SHQIPTARËT VRITEN MES VETE APO JO?

Ana tjetër e medaljes E shtunë 04.10.03

Nëse ka dështuar amnistia, duhet të rritet mobiliteti i strukturave të sigurisë, sepse pikërisht një ditë pas mbylljes zyrtare të amnistisë, në Kosovë ndodhën tragjedi të reja nga përdorimi i armëve. Në dy raste të ndara, në Gllamnik të Besianës dhe në Strellc të Deçanit, mbetën të vrarë katër persona dhe disa të tjerë të plagosur. Kjo përmasë e përdorimit vrastar të armëve dhe kjo gjeografi e shtrirjes, tregon qartë se çfarë kërcënimesh kanë mbetur pezull mbi jetët e njerëzve në Kosovë.

Dështimi i amnistisë për dorëzimin e armëve në Kosovë, megjithë kohëzgjatjen dhe investimin e madh në informimin e qytetarëve lidhur me këtë aksion të rëndësishëm, zbulon një anë të hidhur dhe dramatike të realitetit të sotëm kosovar. Në këtë mënyrë faktikisht u refuzua oferta atrtaktive “Armët në këmbim të zhvillimit”, e cila u mundësonte komunave që të përfitonin një shumë prej 225 mijë dollarëve, në rast se kalohej kuota prej vetëm 300 armësh të dorëzuara për komunë.
Kësisoj, mosdorëzimi i armëve e mban në plan të parë aspektin e frikës për sigurinë personale dhe familjare në Kosovë, para nevojave të tjera sociale, që në fakt janë të shumta dhe emergjente.
Shefi i UNDP-së në Kosovë, Robert Pajper, në një konferencë shtypi ku ka shpallur dështimin e këtij aksioni, ka thënë se kjo amnisti i ka paguar një çmim të lartë gjendjes së jashtëzakonshme që ka mbretëruar në këta muaj në Kosovë. Por, ndër faktorët e mundshëm ai ka përmendur edhe “ traditën, mosbesimin në polici dhe ndoshta mungesa e sigurisë”.
Të tre këta faktorë që ka përmendur Pajper, meritojnë analiza të veçanta dhe nga aspekte të ndryshme.
Tradita e shqiptarëve të Kosovës për mbajtje armësh ilegale është e gjatë dhe sigurisht ende shumë aktive. Kjo e ka burimin te jeta nën administrime, që kanë pasur qëllim provokimin dhe shtypjen. Por, dihet se tipari kryesor i traditës zakonisht është se me ndryshimin e realiteti përkatësisht të faktorëve ndikues, ndryshon edhe ajo. Rrjedhimisht, kjo traditë do të duhej të kishte ndryshuar në Kosovë, për faktin se ky vend në këto vite ka mbrojtje të shkallës më të lartë, të mishëruar në strukturat e sigurisë së KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare.
Duket se mosndryshimi i qëndrimit ndaj mbajtjes së armëve pa leje, ka të bëjë me mungesën e punës në terren të partive politike në këto vite dhe veçmas për këtë aksion. Njerëzit parapëlqejnë më shumë fjalën e gjallë, se sa reklamën që u vjen nga ekranet.
Ndërsa, e vërtetë e hidhur është se në këto vite është vënë re një mungesë e madhe e punës së partive politike ne terren. Kapacitetet e organizatave joqeveritare, të cilave praktikisht u ka mbetur barra e punës në terren, gjithnjë janë të pakta dhe me besueshmëri më të pakët.
Meqë ka munguar puna konkrete në terren, mungesa e bindjes së qytetarëve që të dorëzojnë armët pa leje, ka bërë që të dominojë ndjenja e pasigurisë mbi vetë gjendjen e sigurisë, e cila në Kosovë realisht është stabile. Prandaj, edhe në këtë rast është vërejtur një shkëputje e drejtuesve politikë nga terreni dhe nga qytetarët. Ky duket të jetë një shkak më i madh i mospërgjigjes ndaj ftesës së amnistisë, se sa vetë mbetëzat e traditës.
Nga ana tjetër, mosdefinimi i një drejtimi të qartë për të ardhmen e vendit, sigurisht që ka ndikim në qëndrimin e njerëzve ndaj mbajtjes së armëve ilegale. Meqë ky është një proces i komplikuar dhe afatgjatë, duhet llogaritur në një gjendje poashtu aftagjatë të pasigurisë që vjen nga mbajtja e armëve pa leje dhe përdorimi enorm i tyre në fushën e krimit. Prandaj, nëse ka dështuar amnistia, duhet të rritet mobiliteti i strukturave të sigurisë, sepse pikërisht një ditë pas mbylljes zyrtare të amnistisë, në Kosovë ndodhën tragjedi të reja nga përdorimi i armëve. Në dy raste të ndara, në Gllamnik të Besianës dhe në Strellc të Deçanit, mbetën të vrarë katër persona dhe disa të tjerë të plagosur. Kjo përmasë e përdorimit vrastar të armëve dhe kjo gjeografi e shtrirjes, tregon qartë se çfarë kërcënimesh kanë mbetur pezull mbi jetët e njerëzve në Kosovë.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002