DËSHMIA QË VJEN NGA PËRTEJ ATLANTIKUT DHE VARREZA MASIVE NË BATAJNICË

A ka fund fshehja e krimeve të Serbisë

Dihet se varreza masive janë zbuluar në Batajnicë të Beogradit, e cila është në afërsi të lokacioneve dhe të objekteve të VMA-së, që janë treguar si vende ku ka mundësi që të jenë bërë eksperimentet e tmerrshme. Deri sot qeveria serbe nuk ka dhënë përgjigje të qartë se si kanë mbërritur kufomat e civilëve shqiptarë në varrezat në Batajnicë përkatësisht çfarë ka ndodhur me ta, para se të varroseshin atje. Qoftë dhe vetë kjo heshtje dhe sidomos ndërprerja e procesit të kthimit të kufomave, është një indikator që e rrit dyshimin se diçka tepër serioze po fshehet.


Varreza masive në Batajnicë

Dëshmia rrënqethëse lidhur me eksperimentimin që është bërë në institucionet ushtarako-mjekësore serbe në Beograd me pengje shqiptare, erdhi nga përtej Atlantikut, në formë të një dëshmie që synon të qetësojë ndërgjegjen e vetë dëshmitarit. Pra, tash për tash, ajo duket vetëm si një përpjekjke për të rifituar qetësinë një njeri, i cili nga frika nuk guxon ta zbulojë identitetin e vet para opinionit.
Kur shikohet gjendja faktike, frika e dëshmitarit është krejt legjitime. Botërisht dihet se infrastrukrura e makinerisë ushtarako-policore të fashizmit serb, nuk është shpërbërë, sikundër ka qenë praktika me shtetet fashiste, kur ato kapitullonin. Në fakt ,zyrtarisht është shpërbërë vetëm formacioni “Beretat e Kuqe”. Por, ky formacion nuk është shpërbërë për krimet e kryera në Kosovë, po për faktin se ishte instanca që projektoi dhe që ekzekutoi likuidimin fizik të kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiqit. Ndërsa e tërë struktura ushtarake, policore dhe e shërbimeve sekrete serbe, ka mbetur e pacënuar dhe vetëm me disa ndryshime kozmetike nw nivelin komandues. Prandaj, nuk është jologjike që dora vrastare e këtyre shërbimeve e arrin secilin dëshmitar, që guxon të zbulojë monstruozitetet e krimeve naziste që kanë kryer forcat serbe kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Sidoqoftë, dëshmitari anonim, ka bërë një pjesë të detyrës së vet. Ai ka treguar si kanë funksionuar tunelet e nëndheshme, si janë të lidhura lokacionet dhe si ka funksionuar opreracioni nazist i eksperimenimeve me krijesa njerëzore dhe i zhdukjes së tyre në Serbi.
Kur shikohet gjendja faktike me civilët shqiptarë që ende llogariten të zhdukur, ka një lidhje logjike. Dihet se varreza masive janë zbuluar në Batajnicë të Beogradit, e cila nuk është larg lokacioneve dhe të objekteve të VMA-së, që janë treguar si vende ku ka mundësi që të jenë bërë eksperimentet e tmerrshme. Deri sot qeveria serbe nuk ka dhënë përgjigje të qartë se si kanë mbërritur kufomat e civilëve shqiptarë në varrezat në Batajnicë, përkatësisht çfarë ka ndodhur me ta, para se të varroseshin atje. Qoftë dhe vetë kjo heshtje dhe sidomos ndërprerja e procesit të zhvarrosjes dhe të kthimit të kufomave, është një indikator që e rrit dyshimin se diçka tepër serioze po fshehet.
Qeveria aktuale serbe i zbuloi varrezat masive në Batajnicë, frigoriferin me kufomat e shqiptarëve në Danub dhe në Liqenin Peruçac, vetëm sa për të treguar anën e keqe të Millosheviqit, në kontekstin e luftës së brendshme për pushtet në Serbi, por kurrssi nuk e çoi punën më tutje për të ndriçuar përmasat e gjenocidit që ishte kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës. Ka kohë të gjatë që në opinionin serb më nuk janë publikuar kurrfarë informacionesh për hetimet eventuale ndaj atyre që janë akuzuar për këto krime. Pra, pas përdorimit të këtyre tragjedive për konsum të brendshëm dhe për përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të qeverisë aktuale, kapitulli duket i mbyllur.
Ajo që është poashtu e hidhur në këtë tregim, është se çështja e të zhdukurve është paraparë të përfshihet në agjendën e të ashtuquajturave “bisedime për çështje teknike” ndërmjet Prishtinës e Beogradit, që planifikohet të fillojnë më 14 tetor të këitj viti në Vjenë të Austrisë. Edhe me këtë përfshirje të çështjes më tragjike të gjenocidit kundër shqiptarëve në “çështje teknike”, duket se synohet të fshehet po e njëjta gjë, pra, përmasa e krimit që ka bërë Serbia kundër shqiptarëve të Kosovës. Gjetja e personave të zhdukur dhe dhënia e përgjigjeve të plota për fatet e secilit njeri të zhdukur, nuk mund të jetë çështje teknike, po është çështje humanitare dhe politike. Mjafton të përmendet këtu një rast: para do kohësh një delegacion i lartë i SHBAve ka qenë në Vietnam për të kërkuar kthimin e eshtrave të ushtarëve amerikaë dhe dhënien e informative për personat e zhdukur në luftën amerikano-vietnameze. Por, këto kërkesa janë bërë të mundshme vetëm pas normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për çka janë dashr më shumë se tridhjetë vjet, e kurrsesi si “çështje teknike”.
Ndoshta ajo që mund të bëhet në rastin e Kosovës, është që delegacioni i saj të kërkojë në bisedimet e Vjenës, që të krijohet një komision i përbashkët i ekspertëve shqiptarë, serbë dhe ndërkombëtar, që do të hulumtonte se a janë bërë vërtet eksperimentime me pengjet shqiptare dhe cili ka qenë fati i personave që janë varrosur në varrezat masive nëpëpr Serbi.
Pas publikimit të dëshmisë së parë për këtë rast, vërtet nuk do të duhej të pasonte heshtja dhe injorimi.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002