DEMOKRATËT SIPAS DIKTATIT APO TË DIKTUAR
apo si t'jua tregojmë rrugën e Zotit kasnecëve shqiptarë në Maqedoni

Kur tek interpretimi dhe kuptimi i hapësirës politike në Maqedoni, të parimeve si dhe ligjësive të saja vepruese ndryshon shumëçka, këtë duhet përshëndetur si një shkallë të re të zhvillimit të mendimit kognitiv. Në gjuhën politologjike kjo nënkupton, se autori i këtij artikulli pati ardhur deri tek njohja “...për iluzionet e idealizmit politik dhe defetizmit shpirtëror të atyre që mundohen ta uzurpojnë dhe kolonizojnë sferën publike – sferën e politikës duke i keqpërdorur vlerat themelore demokratike”, që në sferën e një gazetarie të zhvilluar dhe kredibile vlen si një argumentim i dobët për platonistët e fundit tek të dyja komunitetet etnike në Maqedoni, që akoma i besojnë tezës, pa marrë parasyshë atë që ndodhi në Maqedoni, bota përreth nesh vlen si një ambient, ku duhet ti përshtatemi realitetit të ri, por në politikë edhe mëtutje duhet ta vazhdojnë karrierën politike “shpirtërat e korrumpuar dhe të degjeneruar prej vetë pushtetit politik”.
Vetitë themelore të politikanëve “të vjetër” dhe “të rinj shqiptarë” në Maqedoni janë këto: mungesë e përgjegjësisë së përgjithshme, mungesë sensibiliteti, mungesë dhimbsurie minimale për popullin shqiptar, aplikimi i vlerave siç janë tallja, kapriçio, batutat banale, ironizimi dhe ironia pa vend, provokimet e shëmtuara, prodhimi i sajesave dhe konditave të një spastrimi hesapesh me anë të ndeshjeve vëllavrasëse për motive dhe profit politik; mungesë serioziteti; mungesë e një sensi autokritik; ndotja e fjalorit politik me salca, tallje, shakara si dhe mungesa e një koncepti shqiptar; zgjidhja e problemeve në mënyrë romantike; aplikimi i strategjisë ku sajohen interesat e çastit; ngritja e flamurit kombëtar në mënyrë të verbërt; aplikimi i logjikës për mosndërhyrje, si dhe vazhdimi i thellimit të krizës së besimit te njerëzit (ku si prodhues të kësaj gjendje paraqiten vetë politikanët shurdharakë të dyja komuniteteve etnike).
Nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, simbol i kriminalitetit politik, social dhe ekonomik tek shqiptaret e Maqedonise. Prandaj kjo tregon që sidoqoftë, në ndërgjegjen e popullit shqiptar, në shtresimet e ndërgjegjes së tij ka filluar të zërë vend ideja e (mos)respektimit të institucioneve dhe populli shqiptar me plotë të drejtë dhe për shumë arsye, më tepër se kurrë kërkon të ketë shtet serioz, institucional, republikan të vërtetë dhe jo shtet me dokrra dhe me parulla shterpë siç qe Maqedonia gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit. Ideja evropiane shqiptare në Maqedoni duhet të jetë forcimi i sovranitetit shqiptar, sepse jeta e sotme në familjen evropiane, është garancia më e mirë në familjen evropiane dhe aleancën atlantike mundësisht është garancia më e mirë për sovranitetin. Janë të njohura rastet kur politikanët shqiptarë në Maqedoni, në Kosovë dhe Shqipëri disa herë ngrenë flamurin e sovranitetit, sa herë u interesonte të bëjnë gjëra jashtë kontrollit ndërkombëtar. Ne shqiptarët e Maqedonisë kemi përvojë të hidhur, ç'do të thotë ngritja e këtij flamuri në mënyrë të verbër disa herë. Kush do ta bart përgjegjësinë për ngritjen dhe uljen e flamurit herë pas here. Politikanët nuk merren me gjëra të kota, por politikanët merren me gjëra eo ipso luksoze. Pa CONSENSUS gjithëshqiptar (brenda dhe jashtë atdheut), perspektiva jonë në kuptimin e përgjithshëm (në përthithjen e "aditivave" të pluralizimit deokratik) të zhvillimit politiko-shoqëror, do të jetë e zymtë. Fatkeqësisht më së miri këtë sjellje të papërgjegjëshme e tregon ndërgjegjja e kalbur e "ELITAVE politike dhe intelektuale shqiptare". Kjo është "deviza kryesore" e "patriotizmit" dhe e "patriotëve", e "pedagogëve" të "politikës", të "shkencës", të "kulturës" dhe të "traditës së ndritshme" shqiptare: " Ata që marrin vesh në shkencë, në politikë dhe në çështjet vitale kombëtare, të izolohen, të mbahen në distancë..., se po qe se inkuadrohen në rrjedhat politiko-arsimore e shkencore, do t’na i prishin kurthat dhe planet mediokre grupore-klanore të nahijeve e mahallave të ndryshme...” “Biznisi” i çdo intelektuali të vërtetë shqiptar duhet të jetë mbrojtja dhe afirmimi i interesit kombëtar dhe shtetror shqiptar. Mundet të shtojmë, vetëm atë se akoma mbetet në lojë ideja politike e definuar si “Shqipëria etnike e coptuar në provincat e saja” në vend të “Shqipërisë etnike të bashkuar” – shtetit të përbashkët shqiptar. Kjo lojë do të luhet edhe gjatë këtij shekulli, për këtë nuk duhet dyshuar asesi.
Dyftyrësia politike e fshehur pas skizofrenisë politike
Në Maqedoni ka një skizofreni politike, një dyfytyrësi politike. Paradoksi rrinë fshehur tek këto të fundit – d.m.th. tek politikanët, që mundohen ta demonizojnë konkurrencën, e vendosin në sferën e së keqes, por nga ana tjetër dualizmin apo defenstracionin politik e shfrytëzojnë, për t’ia ngritur çmimin ofertës së tyre politike, që sipas kritereve të shkencës politike nuk mundet të vlejë si një ofertë politike por “si një tendencë për tu kthyer në politikë dhe për ta vazhduar kursin e vjetër të koalicionit që nuk posedon as strategji e as program politik se si duhet zgjidhur ÇËSHTJEN SHQIPTARE në Maqedoni”.
Asesi nuk janë duke e kuptuar – apo thënë ndryshe nuk duan ta kuptojnë, se po i shkaktojnë fatkeqësi popullit shqiptar dhe nuk duhet ta teprojnë atë që thotë populli, për zullumin e tyre duhet të mbartin përgjegjësinë. Nuk duhet ta teprojnë sepse populli shqiptar nuk meriton më vuajtje të tjera, njerëzit kanë shumë halle, shumë probleme, kanë shumë varfëri dhe nuk duhet të shtohet fatkeqësia e tyre. Kam frikën që lexuesit pas këtyre fjalive hyrëse mos të ma zenin për të madhe se dijë gjërat ti parashtroj vetëm në aspektin e nivelizimit abstrakt, ku argumentet e parashtruara rrinë të strehuara pas fjalëve boshe. Për ti ikur këtij moskuptimi do të mundohem, që në vazhdim gjërat ti trajtojë prej një “këndvështrimi të ri” – apo të shprehemi metaforikisht prej një “perspektive” që është e mveshur prej formës dhe përmbajtjes, apo prej mesazhit, që e bartin elitat politike në Maqedoni të zhytura në llomin e varfërisë, nihilizmit shpirtëror dhe kriminalizimit të të gjitha segmenteve shoqëroro-politike.
Fillimi i ndërtimit të një realiteti të ri
Parashtrohet pyetja, se si do të mundeshim t'i interpretonim rrethanat politike në Maqedoni, që janë të reflektuara në tri nivele: e para, tek ndeshja horizontale e pozitës dhe opozitës, e dyta, tek fushëbeteja e tranzicionit vertikal të spektrit politik kontinuiteti dhe diskontinuiteti politik dhe e treta, tek konflikti potencial ndërmjet komunitetit etnik shqiptar dhe atij maqedonas për zvarritjen e ndryshimeve dhe aplikimin e filozofisë politike për fillimin e ndërtimit të një realiteti të ri. (A concept for new reality - Koncepti për realitetin e ri).
Pa mos u zhytur thellë tek ujërat e turbulluara të kundërshtive përmbajtësore të partive politike, që tani për tani e përbëjnë koalicionin qeveritar apo pozitën politike, si dhe partive që veten e kanë shpallur si opozitë, nuk do të mundeshim të konstatonim, se ç’ka është duke ndodhur në realitet në Maqedoni me ata, që e kanë ndotur ambientin politik. Në rastin tjetër na interesojnë edhe dallimet reale ndërmjet dy blloqeve politike në Maqedoni (asaj shqiptare dhe maqedonase) – apo të ashtuquajturave “parti të kontinuitetit”, nga njëra anë, dhe të ashtuqujaturave “parti të reja”, nga ana tjetër. E kam vërejtur, që në këtë lëmi të nocioneve gjithëçka është bërë me qëllim si e pakuptimtë, për t'i interpretuar dukuritë sipas logjikës së pushtetmbajtësve, kjo vlen si një lëmi tejet arkaike, sepse asesi nuk i përgjigjet pozitës reale si dhe raportit ndërmjet forcave politike. Për hir të kësaj, në vazhdim, do të flasim për të majtën, si dhe të djathtën (që gjinden në tranzicion), ku do t'i përdorim si sinonim subjektet e reja politike dhe ato të vjetra apo të modernizuara.
Dyshi i ri i demagogëve shqiptar: Ali Ahmeti dhe Arbër Xhaferi
Si pikënisje për këtë artikull tejet polemizues, do ta parashtroja tezën e politologut austriak Joseph Marko prej Fakultetit Juridik të Karl Franzens Universität Graz, Austri, i cili e thekson: “... për ekzistimin e ndonjëfarë opozite të vërtetë në Maqedoni asesi nuk mundet të diskutohet.” Kjo tezë e parashtruar vlente si tejet provokative gjatë zgjatjes së konfliktit ndëretnik në Maqedoni, por njëherit duhet ta vlerësojmë si një pikënisje ideale, për t'i ofruar përgjegjet konkrete për shumë pyetje të parashtruara prej një vegimi tejet kritik apo prej një distance kritike ndaj të gjithë subjekteve politike në Maqedoni. Qëllimi im është, që në këtë artikull ti sqarojë disa synime, ku si pika referenciale i marr në shqyrtim përvojat e mia personale që më patën sjellur deri tek konstatimi, se autonomia e plotë individuale si dhe distanca kritike ndaj të gjitha proceseve për analistin politik, vlejnë si një imperativ kategorik ti tij. Vetëm në këtë mënyrë mundet garantuar realizimin e lirisë së shtypit apo fjalës së shkruar.
A është opozita në realitet aq apatike dhe e dobësuar, që mundet të flasim për “mosekzistimin” e saj në Maqedoni?
Me zhvillimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni para katër vitesh, erdhi deri tek kalimi i pushtetit politik në duart e të ashtuquajturëve “demokratë sipas diktatit apo demokratë të diktuar” si në spektrin politik maqedonas dhe atë shqiptar. Se si do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare në Maqedoni, gjatë këtij viti, rrallë kushi mundet gjërat t'i parashikon. Por tani për tani elitat politike janë duke zhvilluar një luftë totale mediale, ku qeveria aktuale akuzohet për shumë gjëra të pahirta – por duhet të jemi të drejtë – sepse edhe vetë qeveria mbart përgjegjësinë për shumë procese regresive që e kanë kapluar shtetin dhe shoqërinë, por kjo qeveri mundohet, që me malverzimet dhe keqpërdorimet e shumëta ta përdhunon opinionin publik duke i fashizuar edhe mediat apo fjalën e shkruar sipas recetave që kanë potenciale terapike tek relaksimi i ndjenjave të pritjes të shtetasëve të këtij shteti. Lindja e “baronëve politik” si lider të vërtetë për frymën dhe dinamikën e kohës së duhur
Gjatë këtyre katër viteve prej stomakut të mpirë të këtyre partive politike patën lindur “baronat” apo “ideologët joformal” (këto terme i pati përdorur Hanah Arendt tek përshkrimi i saj i autoriteteve të rrejshme dhe të imponuara), që në mënyra të ndryshme ofronin recetat, për atë se si duhet të duket “republika demokratike në shekullin 21 në Maqedoni.” Për fat të keq në taborin politik shqiptar, erdhi deri tek krijimi apo lindja e dyshit politik, që sipas të gjithë kritereve, që duhet t'i ketë lideri politik, dyshi Xhaferi -Thaçi nuk i përmbushin 95 % të këtyre kritereve për të qenë lidera politik, apo për t'i shitur mend popullit shqiptar. Pse? Dyshi i lartëpërmendur, kurrë nuk kanë qenë të formuar apo socializuar si intelektualë, i kanë të mbaruara shkollat e mesme dhe studimet kurrë nuk i kanë përfunduar për shumë shkaqe. Me fjalë tjera, bëhet fjalë për politikanët e deprivuar apo të hendikeposur. Se çfarë roli dhe ndikimi negativ kanë njerëzit e hendikeposur në sferën politike nuk duhet theksuar fare. Kur në politikë bjen prej qiellit, njeriu i cili nuk është formuar apo edukuar deri në fund, sipas analistëve politik, si dhe psikoanalistëve, njerëzit e këtillë tentojnë me sjelljet e tyre të deformojnë çështjet publike apo interesin nacional të popullit shqiptar në Maqedoni.
Dyshi i lartëpërmendur është bërë simbol dhe sinonim i asaj se në ç’mënyrë mundet kriminalizuar politikën për mbushjen e xhepave privatë. E pakuptimtë më duket që Xhaferi mundohet me tezat e tija të kalbura në esencë, t'i imponohet opinionit publik në Maqedoni si një lider politik, si një ideolog, si një intelektual që din të veprojë në të gjitha kahjet dhe për të gjitha rastet si një “organ formal“ apo të themi si një “institucion” ku farkohen dhe bashkëdyzohen telat e akorduara të çiftelisë, duke përdorur fjalorin e regjimeve totalitare të shekullit XX-të. Dyshi Xhaferi -Thaçi kurrë nuk kanë qenë të formuar si politikanë, ideologë dhe intelektualë. Shpeshherë kam pasur rastin ta vërej se në ç’mënyrë demagogjike mundohet Xhaferi shqiptarëve t’ua sqarojë, se partia e tij qe e detyruar të mbetet në pushtet aq gjatë sa dëshironte kreu i saj. Xhaferin dhe partinë e tij “demokratike” asesi nuk mundet fajësuar, se gjatë konfliktit ndëretnik në Maqedoni me pjesëmarjen e saj në qeveri pati zhvilluar krimin ndaj vetë popullit shqiptar. Çfarë paradoksi është ky?
Si mundet sqaruar sjelljen e Xhaferit-Thaçit që veten e quajnë “demokratë”, por në të njëjtën kohë bashkëpunojnë me kreun e partisë që gjendet në pushtet, i cili pati zhvilluar dhunë dhe terrorizim shtetror ndaj popullit shqiptar në Maqedoni. Është i kuptueshëm edhe fakti se, pse Xhaferi dhe satelitët e tij nuk e favorizojnë opsionin për të qenë në opozitë, sepse Xhaferi dhe miqët e tij akoma nuk e kanë kuptuar se nuk mundet aq lehtë të përdhunohet demokracia dhe vlerat e saja. Është koha që Xhaferi dhe “djali i tij” Menduh Thaçi të shkonin tek pop Stefani t'i merrnin hajmalitë, ku ai do t’ua rekomandonte se në ç’mënyrë do të kishte qenë më mirë për to që të largoheshin prej politikës. Se në ç’mënyrë do ta pranon Xhaferi-Thaçi këtë konstatim timin nuk varet prej tyre, por prej qasjes libidinale të largimit prej pushtetit politik duke mos gabuar fare se tezën që e pati parashtruar tek takimet e mia të shumta z. mr.Mirie Rushanin (ambasadore aktuale në Romë), “...se dyshi paraqet partinë e pafatë, skemën piramidale ku intelektualët e vërtetë janë larguar qysh moti prej kësaj partie. Kur të bjen njëri, bjen edhe tjetri.” Janë qëndrimet e koleges dhe mikes së tyre mr.Mirie Rushanit, vlerësimi i saj për këta shpirtëra të degjeneruar. Dyshi fortë mirë e ka kuptuar se pushteti politik është i ëmbël si mjalta, por e kanë harruar se grimcat më të imta të kësaj mjalte mundet të të mbysin nëse nuk i gëlltit me shije dhe lezet të duhur – për ta përjetuar ëmbëlsinë e mjaltit. Xhaferi dhe Thaçi nuk janë asgjë tjetër përpos “demokratëve të formuar sipas diktatit apo demokratë të diktuar” dhe jo sipas bindjes apo filozofisë së tyre jetësore, apo edhe aq më pak asaj politike. Edhe në rradhët e PPD-së mundet të hasim në njerëzit e këtij soji. Çfarë duhet bërë që këta njerëz do t, i bindnim që të largohen prej politikës, sa më parë, aq më mirë.
Formimi i një korelacioni të ri me përmbajtje të vjetër
Në horizontin e politikës shqiptare në Maqedoni, vjen duke u formuar edhe një korelacion tejet interesant ndërmjet tri partive politike shqiptare si dhe ish lidershipit politik dhe ushtarak të UÇK-së – Këshilli i posaformuar për nga aspekti formal i organizimit, për nga aspekti i jashtëm, pritet që të veprojë si një “asociacion i interesave të ndryshme” profileve të ndryshme, ku dashur pa dashur tek agjendat e këtij këshilli, do të sillen dhe mbështillen me celofan problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen aktorët që e përbëjnë këtë këshill si dhe thellimi apo tkurrja e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Maqedoni. Edhepse Ali Ahmeti e thekson se ky Këshill do të vendosë për shumë gjëra me rëndësi për shqiptarët e Maqedonisë, por kjo nuk është asesi e vërtetë. Në Kosovë elita politike shqiptare me plot qejf e përdor termin “bashkëqeverisje”. Në Maqedoni elita politike ka filluar të aplikojë termet “koordinim”, “bashkim” dhe “bashkëpunim”. Ofrojmë disa prej argumenteve për tezën e parashtruar të Ali Ahmetit, duke e vlerësuar si jovalide tek veprimi i këshillit të posaformuar:
E para, vendosja e këtij këshilli në qendër të ngjarjeve në hapsirën politike shqiptare, duke mos pasur strategjinë e sajuar dhe bazën intelektuale tek kategorizimi i objektivave se cilat janë prioritare dhe ato të tjerat, sjellja si dhe përbërja strukturale e këtij këshilli nuk ofron apo garanton sjelljen e vendimeve cilësore dhe me karakter kombëtar.
E dyta, pa marrë parasyshë se gjatë zgjedhjeve që pritet të zhvillohen gjatë këtij viti, se sa vota do të fitojnë shqiptarët apo secila për veten prej subjekteve politike shqiptare, nuk do të ndikon tek avansimi i çështjes së pazgjedhur shqiptare në Maqedoni, por do të vjen deri tek rrotimi i njerëzve tek vendet që më parë i patën mbajtur nën kontroll të tjerët.
E treta, këshillit të posaformuar i mungon strategjia e sajuar në bazat e arritjes së një konsenzusi politiko-shoqëror të të gjitha segmenteve të shoqërisë shqiptare në Maqedoni si dhe diasporës shqiptare.
E katërta, nuk është fare për tu çuditur, nëse ky këshill do të shndërrohet në një “arkë e privatizuar prej strukturave kriminele të partive politike, posaçarisht prej PDSH-së, më konkretisht prej Thaçit”, i cili i ka lidhjet tejet të konsoliduara me shërbimet sekrete maqedonase – duke e transformuar këshillin si pjesë e orbitës ku gravitojnë dhe sillen si duan vetë njerëzit e dyshimtë dhe me bagazh të vjetër përvojash të spiunimit dhe veprimit kundër interesit shqiptar.
E pesta, këshilli i posaformuar akoma nuk posedon rradhitjen e ideve dhe vlerave për të cilat duhet të veprojë. Mundet të ndodhë që ky këshill ti merr përmasat e një “institucioni që nuk i përfillë kërkesat politike si dhe propozimet që vijnë prej jashtë”, duke u bërë pengesë për afirmimin e vlerave të pluralizmit politik si dhe zhvillimit të ofertave politike, si dhe degjenerimit të konkurencës politike, dhe
E gjashta, këtij këshilli nuk i mbetet dot hapsirë veprimi që vendimet e sjellura të implementohen në praktikë, pa marrë parasyshë raportin e definuar të marrdhënies së këtij këshilli ndaj elitës politike maqedonase. Se sa i sukseshëm do të jetë ky këshill, varet edhe prej raportit që do ta ndërtojë elita politike maqedonase ndaj lidershipit dhe kërkesave të këtij këshilli. Ky këshill zanafillën e vet e ka prej dokumentit të nënshkruar në Prizren ndërmjet tre “kuaziliderëve shqiptarë.” Marrëveshja e Prizrenit dukshëm e degjeneroi çështjen shqiptare në Maqedoni. Sipas kritereve të analizës politike, kjo marrëveshje qe jovalide për nga përmbajtja dhe reflektimi i realitetit politik. Marrëveshja e Ohrit ia veëndoi kapakun vorbës së thyer shqiptare – degjeneroi pozitën, domethënien, statusin juridiko-politik të popullit shqiptar në Maqedoni.
Si parim kryesor në shkencën politike vlen, që njeriu marrëveshjet duhet të di t'i lexojë, nëse janë të shkruara apo të përgatitura në gjuhët e huaja ti përkthejë vetë apo të posedojë me njerëz ekspertë përreth vetes që duhet bërë atë që pritet të nënshkruhet, ta analizojë dhe bëjë kategorizimin e përmbajtes së tyre, duke i transmetuar në realitetin politik apo tek raporti i komuniteteve etnike që u gjetën në konflikt.
Plagiati i punës intelektuale si një gjë normale tek mediat shqiptare
E gjithë kjo nënkupton atë që ka të bëjë me posedimin e të dhënave si dhe të jesh i informuar ashtu si duhet. Tashmë është bërë e ditur se liderët politik shqiptarë e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit, pa mos e lexuar fare apo pa mos u njoftuar me përmbajtjen e saj. Për së pari herë prej gjuhës anglishte, për mediat shqiptare si dhe opinionin e këtushëm si në Maqedoni ashtu dhe diasporë, tek lobet dhe masoneritë e ndryshme, këtë përkthim e bënë ekspertët e Forumit politik shqiptar për Maqedoni. Me një gjë të këtillë politikanët shqiptarë nuk kanë qenë të informuar kurrë. Mediat shqiptare edhe kësaj here u treguan si “specialistë të ngutshëm për vjedhjen si dhe plagiatin e punës së bërë prej intelektualëve të mirëfilltë shqiptarë prej Maqedonisë”, duke e botuar Marrëveshjen e përkthyer dhe duke mos i sjellur emërat e autorëve që e bënë përkthimin e këtij dokumenti. E njëjta gjë ngjau edhe me Marrëveshjen e Rambujesë. Turp i turpit! Ta shkelish punën dhe nderin e intelektualëve shqiptarë më duket një sjellje tejet e papërgjegjshme që duhet kritikuar publikisht dhe ndjekur me anë të ligjit penalisht. Kjo është një formë morie dhe e krimit ndaj të drejtave dhe punës intelektuale dhe vetë intelektualëve shqiptarë në Maqedoni dhe diasporë.
Hapja e “çekmexhes” ku populli shqiptar i rruan vlerat kombëtare
Tani vijmë deri tek pjesa kryesore e korelacionit të parashtruar më lartë ndërmjet tri partive politike ( PDSH-së, PPD-së dhe PDK-së) si dhe ish lidershipit politik dhe ushtarak të UÇK-së, tek ato tri parti politike që gjatë zgjatjes së konfliktit etnik në Maqedoni patën luajtur rolet e tyre të ndryshme. Disa prej tyre e përkrahën “luftën çlirimtare”, disa prej tyre u munduan ta sabotonin, disa prej tyre praktikonin metodat tjera të dyshimta, duke e praktikuar miton dhe korrupcionin apo blerjen e “luftëtarëve të lirisë” që të heqin dorë prej luftës dhe për një gjest të këtillë u ofrohen para të majme prej kusarit politik Menduh Thaçi dhe emisarëve të tij. Por mos të harrojmë se pas shpinës së “kalgjoshit shqiptar qëndronin strukturat e shërbimit sekret sllavomaqedonas”. Por kjo s’është me rëndësi. Çdo kush do të përgjigjet për veprat e veta që ka bërë, duke e përkrahur apo duke e penguar “luftën çlirimtare në Maqedoni”. Të shumtë janë “kuaziintelektualët shqiptarë në Maqedoni” që akoma mundohen ta propagandojnë tezën: se Ali Ahmeti e fitoi luftën. (dr. Teuta Arifi dhe të tjerët!) – por dihet pse këta “pseudointelektualë e theksojnë se Ali Ahmeti e fitoi luftën”.
Nëse do ta përdornim gjuhën arkaike të “çekmexhes ku populli shqiptar i ruan vlerat kombëtare”, këtu do të flisnim me plot zë dhe do të thonim: statusi juridiko-politik i popullit shqiptar akoma mbetet i pazgjedhur në Maqedoni! Këtu bëhet fjalë për këtë tezë, që rrjedh prej asaj që theksuam më lartë: se a do të vjen deri tek interiorizimi i këtij qëndrimi tek “elita politike shqiptare” nuk varet prej “këshillave dhe kuaziliderëve apo politikanëve analfabetë, por varet prej asaj se çka do të thotë elita intelektuale shqiptare në Maqedoni dhe në ç’mënyrë do ta implementon strategjinë e sajuar për zgjidhjen e këtij problemi kardinal”. Akoma elita intelektuale shqiptare në Maqedoni nuk ka arritur ta definon strategjinë e veprimit në drejtim të saj, se si duhet vepruar që gjërat të korigjohen në esencë. Njohësit e mirë të proceseve politike në Maqedoni kanë ardhur deri tek konstatimi se: Shqiptarët e Maqedonisë janë humbës të përjetshëm me ndryshimet e fundit kozmetike në Maqedoni.
Forumi politik shqiptar për Maqedoni ofron zgjidhjen reale të statusit juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoni
Forumi politik shqiptar për Maqedoni ofron zgjidhjen reale të statusit juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoni në saje të strategjisë së përpiluar dhe ofron modelin konkret se si të zgjidhet kjo çështje. Teza themelore e këtij Forumi është:
e para, njohja e së drejtës shtetformuese të popullit shqiptar në Maqedoni në aspektin juridik dhe politik;
e dyta, aplikimi i parimeve themelore të modelit konsociativ të demokracisë – d.m.th. praktimi i federalizmit konsociativ – federalizimi i Maqedonisë;
e treta, ridefinimi i konceptit të shtetit në Maqedoni, dhe,
e katërta, Marrëveshja e Ohrit për Forumin politik është jovalide për nga përmbajtja, sepse në mënyrë të një kushtëzimi të tejdukshëm e favorizon modelin unitar të rregullimit të shtetit, marrdhënieve si dhe strukturave të saja – kjo është në kundërshtim me teorinë politike të shoqërisë plurale dhe vetë realitetit politik në terren.
Dalëngadalë, por me plot sukses, elita intelektuale shqiptare në Maqedoni si dhe elita intelektuale në diasporë, vijnë duke e kuptuar se akoma duhet thelluar debatin për ridefinimin e statusit juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoni. Prej këtu fillon sfera e vetëdijes së rrënjosur shqiptare që akoma është duke u përdhunuar prej bashtakëve dhe kuaziliderëve të ndryshëm:
e para, shqiptarët për nga natyra e tyre fisnike nuk i mbajnë dot pas qafe kapitulantët, tradhëtarët dhe parazitët e kombit,
e dyta, roli i Forumit politik shqiptar për Maqedoni prej “elitës politike shqiptare” në përjashtim të PDK-së, si dhe me vlerësimin negativ të rolit të saj prej vetë Ali Ahmetit, nuk kontribuon dukshëm tek veprimi i sukseshëm i këshillit të posaformuar ku akoma shqiptarët në Maqedoni gjinden para dilemave të mëdha, sidomos gjeneratat e reja që tek ata ndihet një revoltë tejet e madhe dhe energji tejet negative.
Forumi politik shqiptar për Maqedoni duke i marrë parasyshë zhvillimin e shumë proceseve politike me karakter regresiv në Maqedoni, ka vendosur një pjesë të aktivitetit të vet ta bart në terren. Tani për tani ka hasur në mirëkuptim edhe tek lidershipi i PDK-së dhe njëherit e kanë thelluar bashkëpunimin e tyre në shumë lëmi. Këshilli, si dhe përbërja e tij, duhet ta kuptojnë se Forumi politik shqiptar për Maqedoni e ka bonusin e vet tejet të madh tek qendrat e ndryshme të vendosjes në Perëndim, duke e marrë parasyshë angazhimin e shteteve evropiane dhe sidomos kërkesën urgjente të Stejt Departmentit amerikan dhe disa qarqeve proshqiptare në politikën e lartë zyrtare të SHBA-ve, për mospërzierjen e këtij Këshilli tek problemet interne ne Maqedoni. Por e kemi luajtur rolin e një organi pragmatik, këshilldhënës, si hartues dhe sajues i ekspertizave të ndryshme për qeveritë e huaja me njohjen reale të pozitës dhe mundësive qe ka populli shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri.
Libidoja fatale e Ali Ahmetit, si një lider i traumatizaur - “socialdemokrat” pa ofertë politike
Sipas libidos së Ali Ahmetit, sipas të cilit këshilli i formuar pritet, që ta determinon hapësirën politike gjatë viteve të ardhshëme, kjo mundet të zgjatë vetëm disa vite sepse Ali Ahmeti nuk ka ofertë konkrete politike për shumë probleme me të cilat ballafaqohet populli shqiptar në Maqedoni, si dhe tezës së parashtruar të politologut austriak Joseph Marko prej Fakultetit Juridik të Karl Franzens Universität Graz Austri i cili e thekson: “... për ekzistimin e ndonjifarë opozite të vërtetë në Maqedoni asesi nuk mundet të diskutohet.” Deri tek i njëjti konstatim ka ardhur edhe mr.Rufi Osmani njëri prej analistëve më në zë jashtë Maqedonisë ku e thekson: “...se z.Ali Ahmeti nuk posedon me një ofertë politike dhe strategji të përpiluar se si do të duhej të silleshin dhe vepronin shqiptarët në Maqedoni.” (Political Life, 2002, ”FYR of Macedonia a breakable peace, challenges and alternatives of stabilization and integration,” ALBANIAN ATLANTIC ASSOCIATION Project program of the seventh International Conference of AAA, Theme: Boundary Understanding Primary for Stability in the Region 25.01.2002 dhe i ribotuar në SP me datë 21.01.2002).
Mbetet në lojë lidhshmëria logjike: Ali Ahmeti është i frustruar për shkak të shumë gjërave, dhe për shkak të rolit leviatanitiv të PDSH-së së Xhaferit, që mundohet të gëlltitë gjithëçka, e gjithë ajo që i del para rrugës, por duke mos e humbur apetitin e vet për tu ushqyer edhe me kufoma njerëzish! Elita intelektuale shqiptare, e dëshpruar se çështja shqiptare akoma mbetet e pazgjidhur, si dhe pala maqedonase se opozita mundohet të vjen në pushtet. Tek të dyja këto raste na paraqitet skena e mjeruar ku demokratët sipas diktatit apo demokratët e diktuar, kanë formuar një gjendje pritjeje, ku asesi nuk mundet të rindërtohet baraspeshimi i cunguar politik për shkak të dy çështjeve irelevante për ndryshimin e kahjeve të proceseve politike: sa ma shumë dhunë do të aplikohet në politikë prej subjekteve të (de)legjitimuara politike shqiptare dhe maqedonase, aq ma shumë komuniteti ndërkombëtar, do ti sankcionon elitat politike me sjelljet e tyre të papërgjegjshme dhe endacake.
Çfarë pritet që të ndodhë, nëse vjen deri tek prishja e një baraspeshimi të këtillë të brishtë edhe në kuptimin formal të fjalës? (Teza e parashtruar më lartë e Jospeh Markos se në Maqedoni opozita politike nuk ekziston fare është e pranueshme de facto, sepse de iure kemi të bëjmë me opozitën në paralment (e kam fjalën për PSDM dhe disa parti tjera më të vogëla). “Shlyerja” formale e opozitës politike nënkupton heshtjen e përjetëshme tek pranimi i vendimeve ligjëdhënëse, thjeshtë thënë në Maqedoni askush nuk dëshiron të jetë në opozitë, sepse të gjithëve ju duket pushteti politik i lezetshëm që sjell profit, askush nuk merret me atë që opozita politike duhet ta luan, rolin e subjektit politik që merret me përgaditjen e zgjedhjeve alternative. Edhe me rastin e formimit të këshillit të subjekteve politike shqiptare është duke u përsëritur i njëjti skenar apo jo?
“Busulla orientuese” e Forumit politik shqiptar për Maqedoni
Forumi politik shqiptar e ka kuptuar fare mirë "busullën orientuese" të trojkës Xhaferi-Ymeri-Ahmeti, mirëpo, pavarësisht nga etiketimet e tyre, ne jemi të pathyeshëm dhe "nuk ndjejmë për ta fare". Kushdo qofshin ata, që i cenojnë dhe i nëpërkëmbin të drejtat legjitime dhe interesat vitale të kombit shqiptar, ne e kemi për detyrë që, siç thotë në një tregim të vetin shkrimtari shqiptar MITRUSH KUTELI: "T'jua tregoj rrugën e Zotit".
Opinionit publik shqiptar ia k(am)emi vënë në dijeni (e kemi informuar) edhe më parë se unë personalisht si dhe intelektualët tjerë që mblidhen përreth FPSHM si në diasporë ashtu edhe në Maqedoni - si njeri i (të) pendës dhe profesor i një univerziteti të huaj- i univerziteteteve të huaja nuk jam (jemi), as që do të jem(i) ndonjëherë ithtarë i(të) parapaguar i (të) ndonjë politike ditore, apo ndonjë grupi me karakter primitiv-provinicial, që vepron ditë e natë kundër interesave të përgjithshme të kombit shqiptar. Elita intelektuale shqiptare në Maqedoni dhe më gjërë e dinë fortë mirë se ne kemi shumë armiq (intelektual mediokra...) përbrenda, por ne në saje të angazhimit tonë të ndërgjegjshëm, parimor dhe objektiv, së bashku do ta fitojmë luftën kundër tyre, qofshin ata ymera, xhafera ose ahmeta etj.
Si përfundim do të theksoja: ndoshta bazat themelore vlerësonjëse, ku gjatë dhjetë viteve të fundit partitë politike si dhe tanimë ish-lidershipi politik dhe ushtarak e degjeneruan çështjen e popullit shqiptar, e fashizuan identitetin politik të popullit shqiptar dhe duhet ta dijnë se janë po ata njerëz që rrinë ulur në arkadat e kalbura të këshillit të posaformuar dhe bartin përgjegjësinë për devalvimin e çështjes shqiptare në shumë aspekte të ndryshme – atë juridike dhe politike. Ne tjerët vazhdojmë me aktivitetin tonë kombëtar për ridefinimin e padrejtësive që vazhdojnë t'i bëhen popullit shqiptar edhe prej vetë këtij këshilli dhe logjikës së tij komuniste të formimit të komisioneve dhe emërimit të komisionarëve, që gjërat i trajtojnë në mënyrë të njëanshme duke mos përfillur parimet profesionale dhe ekspertizat që duhet bërë për këto probleme kardinale. Nuk duhet assesi dyshuar tek konstatimi: se popullit shqiptar i shkaktohen akoma fatkeqësitë edhe prej prrallaxhinjëve të rinj që mundohen të zbresin në skenën politike. Sapere aude, zotërinj shqiptarë?
Logjika e formimit të këshillave dhe subordinimi apo nënshtrimi i të padëgjuarëve
Këshilli Koordinues i Shqiptarëve në Maqedoni ka mbajtur takimin e tij të parë punues, duke u përqëndruar në situatën e pasluftës dhe ka miratuar disa “mesazhe dhe vendime të rëndësishme.” Këshilli Koordinues mori vendim për formimin e tri grupeve punuese:
1. Grupit Punues për Çështjen e Arsimit Sipëror, 2. Grupit Punues për krijimin e mirëbesimit dhe integrimit të shqiptarëve në ushtri dhe 3. Grupit Punues për krijimin e mirëbesimit dhe integrimit të shqiptarëve në polici.
Në takimin punues po ashtu është marrë vendim që me Grupin Punues për Çështjen e Arsimit Sipëror të udhëheqë Fazli Veliu, thuhet në kumtesën e Këshillit Koordinues. Fazli Veliu do të duhet ta kupton fare mirë tezën e rektorit të UT prof.dr. Fadil Sulejmanit, i cili për magazinin e dyjavshëm që botohet në Shkup, GLOBI, me datë 31 janar, deklaroi në intervistën e tijë: “S’kemi problem me botën demokratike dhe progresive, por me qeverinë primitive të sllavëve maqedonas, si dhe me disa politikanë shqiptarë, që asisitojnë aty, dhe që e mohojnë edhe më tej realitetin objektiv të UT-së”. Përfaqësuesit e Këshillit Koordinues, duke e analizuar gjendjen në tërësi, e vlerësuan lartë angazhimin e faktorit shqiptar drejt stabilizimit të gjendjes dhe përmbushjes së detyrimeve, si dhe ndihmën korrekte të faktorit ndërkombëtar në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Komisionin për Çështje Ushtarake dhe Integrime Evroatlantike dhe Komisionin për Çështje të Policisë, do t’i udhëheqin gjithashtu nga zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Thuhet se edhe këta emra do të dihen përmes shpalljes zyrtare të një kumtese të Këshillit, që pritet të bëhet sot (e enjte, viti 2002).
Vlerësohet veçmas formimi i Komisionit të Arsimit, që do të merret me zgjidhjen më të shpejtë të çështjes së zyrtarizimit të Universitetit të Tetovës, por edhe i Komisionit për çështje ushtarake, që do të ndihmojë në integrimin dhe integrimin e risocializimin e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe formimi i Komisionit për çështje të policisë, sidomos për shkak të mosmarrëveshjeve partiake që linden këtu në mes PDSH-së dhe PPD-së me fillimin e kurseve për policë shqiptarë, një herë të organizuara nga Ambasada Amerikane në Shkup dhe të ndihmuara me mjete financiare e me ekspertë trajnues të policëve nga SHBA, ndërsa tani të organizuara dhe të ndihmuara materalisht e me ekspertë nga OSBE-ja.
Këshilli që duhet mosmarveshjeve partiake t’ju ap fund, por si?
Mosmarrëveshjet partiake në këtë fushë shkuan deri në atë masë sa që dukej se këtu po formoheshin polici partiake të PPD-së dhe të PDSH-së, pasi që të rinjtë shqiptarë për t'u pranuar në këto kurse duhej të antarësoheshin së pari në këto parti, të merrnin librezat e tyre dhe pastaj të fitonin të drejtën për konkurim në kurset policore. Për pranim të kuadrove në to kanë vendosur Muhamed Halili, zëvendësministër i Jashtëm i Maqedonisë nga PPD-ja dhe Refet Elmazi, zëvendësministër i Brendëshëm i Maqedonisë nga PDSH-ja. Të mirën e të gjithë kësaj, analistë të këtushëm, sidomos shqiptarë, e shohin në faktin se për përfshirjen e të rinjve në kursin e ardhshëm të policisë, që do të fillojë në muajin qershor të këtij viti, në organizim po të OSBE-së, do të vendosë Këshilli Koordinues, respektivisht Komisioni i tij për çështje të policisë dhe jo zyrtarët partiakë të PPD-së dhe të PDSH-së, siç ishte praktikë e deritashme.
Elita politike shqiptare në Maqedoni duhet ta kupton se tek elita intelektuale shqiptare brenda dhe jashtë Maqedonisë ekzistojnë rrezistuesit e përjetshëm për çështjen kombëtare, se ky rrezistim sa kohë do të zgjasë që intelektualët e mirëfilltë shqiptarë t'i shndërron si shtetas lojal ndaj Maqedonisë, do të varet prej zgjidhjes reale të statusit juridiko-politik të shqiptarëve në Maqedoni. ÇËSHTJA SHQIPTARE në Maqedoni akoma mbetet si një çështje e pazgjidhur (kupto e degjeneruar në të gjitha aspektet e saja): juridike dhe politike. Në horizont të këtij rrezistimi intelektual duken dy gjëra të mundshme dhe reale: federalizimi i Maqedonisë apo zhbërja e saj dhe bashkimi i trojeve etnike shqiptare me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo për tu realizar do të ketë nevojë edhe për disa gjenerata. Apo, apo. Stabiliteti dhe paqja do të varen prej ridefinimit të statusit juridiko-politik të popullit shqiptar në Maqedoni. Logjika ta shpëtojmë veten e ka humbur sensin e saj qysh moti! Paqja që blehet me kushtëzime dhe dredhina nuk është paqë. Aprovonja ligjin për amnesti pastaj i fitoni paratë. Ikje prej parimit themelor të politikës apo, apo!
Armiku i armikut tim është armiku im
Tek shtetet që ballafaqohen me fazat postkonfliktuale shpeshherë ndodhë që të aplikohet logjika e sintagmës për lëvizjet “çlirimtare”: “Armiku i armikut tim është armiku im”. Pas përfundimit të konfliktit ndërmjet dy komuniteteve etnike, dashur pa dashur vazhdon edhe procesi i konsolidimit të “fitonjësve” dhe “pastrimi(izolimi) i të padëgjueshmëve” dhe angazhimi maksimal për neutralizimin apo eliminimin në çdo aspekt të kundërshtarëve politik apo të bashkëluftëtarëve të deridjeshëm – vetëm e vetëm për një shkak: sepse ata mendojnë dhe veprojnë ndryshe – dhe nuk mendojnë dhe veprojnë ashtu si duan të tjerët. Këtë skenar e patën përjetuar shqiptarët e Kosovës. Kujt i konvenon ky skenar i zi tek populli shqiptar në Maqedoni? Pse mundohet elita maqedonase t'i jetëson këto elemente makabre të këtij skenari kundërshqiptar, kundër interesit nacional shqiptar me asistimin e vetë shqiptarëve dhe sjelljes arogante të komunitetit ndërkombëtar? Politika e gabuar e komunitetit ndërkombëtar ndaj pozitës juridiko-politike të popullit shqiptar në Maqedoni, si dhe raporti i ndërtuar ndaj guerilës shqiptare që i priu z.Ali Ahmeti, tek elita politike maqedonase dhe tek disa qeveri të shteteve evropiane inicoi sindromën me përmbajtje dualiste, e cila është sajuar sipas formulës: “...nën kontroll i kemi futur këta që i prinë luftës, por edhe ata që mbeten jashtë kontrollit të neutralizohen dhe të futen nën kontroll me ndihmën e këtyre të parëve.”
Izolimi i kuptuar si neutralizim apo “luftë e shenjtë për fotelet”
Ambasadori amerikan në Shkup Lorens Batler u bëri thirrje personave shkaktarë për incidentin e të hënës në Reçicë të Tetovës që të kthehen në shtëpitë e tyre. Por ai tërhoqi vëmendjen se këta persona mund të shkaktojnë edhe incidente të tjera. "Unë dhe bashkësia ndërkombëtare kemi një mesazh për komunitetin shqiptar dhe maqedonas që duhet t'ua përcjellin njerëzve që shkaktuan incidentin t'u thonë të këthehen në shtëpitë e veta. Persona që shkaktuan këtë incident janë të izoluar dhe nuk kanë punë këtu.” Praktikimi i vlerave dhe recetave të dyshimta prej komunitetit ndërkombëtar me asistencën e sllavomaqedonasëve, si dhe vetë z.Ali Ahmetin, trason dhe aplikon dordullimën e formulës: nën kontroll dhe jashtë kontrollit edhe vetë intelektualët shqiptarë, sa më shpejt aq më mirë për ne. Por si të arrihet një gjë e këtillë? Me një luftë vëllavrasëse? Me pjesët e deprivuara skajimore të konstrukteve mentale të të bastarduarëve? Këtë obligim apo “detyrë kaq të thjeshtë” komuniteti ndërkombëtar ia ka besuar z.Ali Ahmetit dhe pajdashëve të tij. Në mes tyre ekziston një marrëveshje tejet “luksoze” dhe e padefinuar, e sajuar dhe tani e implementuar sipas kësaj logjike: ne juve u ofrojmë koncesione të duhura falimentuese politike – amnestimin, mundësinë për tu bërë mbret i shqiptarëve – por me një kusht, që ndër shqiptarët të mos kemi më me promovuesit e dhunës – por promovuesit e paqës dhe stabilitetit politik.
Përkëdhelja e qenies shpirtërore shqiptare prej z.Ali Ahmeti
Në politikë duhet të ketë vend edhe për njërin, edhe për opsionin tjetër. Është e faktit se rrugën që e ka zgjedhur z.Ali Ahmeti për ta trasuar dhe përkëdhelur qenien e frymës shpirtërore shqiptare, nuk lejon dhe nuk ofron hapësirë për ta kuptuar manovrimin e tij “se ata që nuk sillen si ne dhe që nuk mendojnë si ne, do t'i detyrojmë me dhunë ta thejnë qafën prej Maqedonisë”. Kjo ngjarje (lufta vëllavrasëse në Reçicë të Vogël), flet qartë për atë që ndodhi dhe e demanton kategorikisht filozofinë politike komplotiste të xhaferistëve, thaçistëve dhe ahmetistëve se nuk mundet asesi të pritet të ekzistojë homogjeniteti politik tek shqiptarët e Maqedonisë. Z.Ali Ahmeti si dhe ithtarët e tij s’kanë nevojë për të kërkuar shpjegim për motivet, arsyet dhe implikimet e mundshme nga përleshjet, pohojnë burime mirë të informuara, jo në Maqedoni por tek shërbimet sekrete të shteteve fqinje. Në kontaktet me përfaqësuesit e NATO-s dhe të OSBE-së, z.Ahmeti ka premtuar se do të ballafaqohet me këto grupe, duke iu përgjigjur kërkesës kryesore të diplomatëve – që situata të qetësohet. Ai nuk ka saktësuar, se si do ta bëjë këtë, por siç shpjegojnë burime anonime, ka premtuar se do t`i dëbojë jashtë vendit. Dhe, përderisa përfaqësuesit ndërkombëtarë premtojnë se do të bëjnë gjithçka që incidenti të mbetet i izoluar dhe se edhe më tutje e nxisin zbatimin e Marrëveshjes kornizë, një pjesë e mediumeve maqedonase në përleshjet e Reçicës së Vogël vërejnë paralajmërime për fillimin e ofensivës pranverore, ndërsa motivet, përveçse në dallimet politike dhe kundërshtimin e Marrëveshjes kornizë nga ana e AKSH-së, i shikojnë edhe në faktorët kriminogjenë dhe në interesat e biznesit. Assesi nuk duhet dyshuar se nëse z.Ali Ahmeti dëshiron të jetë dhe të bëhet lider i shqiptarëve të Maqedonisë, duhet të sillet sipas filozofemit politik dualist të sllavomaqedonasëve dhe komunitetit ndërkjombëtar (qarqeve antishqiptare në Ballkan). Ujku edhe mëtutje mbetet i urët dhe cjapi i tërë!
Qëndrimi i Forumit politik shqiptar për Maqedoni
Prej shumë intelektualëve të mirëfilltë shqiptarë dhe prej vetë Forumit Politik shqiptar për Maqedoni, Këshilli koordinues trajtohet si një organ gjysëmlegal. Ngjarjet e fundit flasin qartë se erdhi deri tek “përdhunimi, vrasja dhe varrosja simbolike e legjitimitetit të KK tek vreshtat e Reçicës së Vogël”. Qenia substancialo-politike shqiptare në Maqedoni ka të bëjë, apo posedon me vlerësimet, apo osionet e ndryshme se si duhet të zhvillohen në të ardhmen proceset politike. Prej këtij konstatimi rrjedh, se të gjithë shqiptarët nuk munden të bëhen pjesë e njëmendimsisë së re defekte dhe të imponuar me dhunë si nga baronët e brendshëm, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Shqiptarët kanë të drejtë të mendojnë ndryshe, kanë nevojë urgjente për më shumë liri veprimi dhe hapësirë të aplikimit praktik të demokracisë. Prej kësaj poashtu vijon se një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar në Maqedoni nuk e njohin Marrëveshjen e turpshme të Ohrit dhe tani forcat progresive politike shqiptare në Maqedoni dhe diasporë, janë duke ridefinuar pozitat dhe mundësitë e veprimit kundër këtij dokumenti fallso dhe kundër liderëve të imponuar dhe tradhëtarëve të interesit/interasave nacionale të kombit shqiptar. Këtu bëhet fjalë për proceset politike dhe për ardhmërinë e popullit shqiptar, dhe jo për përdhunimin e çështjes së pazgjedhur shqiptare në Maqedoni me ndihmën e vetë shqiptarëve. Kjo shihet qartë edhe prej përfaqësuesëve ndërkombëtarë, që nuk qenë të disponuar që t`i komentojnë motivet për përleshjen, por supozojnë se ajo me siguri ka të bëjë me përpjekjet e mëdha të z.Ali Ahmetit që t`i “mënjanojë grupet ekstreme”, të cilat i kundërvihen marrëveshjes paqësore. Shërbimet sekrete perëndimore e bëjnë të njohur “...që z.Ahmeti, disa orë para përleshjeve në Reçicë të Vogël, ka qenë në lokalitet tjetër,” dhe supozojnë “...se atentati mbi z.Ahmetin, siç spekulojnë disa mediume, nuk ka qenë motiv i përleshjeve.” Prapavijë kriminale në tërë rastin, vërejnë edhe një pjesë e partive maqedonase. Në mediat maqedonase më shpesh si motive të mundshme përmenden mospajtimi politik ndërmjet UÇK-së dhe AKSH-së, por edhe interesa kriminale dhe të biznesit. Këto konstatime janë pjesërisht të sakta. Aty ku pala kundërshtare e kriminalizon jetën politike, aty më pas vijojnë diskreditimet e ngjyrave të ndryshme. Edhe kësaj here u sakrifikuan shqiptarët dhe naiviteti i tyre politik. Z.Ali Ahmeti u shndërrua si një peng i hijes politike shqiptare të degjeneruar në të gjitha polet e saja të shëndritshme prej dritës neonike të armiqëve tanë shekullorë.
Përfshirja e shqiptarëve të “manipuluar” në skenarët e strukturave sekrete antishqiptare
Këshilli Koordinues i subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë thekson se ata që shkaktuan incidentin e armatosur ditë më parë në Reçicë të Vogël afër, Tetovës, janë persona të manipuluar të përfshirë në skenarët e strukturave sekrete antishqiptare. Në një komunikatë të këtij Këshlli theksohet se ky sulm pati për qëllim që ta pamundësojë funksionimin e Këshillit politik dhe i bëhet thirrje popullit shqiptar që të jetë vigjilent dhe të mos bjerë viktimë e skenarëve të tillë. Këshilli i ka shfaqur besnikërinë ndaj Marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe konstaton se do të angazhohet vendosmërisht në zbatimin e saj. Z.Ali Ahmeti, aktualisht kryetar i Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në Maqedoni, citohet të ketë thënë se Armata Kombëtare Shqiptare realisht nuk ekziston. Në një intervistë për të përditshmen "Veçer" të Shkupit, Ali Ahmeti thotë se ka lexuar kumtesat e Armatës Kombëtare Shqiptare porse nga ato gjëra asgjë nuk është e saktë. Ai ka theksuar se incidenti në Reçicë të Vogël të Tetovës është stërmadhuar nga mjetet e informimit. Por vijnë deri tek konstatimi i ofruar në pjatën e argjendtë prej vetë armiqëve tanë dhe konstatojnë se: Përfshirja e shqiptarëve të “manipuluar” në skenarët e strukturave sekrete antishqiptare. Po si ndodhi kjo pyesin njerëzit e rëndomtë në pazarin e grave të Tetovës!
Duhet të ketë progres tek implementimi i Marëveshjes së paqës porosit z.Xhaferi
"Mundësia që situata të përshkallëzohet pas incidentit në Reçiçën e Vogël varet nga progresi i implementimin të Marrëveshjes së Paqes. Nëse do të ketë devijime në këtë drejtim atëherë do të humbasë besimi". Kështu është shprehur lideri i partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arben Xhaferri. Sipas tij ofensiva e pranverës u bë publike nga mediat dhe "na është imponuar një skemë, kështu disa njerëz po përpiqen ta shpjegojnë në këtë mënyrë". Z.Xhaferri kërkoi argumente ca më të thjeshta për të shpjeguar situatën e vështirë nëpër të cilën kalon vendi: "Ka dilema të mëdha në disa çështje, siç është implementimi i Marrëveshjes së Paqes, nëse do të bëhet me vështirësi apo do të lindin probleme". Ai shpjegoi se, "disa opsione politike dolën në pah, jo vetëm duke destabilizuar vendin por edhe komunitetet e tjera etnike jashtë kufijve". Ndërsa, përsa i përket çështjes se cilat nga strukturat lajmëruan eliminimin fizik të Ali Ahmetit, Xhaferri u shpreh i bindur se "askush nuk kërkon të eliminojë Ahmetin. PDSH asnjëherë nuk ka kërkuar këshillën e tij ndërsa ka marrë vendime. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me të por vendimet i kemi marrë brenda partisë". Sipas tij është "shumë e lehtë të eliminosh një politikan por kjo nuk është e rëndësishme. Ka të bëjë me forcën për të shkaktuar incidente dhe jo me një politikë të caktuar të shqiptarëve në Maqedoni”.
Përleshjet intensive të ndodhura mbrëmë pas mesnate në qendër të Tetovës konfirmohen edhe burime diplomatike si dhe policore, të cilat shtojnë se si pasojë janë dëmtuar disa vetura dhe xhama reklamuese të ndërtesave përreth. Të njëjtat burime, nuk ishin në gjendje të konfirmojnë nëse gjatë përleshjeve ka persona të vdekur apo të plagosur. Kishte përleshje të ashpra në qendër të Tetovës, armë automatike dhe mortaja janë përdorur gjatë sulmeve. Nuk ka raporte për viktima ose të lënduar, por siç duket përleshja ka shkaktuar dëme materiale, tha një përfaqësues i lartë i OSBE-së, icili preferoi të mbetej anonim. Sipas dëshmitarëve okularë, grupi i armatosur që ndodhej në një furgon në lëvizje ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të restorantit Dora që gjendet përballë ndërtesës së selisë së vetadministratës lokale, në qendër të Tetovës. Të njëjtat burime shtuan se sulmit iu përgjigjën personat që ishin brenda restorantit, i cili është pronë e nënkryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), MenduhThaçi. Restoranti Dora në Tetovë njihet edhe si një vend ku shpeshherë tubohen përfaqësuesit e PDSH-së (në pushtet). Burime policore bënë të ditur mëngjesin e sotëm se në këto përleshje ishin përfshirë grupe të armatosura shqiptarësh, pa dhënë ndonjë hollësi tjetër në lidhje me këtë. Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni pranon se sulmi i kryer mbrëmë është i mirëorganizuar dhe ka karakter politik dhe anti-shqiptar. Nëpërmjet një deklarate të cilë si referohet agjencia maqedonase MIA, PDSH ka deklaruar se "këto sulme kriminale kanë si qëllim të pengojnë procesin e faktorit politik shqiptar për të eleminuar nga skena politike promovuesit e dobishëm duke shpërndarë një virus mes shqiptarësh duke ndaluar bashkëpunimin konstruktiv mes politikanëve shqiptarë dhe zyrtarëve ndërkombëtare". Partia Demokratike Shqiptare lajmëroi se në orën 00.45 në persona të paidentifikuar kanë qëlluar me mortaja, armë të llojeve të ndryshme të cilët sulmuan godinën e kësaj partie në Tetovë. Sulmi më i rëndë mbi presidentin maqedonas, pas atij për ndërlidhjet e ish bashkëpunëtorit të tij, Fërçkovski, me atentatin e 3 tetorit të vitit 1995 në Shkup mbi kryetarin e atëhershëm Gligorov, është ai i të enjtës me akuzat e ministrit të brendshëm Boshkovski në llogari të Trajkovskit për keqpërdorim të ndihmave ndërkombëtare për Maqedoninë në kohën e krizës së refugjatëve kosovarë në Maqedoni.Analistë të këtushëm, që e kanë parasysh edhe një kumtesë të lëshuar të mërkurën nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup në të cilën thuhet se, "Qeveria e SHBA-së mbështetë politikën e presidentit Trajkovski në luftën kundër korrupcionit", theksojnë se akuzat e reja në VMRO-DPMNE janë vetëm një fushatë ndërpartiake e garës për pushtet para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Maqedoni, ndërsa qëllim është rrëzimi nga pushteti i Trajkovskit me ndonjë impiçment apo votim mosbesimi në Parlament, që me Kushtetutë nuk mund të realizohet, pos nëse nuk bëhet ndonjë grushtet, që mund të jetë i mundshëm në Maqedoni.Tërthorazi me këtë akuzohet edhe PDSH, që ka qenë drejpërsëdrejti e angazhuar në ato projekte të ndihmave ndërkombëtare për Maqedoninë, që atëbotë udhëhiqeshin nga Trajkovski, atëherë zëvendësministër i Jashtëm, por edhe disa ministra e zëvendësministra të PDSH-së, që atëbotë ishin anëtarë të grupit qeveritar maqedonas të Krizës.Trajkovski të enjtën ka deklaruar se ai gjithë dokumentacionin për ndihmat humanitare e ka dorëzuar dhe ai është i arkivuar në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë, por është shumë indikative se deklarata e Boshkovskit doli vetëm disa orë para tentimatentatit mbi Menduh Thaçin dhe Selinë alternative të PDSH-së, kurse edhe Thaçi para do kohe, sipas mediave maqedonase patë deklaruar se pasi ka zgjedhje tani në një procedurë të tillë mund të hyjë edhe Trajkovski.Në vitin 2000, kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Maqedoni dhe kur u zgjodh Trajkovski, votat vendimtare për zgjedhjen e tij u siguruan nga shqiptarët përmes PDSH-së. Nënkryetari i Partisë Demokratike Shgiptare, Menduh Thaçi, duke komentuar incidentin e pardjeshëm kur u sulmua restorani i tij në Tetovë, në një intervistë dhënë televizionit shtetëror ka akuzuar strukturat policore maqedonase për sajimin e akteve të dhunës dhe për atentat kundër tij. Sipas tij ky sulm ka dy qëllime largimin e Shtabit të partisë, përkatësisht të shtëpisë së tij nga zona të cilën maqedonasit e konsiderojnë për tyre.
Duhet të ketë progres tek implementimi i Marëveshjes së paqës porosit z.Xhaferi. Por duhet të ketë progres edhe tek sjellja politike e politikanëve shqiptar, që tani për tani janë bërë pengu i hijes së vete dhe akuzimeve të AKSH-së që do ti likuidojë fizikisht duke i etiketuar si tradhëtar të popullit shqiptar në Maqedoni. A ekziston AKSH apo jo? Kjo nuk është aq me rëndësi. A është AKSH çështje interneti apo jo. Fike dritën dhe shko bjer, more i ngratë, se shkuam kot për mend!

 
shkruan:
Dr.Nehat Sadiku
ekspert politik
Copyright www.agimi.com 2002