|
Vepra e Prof. Dr. Kristo Frashërit kushtuar jetës dhe
veprës së Skënderbeut, që opinioni ynë
shkencor dhe ai popullor e ka pritur prej kohësh nga historiografia
e sotme shqiptare dhe që u botua kohët e fundit, përbën
një ngjarje të rëndësishme në jetën
kulturore të vendit.
Përgatitja e një vepre si kjo, kushtuar një figure
si Skënderbeu, për të cilin janë publikuar më
shumë se 10'000 punime të gjinive nga më të
ndryshmet të krijimtarisë së mendjes njërëzore,
mund të arrihej vetëm pas një pune shumëvjeçare.
Sikurse shkruan vetë autori, vepra e tij nuk lindi në
një truall të virgjër, por në një terren
të pasur të historiografisë skënderbegiane,
që e ka bërë edhe më të vështirë
e më me përgjegjësi hartimin e saj. E mbështetur
në arritjet e kësaj historiografie dhe për më
tepër, e hartuar mbi një bazë më të gjerë
dokumentare, të grumbulluar nga autori e studiues të tjerë
gjatë disa dhjetëra vjetëve, kjo vepër, nga
informacioni i pasur që sjell, nga interpretimet, argumentimentet
shkencore dhe përfundimet që përmban, ngrihet mbi
punimet e botuara deri më sot për Skënderbeun në
vendin tonë e në botën e jashtme.
Analiza e kujdesshme e përmbajtjes së saj të çon
në përfundimin se autori i ka dhënë shkencës
shqiptare një vepër të mbështetur jo aq mbi
punimet e humanisëve, të Barletit e Biemmit, siç
kanë vepruar, përgjithësisht, shumica e autorëve
pararendës, por kryesisht mbi dokumentet historike, të
botuara e
të pabotuara. Kristo Frashëri ka kapërcyer si panegjerizmin
e romantizmin, që kanë karakterizuar historiografinë
humaniste të shek.XV-XVI, pasaktësitë e saj jo të
rralla në kronologjinë e ngjarjeve, ashtu edhe kufizimet,
kornizat e historiografisë shqiptare të 50 vjetëve
të fundit, që e kanë bërë këtë
ta trajtojë Skënderbeun vetëm si udhëheqës
të luftës çlirimtare të popullit shqiptar.
Në monografi bëhet një trajtim i gjithanshëm
i personalitetit të Gjergj Kastriotit, si udhëheqës
ushtarak e politik, si strateg e luftëtar i madh, si burrë
shteti i talentuar e me një vizion të gjerë për
kohën e për të
ardhmen e Shqipërisë, si themelues i Shtetit të bashkuar,
të përqëndruar kombëtar, si ligjvënës
e diplomat.
Kristo Frashëri paraqitet në këtë punim jo vetëm
si historian e studiues i epokës së Skënderbeut,
por edhe si biograf i tij. Me interes janë përfundimet
e tij për origjinën e Kastriotëve, një problem
aq i rrahur dhe i
diskutueshëm në historiografinë skënderbegiane.
Ai e vendos origjinën e Kastriotëve në fshatin Sinë
të bashkësisë krahinore të Qidhnës, në
Dibrën e Poshtme, brenda së cilës ndodhet edhe fshati
Kastriot. Për të arritur në këtë përfundim
autori, pasi bënë një analizë të hollësishme
të të gjitha mendimeve të shfaqura në historiografi
për origjinën e Kastriotëve, duke filluar nga legjendat
e deri te pikëpamjet e studiuesve të tillë të
Kastriotëve si Athanas Gegaj, F. Noli e A. Buda, mbështetet
në tre burime të rëndësishme, të cilat
vështirë të vihen në dyshim: te Gjon Muzaka
(Memoranda e tij), te humanisti italian Rafael Volanterano, bashkëkohës
i Skënderbeut (e quan Gjon Kastrioti ose Gjon Dibrani) dhe
te Barleti (që flet për viset e Dibrës ose viset
e Skënderbeut).
Prof. Dr. Kristo Frashëri, pas një pune qëmtuese
mbi të dhënat bibliografike e mbi ato të kronistëve
osmanë, u jep fund në veprën e tij, dilemave e pikëpamjeve
të ndryshme për rininë e Skënderbeut, ka nxjerrë
përfundimin se Skënderbeu ka qënë dorëzuar
peng nga i ati në oborrin e sulltanit në vitin 1423 në
moshën 18-vjeçare. Zgjidhja, që i ka bërë
autori kësaj çështjeje, jep në një farë
shkalle edhe një nga çelsat që shpjegojnë
ruajtjen te Skënderbeu të ndjenjave të atdhedashurinë
së zjarrtë, përkushtimin e tij të ardhshëm
ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar.
Në vepër sillen të dhëna për lidhjet e
Skënderbeut me Shqipërinë në pragun e Kryengritjes
të vitit 1443, që janë me interes, jo vetëm
për figurën e tij, por edhe për historinë tonë
kombëtare në përgjithësi.
I mbështetur në dokumentacionin osman (të publikuar
nga studiuesi i mirënjohur turk, Profesor Halil Inalçik),
autori nxjerr dy përfundime të rëndësishme për
gjëndjen e trevave shqiptare në ato vite: së pari
provon se në vitet 30-40 të shek.XV gjëndja në
trevat shqiptare ishte e acaruar dhe mjaft e përshtatshme për
shpërthimin e një kryengritjeje dhe së dyti, tregon
se Skënderbeu disa vite para kryengritjes, kishte vendosur
lidhje të shpeshta me Shqipërinë, se ai në vitet
1435-1437 duhet të ketë qënë spahi në tokat
shqiptare (në Dibër), se në vitin 1438 ai u caktua
subash i Krujës, ndërsa më 1443, në pragun e
Kryengritjes shqiptare e të Betejës së Nishit midis
turqëve e Huniadit, Skënderbeu, sipas Prof. Kristo
Frashërit, duhet të ketë qënë përsëri
në Shqipëri e pikërisht qeveritar në Dibër.
Autori arrin në përfundimin se kthesa e madhe, që
ndodhi në Shqipëri në vitin 1443 me kryengritjen
e Skënderbeut nuk nxorri në mënyrë të befasishme
Skënderbeun në skenën historike, se ai u përgatit
gjatë disa vjetëve për kthesën e vitit 1443,
se për këtë qëllim forcoi lidhjet me popullsinë
e vendit pa lënë pas dore edhe ato me botën e jashtme.
Ashtu siç pritej, vendin kryesor në këtë vepër
e zë personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti,
si udhëheqëspolitik (kryezot) i Shqipërisë dhe
drejtues e organizator i lëvizjes çlirimtare të
shqiptarëve, si komandant e strateg ushtarak, si diplomat e
njohës i gjëndjes ndërkombëtare në Gadishullin
Ballkanik e në Evropë dhe i pozitës së Shqipërisë
në atë konstelacion forcash. Talentin e tij si burrë
shteti, me një vizion të gjerë për misionin
historik, që kishte marrë përsipër të përmbushte
dhe për rrugët, që duhej të ndiqte për
realizimin e tij, për bashkimin e të gjitha forcave politike
e shoqërore shqiptare në luftën çlirimtare,
Skënderbeu e shfaqi sidomos me organizimin e Kuvendit të
Lezhës dhe me themelimin e Lidhjes së Lezhës, menjëherë
pas shpalljes së kryengritjes, në mars të vitit 1444,
të cilën autori e vlerëson si rifillim të procesit
të ndërprerë nga invazioni osman, të bashkimit
politik të sundimtarëve shqiptarë dhe të
zotërimeve të tyre në një shtet të përqendruar
e të bashkuar kombëtar.
Procesin e themelimit të shtetit shqiptar, të cilin e
vlerëson si veprën më të madhe historike të
Skënderbeut, autori e trajton me objektivitet dhe pa apologji
e panegjerizëm, si një proces gradual e të gjatë,
që vazhdoi të konsolidohet gjatë 25 vjetëve
të udhëheqjes skënderbegiane të lëvizjes
çlirimtare shqiptare. Ndërsa pushtimi i Shqipërisë
nga osmanët, pas vdekjes së Skënderbeut, cilësohet
nga autori si një goditje për shqiptarët, sepse ndërpreu
procesin më të rëndësishëm të historisë
mesjetare të një populli, formimin e shtetit kombëtar
pikërisht në pragun e realizimit të tij. Ky pushtim,
thekson ai, u kushtoi shqiptarëve nga pikëpamja e zhvillimit
historik, një vonesë pesëshekullore për të
themeluar shtetin e tyre të pavarur.
Me interes të veçantë është edhe përfundimi
që autori sjell për përmasat evropiane të veprës
së Skënderbeut, për kthimin e Shqipërisë
në një gardh, që pengoi për një çerek
shekulli kalimin e ushtrisë osmane në Gadishullin Italik
e më tej, duke mbrojtur qytetërimin evropian perëndimor.
Të dhëna me
interes sillen për flamurin e Skënderbeut, duke e përshkruar
atë hollësisht e duke provuar se ai është në
themel flamuri i ynë i sotëm kombëtar. Po kështu
përshkruhen stemat e Skënderbeut, portretet e tij, duke
përfshirë edhe një portret origjinal të kohës
së tij, atë të italianit Xh.Belini (G. Bellini,1466),
që ka ardhur deri në ditët tona, karakterizohet Skënderbeu
si njeri etj. Me vlerë janë edhe të dhënat e
hollësishme historike për qytetin e Krujës si një
qëndër e banuar iliro-shqiptare nga lashtësia (mijëvjeçari
i parë) e
deri në periudhën kur bëhet kryeqytet i Skënderbeut.
Nga kjo pikëpamje monografia, duke qënë një
vepër e mirëfilltë shkencore, mund të konsiderohet
edhe një enciklopedi për Skënderbeun.
22 Qershor 2003
|