|
09.01.04
Ana tjetër e medaljes
Mgjithatë, emërtimi nga shumica
e mediave shqipe, i të ndjerës si “plaka Ragbete
Mehmeti” vetëm sa provon atë imunizim me të
keqen që tashmë është shndërruar në
mënyrë të të menduari. Kjo prirje për ta
relativizuar të keqen dhe për ta zbutur, është
pasojë e mendjelehtësisë, sepse pavarësisht
nga mosha, një viktimë e çrregullimeve drastike
të furnizimit me energji elektrike, është emërues
i përbashkët i një gjendjeje potencialisht të
rrezikshme për të gjithë banorët e të gjitha
moshave.
Nga shpëthimi i zjarrit në banesën e familjes Mehmeti
ne qendër të Prishtinës, këtë të merkure
në orët e mbrëmjes, mbeti e vdekur Ragbete Mehmeti,
duke e shtuar numrin e viktimave nga pasojat e avarive dhe të
çrregullimeve të furnizimit me energji elektrike.
Në këtë fatkeqësi të familjes Mehmeti,
e pësoi edhe një polic i Shërbimit Policor të
Kosovës, cili bëri përpjekje që të ofronte
ndihmë, në mungesë të zjarrfikësve.
E drejta, edhe në një shpërthim të madh të
zjarrit në një kompleks banimi në lagjen Ulpiana,
vetëm një natë para se të ndodhte tragjedia
e familjes Mehmeti, pjesëtarë të Shërbimit Policor
të Kosovës, treguan një azhuritet të jashtëzakonshëm,
duke arritur në vendin e fatkeqësisë vetëm pak
minuta pas lajmërimit. Por, edhe atje, ata që duhej të
arrinin të parët, shërbimi i Urgensit dhe i KEK-ut,
ose nuk erdhën fare, ose arritën me së paku një
orë vonesë. Të dyja rastet, janë dëshmi
se nuk është e mjaftueshem që të funksionojë
vetëm një segment i sigurisë. Për të shpëtuar
jetët e njerëzve dhe pronat e qytetarëve, kërkohet
reagim i shpejtë i të gjitha strukturave të shërbimeve
emergjente.
Për shkak të pakujdesisë së disave prej tyre,
në këtë rast KEK-ut dhe zjarrfikësve, vdekja
e zonjës Ragbete Mehmeti tashmë paraqte një numër
më shumë në tabelat statistikore të tragjedive
të tilla.
Mgjithatë, emërtimi nga shumica e mediave shqipe, i të
ndjerës si “plaka Ragbete Mehmeti” vetëm sa
provon atë imunizim me të keqen që tashmë është
shndërruar në mënyrë të të menduari.
Kjo prirje për ta relativizuar të keqen dhe për ta
zbutur, është pasojë e mendjelehtësisë,
sepse pavarësisht nga mosha, një viktimë e çrregullimeve
drastike të furnizimit me energji elektrike, është
emërues i përbashkët i një gjendjeje potencialisht
të rrezikshme për të gjithë banorët e të
gjitha moshave. Autori i këtij teksti ka parë me sytë
e vet, në zjarrin që shpërtheu në Ulpianë
të martën, fëmijë të alivanosur, gra të
reja të asfiksuara dhe burra që mezi kanë përshkuar
gjallë korridorin e hyrjes së banesës. Pra, të
qenë e të ndjerës në moshën shtatëdhjetëvjeçare,
nuk mund të përdoret si eufemizëm për vdekjen
e saj të dhunshme.
Sipas të dhënave që u publikuan pas tragjedisë,
zjarri në banesën e familjes Mehmeti ka shpërthyer
nga qiriri dhe stufa e gazit. Fatkeqësisht, qiriri dhe stufat
e gazit, janë bërë të pashmangshme në familjet
qytetse kosovare. Mungesa disa orëshe e energjisë elektrike,
në këtë dimër të ashpër, i detyron
shumë familje që të përdorin qirinj dhe stufa
gazi, për të luftuar terrin dhe të ftoftin. Logjikisht,
shpëthimet e zjarreve nëpër banesa dhe avaritë
nëpër instalime, janë pasoja e çrregullimeve
te Korporatës Energjetike të Kosovës.
Edhe pse deri në rastin më të ri të tragjedisë
së familjes Mehmeti në Prishtinë, kanë nddohur
shumë raste të tilla, askush nga KEK-u nuk ka luajtur
gishtine vogël për të ndrequr çkadoqoftë.
Aq më pak i ka shkuar kujt mendja që të kërkojë
ndjesë ose të merr përsipër një përgjegjësi
morale.
Nuk është e kuptueshme në këtë rast as
heshtja e asociacioneve të shumta të grave dhe e asociacioneve
që angazhohen në lëmin e mbrojtjes së të
drejtave të njeriut. Nëse në raste të tilla
nuk ka një angazhim të këtyre asociacioneve, vërtet
piketat e angazhimit të tyre me vorkshope e seminare, në
sallat e hoteveve luksoze, mbeten moralisht të dyshimta.
Në fakt e tërë shoqëria kosovare, mbetet edhe
më tutje e topitur ndaj tragjedive që ndodhin gjithandej
nga çrregullime e furnizimit me energji elektrike. Dalja
nga kjo topitje dhe nga kjo letargji asfiksuese, si dioksidi që
i mori jetën zonjës Ragbete Mehmeti, është standardi
i parë që duhet të përmbush një shoqëri
që ka synim vetërespektin dhe dinjitetin.
Në Prishtinë, 9 janar 2004
|