga kjo fushë, shkrimet në shtypin tonë, në rastet më të shpeshta, marrin trajtimin e informimit të thjeshtë ose të vlerësimit të paargumentuar si dhe të prezentimeve të përcipta për një vepër muzikore, për një krijues, instrumentist apo edhe për ndonjë ngjarje të rëndësishme nga kultura jonë muzikore. Por, marrë në tërësi, shënimet publike në to janë evidente, edhe pse nuk mund të flitet për ndonjë proporcionalitet në krahasim me vëllimin e pasurisë krijuese, me potencialin interpretues që momentalisht punon e vepron në Kosovë. Në raste të shpeshta vërehet një prirje që t’i kushtohet rëndësi më të madhe formave sekondare e triviale të krijimeve e ngjarjeve muzikore që nuk hyjnë shumë bindshëm në sferën e krijimtarisë, sesa ngjarjeve me karakter të mirëfilltë artistik dhe vlerave të vërteta krijuese artistike. Arsyet e kësaj gjendjeje mund të gjenden te dy faktorë: nëpër redaksitë e gazetave punojnë gazetarë të cilëve nuk u mungon dëshira dhe gatishmëria për të ndihmuar afirmimin dhe përhapjen e të arriturave në krijimtarinë muzikore, por u mungon (shumicës prej tyre) njohja pak më e thellë e vlerave, respektivisht jovlerave. Një faktor tjetër janë vetë krijuesit dhe ata që kanë kompetencë të thonë më shumë lidhur me këtë veprimtari artistike. Ata, në raste të shpeshta, i kaplon ndjenja dhe lakmia e afirmimit, kërkesa e levërdisë materiale dhe, kështu, herë rrinë indiferentë ndaj krijimtarisë së të tjerëve, ose bëhen oportunë, duke humbur kështu objektivitetin e vlerësimit për kolegët dhe veprat e tyre. Ka edhe autorë që më me ëndje bëjnë shkrime me pretendime estetike, teorike, pedagogjike, sociologjike, muzikologjike etj. dhe më pak futen në fushën e kritikës dhe të analizave profesionale. Megjithatë, me një përkushtim pak më këmbëngulës të të interesuarve për muzikën, krijimtaria jonë muzikore në mjetet e informimit, veçmas në shtyp, do të bëhej objekt i rëndësishëm në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit dhe të kulturës sonë muzikore në përgjithësi.

Profesionalizmi dhe kriteret e pranisë

Pra, çështja e krijimtarisë dhe e kulturës muzikore në këtë mjedis duhet të jetë preokupim pak më i madh edhe i mjeteve të komunikimit masiv, sepse, siç ka thënë një studiues i muzikës, përvoja na ka mësuar se nuk mjafton vetëm të shkruhen vepra të vlefshme muzikore, të cilat nuk janë të rralla edhe në ditët e sotme, por është e domosdoshme që këto vepra me vlerë artistike të incizohen e të publikohen në mënyrën sa më adekuate, që ato pastaj të vendosin një komunikim sa më intensiv me publikun dhe të interesuarit për këtë fushë të krijimtarisë. Kujdesi ndaj krijimtarisë, sikundër edhe kujdesi ndaj recepcientit që e pranon këtë krijimtari, mund të ketë sukses, nëse përmes mjeteve të informimit e të komunikimit bëhen disa veprime të nevojshme, si marrja parasysh e krijimtarisë muzikore origjinale, gjithnjë duhet kushtuar kujdes relacionit krijimtari-informim e komunikim, sikundër edhe nevoja që përmes mjeteve të komunikimit të ushtrohet ndikim në formimin kulturor muzikor të masës së gjerë etj. Si përfundim, duhet thënë se në të gjitha mjetet e komunikimit masiv të hapësirës sonë kulturore kërkohet shtimi i sasisë me vëmendje në cilësi të shkrimeve, të paraqitjeve e të vlerësimeve për krijimtarinë muzikore, qoftë në mjetet elektronike, qoftë në ato shkrimore. Po u realizuan suksesshëm këto kërkesa, mund të jemi të sigurt se në mjedisin tonë do të krijohet një gjerësi më e madhe për komunikim në nivel me vlerat e kësaj krijimtarie. Po ashtu do të ndikohej edhe në ngritjen receptuese të vlerave tona nga adhuruesit më të shumtë se deri tash. Do të ishte mirë që mjetet e komunikimit e të informimit të bëhen faktorë të rëndësishëm në afirmimin e krijimtarisë muzikore të kultivuar, po edhe të asaj popullore, e të mos bëhen parcializime midis këtyre dy tipeve të krijimtarisë, se njëra pa tjetrën e çrregullojnë shijen dhe orientimin e adhuruesve muzikorë, e sidomos të asaj të kultivuar. Si duket ende nuk është kuptuar drejt e mirë roli që kanë mjetet e komunikimit masiv në ngritjen e tërësisë kulturore të mjedisit konkret. Dhe, përderisa në shtëpitë informative nuk ka profile të specializuara muziktarësh të ngritur, si dhe programe të definuara qartë për kriteret e pranisë së muzikës dhe posaçërisht krijimtarisë sonë muzikore në to, ky mjedis kulturor ende do të mbetet i paemancipuar në raport me artin dhe kulturën muzikore në përgjithësi.

nga:
Rexhep Munishi
koha.net
Copyright www.agimi.com 2002