NA PRIFTË E MBARA!

Ky është urimi ynë i parë për ju dhe për ne.

Kjo faqe e Organizatës Paqësore Politike FORUMI QYTETAR I KOSOVËS është juaja dhe jona. Sepse edhe FORUMI është juaji dhe yni.
Nga latinishtja, veç tjerash, -forum- do të thotë edhe pazar, treg, shesh; midisi i qytetit, midisi i fshatit. Por, edhe më shqip, do të thotë – log.

Në traditën tonë të moçme, kur situatat ishin dramatike dhe kur duhej të merreshin vendime që kishin të bënin me fatin e të gjithëve, të gjithë sa ishin, me pleq e plaka, me burra e me gra, me të rinj e të reja, tuboheshin në Logun e burrave. Sa bukur tingëllon, Logu i burrave! Sepse, fjala burrë, në filozofinë e gjuhës sonë, ka një rremb kuptimesh shumë më të thella se sa në përdorimin tonë të përditshëm të kësaj fjale. Fjala burrë ka kuptimin e trimit që i pleqëron gjërat drejt e pa hile; ka kuptimin e njeriut që i do të gjithë më shumë se veten; ka kuptimin e njeriut që interesin e përgjithshëm, në të gjitha situatat, e vë para e mbi interesin personal. Burrë do të thotë ai që për lirinë e të gjithëve, për mendimin e lirë, për fjalën e lirë për të drejtën e për të vërtetën e jep edhe kokën.
Kur tubohen në logun e burave njerëzit, çfarëdo moshe a gjinie qofshin, çfarëdo kombi a kombësie qofshin, çfarëdo feje a besimi qofshin, çfarëdo profesioni ose shkalle shoqërore qofshin, nuk janë më ata që ishin para se të vijnë në logun e burrave. Tani, të gjithë janë njerëz që shtyhen midis tyre jo për të marrë sa më shumë prej të tjerëve për veten e vet, por për të dhënë e për të bërë sa më shumë për të tjerët. Sepse, ata, të gjithë, pa përjashtim, në logun e burrave, bëhen burra a burrnesha! Sepse, logu i burrave është vend hyjnor. Është vend hyjnor, sepse atje shkohet vullnetarisht. Dhe, kur jepet fjala vullnetarisht, ajo edhe mbahet. Kur vullneterisht merret për sipër detyra, ajo edhe kryhet.
Prandaj, porsa të vini në faqen tonë të FORUMIT, në logun e fjalës së burrave, pyeteni zemrën tuaj se a dëshironi për të tjerët atë që dëshironi edhe për veten tuaj? Nëse po, atëherë fjala juaj do të ketë peshë; atëherë fjala juaj do të çojë peshë zemrat e fjetura; zemrat e zgjuara do të ndezin flakë dëshirat e synimet tuaja të mbara; dëshirat e synimet tuaja të mbara do të ngjallin vullnetin e energjinë tuaj; vullneti e energjia juaj do të lartësojnë vetëdijen tuaj krijuese; vetëdija juaj krijuese do të shndërrohet në organizim të përsosur; organizimi i përsosur do të krijojë forcën e pandalshme që do të çojë shoqërinë tonë, si pjesë e shoqërisë njerëzore, drejt lirisë e lumturisë pa dhunë, pa pengesa e në frymën e qytetare.
Në faqen e Forumit do të njiheni me rezultatet dhe përpjekjet tona rreth themelimit të Organizatës sonë Politike Paqësore FORUMI QYTETAR I KOSOVËS.

NA PRIFTË E MBARA!

shkarko dhe lexo platformën politike (txt)

nga:
Në emër të Grupit
Nismëtar,
Adem Demaçi,
fitues i Çmimit
SAHAROV,
për vitin 1991.
Copyright www.agimi.com