DISA PYETJE EPISTEMOLOGJIKE PËR RACIONALIZMIN KRITIK

Që nga e ashtuquajtura „disputë e pozitivizmit“ e viteve të gjashtëdhjeta, drejtimi filozofik i racionalizmit kritik i inauguruar nga Karl Popper-i nuk e ka ndikuar shumë vetëm qëndrimin themelor metodologjik, por edhe pozitën teoriko-shoqërore dhe politike të shumë shkencetarëve të shkencave shoqërore e humane në hapësirën gjermanofolëse. Sipas kuptimit të shkencës që ua sjell atyre racionalizmi kritik, ecuria e shkencës përcaktohet në radhë të parë nga kërkimi i të vërtetës, që mund të arrihet në afrimin që ritet nëpërmjet korigjimit sistematik të gabimeve në hipoteza. Në esencë ekzistojnë tri principe që e formojnë sfondin për këtë kuptim dhe sipas një rezumate të Hans Albert-it [1] e karakterizojnë racionalizmin kritik në formën e tij të zhvilluar: falibilizmi, sipas të cilit të gjitha përpjekjet teorike dhe praktike për zgjidhjen e problemeve janë të gabueshëm dhe të revidueshëm; racionalizmi metodik, sipas të cilit përpjekjet për zgjidhjen e problemeve mund t’i bien pre provimit kritik që e mundëson një parapëlqim racional brenda përpjekjeve konkuruese për zgjidhjen e problemeve; realizmi kritik, sipas të cilit e gjithë njohja, nën kushtin e idesë klasike të së vërtetës, referon në një realitet të pavarur nga subjekti, kontekstet e të cilit realitet duhet paraqitur dhe shpjeguar në mënyrë të përshtatshme në bazë të rregullsive. Kësaj i shtohet një qëndrim i theksuar naturalistik, sipas së cilit tezat filozofike, epistemologjike etj. mund të provohen, të mbështeten ose të kritikohen në çdo kohë përmes rezultateve të shkencave reale, kështu që – në kundërshtim me idetë për një analizë të pastër logjike ose semantike të koncepteve – filozofia si shkencë objektive i renditet tërësisë së shpjegimit të realitetit. Në këtë mënyrë edhe metafizikës i jepet një vlerë pozitive, duke u kuptuar në kuptimin e mundësive të shpjegimit, të ideve rregulative, të programeve kërkimore, të cilat për shkencën kanë karakter anticipatorik.
Shikuar historikisht, racionalizmi kritik drejtohet para së gjithash kundër idealit të sigurisë, që sipas mendimit të tij e zotëron traditën filozofike (dhe natyrisht edhe atë teologjike) dhe e prodhon një të menduar të arsyetimit dhe të përligjjes, që detyrimisht duhet të përfundojë në dogmatizëm. Fundamentalizmit në gjitha llojet e tij ideologjike duhet vënë përballë një mënyrë kritike universale dhe konsekuente e të menduarit, që kënaqet me dijen hamendësuese, pa rrëshqitur në një skepticizëm, i cili e mohon dijen dhe arsyeshmërinë në përgjithësi. Këtu jam i mendjes se duhet theksuar se megjithë emrin, bëhet fjalë për një drejtim absolutisht empiristik [2] për një empirizëm realist dhe deduktivist (antiinduktivist, d.m.th. të drejtuar kundër metodave induktive të arsyetimit) që thekson fort vlerën në vete e madje primatin e teorisë dhe të shpjegimit teorik, i cili i distancuar shumë nga tendencat fenomenalistiko-senzualiste, induktiviste, operacionilisto-pragmatistike në empirizëm, por megjithatë iu mbetet borxhli parimeve themelore të tij (për shembull: përvoja dhe logjika shikohen si instanca të vetme të fundit të provimit; një a priori sintetik i vlefshëm refuzohet; mes vlerësimit dhe njohjes parimisht bëhet dallim etj.).
Sidoqoftë Popper-i – siç duket nga shkaqet e profilimit të vet – është i prirur t’i mbulojë ose t’ua ul rëndësinë elementeve empiristike bazë të doktrinës së vet dhe t’i fryjë diferencat me empirizmin logjik, kështu që nganjëherë krijohet një kundërshtar “pozitivizëm” ose “Qarku i Vjenës” i konstruktuar vetëm sipas disa koncepteve klishe. Me të vërtetë pikëpamjet e Popper-it, edhe pse ato pjesërisht mund të kenë dalur nga burime tjera (në kuptimijn më të gjerë, kantiane) kanë lindur në zonën përreth empirizmit logjik dhe një kohë të gjatë gati përjashtimisht atje u morën parasysh dhe u diskutuan. Brenda Qarkut të Vjenës Popper-i assesi s’do ta merrte një pozitë të veçantë: duhet të mendojmë vetëm në pikëqëndrimin e qëmotshëm deduktivist dhe hipotetiko-realist, në tendencat realiste te H. Feigl, në fallibilizmin dhe anti-sensualizmin e O. Neurath-it, në theksimin e tij të teorive si dhe të asaj që është teorike në perceptim, po edhe ne naturalizmin e tij. (Dhe që Popper-i nuk është i një mendjeje me konvencionalizmin radikal te Neurath-it, kjo e nënvizon me të vërtetë pikërisht një tendencë për një empirizëm të matur.) Gjithashtu ekzistojnë pjesërisht pika të dukshme të prekjes me “Mach-ianët” që qëndrojnë afër Qarkut të Vjenës si H. Gomberz (njërin nga mësuesit e Popper-it) dhe R. v. Mises. [3] Historikisht pikëpamja prometafizike, naturaliste, realiste, që del në sipërfaqe me një qartësi në rritje, mund të kuptohet si një kthim te realizmi kritik i epokës para Qarkut të Vjenës, të cilin e gjejmë p.sh. te Kraft-i dhe te mësuesi i tij F. Jodl-i, te Russell-i, Schlick-u dhe te O. Külpe, të cilin në kohën më të re Albert-i e merr posaqërisht në shqyrtim, ndërsa ajo në anën tjetër sigurisht iu përgjigjet trendeve të përgjithshme në filozofinë empiristike dhe analitike të kohës së pasluftës (Popper-i duket se ia atribuon një ndikim të tillë së paku të fshehtë të doktrinës së vet, por për të cilën mezi ekzistojnë prova. [4] ) Sidoqoftë në të filozofuarit empiristik dhe analitik – pranë dhe në kontekst me riforcimin me mënyrën pragmatistike të të menduarit – janë formuar gjithashtu edhe tendenca sa vete e rriten skeptike si idealistike-konstruktivistike, të cilat me të vërtetë qëndrojnë në kundërshtim me mësimin e Popper-it, por shënojnë poashtu një tronditje të empirizmit.
Problematizimin epistemologjik të synuar këtu të racionalizmit kritik unë e kuptoj si një kritikë dhe shkoqitje brendaempiristike. Ky ka të bëjë me dy probleme themelore të lidhura më së ngushti me njëri-tjetrin të çdo empirizmi, me bazën empirike të provimeve të hipotezave dhe me atë të perceptimit. Propozimet përkatëse të zgjidhjes të racionalizmit kritik bëhen nën simptomat e falibilizmit dhe të falsifikacionizmit (gjegjësisht të principit të provimit kritik) dhe me anë të theksimit të primatit të teorive dhe të teoricitetit të perceptimit, me të cilin siç duket lëvizim në kufijtë e empirizmit (pa dashur t’i kalojmë), marrin një delikatësi të posaçme. Tani dua të tregoj se këto propozime për zgjidhje i bien pre disa kundërshtimeve parimore skeptike, të cilave s’mund t’iu përgjigjemi në mënyrë të mjaftueshme. Natyrisht, këtu bëhet fjalë për kundërshtime që i bëjnë probleme të shumta çdo empirizmi; kështu që mund të del vetëm se racionalizmi kritik i Popper-it lidhur me këtë s’merr ndonjë pozitë më të mirë, sesa konkurentët e tij. Këtu do ta mësojë një kritikë të caktuar në epistemologji edhe naturalizmi i pakufizuar. Të paprekshëm mbeten realizmi kritik dhe pikëpamja klasike e së vërtetës; megjithatë këto ide s’do t’i kisha cilësuar si “metafizike”, por vetëm si pohime (shumë themelore) empirike gjegjësisht semantike. Me “racionalizmin kritik” referoj posaçërisht në shkrimet e K. Popper-it, të H. Albert-it dhe A. Musgrave-it. [5]
Po filloj te i ashtuquajturi kovencionalizëm bazë i Popper-it, te doktrina lidhur me bazën e kontrollimit të hipotezave empirike, të cilat këtu po i riprodhoj në mënyrë të lirë [6] : Sipas kësaj provat e hipotezave dhe teorive empirike duhet kuptuar si përpjekje përgënjeshtrimi, si përpjekje për t’i detyruar hipotezat e tilla të dështojnë në përvojë; nëse këto i përballojnë provat e përgënjeshtrimit, duhet shikuar si të përshtatshme, përndryshe si të përgënjeshtruara në një mënyrë direkte ose indirekte. Mbi provimin e një hipoteze empirike, të provuarit e vetes së saj ose përgënjeshtrimin e saj, më në fund vendosin disa propozicione testuese empirike, propozicionet bazë, të cilat fitohen pavarësisht nga hipoteza dhe me të cilat – folur në një thjeshtim skematik – lidhur me përputhjen ose kundërtinë krahasohen disa konsekuenca të caktuara prognostike, të cilat janë të deduktuara nga hipoteza dhe nga një varg i hamendjeve shtesë. Propozicionet bazë ose propozicionet empirike testuese pohojnë se në një fushë individuale hapësinore-kohore gjendet një proces ose një gjendje e vrojtueshme; ato janë propozicione njëjës me ‘ekziston’, të cilat mund t’iu kundërshtojnë hipotezat ligjore me karakter të propozicionit të përgjithshëm, që e formon themelin logjik për përgënjeshtrime në kuptimin direkt, strikt. Propozicionet bazë veprojnë si pika të fundit të atyre proceseve testimore; sipas Popper-it te ato ngecim paraprakisht me anë të vendimit, d.m.th. supozimi i tyre qëndron në konventë, vendim ose ujdi dhe – siç duket – jo në ndonjë qëndrim epistemik preference, që do t’i jepej atyre sipas natyrës, sepse ato vetë janë hipoteza. Në anën tjetër duhet të qëndronin për përvoja, në të cilat janë të detyruara të mund të dështojnë hipotezat tona, që në anën tjetër na lë të mendojmë në një epërsi epistemike. Si bashkohen këto në një pikë?
Çfarë kemi parasysh me këtë konvencionalizëm të bazës? Siç duket sheshit, se ne vendosim ta këpusim gjegjesisht ta këpusim paraprakisht procesin testimor të hipotezave në pikat e tilla të pohimit të propozicioneve bazë. Unë flas për “këputje” sepse ne, sikur që mendon edhe Popper-i, do të mund t’i testonim propozicionet bazë në pafundësi, propozicione bazë këto që si hipoteza mund t’i bien pre mundësive të lloj-llojshme të gabimit dhe iluzionit, por ne s’duam ta bëjmë këtë. Dhe këtu qëndrojmë tashmë para problemit themelor: Ka ose mund të ketë këputje racionale ose ngecje te propozicionet bazë dhe këputje joracionale (edhe në qoftë se është paraprakisht). Ta karakterizojmë në mënyrë të mjaftueshme këtë dallim do të ishte vendimtare për një zgjidhje të problemit të bazës. T’i shqyrtojmë tani mundësitë e interpretimit që na ofrohen këtu.
Mundësia e parë e interpretimit (1): “Propozicionet bazë në situatë përkatëse të testimit janë vetë të patestuara ose së paku të testuara jo mjaftueshëm.” (Ku koncepti “të testuara jo mjaftueshëm” këtu në të vërtetë është i tepërt, sepse tregon vetëm një testim – pikërisht të pamjaftueshëm – të propozicionit bazë që është në çështje në propozicione të tjera bazë, te të cilat problemi, nëse janë të testuara apo jo, do të shtrohej rishtas.) Sidoqoftë te një formulim i tillë del menjëherë pyetja: Si mund t’i testojnë disa hipoteza që janë në çështje ose që diskutohen, propozicionet bazë të patestuara ose të testuara jo mjaftueshëm, d.m.th. t’i provojnë ose t’i përgënjeshtrojnë përkatësisht t’i kritikojnë, ose të kontribuojnë për testimin e tyre? A bën kuptim një “testim” i tillë? Dy kundërshtime parimore na brejnë kundër një “metode” të tillë “testimi”: a) Pse fare duam ta testojmë një hipotezë të patestuar deri tani ose të testuar shumë pak mbi diçka, në qoftë se gjatë testimit ndalemi te nje hipotezë tjetër, te propozicioni bazal, pa e testuar këtë me tej dhe me afër? Ne në të vërtetë mund të ndalemi menjëherë te hipoteza fillestare dhe ta pohojmë (pa e testuar ose pa e testuar mjaft). b) Te kjo “metodë testimi” mund t’i supozojmë sipas qejfit propozicionet bazale, të cilat shkojnë me hipotezën e parapëlqyer përkatësisht të cilat i kundërshtojnë hipotezës së padëshiruar. Dikush që në çdo kohë, pa testim më të përafërm do t’i pohonte dhe t’i besonte propozicionet bazale për të të volitshme, duhej të quhej atëherë testues korrekt, edhepse na duket si një dogmatik veçanërisht kryeneç. Dikush që e supozon një propozicion bazal që është kontrolluar ose nuk është testuar mjaft, e supozon në mënyrë dogmatike. Dhe kush e teston një hipotezë në çështje në saje të një propozicioni bazal të pohuar në mënyrë dogmatike, dhe në saje të kësaj e supozon ose e hedh këtë hipotezë, e supozon ose e hedh poashtu në mënyrë dogmatike. Dogmatizmi i bazës detyrimisht transferohet në hipotezat dhe teoritë që duhet testuar. (Në këtë kuptim e kuptoj kur Stegmüller-i i bën kundërshtim Popper-it se konvencionalizmi i bazës duhet të bëhet konvencionalizëm lidhur me një teori. [7] ) Sidoqoftë në këtë interpretim s’mund të bëhet fjalë lidhur me një ndërprerje dhe ndalje racionale te propozicionet bazale në këtë interpretim (1). Unë gjithashtu edhe supozoj se Popper-i nuk ka pasur parasysh një të tillë; por çfarë ka pasur parasysh atëherë?
Siç duket krejt e qartë, Popper-i ka parasysh diçka në kuptimin e një mundësie të dytë interpretimi (2): Ai e thekson përkohshmërinë e ndërprerjes; te propozicionet bazale ndalemi vetëm përkohësisht, kur paraqitet nevoja ne mund t’i ritestojmë e kështu me radhë, duke deduktuar nga to dhe nga supozime tjera konsekuenca prognostike dhe duke i konfrontuar këto me propozicione tjera bazale e kështu me radhë. Por, kjo nuk më duket të jetë një rrugëzgjidhje: Ne ndalemi përkohësisht te propozicioni bazal i patestuar ose i testuar jo mjaft, ne jemi përkohësisht dogmatikë, dhe në qoftë se e testojmë më tej propozicionin bazal, pikërisht duhet të ndalemi te propozicionet tjera bazale, të cilat në anën tjetër s’janë të testuara ose janë të testauara pamjaftueshëm dhe në këto pika sillemi në mënyrë dogmatike. Dogmatizmi i përkohshëm në një pikë testimi mund të shfuqizohet vetëm me anë të një dogmatizmi tjetër të përkohshëm në pikën tjetër. Në procesin e testimit nuk arrihet kurrë pika vendimtare ku pohojmë diçka përkohësisht, por jodogmatikisht, d.m.th. racionalisht dhe mjaftueshëm. Theksimi i përkohshmërisë, pra, nuk kontribuon asgjë për shfuqizimin e akuzës për dogmatizëm. (Ne mund të gjejmë lehtë shembuj për propozicione bazale të pohuara dogmatikisht; hulumtues deviant si ideologjët e të gjitha llojeve i pohojnë me bollëk, p.sh. kur një hulumtues i gjarpërinjëve të detit pohon se Nessie është paraqitur edhe një herë në vendin e njohur, e kjo e dëshmuar në diçfarë filmash ose fotografishë, ku shihet diçka e zezë ose një hije, dhe ku më tej apelon në vrojtimet e hulumtuesve tjerë të të njëjtes bindjeje etj. Por edhe në fusha serioze, p.sh. gjatë zhvillimit të teknikës së mikroskopimit, nën ndikimin e gjykimeve spekulative-scientifike, njerëzit arritën në shumë propozicione vëzhgimore (të vrojtimit) të pohuara plotësisht sipas qejfit.) Si argument i mëtejshëm në lidhje me (2) duhet pyetur (në çka tregon edhe B. Gesang [8] ) pse te një testim dhe “hedhje poshtë” e një propozicioni bazal B1 nëpërmjet të një propozicioni bazal B2 pikërisht B1 e këqyrim si të hedhur poshtë nga B2 dhe jo anasjelltas. Kjo pyetje veç tjerash shtrohet edhe nëse në dispozicion kemi diçka të tillë si një epërsi epsitemike të propozicioneve bazale si propozicione vëzhgimore ndaj teorive, sepse testimi i një propozicioni vëzhgimor me anë të një propozicioni tjetër vëzhgimor në të vërtetë do të kërkonte një epërsi epistemike të propozicioneve vëzhgimore ndaj propozicioneve tjera vëzhgimore, e një të tillë pikërisht nuk e kemi në dispozicion.
Akuzës së bërë nën (1) dhe (2) për dogmatizëm i dalim dore vetëm nëse tregojmë se propozicionet e supozuara bazale në situatën përkatëse të njohjes të subjektit përkatës nuk kanë nevojë aspak për testim, kështu që për subjektin është racionale në situatën përkatëse të ndalet te ato përkohësisht dhe t’i testojë më tutje vetëm kur të shfaqet një situatë e nevojës së testimit. (Në fakt dogmatist është vetëm ai që e pohon në mënyrë të patestuar ose të testuar pamjaftueshëm diçka që ka nevojë për testim ose madje mendon se e di atë.) Nevoja për testim nuk është diçka që mund të dekretohet sipas dëshirës, por diçka që qëndron duke marrë parasysh qëllimin e përcaktuar të njohjes: d.m.th. – edhe në kuptimin e racionalistëve kritik – për ta marrë në rradhë të parë qëllimin e së vërtetës, qëllimin mbi të gjitha gjërat e gjësendeve, që na interesojnë dhe që vijnë në pyetje, vetëm të qëndrimeve të besimit me përmbajtje të vërtetë, d.m.th. për të arritur te përshkrimet, shpjegimet, prognozat e vërteta lidhur me realitetin. Megjithatë, s’është racionale për të pohuar diçka thjesht si të vërtetë, sepse gjykimi mund të jetë në çdo kohë i rremë. Për një ndjekje që çon në qëllim të qëllimit të së vërtetës për më tepër është një kusht i domosdoshëm, për t’i mënjanur përkatësisht për t’i shmangur inkoherencat në sistemin tonë të bindjes, të cilët faktikisht do të thonë kontradikta dhe me këtë domosdoshmërisht një të qenë të rremë të gjykimeve dhe për të vendosur koherenca (përputhje të gjykimeve) në sistemin e bindjeve, ku koherenca e gjykimeve tona me një bazë empirike të gjykimeve vëzhgimore, perceptimore, të kujtesës dhe të përjetimit të drejtëpërsëdrejtë, që vëhen padashur dhe që vijnë në sistem pandërprerë, është me një rëndësi të veçantë, kështu për shëmbull koherenca e një prognoze me një gjykim vëzhgimor, i cili e konstaton shfaqjen e të parashikuarës. Testimi i një hipoteze, prova e saj e vërtetimit ose e hedhjes poshtë atëherë qëndron në hulumtimin dhe konstatimin e koherencës ose inkoherencës së saj me sistemet tjera të sistemit, para së gjithash të atyre të bazës së përmendur empirike. Prandaj është racionale lidhur me qëllimin e së vërtetës që ta testojmë çdo gjykim dhe të besojmë vetëm në gjykimin e testuar me rezultat pozitiv, përveç nëse te ai nuk qëndron asnjë mundësi gabimi, d.m.th. s’ka hipotezë. Kjo nevojë testimi atëherë natyrisht vlen njëjtë për gjykimet e bazës empirike, nga e cila rezulton pikërisht problema jonë. Dhe meqenëse Popper-i testimin kritik, i cili madje së paku e inkludon konstatimin e inkoherencës dhe koherencës, e kupton si diçka që shërben për arritjen e hipotezave të vërteta përkatësisht për eliminimin e atyre të rreme, edhe për të shfaqet kërkesa për nevojën e testimit në kuptimin e lartpërmendur.
Cilat rrethana do të merreshin në parasysh për një situatë të mos-nevojës-për-testim? Parimisht na ofrohen këto varianta: a) Propozicioni bazal (përkatësisht besimi që është bazë e tij) nuk ka nevojë për testim, sepse subjekti nuk mund të gabojë gjatë paraqitjes së tij, d.m.th. kemi sigurinë e mosgabimit. Një siguri e tillë e mosgabimit nuk ekziston te propozicionet bazale dhe propozicionet tjera perceptimore dhe vëzhgimore, meqë këto janë të varura nga bota e jashtme dhe së paku në mënyrë implicite nga raportet shkakësore dhe lidhjet e llojit të ligjeve dhe këtë lloj sigurie edhe nuk e pranon Popper-i dhe të gjithë empiristët tjerë, meqenëse iluzionet e percept imit të të gjitha llojeve përherë formojnë një pikënisje të argumentimeve empiristike. Disa, prej tyre më pak empiristë, ç’është e vërteta e supozojnë një siguri të mosgabimit të gjykimet lidhur me përjetimet ose të dhënat shqisore vetjake, prezente dhe që janë imanente në vetëdije, lidhur me çka do të flas më vonë; duke mos marrë parasysh këta, të gjithë bien dakord në falibilizmin lidhur me gjykimet ose besimin sintetik-empirik. Kështu që kjo mundësi nuk vjen në pyetje. b) Propozicionet bazale në situatën përkatëse për shkak të arsyeve pragmatike s’kanë nevojë për testim. Këtu, sa i përket Popper-it, merret parasysh para së gjithash apelimi në intersubjektivitet dhe konsens lidhur me propozicionet bazale, por unë do t’i diskutoj edhe tjerat mundësi të interpretimit të mosnevojës pragmatike për testim, të cilat shfaqen te racionalistët kritik. (Koncepti “pragmatik” këtu duhet mbetur i papërkufizuar; në kontekstin e këtushëm me këtë përafërsisht nënkuptohet se vetëm në bazë të qëllimeve të dhëna të njohjes një testim i propozicioneve bazale do të ishte i tepërt.) c) (Ajo që vijon si të themi i përgjigjet “opinionit normal”:) Propozicionet bazale s’kanë nevojë për testim për arsye se në situatën përkatëse e kemi një dije përkohësisht të mjaftueshme lidhur me to, përkatësisht sepse në situatën përkatëse janë dëshmuar mjaft si të përshtatshme ose janë testuar në ndonjë mënyrë tjetër me rezultat pozitiv, edhepse vetëm përkohësisht. Ky opinon do të dukej i mundshëm te Popper-i, por unë te ai s’e kam gjetur askund të thënë në mënyrë direkte; siç duket ai e parapëlqen doktrinën që tingëllon në mënyrë të spikatur “antipozitiviste” lidhur me bazën konvencionale, mirëpo e cila sipas mendimit tim çon vetëm në udhë të gabuar, siç do ta zhvilloj më vonë.
Pra, po vij te mundësia e tretë e interpretimit (3) e propozicioneve bazale: “Lidhur me propozicionet bazale zotëron një konsens”. Për Popper-in propozicionet bazale referojnë në atë që është e vrojtueshme tridimensionalisht, prandaj në atë që mund ta arrijmë në mënyrë intersubjektive; ato mund t’i kontollojnë intersubjektivisht, dhe provuesit e stërvitur lidhur me to arrijnë lehtë një ujdi, arrijnë një marrëveshje [9] lidhur me këtë, te konsensi. Kësaj i shtohet parimi që ia mëvesh tash unë Popper-it: “Porpozicionet bazale në situatën përkatëse s’kanë nevojë për testim, sepse lidhur me to zotëron një konsens.” Kundër kësaj mund të jepen kundërshtime të ndryshme:
a) Një konsens më shumë se i rastësishëm lidhur me gjërat e vrojtueshme të gjësendeve ekziston vetëm te kushtet përafërsisht të njëjta teorike (dijenia, supozimet paraprake) përkatësisht te stërvitshmëria përafërsisht e njëjtë e provuesve lidhur me një situatë të caktuar vëzhgimi. (Kjo është thënë në kuptimin e plotë të Popper-it, megjithatë paraqet një kundërshtim ndaj një epërsie të propozicioneve bazale falë konsensit. Prapëseprapë duhet supozuar se lidhur me propozicionet bazale primitive, të cilat kanë të bëjnë me gjendjet objekteve të jashtme që e shkakëtojnë në mënyrë direkte ngacmimin e shqisave, ekziston një intersubjektivitet jashtë të gjitha dallimeve kulturore dhe të dijes së individëve. (Një gjë të ngjashme e thekson herë pas here edhe Albert-i. [10] )
b) Propozicionet vëzhgimore referojnë në gjendjet në objektin e jashtëm, të cilat në kushte të njëllojta normale përkatësisht në situata të njëllojta vëzhgimore, te subjektet e ndryshme shkakëtojnë në mënyrë kauzale ndjesi të njëllojta përkatësisht të dhëna shqisore dhe si për pasojë në rrethana të caktuara të mëtejshme (krah. 3a) shkaktojnë interpretime të njëllojta kauzale të këtyre ndjesive në formë të qëndrimeve të besimit dhe më në fund të propozicioneve vëzhgimore. Kështu që nëse subjekte të ndryshme në situata të njëllojta vëzhgimore arrijnë në propozicione të njëjta vëzhgimore, atëherë ky konsens flet në favor të supozimit të këtyre propozicioneve vëzhgimore, e nëse arrijnë në propozicione të ndryshme vëzhgimore, atëherë ky dissens flet kundër supozimit të propozicioneve vëzhgimore. Në këtë kuptim kemi me të vërtetë kritere për ose kundër propozicioneve vëzhgimore. Megjithatë ta deklarojmë një konsens të tillë si tipar preeminent, që nuk tregon nevojë për testim, parimisht duket se është e gabuar. Mjafton të mendojmë në faktin se edhe iluzionet masive ose halucinacionet masive mund të shfaqen në të njëjtën situatë vëzhgimore (konsensi lidhur me një propozicion iluzionar vëzhgimor), dhe për ta shfuqizuar një kundërshtim të tillë, në rastin e dhënë duhet treguar në mënyrë empirike se kemi të bëjmë me propozicione të besueshme vëzhgimore; por nëse këtë duam ta tregojmë në saje të konsensit lidhur me propozicione tjera vëzhgimore, atëherë te ky konsens mund të përsëritet kundërshtimi i përmendur, e kështu me radhë në regres. Thënë ndryshe: Në një rast të tillë, teza për shembull se propozicionet vëzhgimore meritojnë t’iu besojmë, me aq sa lidhur me to zotëron një konsens, mbështetet nga propozicione vëzhgimore, merita e të cilave për t’iu besuar përsëri duhet të qëndrojë në konsens; d.m.th. nëse teza që është në çështje, është problematike, duhet taruar në një metodë, si kushti i të cilës metodë shërben saktësisht e njëjta tezë në të njëjtën pasiguri (qark). Besueshmëria, merita për besim, dhe gjëra tjera të ngjashme, pra, duhet të mund të tregohen edhe pa iu referuar konsensit. – Një problem analog paraqitet edhe kur duam ta konstatojmë faktin e konsensit (gjë që gjithashtu i takon testimit). Për këtë, mes tjerash, në saje të propozicioneve tjera vëzhgimore na duhet të konstatojmë njëllojshmërinë e kushteve vëzhgimore përfshirë dhe gjendjes së njëllojtë të provuesve; te ky konstatim përsëri jemi të varur nga një konsens, te i cili paraqitet përsëri ai problem i konstatimit, e kështu me radhë.
c) Testimi empirik duhet të jetë një veprim racional edhe për një subjekt të vetëm që nuk jeton në një bashkësi. (Tashmë çdo orientim paragjuhësor me anë të perceptimit ka domethënien e një testimi të hipotezave; kjo përsëri krejtësisht në kuptimin e Popper-it.) Për këtë subjekt të vetmuar natyrisht nuk vjen në pyetje konsensi si kriter. Nga ai (në vend të konsensit) te e shumta mund të thuhej se ai beson në mënyrë instinktive-natyrore në gjykime të caktuara perceptimore, se është i paaftë për korigjimin e tyre, kështu që do të ishte i tepërt një testim i mëtejshëm. Kësaj në anën tjetër përsëri mund t’i bëhet kundërshtim se ne paaftësitë e tilla shpeshherë ia imagjinojmë vetes dhe se ato nuk paraqesin asgjë stabile në jetën e individit. Ne, pra, me qëllim që të jemi subjekte racionale, duhet të konstatojmë në propozicione vëzhgimore në mënyrë empirike se në rastin tonë është një paaftësi e tillë, e aty duhet të apelojmë përsëri në një bazë gjykimi, për korrekturën e së cilës s’jemi të aftë, e kështu me radhë.
d) Apelimi në konsens, si të themi, si argument parimor pragmatik (“pohimi s’ka nevojë për testim, sepse atë e miratojnë të gjithë”) ka për bazë kushtin e pasigurtë se ne duhet t’i testojmë hipotezat për arsye se lidhur me to zotëron dissens, dhe që prandaj s’kemi nevojë t’i testojmë nëse lidhur me to sundon ndonjë konsens. Si i dyshimtë duket ky kusht, sepse në çdo kohë mund të formohen bashkësi të mëdha konsensi të dogmatikëve, pohimet e të cilëve gjithashtu në çdo kohë mund të zgjerohen në atë që është e vrojtueshme. (Le të mendojmë në propozicionet vëzhgimore që mbrohen në një bashkësi konsensi të përcaktuar krejtësisht nga feja.) Nga këndvështrimi i racionalitetit do të thuhej se dogmatikët e tillë pikërisht do të duhej t’i rishikonin pohimet e tyre dhe të mos i deklarojnë ato se s’kanë nevojë për testim për shkak të konsensit ekzistues të përgjithshëm. Apelimi në konsens, prandaj, nuk çon në mënjanimin e dogmatizmit, por më parë te legjitimimi i tij. Nëse testimi qëndron në shërbim të qëllimit të së vërtetës, sikurse e presupozojmë këtu, atëherë fakti i një konsensi nuk e prodhon assesi një situatë të mos-nevojës për testim.
I ngjashëm me intersubjektivitetin është riprodhimi i propozicioneve bazale, të cilat mund t’i shfrytëzonim si tipar epror për mos-nevojën e tyre për testim [11] : „Propozicionet bazale, kur dalin se janë të riprodhueshme, s’kanë nevojë për testim të mëtejshëm.“ Ato janë të riprodhueshme në qoftë se te subjekti gjatë përsëritjes ose rivendosjes së situatës relevante eksperimentale ose vëzhgimore ose në situata të ngjashme lindin propozicione bazale të njëllojta ose të ngjashme. Nëse ato nuk paraqiten, atëherë kjo flet kundër propozicionit fillimisht të formuluar bazal dhe duket i shfuqizuar kontributi i tij për sprovimin ose kundërshtimin e teorisë në çështje. Nëse, përkundër kësaj, mund të riprodhohet propozicioni bazal, atëherë kjo flet në favor të tij dhe e lartëson ndihmesën e tij për testimin e teorisë. Megjithatë, edhe te riprodhueshmëria, siç duket qartë, nuk kemi të bëjmë me atë tipar epror që e tregon një mos-nevojë për testim të propozicioneve të tilla vëzhgimore. Ngaqë ngjashëm si te kriteri-konsens duhet ta ndeshim përsëri një kundërshtim, pikërisht se edhe iluzionet perceptimore dhe gabimet vëzhgimore mund t’i riprodhojnë subjektet në përputhje me ligjet. Pra, përsëri na duhet të tregojmë empirikisht se në rastin e dhënë subjektet kanë sjellur gjykime të besueshme vëzhgimore. Nëse gjatë kësaj thirremi në riprodhim (si kriter të fundit vendimtar), kështu i biem pre kundërshtimit të përmendur, e kështu me radhë (regres ose rreth, si te 3b). Prandaj, ajo që është vendimtare këtu është ta tregojmë besueshmërinë e vrojtuesit dhe të gjykimit të tij, tjetërkund dhe jo pikërisht duke iu referuar riprodhimit. Gjithashtu te konstatimi i riprodhimit që është i domosdoshëm për testim shfaqet problemi se në saje të propozicioneve tjera bazale mes tjerash duhet konstatuar se kemi një situatë të njëjtë ose të ngjashme vëzhgimore për subjekte që janë në gjendje të njëllojtë vëzhgimore; për këto propozicione vëzhgimore pastaj duhet të vlejë përsëri riprodhueshmëria, që si rezultat i kësaj del përsëri ai problem i konstatimit, etj. – Si argument tjetër kundër kriterit të riprodhueshmërisë shtohet fakti se për testime të shumta (në fusha historike në kuptimin më të gjerë) me rëndësi mund të jetë edhe vrojtimi unik i së papërsëritshmes.
Meqenëse intersubjektiviteti dhe riprodhueshmëria janë treguar si të pamjaftueshme t’iu japin epërsi propozicioneve bazale dhe propozicioneve tjera vëzhgimore si jo të nevojshme për testim të mëtejshëm, mund të kalojmë te diskutimi i „opinionit normal“ lidhur me propozicionet bazale, të cilin mund ta formulojmë si mundësi të pestë (5) të interpretimit të tyre: „Mbi propozicionet bazale, në situatën e të pohuarit të tyre, kemi një dije hipotetike ose hamendjeje që mjafton përkohësisht. Vetëm kur rezultojnë kundërshtime dhe argumente tjera kundër tyre, na duhet t’i testojmë më tej.“ Me këtë është shprehuar gjithashtu se propozicionet bazale në situatën përkatëse janë provuar mjafteshëm si të përshtatshme, e në këtë kuptim janë testuar mjaft dhe prandaj janë bindëse, meritojnë t’iu besojmë dhe janë të sigurta e gjëra të ngjashme. Përcaktimet përkatëse madje duket se koincidojnë mes tyre, meqë të paktën te Popper-i „dija e përkohshme e hamendjes“ siç duket nuk është e përkufizuar me anë të „së vërtetës“ si përndryshe te përcaktimet e dijes etj., sepse ajo mund të hidhet poshtë, të tundet dhe të korrigjohet dhe prandaj mund të del si e rreme (gjë që pastaj pikërisht vlen edhe për dijen e hamendjes se propozicioneve bazale dhe propozicioneve të ngjashme vëzhgimore). Për momentin mund ta pranojmë këtë përcaktim të dijes, sepse pyetjet për barasvlefshmëri lidhur me përdorimin e gjuhës së „dije“ nuk janë për t’u diskutuar. [12]
Për këtë po e sjell një shembull të Popper-it, të cilin vërtet e jep në kuadër të një shqyrtimi paksa tjetër të konceptit të sigurisë, por të cilin, megjithatë, mund ta ripërdorim për diskutimin tonë të problemit të bazës: „Në qoftë se e shikoj orën time që është shumë e besueshme dhe ajo tregon orën 8 dhe mund ta dëgjoj tik-takun e saj (që tregon se ajo nuk është ndalur), atëherë jam „mjaft i sigurt“ ose „i sigurt për të gjitha qëllimet praktike“ se goxha saktësisht është ora 8.“ [13] Se aty jemi të sigurt psikologjikisht, kjo na mbush mendjen, por a kemi arritur me këtë propozicion vëzhgimor një dije përkohësisht të mjaftueshme hipotetike? Unë e bëj një gjykim hipotetik perceptimor lidhur me pozitën e akrepit të orës sime që tregon orën 8. Me këtë besoj se e kam fituar një informatë të re lidhur me një sjellje të arritshme në mënyrë shqisore të një objekti të jashtëm – „të orës sime“ – me një mënyrë të ndërlikuar të sjelljes dhe mënyrën shqisore të dukjes (këtë informatë e marr në saje të regjistrimit të përjetimeve shqisore; megjithatë lidhur me këtë më vonë). Pastaj e bëj një gjykim hipotetik perceptimor lidhur me tik-takun e orës (se ora bën tik-tak e asgjë tjetër) dhe me këtë përsëri në bazë të përjetimit e marr një informatë të mëtejshme shqisore mbi objektin. Tani hipotetikisht përfundoj se me të vërtetë është ora 8; ky do të ishte një lloj gjykim vëzhgimor në bazë të gjykimeve perceptimore të përmendura që më mirë lindin drejtpërsëdrejt. (Këtë do të mund ta rekonstruktonim edhe në një skemë deduktiviste.) Sidoqoftë, me qëllim që lidhur me gjithë këtë ta kem një dije përkohësisht të mjaftueshme perceptimore përkatësisht vëzhgimore, unë presupozoj (ku aludon edhe Popper-i me “besueshmërinë e orës“): se këtu gjendet një orë me një mekanizëm që funksionon, që ora funksionuese nuk është kurdisur gabim, se gjendja e dukshme e akrepave dhe tik-taku e tregojnë funksionimin e orës, se ekzistojnë kushtet normale për të parit dhe të dëgjuarit, kështu që nuk krijohet ndonjë iluzion lidhur me leximin e akrepave dhe të tik-takut; më tutje unë presupozoj supozime të ligjit mbi funksionimin e orëve në përgjithësi, mbi lidhjen e tyre me të parit e gjendjeve të akrepave, të dëgjuarit e tik-takut dhe mënyrave tjera të dukjes së orës, dhe natyrisht mbi lidhjen e kushteve normale perceptimore dhe të perceptimeve.
Të gjitha këto supozime të parakuptuara tani duhet të testohen mjaftueshëm dhe të tregohen ose të jenë treguar si të përshtatshme në propozicione të panumërueshme të mëtejshme vëzhgimore përkatësisht në propozicione bazale; sepse këto supozime duhet edhe vetë të marrin një dije përkohësisht të mjaftueshme hipotetike, me qëllim që unë ta kem dijen përkohësisht të mjaftueshme hipotetike mbi gjendjen e akrepave që tregojnë orën 8, lidhur me tik-takun e orës dhe prandaj edhe lidhur me atë se ora është 8. Për këtë qëllim te testimi i këtyre supozimeve të parakuptuara duhet ose duhej të shtohen hipoteza të panumërta të ndërmjetme, të cilat gjithashtu duhet të testohen në propozicione vrojtimi, e kështu me radhë, e kështu me radhë. Për ta pasur këtë dije përkohësisht të mjaftueshme vrojtimi lidhur me propozicionin tonë bazal, më duhet t’i presupozoj një mori eksploduese të gjykimeve të ditura përkatësisht (në ndonjë kuptim) të testuara pozitivisht, te të cilat përsëritet pandërprerë problemi ynë i testimit përkatësisht i dijes lidhur me propozicionet e pohuara bazale përkatësisht të vrojtimit. Te secili propozicion vrojtimi, që e hamendësojmë, përsëritet problemi i testimit që e patëm me propozicionin fillestar të vrojtimit lidhur me tregimin e orës, te secili shumëfishohen regreset e testimit në mënyrën e përshkruar. Natyrisht nuk është rrugëdalje të thuhet se propozicionet e vrojtimit mund t’i besojmë pa ndonjë testim të mëtejshëm, sepse propozicionet e ngjashme në situata të ngjashme e kanë treguar veten më së miri. Sepse kjo na udhëzon përsëri vetëm te problemi të eksplikojmë pa regres se si kanë treguar vetën më së miri këto propozicione, dhe përveç tjerash duhet konstatuar përsëri pa regres se ekziston një situatë e ngjashme e përparshme etj. E gjithë kjo duket se është absurde, skepsa duket e kërcyer në mënyrë të shfrenuar, megjithatë si mund ta vëjmë kufirin te thana, pa u bërë dogmatik?
Por puna s’ka mbaruar ende. I njëjti problem paraqitet nëse si më lart në formulimin (5) kërkohet që te kundërshtimet dhe te kundërargumentet e reja të vazhdohet: Po duhet të jenë kundërshtime të mira dhe të peshuara mirë, kundërargumente të mira dhe të menduara mirë – vetëm argumente të mundshme, vetëm instanca të mundshme falsifikuese dhe që ngrejnë peshë mund t’i sajojmë sipas qejfit dhe t’i bëjmë përmbajtje të një kundërpohimi „kritik“; d.m.th. gjykimet, në të cilat janë të ndërtuara këto kundërshtime dhe kundërargumente, nga ana e tyre duhet të kenë për bazë testimin, së paku instancat, të cilat në ndonjë mënyrë flasin në favor të tyre. Pra, edhe këtu përsëri, në lidhje me propozicionet përkatëse testimi qëndrojmë para problemit tonë të regresit, dhe pyetja për përfundimin racional d.m.th. jodogmatik të të gjitha këtyre testimeve bëhet më urgjente.
Popper-i dhe Albert-i mendojnë se regreset e tilla të pa fund rezultojnë detyrimisht vetëm te një të menduar i presupozuar i arsyetimit ose te një të menduar i provës që është në kërkim të sigurisë, e që këtë siguri megjithatë nuk e arrit kurrë, kështu që duhet arsyetuar gjithnjë më tutje dhe kështu perpetuohet obligimi për arsyetim dhe provë [14] . Unë mendoj se këto regrese, të pakufishme dhe që përherë shumëfishuese krijohen në çdo rast, lindin nga përpjekja për njohje (edhe nga një që s’është e orientuar në idealin e sigurisë, por vetëm në një ideal të plauzibilitetit dhe të racionalitetit), sepse nevoja për testim perpetuohet dhe asnjë pikë e mos-nevojës për testim s’mund të fiksohej në mënyrë të plotëkuptim, d.m.th. pa e legjitimuar dogmatizmin. Ato natyrisht si kusht kanë diçka të tillë si një parim të njëanshëm testimi: teoria testohet në propozicionin bazal, propozicioni bazal në këtë rast në një propozicion tjetër bazal, e jo anasjelltas, teoria hedhet poshtë ose tundet nga propozicioni bazal, e në këto kushte propozicioni bazal nga një propozicion tjetër bazal, e jo anasjelltas, dhe vetëm nga kjo lind kërkesa e përhershme për testim dhe testim të mëtejshëm të propozicioneve përkatëse bazale, i cili pandërprerë vazhdon dhe zgjerohet. Ne mund të nisemi gjithashtu edhe nga një praim i testimit reciprok, si te një teori koherence testimi përkatësisht e kritereve: teoria dhe propozicioni bazal (përkatësisht një propozicion bazal dhe një propozicion i mëtejshëm bazal) e vërtetojnë njëri-tjetrin, nëse mes tyre ekziston një koherencë. Mirëpo, një teori koherence nuk duket bindëse. Siç duket qartë, është joracionale për ta supozuar një hipotezë teorike dhe një propozicion vëzhgimor sikur që ato “e vërtetojnë njëri-tjetrin”, vetëm për arsye se ky i fundit i shkon asaj për shtati (d.m.th. përputhet me një konsekuencë të një hipoteze). Propozicioni vëzhgimor në të vërtetë, edhepse njeriu i beson atij, mund të jetë sajuar sipas dëshirës, të jetë fantazuar ose të jetë gjykim i verbër etj. Vetëm nëse është i kualifikuar në mënyrë të veçantë, pikërisht është i besueshëm dhe meriton për t’i besuar, është racionale për ta supozuar atë dhe hipotezën teorike së cilës i shkon për shtati (duke mos marrë parasysh kushtet e mëtejshme), ku pastaj vërtet hipoteza vlen si e vërtetuar me anë të propozicionit vëzhgimor, por vërtetimi i pripozicionit vëzhgimor në radhë të parë vjen nga një burim tjetër që ende duhet hulumtuar. Peshime të ngjashme vlejnë për një raport të gjasshëm vërtetimi mes një prognoze dhe një propozicioni vëzhgimor që përputhet me të ose mes propozicioneve që i shkojnë përshtati njëri-tjetrit. (Fakti se një përshtatje e vetme teorive për pranimin e tyre racional nuk mjafton pa vërtetimin e tyre empirik, kjo na mbush mendjen pa një pa dy.)
Pra, t’i kthehemi Popper-it. Në citatin e sjellur nën (5) dhe në pjesët që vijojnë pas këtij citati, ai flet edhe për faktin se ne në rastin e përmendur (të tregimit të orës) jemi “praktikisht të sigurt”. Ai mendon se nevojat tona praktike vendosin kur e ndërprejmë një testim të tillë të propozicioneve vëzhgimore, kur (në diksionin tim) shfaqet mos-nevoja për testim. Kjo do të ishte atëherë diçka e tillë si një propozim i gjashtë (6) lidhur me problemën e bazës. Popper-i shpjegon përafërsisht [15] : Sa më i rëndësishëm që të jetë për ne një qëllim ose nëvojë praktike, për arritjen e të cilit na nevojitët e vërteta lidhur me propozicionin përkatës vëzhgimor, aq më i gjatë dhe më i rëndë do të bëhet testimi ynë. A vlen kjo ndonjë gjë për problemin e bazës, për problemin e ndërprerjes racionale të propozicioneve bazale (nëse Popper-i fare ka dashur të thotë diçka të tillë)? Unë besoj se jo. P.sh. do të thuhej se një shkenctar që vrojton me shumë pak kujdes, me moskokëçarje, sepse qëllimi praktik që mund ta arrijë me anë të vrojtimit të kujdeshëm, për shembull një rrahje të krahëve të kolegëve të tij, për të është i parëndësishëm, duhet të vlejë si racional. Ai ndoshta është racional, por vetëm në kuptimin praktik, e jo në atë teorik. Dhe në fund të fundit në kërkime me shpresë se shpeshherë e kemi qëllimin e të vërtetës si qëllim primar – “e vërteta dhe asgjë tjetër pos të vërtetës”; e vërteta atëherë në shkallë të lartë dhe vet për vete na është e rëndësishme (gjë që te rastet tjera në shkollën e Popper-it theksohet me qejf), dhe për këtë situatë një propozim i arsyetuar praktikisht për ndërprerjen racionale te propozicionet bazale nuk ven ashtu-kështu. Unë edhe dyshoj se Popperi ka dashur ta thotë këtë.
Problemi i një epërsie epistemik i gjykimeve vëzhgimore (përfshirë të propozicioneve bazale) përkatësisht të gjykimeve perceptimore, pra, – në kuptimin e një përgjigjjeje në kundërshtimet skeptike – ka mbëtur i pazgjidhur. (Në parim te e gjithë kjo fjala është për gjykime perceptimore, sepse gjykimet vëzhgimore, nën to propozicionet bazale, në të vërtetë janë rezultat i testimeve në bazë të gjykimeve të percepcionit që paraqiten drejtpërsëdrejt, dhe këto të fundit e formojnë problemin e mirëfilltë. Vetëm për hir të thjeshtësisë, problemin skeptik e kam zhvilluar tashmë te propozicionet bazale dhe ato vëzhgimore.) Ndër racionalistët kritik në kohën e fundit posaçërisht A. Musgrave është marrë me marrëdhëniet e tendosura mes empirizmit dhe skepticizmit; megjithatë rezultati përfundimtar është më fort modest. [16] Musgrave së pari mendon se në falibilizëm përkatësisht në racionalizmin kritik shqisat paraqesin një burim vërtet jo të dijes së sigurt, por të bindjeve racionale (d.m.th. të tilla që i kanë qëndruar kritikës serioze). Gjykimet përkatëse perceptimore, për shëmbull të shqisës së të parit, mund t’i testojmë në mënyrë kritike në gjykime të tjera perceptimore, për shembull në ato të shqisës së të prekurit, ose me anë të krahasimit me gjykimet perceptimore të vrojtuesve tjerë etj. Duket se këtu Musgrave i ka shpëtuar pa e parë problemin e regresit që është i qartë këtu; gjykimi i të prekurit mbi objektin e jashtëm, me qëllim që ta jap një instancë, në të cilën në rrethana të dhëna mund të dështojë gjykimi i të parit, edhe vetë duhet të jetë një gjykim i testuar mjaft, që iu ka bërë ballë provave të kritikës etj. Ku duhet shënuar gjithashtu se edhe një kthim te gjykimet që janë të sigurta sa i përket gabimit lidhur me përjetimet vetjake, prezente (të cilat në të vërtetë për falibilistët s’janë të volitshme) duket se tanipërtani nuk e mënjanon problemin e regresit, sepse përfundimi kauzal nga ekzistenca e përjetimit shqisor në ekzistencën e gjendjes së objektit të jashtëm është ndërmjetësuar nëpërmjet supozimeve lidhur me ekzistencën e e kushteve të caktuara të perceptimit dhe këtyre ligjësive që janë si bazë e tyre, e këto supozime në anën tjetër kanë nevojë përsëri për testim në gjykime perceptimore, e kështu me radhë. Për këtë ekziston siguria e gjykimit të përjetimit vetëm në momentin e përjetimit, në momentet tjera jemi të varur nga një gjykim hipotetik i kujtesës lidhur me atë përjetim, te i cili gjykim pastaj shfaqet përsëri problemi ynë i testimit. Megjithatë më duhet t’i kthehem më vonë kësaj përpjekjeje për zgjidhje.
Në atë që vijon Musgrave e sheh veten megjithatë të detyruar t’ia bëjë empirizmit një koncesion dhe ta formulojë një primat të caktuar të eksperiencës shqisore. Ai mendon se ne mund t’i besojmë edhe bindjeve të pakontrolluara të perceptimit, d.m.th. se është racionale t’iu besojmë, përsakohë që nuk ekziston ndonjë arsye specifike të mos iu besojmë. Primati i shqisave, pra, qëndron në faktin se bindjet (e patestuara) të perceptimit (“prima facie”) janë racionale, përveç nëse s’janë të afta t’i bëjnë ballë kritikës, ndërsa bindjet tjera janë racionale vetëm në qoftë se mund t’i bëjnë ballë kritikës. Nëse e formulojmë pak më butë: Është racionale t’iu besojmë gjykimeve perceptimore, d.m.th. të besojmë në to, përsakohë që nuk flet asgjë kundër tyre. Ose, siç e shpreh Albert-i në një variantë pak të ndryshme [17] : Ne mund të besojmë në gjykime perceptimore, përsakohë që nuk paraqitet një dyshim i arsyetuar lidhur me to. Me këtë – kështu mund të shtonim duke marrë parasysh kundërshtimet skeptike – do të ishte e dhënë edhe epërsia e dëshiruar epistemike e gjykimeve perceptimore si të panevojshëm për testim, e cila epërsi e mundësuaka një ndalje ose ndërprerje racionale të përkohshme në proceset empirike të testimit. Pra kemi të bëjmë me një propozim të shtatë (7) interpretimi për propozicionet bazale ose vëzhgimore.
Mirëpo ky propozim më duket se është paksa i pamjaftueshëm, edhepse formulimet e këtij lloji shfaqen në filozofinë skeptike (tashmë te Kerneades) dhe në atë analitike. Argumentet që do t’i sjell kundër këtij propozimi në atë që vijon, i kam sjellur në një pjesë te kritika ime për propozimin (1), e një pjesë tjetër te kritika ime për propozimin (5).
a) Propozimi në pyetje në të vërtetë duhet të thotë se një propozicion perceptimor (më mirë një gjykim perceptimor) duhet besuar se s’ka nevojë për testim dhe prandaj se është racional, në qoftë se asgjë s’flet në favor e asgjë kundër tij. Sepse po të fliste diçka për të, atëherë këtë gjë që flet në favor të tij s’mund ta japim pa një formim regresi. Propozicioni ynë vëzhgimor prandaj e ka statusin e propozicionit krejtësisht të patestuar: Një propozicion me një status të tillë zakonisht do ta shikonim pikërisht si një propozicion që ka nevojë për testim (atij s’duhet t’i besohet përkatësisht të pohohet pa testim); ky status e karakterizon në mënyrë ideale situatën e nevojës për testim. Por, nëse këtë të besuar ose të pohuar të patestuar “me aq sa asgjë nuk flet në favor e asgjë kundër tij” te propozicionet vëzhgimore e shikojmë si racional, atëherë duhet pyetur se pse nuk e bëjmë të njëjtën gjë edhe te pohimet tjera hipotetike, teorike, apo bile edhe te ato spekulative e fetare, ku pohimet e tilla me një status të tillë i shikojmë direkt si joracionale dhe se kanë nevojë në një masë të lartë për testim. Përveç kësaj me një metodë të tillë e legjitimojmë atë dogmatist si racional, i cili, si të themi, bën propozicione vëzhgimore të sajuara, të cilat iu shkojnë përshtati bindjeve të tij të parapëlqyera. Me ndihmën e cilës epërsi të propozicionit vëzhgimor duhet të jetë racionale të besojmë në të, në qoftë se për të dhe kundër tij nuk flet asgjë, meqë e njëjta gjë në të vërtetë në të gjitha rastet vlen si joracionale? Pra përsëri na nevojitet një tipar epror, meqë epërsia (7) siç duket qartë është epërsi krejt sipas dëshirës. A mos është ndoshta “natyrshmëria” dhe “joarbitrariteti” i këtij besimi që e bën epror atë? Po ne kemi dhe kishim shumë besime, të cilat janë poashtu të natyrshme dhe joracionale, për shembuj s’kemi nevojë të kërkojmë gjatë. Ose, së paku te gjykimet e lartpërmendur primitive vëzhgimore, a ekziston fare një paaftësi për ta besuar të kundërtën përkatëse, e cila e bën të tepërt testimin e një besimi të tillë, meqë ne në këtë rast duket se s’kemi mundësi të jemi të gatshëm për ndryshime? Mirëpo, ne mund të gabojmë lehtë lidhur me aftësinë ose paaftësinë tonë të besimit, dhe puna ka nevojë për ritestim dhe kjo e krijon një regres të pa fund në metashkallë. (Këto tipare dhe tipare të ngjashme i kam vlerësuar më herët, para së gjithash nën 3), por këtu ato po futen përsëri padashur për plotësimin e vendit të lirë në eksplikim.) Njëmend është qartë se me një kërkim të tillë nuk ecim përpara. Te ky propozim (7) si theksim të mëtejshëm duhet marrë me mend këtë që vijon: Pikërisht këto propozicione, kundër të cilëve dhe për të cilët nuk flet asgjë, janë propozicionet e mirëfillta testimi. Çfarë kuptimi ka t’i testojmë hipotezat deri tani të patestuara ose të testuara pamjaftueshëm në propozicione, të cilat nga ana e tyre janë krejtësisht të patestuara, meqë në të vërtetë kundër tyre dhe për to s’flet asgjë?
b) Çfarë do të thotë kjo “përsakohë që nuk flet asgjë kundër”? Natyrisht duhet të thotë: “përsakohë që s’flasin argumente, kundërshtime, instanca kundër, të cilat për bazë kanë një dije, gjykime të testuara pozitivisht, të provuara si të përshtatshme, të vërtetuara etj., ose së paku diçka që flet për to”. (Nëse nuk e vendosim paraprakisht këtë kualifikim epistemik të asaj që flet kundër, mund të sajonim sipas qejfit kundërargumente, kundërinstanca etj.) Por atëherë rezulton përsëri problemi se si është e mundur që, pa rënë në një regres të pa fund, ta japim dijen, gjykimet e testuara pozitivisht, atë që flet për, të cilat për bazë kanë argumentet që flasin kundër, kundërshtimet dhe instancat. Kjo bëhet edhe më e qartë nëse e sjellim kundërformulimin përkatës: “një propozicion vëzhgimor ka nevojë për testim, nëse flet diçka kundër tij”. Duke e dhënë atë që flet kundër, biem në regresin e pa fund, sepse është e detyruar të ketë për bazë një dije, gjykime të testuara pozitivisht etj.
Veç kësaj po e përmend se te një formulim si “propozicionet vëzhgimore duhet testuar vetëm atëherë, nëse te ato paraqitet një dyshim i arsyetuar” duket edhe më dukshëm legjitimimi i metodës dogmatike. Sepse në këtë formulim special lejohet të besuarit derisa të mos paraqitet një dyshim i arsyetuar. Por tani natyra e dogmatikut është e tillë që te ai s’paraqitet as ndonjë dyshim e as ndonjë dyshim i arsyetuar, kështu që ai me këtë e merr një legjitimim që të ngul këmbë përgjithmonë në besimin e vet.
Nuk është për t’u çuditur që Musgrave duke marrë parasysh arbitraritetin e tezës (7) mbrojtjen e saj të mëtejshme e sheh si të domosdoshëm me anë të një argumenti të teorisë së evolucionit: Sipas këtij argumenti teoria e evolucionit tregon se sistemi njerëzor i shqisave zhvillohet për të sjellur informata mbi mjedisin dhe që një sistem i shqisave që do të jepte kryesisht informata të rreme do të eliminohej nëpërmjet selektimit natyror; prandaj mund të supozohet se shqisat tona na japin kryesisht informata korrekte për mjedisin, dhe se është racionale t’iu besojmë shqisave. Në një mënyrë të ngjashme naturaliste shpjegon Popper-i se shkenca e natyrës na tregon se kemi në dispozicion një aparat shumë kompleks për deshifrimin e sinjaleve të mjedisit me shumë mekanizma të instaluar kontrolli, me anë të të cilit mënjanohen shumë prej gabimeve tona të deshifrimit, kështu që ne në rastet e të ashtuquajturit perceptim të drejtpërsëdrejtë gabojmë me të vërtetë vetëm rrallëherë [18] . Me këtë e kemi një mundësi interpretimi (8) për epërsinë e propozicioneve vëzhgimore. E Musgrave menjëherë vëren rrethin në mbrojtjen e tij të (7) me anë të (8): “Shqisave në pjesën më të madhe mund t’iu besojmë dhe prandaj është racionale të bësojmë në teorinë e evolucionit; është racionale për të besuar në teorinë e evolucionit, prandaj shqisave mund t’iu besojmë në pjesën më të madhe.” [19] Megjithatë mendon ai se një qëndrim ndaj eksperiencës së shqisave si në (7) dhe teoria e evolucionit “e mbështesin njëra-tjetrën”. Mua s’më është e qartë se çfarë rezultati duhet arritur me këtë. Në të vërtetë është thënë vetëm se ato dy koncepcione logjikisht shkojnë me njëra-tjetrën (që do të ishte e mjaftueshme vetëm te një model koherence i një vërtetimi reciprok): Në qoftë se shqisat tona lidhur me mjedisin na informojnë kryesisht në mënyrë korrekte (dhe ne e dimë këtë, duhej shtuar), atëherë është racionale t’i besojmë perceptimit shqisor. Por, e si arrijmë te kjo dije lidhur me efektshmërinë e shqisave tona? Siç duket te ajo duhet të vijmë nëpërmjet dëshmisë empirike dhe shkencore-natyrore. E kjo presupozon një besim në perceptimin shqisor. Prej nga mund ta marrim një besim të tillë, në qoftë së së pari duhet ta hulumtojmë efektshmërinë e shqisave tona në mënyrë empirike? Së paku, për një hulumtim të tillë na duhet të presupozojmë se (në disa raste) ekziston dija e perceptimit ose sidoqoftë ekzistojnë argumente të mira empirike; te çdo gjykim perceptimor që e vendosim si instancë testimi, pretendojmë për një dije ose të paktën për një gjykim racional dhe të dëshmuar si i përshtatshëm etj., i cili shërben si bazë e një argumenti të mirë. Pra, në qoftë se me anë të hulumtimit empirik në kuadër të kërkimit të shkencave të natyrës se ekziston një dije perceptimi përkatësisht se ekzistojnë argumente të mira prej perceptimit, atëherë me këtë projekt atë që është problematike, atë që po diskutohet, që domethënë ka dije të perceptimit përkatësisht argumente të mira të perceptimit dhe se ne i kemi në dispozicion, tashmë e presupozojmë si diçka konstitutive për këtë hulumtim, pa qenë mundësia të përmirësohej statusi epistemik i asaj që është presupozuar në këtë mënyrë. Kjo natyrisht jep një situatë qarkore të një lloji veçanërisht të papëlqyeshëm. Kërkimi empirik mund të tregojë se si realizohet dija e perceptimore dhe gabimet perceptimore etj., por jo që ekziston në përgjithësi një dije e tillë, e fare se nuk ekziston një e tillë (kjo e fundit to të thoshte një kontradiktë pragmatike për të cilin mund t’i akuzonim konstruktivistët).
Albert-i ndaj akuzave të tilla për rreth thekson se mund të kritikohen dhe janë kritikuar supozimet epistemologjike si p.sh. ato të sigurisë dhe të lirisë nga teoria e gjykimeve perceptimore, me anë të rezultateve të shkencave reale, si pikërisht p.sh. të hulumtimit të perceptimit, i cili e demonstron domethënien e qëndrimeve teorike për formimin e gjykimeve perceptimore. [20] Kjo na e mbush mendjen me aq sa pohimet epistemologjike shpeshherë janë pohime pamundësie, të cilat mund t’i kundërshtojmë me anë të pohimeve të kundërta të faktit (por edhe me anë të pohimeve të kundërta të mundësisë); këtu s’mund ta bëjmë me fjalë një rreth. (Shembulli i dhënë në të vërtetë nuk është aq tërheqës. Empiristët nuk pohojnë një liri nga gabimi dhe hipotezat të gjykimeve perceptimore, nëse këta i kuptojmë në kuptimin e zakonshëm, për më tepër ata nisen nga faktet e iluzioneve perceptimore dhe kërkimi perceptimor e zgjeron vetëm rrethin e iluzioneve të tilla. Disa empiristë prapëseprapë e pohojnë një liri nga gabimi dhe hipotezat te disa gjykim mbi ndjesitë ose të dhënat shqisore, dhe në qoftë se “të perceptuarit” e përkufizojmë në mënyrë joadekuate me përdorimin e gjuhës si diçka që referon vetëm në të dhëna shqisore, atëherë një të perceptuar i tillë, që është baras me të vërejturit e të dhënave ndjesore, mund të kuptohet gjithashtu si i lirë nga gabimet dhe hipotezat. Dhe kundër një teze të tillë iluzionet e njohura dhe më pak të njohura të perceptimit në kuptimin e zakonshëm të fjalës nuk do të thonë ndonjë kundërshtim; më tepër lidhur me këtë shih më poshtë.) Mirëpo unë parimisht mendoj se i janë hequr disa kufij kritikës së tezave epistemologjike me anë të shkencave reale empirike. E si mund të kritikohet për shembull një tezë si “Nuk ka dije perceptimi” në saje të kërkimit empirik, ku në të vërtetë kërkimi empirik dhe në përgjithësi çdo hulumtim empirik, me aq sa nuk vepron në mënyrë të pastër introspektive, duhet të presupozojë në mënyrë të thjesht kundërtezën e tezës përkatëse, kështu që teza bazë është poashtu e diskutueshme sikurse teza? Edhe një tezë si ajo se te përpjekjet tona të njohjes në përgjithësi kemi sukses, s’mund të dëshmohet në rezultatet e shkencave reale (në fund të fundit kozmologjike), sepse çdo dëshmi e tillë e presupozon atë që është në diskutim, domethënë faktin e një suksesi të njohjes, si diçka konstitutive për të, dhe ajo që është presupozuar s’ka status më të mirë epistemik, sesa teza e diskutueshme me të njëjtën përmbajtje. Poashtu edhe realizmi, d.m.th. supozimi se ka sende të jashtme të pavarura prej subjektit, gjendjet e të cilave te subjekti mund të shkakëtojnë ndjesi, një tezë, që presupozohet thjesht në secilën shkencë reale, kështu që rezultatet e tyre s’mund të kontribuojnë asgjë për vërtetimin ose kritikën e kësaj teze [21] . Për më tepër, kjo tezë mund të bëhet e arsyeshme duke treguar se pohimi (singular) i një gjendjeje të një sendi të jashtëm shërben si hipotezë shpjeguese për shfaqjen e rregullt senzuale ose intersenzuale të ndjesive dhe prandaj në vlerën e saj të njohjes ndaj hipotezave alternative (nëse fare, d.m.th. nëse nuk vlen argumentimi skeptik i Berkeley-t i barasvlefshmërisë) mund të vërtetohet në suksese të prognozave lidhur me paraqitjen e ndjesive (ose përjetimeve të formës). Kjo do të thotë se supozimet realiste të sendeve të jashtme si shkakëtues nuk i shpjegojnë ligjet e perceptimeve, sepse çdo perceptim (i jashtëm) në gjykim perceptimor tashmë presupozon një supozim (singular) realist si dhe tezën e përgjithshme të realizmit, por ato shpjegojnë (nëse fare) ligjet e përjetimeve (subjektive) shqisore. – Për plotësimin e kësaj që u diskutua këtu po e përmend gjithashtu se Albert-i në një vend tjetër i vë cirkularitetet e tilla si të pashmangshme dhe bile – nëse shkëputemi nga të menduarit arsyetues – si joproblematike, për arsye se do të mund ta merrnin karakterin e rrathëve si rregull. [22] Unë një thënie të tillë mund ta interpretoj vetëm si një hedhje poshtë të parimit të testimit të njëanshëm dhe si një pranim të parimit të testimit përkatësisht të vërtetimit reciprok dhe me këtë të modelit të koherencës të testimit, meqë këtë mund ta marrim edhe nga parashtrimet e Musgrav-it. Megjithatë, nëse modelin e koherencës, të cilin tashmë e kam kritikur, e marrim seriozisht, atëherë s’kemi nevojë t’i harxhojmë përpjekjet e epërsisë së propozicioneve vëzhgimore (1) deri (8), sepse të gjitha kanë për bazë një parim të testimit të njëanshëm që detyrimisht çon në probleme regresi. – Me këtë e kam përfunduar kritikën time skeptike: S’mund të dëshmohej një pikë të ndërprerjes racionale të procesit të testimit te propozicionet bazale ose ato vëzhgimore në kushtet e racionalizmit kritik.
Megjithatë, shqyrtimi i epërsisë epistemike i propozicioneve vëzhgimore s’do të ishte i plotë po të mos sqarohej roli, të cilin e luajnë aty përjetimet. Edhepse për Popper-in dështimi i teorive në propozicione bazale do të thotë dështim në eksperiencë dhe se eksperienca është shumë vështirë e imagjinueshme pa përjetim, Popper-i ka antipati për arsyetimin me anë të përjetimeve: “Ato mund ta arsyetojnë një propozicion bazal po aq pak, më sa një goditje me grusht mbi tavolinë.” [23] (Kësaj duket t’i përgjigjet se propozicionet bazale kuptohen si propozicione mbi të vrojtueshmen, e jo mbi vrojtime.) Por kjo poentë që, siç duket qartë, drejtohet kundër një pozitivizmi të asaj që është e dhënë në mënyrë të drejtpërsëdrejtë, s’mbush mendjen duke mos marrë parasysh atë se edhe “vendimet” bazale të Popper-it mund t’i krahasonim me një goditje me grusht mbi tavolinë. Kush vrojton diçka, ai veç tjerash ka edhe përjetime shqisore (ndjesi dhe ndjesi të formës); një propozicion vëzhgimor referon jo vetëm në kualitete të objekteve të jashtme, por së paku në mënyrë implicite edhe në përjetime shqisore. Propozicionet vëzhgimore në përgjithësi, d.m.th. te vrojtuesit që janë njëjtë të mirë, parapëlqehen para propozicioneve mbi thjesht të vrojtueshmen lidhur me objektin e njëjtë të jashtëm. Në këtë shprehet një parim themelor i empirizmit. Propozicionet vëzhgimore sipas mendimit tim përmbajnë në mënyrë implicite gjykime lidhur me përjetimet shqisore, te të cilat s’mund të gabojmë ose të shumtën mund të gabojmë vetëm në raste të ndërmjetme dhe ekstreme. Është së pari kjo siguri kundër gabimit që del analitikisht-konceptualisht e gjykimit të përjetimit, që u jep propozicioneve vëzhgimore bësueshmërinë e tyre të veçantë kundrëjt atyre për atë që vetëm mund të vrojtohet, megjithë përmbajtjen e tyre tjetër teorike. Epërsia e propozicioneve empirike të testimit s’mund të bëhet pa këtë faktor; nëse përjashtohet kjo evidencë përjetimi, atëherë te çdo testim ndaj njëra-tjetrës qëndrojnë vetëm edhe pohimet teorike e një epërsi të propozicioneve empirike të testimit duket të jetë vetëm një akt i vullnetshëm (e te Popper-i është vërtetuar kjo përshtypje).
Në shkollën e Popper-it i takojmë tezat e tilla për evidencën e përjetimit siç e përmendëm kryesisht me tezën e varësisë së perceptimit nga teoria: eksperimentet perceptimore do të tregonin se përjetimet shqisore janë të varur nga teoria dhe se s’mund të izolohen nga gjendja teorike në të njëjtin perceptim. [24] Megjithatë, sipas mendimit tim eksperimentet e tilla tregojnë vetëm se në të njëjtin konstelacion-të-ngacmimit-të-jashtëm supozimet e ndryshme teorike të sfondit lidhur me sjelljen e objekteve të jashme në mënyrë kauzale mund të shkakëtojnë përjetime të ndryshme forme në atë që percepton dhe se supozimet e tilla (pjesërisht të lindura) sfondi në mënyrë kauzale mund të shkakëtojnë përjetime forme, të cilat s’janë të arsyeshme për konstelacionin-ngacmim dhe të cilat çojnë në iluzione perceptimi përkatësisht në gjykime të gabuara perceptimore mbi kualitetet e objektit të jashtëm; por me këtë s’është thënë asgjë kundër sigurisë për mosmundësi gabimi lidhur me gjykimet e përjetimeve të formës.Varësia kauzale e përjetimeve dhe e gjykimeve të përjetimit lidhur me ekzistimin e supozimeve të tilla sfondi nuk thotë se tani gjykimet e përjetimit i presupozojnë në mënyrë logjiko-semantike ose i implikojnë këto supozime sfondi, dhe se kështu bëhen gjykime hipotetike. Më tutje duhet thënë se përjetimet shqisore bashkë me përjetimet e formës mund të izolohen në çdo kohë në mënyrë konceptuale; nëse ne p.sh. i analizojmë iluzionet shqisore deri te halucinacionet dhe ëndrra, na duhet të dallojmë mes përjetimeve shqisore, qualiteteve të objektit të jashtëm, lidhjeve kauzale mes tyre, gjykimeve mbi qualitetet e jashtme, mbi përjetimet shqisore dhe mbi lidhjet e tyre kauzale etj. Unë, pra, e akceptoj tezën e varësisë së perceptimit përkatësisht të gjykimit të perceptimit nga teoria, e cila del tashmë nga karakteri i tij i një gjykimi kauzal të referuar në objekt të jashtëm, por nuk e pranoj tezën e varësisë së përjetimit përkatësisht të gjykimit të përjetimit nga teoria, nëse me “varësi” duhet nënkuptuar diçka semantike e jo vetëm diçka kauzale.
T’i kthehemi tani ballafaqimit të Popper-it të propozicioneve vëzhgimore dhe të propozicioneve mbi atë që mund të vrojtohet (të propozicioneve bazale). Në njërën anë ai thotë se propozicionet bazale duhet të jenë të kontrollueshme në vrojtim (gjë që në të vërtetë implikon: në një gjykim vëzhgimor), dhe kjo tingëllon krejtësisht në mënyrë empiristike; mirëpo në anën tjetër thotë se propozicioni (=propozicioni vëzhgimor, perceptimor) “Shoh se tryeza këtu është e bardhë” nuk tregon përparësi epistemologjike kundrejt propozicionit (=propozicionit bazal) “Tryeza këtu është e bardhë” (kjo “këtu” e kuptuar si shkurtesë për një vend hapësinor dhe kohor), domethënë se nuk qenka më i sigurtë. [25] Kjo e fundit sidoqoftë mua më duket antiempiriste, edhepse duhet pranuar se në propozicionin vëzhgimor në mënyrë përmbajtësore pohohet më shumë, sesa në propozicionin bazal (dhe pse të jetë atëherë më i sigurt?). Megjithatë, mendoj se testimi empirik në fund si për bazë e ka faktin se faktet e botës së jashtme reale janë të lidhura në mënyrë kauzale me disa pika me qëndrimet e besimit të subjekteve; këto pika janë përjetimet shqisore, lidhja kauzale krijohet me anë të përjetimit shqisor. Ky është supozimi që është bazë e idesë sonë për testimin empirik. Ne, thënë poperianisht, kemi parashikime gjithmonë të lindura ose të mësuara lidhur me mënyrat e sjelljes të objekteve të jashtme dhe i vërtetojmë ose i korigjojmë këto parashikime me anë të gjykimeve tona perceptimore. Këto mënyra sjelljeje (kjo mbase s’është nënkuptuar në mënyrë poperiane, por sigurisht në mënyrë kritike-realiste) në fund të fundit janë mënyra të dukjes d.m.th. gjendje në objektin e jashtëm, të cilat në një mënyrë të caktuar dhe në rrethana të mëtejshme të caktuara te subjektet shkaktojnë një filan shfaqjeje të rregullt të përjetimeve shqisore (të dhënave shqisore) në një ose më shumë fusha shqisore. Në gjykimin perceptimor e regjistrojmë këtë shfaqje të vetvetishme, të rregullt të përjetimieve dhe të dhënave shqisore (rrallëherë është një të vërenjtur eksplicit) dhe në të njëjtën kohë e pohojmë ekzistimin e gjendjes së jashtme, nëpërmjet të së cilës shkakëtohet paraqitja e përjetimeve. (Një analizë më e përafërme do të dilte si e ndërlikuar.) Sidoqoftë testimi empirik është i mundshëm vetëm me aq sa objektet reale shkakëtojnë përjetime shqisore, të cilat regjistrohen, dhe atë që mund ta quanim mënyrë e dukjes (përkatësisht dukje konkrete) e një objekti real, gjithashtu s’mund ta rekonstruktojmë pa përjetimet shqisore dhe të regjistruarit e tyre. Nga kjo del pozita epistemikisht e parapëlqyer e gjykimeve perceptimore para gjykimeve lidhur me atë që është vetëm e vrojtueshme dhe për këtë arsye gjykimet perceptimore mund t’i arsyetojnë gjykimet mbi atë që mund të vrojtohet. Albert-i, veç tjerash, krejt në kuptimin e asaj që u tha këtu, thekson se “informacionet” senzorike që hyjnë në perceptim interpretohen si shenja kauzale te lëndëve reale: Aty hartohen gjithnjë hipoteza interpretimi dhe kontrollohen nën përdorimin e sinjaleve senzorike që vijnë. [26] Mirëpo, kjo analizë presupozon se në perceptim regjistrohen të dhëna shqisore, d.m.th. janë objekt i qëndrimeve të besimit. E dhëna shqisore në perceptim jo vetëm që transhendohet, por në një mënyrë edhe konstatohet, e këto “konstatime” janë ato, të cilave iu atribuojmë evidencë dhe gjëra të ngjashme. Të dhënat shqisore, siç u tha edhe më lart, e formojnë eksplanandumin e mirëfilltë për supozimet shpjeguese të sendeve të jashtme dhe gjendjeve të jashtme. Fundja, fakti se në të gjitha gjykimet përdoren koncepte të përgjithshme – “transhendenca e paraqitjes” – nuk do të thotë se të gjitha gjykimet duhet kuptuar si gjykime hipotetike, siç mund ta marrim vesh ndoshta nga parashtrimet e Popper-it dhe të Albert-it. [27] Përdorimi i koncepteve të përgjithshme në gjykimet e përjetimit nuk çon në një kundërshtim kundër sigurisë së tyre se s’gabojnë.
Unë në atë që u tha më lart s’dua ta vë në dyshim tezën bindëse të varësisë nga teoria, se perceptimi dhe gjykimi perceptimor në vete mbajnë teori. (Po kush nga empiristët në të vërtetë e vë në dyshim këtë, përveç në qoftë se ekziston një përkufizim arbitrar i ri për “perceptimin”, gjë që natyrisht ai është i lirë ta bëjë?) Atë që e perceptojmë përkatësisht e vrojtojmë në objektet e jashtme janë veti dispozicioni, që në vete përmbajnë një sjellje të ligjshme të objektit. (Popper-i këtë e ka vënë heret në dukje në saje të shembullit “këtu qëndron një gotë me ujë”. [28] ) Për këtë arsye gjykimet perceptimore janë të lidhura me parashikime lidhur me sjelljen e mëtejshme të objektit nëse paraqiten kushtet e caktuara (te gota e vrojtuar me ujë presim gjithçka, edhe pse reagime relativisht të thjeshta fizike dhe kimike). Fakti se gjykimet perceptimore në vete mbajnë teori, mund të rritet arbitrarisht në përputhje me dijen dhe stërvitjen e vrojtuesit. Shembulli i dhënë më lart i tregimit të orës është vrojtim i përditshëm, ne mund të shkojmë më lart në mënyrë arbitrare. Mirëpo, meqë tani në racionalizmin kritik s’mund të jepet një epërsi e mjaftueshme e propozicioneve empirike të testimit, në të vërtetë nëse e sodisim në mënyrë konsekuente këtë mënyrë të të menduarit, në një testim empirik në të vërtetë mund të qëndrojnë përballë njëra-tjetrës vetëm teoritë; në njërën anë hipotezat e ligjit, e në anën tjetër hipotezat singulare, të cilat presupozojnë hipoteza të ligjit, ku hipotezat singulare, të cilat janë propozicione bazale, paraqiten me një drejtpërdrejtshmëri dhe automatikë të caktuar (që në të vërtetë s’do të ishte një epërsi epistemike). Tani këtu përsëri do të ishte afër mendësh ta kuptojmë testimin empirik vetëm si përcaktim koherence përkatësisht inkoherence, si mënjanim inkoherence, krijim koherence, mirëpo nga kjo s’do të dilnin si një metodë racionale korigjimi i gabimeve, eliminimi përkatësisht modifikimi i hipotezave të gabuara ose bile një afrim ndaj të së vërtetës, së cilës gjë i jep rëndësi shkolla e Popper-it. Puna është për hedhjen poshtë të hipotezave me anë të propozicioneve bazale, për dështimin e tyre në eksperiencë, përkatësisht për rezistencën e tyre ndaj përpjekjeve për hedhje poshtë (ose kritikë), me çfarë presupozohet një parim i njëanshëm testimi. Mirëpo, për këtë duhej të ishte i zgjidhur problemi i bazës, d.m.th. duhet të tregohet një karakter i dijes ose i racionalitetit të propozicioneve bazale, pa provokuar me këtë regrese infinite ose dogmatizëm. Vetëm në saje të kësaj mund të tregohej se është racionale të mos i pranojmë hipotezat e hedhura posht, e hipotezat e provuara si të përshtatshme t’i akceptojmë dhe t’ua vëmë këto për bazë prognozave e kështu me radhë. Nëse mund të tregohet kjo ose madje nëse në ndonjë mënyrë mund të përfundojmë një në afrim ndaj të vërtetës, kjo është gjithashtu e diskutueshme (kjo do të na çonte te problemi i induksionit) [29] . Për kontekstin tim është e mjaftueshme se duhet të mbetet e paqartë se si duhet të bëhet një epërsi e propozicioneve bazale ose e propozicioneve empirike të testimit të ngjashme me ato. (Tanimë vetëm karakteri hipotetik i propozicioneve bazale mjafton për probleme regresi, e ai me të vërtetë s’mund të eksplikohet.)
Sa i përket ngarkimit të gjykimeve perceptimore me teori, këto siç duket mund t’i pakësojmë në mënyrë sukcesive duke shkuar deri te ato veti përkatësisht deri te ato gjendje të perceptueshme primitive të objekteve të jashtme, të cilët shërbejnë si ngacmime përkatësisht të cilët e shkakëtojnë ngacmimin shqisor, d.m.th. kualitetet e jashtme të mirëfillta që i shkakëtojnë ndjesitë, siç duket qartë ose në dukje intuitive si “kuq”, “i rrumbullakët”, “i ngurtë”, “me zë”, “i ngrohët”. Mirëpo edhe këto kualitete janë dispozicionale, ato kanë të bëjnë me mënyrat shqisore të dukjes së objekteve të jashtme: Disa gjendje të objekteve të jashtme, në rrethana të caktuara të mëtejshme, në kushte normale shkakëtojnë një shfaqje të rregullt sensualisht ose intersensualisht të përjetimeve shqisore. Nëse tani duam ta arrijmë një dije të sigurtë lidhur me praninë e këtyre kualiteteve që shkakëtojnë ngacmim te objekti real, duhet t’i kontrollojmë së pari ligjet e shkakëtuara të përjetimit (këtu kërcënon regresi i parë infinit) dhe na duhet ta rishikojmë ekzistencën e kushteve normale përkatësisht në këtë rast të kushteve të posaçme jonormale në rast konkret dhe ligjësitë e përgjithshme që janë si bazë e kësaj, gjë që mund të ndodh vetëm në bazë të gjykimeve të mëtejshme perceptimore, për të cilat na duhet ta konstatojmë të njëjtën gjë (regres infinit ose rreth). Veç kësaj lidhur me statuimin e kushteve normale mund të hyjë në lojë përsëri jashtzakonisht shumë teori e “lartë”; se sa mjafton kjo, këtë s’mund ta vlerësojmë. P. sh. pohimet si “se ne nuk jetojmë në një realitet të mundshëm” ose “që se nuk jemi trurë në sternë” iu takojnë supozimeve të kushteve normale, e pohimet e tilla janë shumë teorike, ato e negojnë kamjen e vetive shumë teorike. Gjendja është po e tillë edhe me supozimet e presupozuara këtu lidhur me funksionimin e sistemit nervor dhe të aparatit të shqisave. Shkenca, pra, jo vetëm që mund t’i vërtetojë dhe t’i dallojë supozimet tona natyrore mbi kushtet normale, por edhe t’i korigjojë në mënyrë të ndjeshme, e si, kjo s’është e parashikueshme. (Natyrisht mund të ekzistojnë teori të lindura të organizimit tonë të perceptimit, te të cilat aftësia jonë për korigjim has në kufijë; krah. lidhur me këtë shënimin 10) Pra, për një pakësim të vërtetë të ngarkimit me teori edhe te kualitetet që shkakëtojnë ngacmim s’mund të bëhet fjalë. Edhe këtu vazhdojnë të ekzistojnë problemet e testimit. Duke mos e marrë parasysh këtë, e gjithë ajo që po them këtu në të vërtetë tingëllon krejt sipas fjalorit të Popper-it, mirëpo pikërisht në këtë theksim të përligjur poperian të asaj që është teorike në bazën empirike të statuuar te ai dalin në shesh në një mënyrë posaçërisht shembullore vështirësitë për zgjidhje të problemit të bazës. Unë nuk besoj se Popper-i dhe racionalistët kritik, sa i përket këtij problemi, kanë më pak halle, sesa empiristët tjerë.
Tani, a ka mundësi zgjidhjeje për problemin e bazës duke marrë parasysh situatën e parashtruar këtu? Ta shikojmë lidhur me një mundësi zgjidhjeje edhe një herë propozimin e teorisë së koherencës: Sipas këtij modeli me anë të mënjanimit sistematik të inkoherencave në sistemin e të besuarit dalëngadalë zhvillohet një kontekst koherent goxha stabil, por që zgjerohet gjithnjë, i supozimeve të shumtën e rasteve joeksplicite, jogjuhësore të sendit të jashtëm, të supozimeve ligjore mbi kushtet normale, të gjykimeve perceptimore lidhur me ekzistencën konkrete të kushteve normale dhe të gjykimeve perceptimore, të mirëfillta, të koordinuara mes vete të fushave të ndryshme shqisore mbi sendet e jashtme. Nëse gjykimet perceptimore dhe vëzhgimore që hyjnë rishtas futen në mënyrë koherente në kontekstin e deritanishëm, atëherë aty qëndron testimi, vërtetimi i tyre pozitiv etj., pa qenë e nevojshme që kjo të kërkonte një proces të mëtejshëm testimi; nëse ato nuk futen, atëherë ato duhet modifikur ose konteksti i deritanishëm i gjykimit derisa të paraqitet persëri koherenca stabile. Mirëpo, një metodë e tillë tashmë brenda kësaj bote të përditshme të perceptimit mund të çojë edhe te supozimi i gjykimeve pak të besueshme perceptimore, me aq sa këto gjykime i shkojnë përshtati në mënyrë përmbajtësore vetëm kontekstit të deritanishëm të të besuarit: Nëse një njeri, me qëllim që t’i ruajë shprehitë dhe paragjykimet e tij të dyshimta perceptimore beson edhe gjykime të mëtejshme të dyshimta perceptimore, dhe në këtë mënyrë dalëngadalë krijohet një kontekst koherent i supozimeve që bëhen gjithnjë e më fantastike, të cilët domethënë “e vërtetojnë njëri-tjetrin”, atëherë një metodë e tillë sipas parimit të testimit të teorisë së koherencës duhet të duket si metodë racionale. Gjithashtu, sipas këtij parimi “një dogmatiku instinktiv”, që e ka dhuntinë t’i pranojë vetëm gjykimet perceptimore që i shkojnë përshtati vetëm sistemit të besimeve të tij dhe t’i refuzojë të gjitha ato që i kundërshtojnë atij (pa marrë parasysh se a meritojnë besim apo jo), duhet t’i atribuojmë racionalitet. Pra, siç duket ne kemi nevojë për gjykime perceptimore dhe vëzhgimore që meritojnë për t’iu besuar, të cilat te kontrollimi i hipotezave janë të aftë të shërbejnë si instancë neutrale gjyqtari, megjithatë nga koherenca me hipoteza të parashtruara deri më tani nuk del një besueshmëri e tillë, pra karakterizimi i tyre duhet bërë ndryshe. Dhe në të vërtetë ky karakterizim, sipas asaj që u zhvillua mbi përjetimet, është afër mendësh.
Sipas kësaj, gjykimet e tilla perceptimore (që meritojnë për t’iu besuar) mund t’i kuptojmë si shpjegime (ose si kuntribute për shpjegime të tilla) të një shfaqjeje të përsëritur dhe të rregullt sipas koegzistencave dhe sukcesioneve të të dhënave përkatësishtë të përjetimeve shqisore të thjeshta ose si formë, subjektive (që i janë imanente vetëdijes) në një ose më shumë fusha shqisore, shpjegime këto, në të cilat kjo shfaqje e rregullt kuptohet si e shkakëtuar nga një gjendje specifike e një sendi të jashtëm dhe nga kushte të caktuara të mëtejshme të jashtme. Këto shpjegime vërtetohen duke u nxjerrë nga këto parashikime (prognozat) lidhur me shfaqjen e mëtejshme të rregullt të përjetimeve shqisore, e cila atëherë e konstatuar në hollësi në mënyrë të sigurtë ndaj gabimeve regjistrohet në qëndrimet e të besuarit të tipit “tash e kam filan përjetimi” përkatësisht “kjo është filan e dhëne shqisore”, kështu që ekziston një koherencë (përputhje) mes parashikimit dhe konstatimit. Gjykimet perceptimore, të cilat përmbajnë përpjekje alternative shpjeguese, të cilat pastaj hedhen poshtë në bazë të inoherencave mes parashikimeve të përjetimeve dhe konstatimeve të përjetimeve, dhe duhet supozuar se gjykimet e besueshme perceptimore, të cilat paraqesin përpjekje shpjeguese përkohësisht të suskseshme, të vërtetëuara mirë, janë formuar falë korigjimit konstant të përpjekjeve alternative shpjeguese sipas mostrës provë-gabim. Të gjitha këto procese shpjegimi dhe testimi, megjithatë vazhdimisht (me çdo gjykim të ri perceptimor e testojmë gjithashtu një gjykim të mëparshëm perceptimor) – të paktën te perceptimet primitive – zhvillohen sa është e mundur në mënyrë inekspl