| 27.12.03
Një anketë e bërë me disa qytetarë
serbë të Graçanicës dhe e transmetuar të
enjten në mbrëmje nga Radio Televizioni i Kosovës
zbuloi përcaktimin e tyre që në zgjedhjet parlamentare
të kësaj të djele për Kuvendin serb, do të
votojnë partinë Radikale të Sheshelit. Ndërsa
shefi i Diplomacisë Evropiane Havier Solana, në një
intervistë dhënë agjencisë serbe të lajmeve
BETA ka specifikuar se Bashkimi Evropian është i vendosur
që t'u ofrojë përkrahje të gjithë atyre
të cilët janë të gatshëm të vazhdojnë
rrugën e reformave. Është lehtësisht e lexueshme
se Partia Radikale serbe nuk hyn në këtë llogari
të Solanës.
Qytetarët serbë të Kosovës edhe në votimet
presidenciale serbe të dështuara para disa muajve, janë
treguar si një trup elektoral mjaft kompakt. Sipas gazetës
beogradase Danas, në zgjedhjet e kaluara për president
të Serbisë, ata kanë votuar në mënyrë
masive për kandidatin e radikalëve. Rrjedhimisht këto
zgjedhje po e pengojnë integrimin e qytetarëve serbë
në institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme
dhe të administratës civile ndërkombëtare në
Kosovë. Lejimi i fushatës elektorale dhe i vetë zgjedhjeve
serbe në Kosovë është bërë një
ushqim vetëm për partitë nacionaliste serbe, të
cilat në angazhimet e tyre që të pengojnë reformat
dhe integrimin e Serbisë në strukturat euro-atllantike
luajnë me kartën e Kosovës. Rritja e trupit votues
të radikalëve serbë dhe të partive të tjera
nacionaliste, pas kolapsit që përjetuan në tetor
të vitit 2000, njërin nga shkaqet e kanë në
qëndrimin armiqësor që mbajnë ndaj Kosovës
dhe veçanërisht ndaj prezencës ndërkombëtare
dhe qëndrimit ndegativ ndaj Tribubalit të Hagës.
Edhe pse kartën e Kosovës në garën elektorale
e kanë përdorur me të madhe edhe partitë e ish-koalicionit
DOS, të cilat konsiderohen si më të moderuara, është
qartë se ato nuk mund t'i konkurojnë në këtë
terren partisë radikale dhe në rast të rikonfirmimit
të suksesit të radikalëve në zgjedhjet parlamentare
në Serbi, kjo do të ishte një shenjë e trendeve
destabilizuese. Në atë rast bashkësia ndërkombëtare
do të duhej të nxirrte leksionet e duhura për burimin
nga i cili ushqehet nacionalizmi ekstrem serb. Shikuar nga aspekti
i rezolutës 1244 UNMIK-u është i mandatuar që
të ushtrojë pushtetin e plotë legjislativ ekzekutiv
dhe gjyqësor në Kosovë në bashkëpunim me
institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme. Në
asnjë vend nuk përmendet pjesëmarrja e Kosovës
dhe e qytetarëve të saj në konstituimin e pushteteve
legjislative në Serbi ose në ish-Jugosllavi. Por lejimi
i shtrirjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë,
duket si një kalkulim politik për të mbajtur brenda
procesit politik Serbinë.
Lejimi i shtrirjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë
edhe në Kosovë, nuk paraqet probleme në planin e
sigurisë dhe kjo është një gjë e mirë
për të gjithë. Në planin e sigurisë nuk
paraqet problem sepse që nga viti 2000 janë lejuar disa
palë zgjedhje serbe federale dhe asnjëherë nuk janë
shënuar incidente. Kjo padyshim është provë
e shkallës së lartë të sigurisë që
mundëson prezenca ndërkombëtare, por sigurisht edhe
e vetë kujdesit të qytetarëve që duan të
mos provokohen dhe të mos provokojnë.
(REL, 27. Dhjetor, 2003) |