KLINTON, KË TAKOI DHE KË JO?

Duke u munduar të jenë sa më orgjinale, mediat kosovare kishin pasur secila qasjen e tyre të veçantë, duke përdorur tituj, fotografi, hyrje tekstesh e imazhe të ndryshme televizive prej njëra tjetrës. Përpjekja për t’u dalluar kishte shkuar aq larg sa mediat kishin dhënë raporte kontradiktore lidhur me takimet e Klintonit me politikanët kosovarë

Kënd ka takuar Klinton prej politikanëve kosovarë gjatë vizitës së tij? Kjo pyetje ndonëse ka qenë me mjaft interes për opinion publik kosovar, ka mbetur jo vetëm e pasqaruar nga mediat, por duket se ato kanë kontribuar më shumë në mjegullimin e përgjegjes, duke u përpjekur „t’a takojnë“ ish presidentin amerikan me gjithë spektrin politik kosovar.
E vërteta ndërkaq duket të ketë qenë ndryshe.
Sipas Hajredin Kuçit, organizatorit kryesor të vizitës së Klintonit, ish-presidenti amerikan është takuar në një takim të veçantë vetëm me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në dhomën të cilën e ka ofruar Universiteti. Sipas Kuçit, ky takim ka zgjatur më shumë se 30 minuta. Të gjitha ato që u quajtën takime, shkëmbim mendimesh, shtrëngim duarsh, etj, me politikanët tjerë, kanë ndodhur në hollin e sallës së Fakultetit Filologjik, duke qëndruar në këmbë, në koktejin e organizuar para ceremonisë së shpalljes doktor. Ajo që nuk u tha ishte: me kënd nuk u takua Klinton dhe kush nuk ishte në ceremoninë në F.Filologjik. E aty nuk ishin: Agim Çeku dhe Harri Holkeri.
Gazeta Zëri kishte cituar zëdhënësen e UNMIK-ut Karlovic, duke thënë se takimi i Klintonit me kryeadministratorin Holkeri kishte qenë një takim privat.
Duke u përgjegjur për Javën, Karlovic ka përsëritur se ky takim ka qenë privat, sepse „kjo nuk ishte vizitë zyrtare“.
„Ata njohin njëri tjetrin dhe ky ka qenë takim privat“, ka thënë Karlovic.
Arsyeja pse Holkeri nuk ka qenë prezent në sallën e fakultetit, sipas Karlovic, ka qenë fakti se Holkeri ka pasur takime dhe obligime tjera gjatë ditës.
„Ai kishte takuar Klintonin më herët, ndërsa më vonë kishte obligime tjera“ ka thënë Karlovic.
Sipas Zërit, Holkeri ka takuar në ditën e vizitës së Klintonit gjeneralin Çeku, ndërsa sipas një burimi, takimi i mbajtur në ora 11, me gjithë kërkesën e Çekut, nuk është shtyrë për më vonë.
Kjo ka qenë arsyeja, sipas burimit, e mosprezencës së Çekut në festën e përgatitur në Universitet, ku Klinton ishte shpallur doktor nderi.
„Nuk mund të rikujtoj në këtë moment me kënd është takuar Holkeri (në ditën e vizitës së Klintonit), por mund të them se Holkeri ka qenë tepër i zënë dhe agjenda e tij ka qenë tepër e ngarkuar“, ka thënë ndërkaq Karlovic.
Mediat: Klinton takon të gjithë
Duke ngarendur secila për të përcjellur sa më mirë vizitën e presidentit Klinton dhe në mënyrë sa më orgjinale, mediat kosovare kishin pasur secila qasjen e tyre të veçantë, duke përdorur tituj, fotografi, hyrje tekstesh e imazhe të ndryshme televizive prej njëra tjetrës. Përpjekja për t’u dalluar kishte shkuar aq larg sa mediat kishin dhënë raporte kontradiktore lidhur me takimet e Klintonit me politikanët kosovarë. Natyrisht, më shumë se përpjekja për t’u dalluar, ishte interesi për të përfituar politikisht ai që bëri mediat kosovare të takojnë pothuajse gjithë spektrin politik kosovar me ish-presidentin amerikane dhe „presidentin e përjetshëm të zemrave shqiptare“, Klinton.
Kështu, Klinton u takua me Rugovën, Thaçin, Haradinajn, Nexhat Dacin, Bajram Rexhepin, Xhavit Halitin, përfaqësuesit e serbëve dhe minoriteteve tjera. Dhe ballinat, varësisht nga tendencat politike dhe ato profesionale të gazetave, u zbardhën me fotografi të ndryshme.
Epoka e Re, duke sjellur një fotografi të përpunuar/retushuar, ku shihen Klinton dhe Thaçi tek shtrëngojnë duart, por ku nuk shihet prapavija, jep titullin “Clinton: Besoj në vetëvendosje“. Sipas Veton Surroit, botuesit të Kohës Ditore, Epoka e re nga prapavija e fotos ka hequr Bajram Rexhepin, për t’i dhënë kështu rëndësinë më të madhe përshëndetjes Klinton –Thaçi. Sipas një burimi, nga fotoja është hequr edhe Veton Surroi vetë, që ishte prezent aty afër.
Epoka e Re, pasi jep thekse nga fjalimi i Klintonit, në fund të tekstit tregon për takimin e Rugovës me Klintonin, duke përkujtuar se ata janë takuar edhe më herët, në pranverën e vitit 1998, „pak ditë pas takimit të 15 majit 98 me Milosheviqin, ku u bënë disa poza problematike në lidhje me buzëqeshjet e tij të pakontrolluara“. Sipas Epokës së Re, „me Klintonin ka këmbyer mendime edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi“. Epoka e Re nuk thotë gjë për takimin, ose përshëndetjet e Klintonit me kryeministrin, kryetarin e Parlamentit ose të tjerët.
Po të njejtën ditë të vizitës së Klintonit, Radio Televizioni Publik i Kosovës, RTK, ka dhënë informacionin se ish-presidenti amerikan është takuar me kryetarin Rugova për 40 minuta dhe sipas RTK-së, e cila citon Kosovapress-in, ai është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Thaçin.
Bota Sot duke dhënë titullin, „Bill Klinton: Gjatë gjithë jetës do ta ndihmoj Kosovën“ ka dhënë një fotografi të prerë të zbritjes së Klintonit në aeroportin e Prishtinës, ku nuk merret vesh nëse ai me duart e hapura i është drejtuar masës që e përshëndet, apo Rugovës që ka dalur për ta pritur. Në tekstin rreth vizitës Bota Sot përmend që Klintoni ka takuar dy herë kryetarin Rugova, njëherë në aeroport dhe njëherë në Fakultetin Filologjik, dhe ka zhvilluar „blic biseda“ me liderë të tjerë të Kosovës. Edhe Bota Sot përmend faktin që Rugova kishte takuar Klintonin edhe më herët, në pranverën e vitit 1998, por nuk është zgjatur më tej. E vetmja Bota Sot ka pretenduar të japë fjalimin e plotë të presidentit Klinton, por nuk ka arritur ta bëjë këtë duke huqur disa paragrafe.
As Bota Sot, as Epoka si duket nuk janë përpjekur të sigurojnë më shumë informacione lidhur me takimet e Klintonit, dhe as që kanë cituar dikë, kur kanë transmetuar se Klintoni është takuar me këtë ose me atë
Koha Ditore, ndërkaq, ka dhënë fotografinë e plotë të zbritjes së Klintonit në asfaltin e aeroportit ku vërehet më mirë se ngazëllimi i tij nuk i është drejtuar aq shumë Rugovës sa masës së gazetarëve dhe atyre pak njerëzve që kanë pasur mundësine të futen në pistat e aterimit. Koha Ditore në titullin e saj i ka vënë theksin asaj pjese të fjalimit të Klintonit ku ai flet për marrëveshjen për ndërvarshmëri, duke përdorur shembullin e Izraelit dhe Palestinës. Titulli: “Për Kosovën, vetëvendosja vjen me kompromis, thotë Clintoni“, ka qenë më neutral, duke vënë theksin në dialogun dhe marrëveshjen që duhet pasur mes palëve (sipas stilit izraelito-palestinez), për të arritur zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Zëri, nga ana tjetër, ka qenë e vetmja prej 4 gazetave kryesore që nuk ka botuar në ballinë fotografi të Klintonit me ndonjërin prej politikanëve kosovarë. Për dallim, kjo gazetë në ballinë ka botuar një fotografi të Klintonit të përqafuar prej një djali të vogël dhe të rrethuar me masën e ekzaltuar. Titulli: „Bill Klinton: Për Kosovën do të bëj gjithçka që mundem deri në fund të jetës sime“, i gjason pak a shumë titullit të Botës Sot. Po ashtu, Zëri ka cituar zyrën e Presidencës për të konfirmuar lajmin e takimit „40 minutësh“ të Rugovës me Klintonit, dhe është përpjekur të marrë vesh më shumë nëse Klinton ka takuar Rexhepin dhe politikanët tjerë.

nga:
Jáva
Copyright www.agimi.com 2002