KUJT I DUHET PRISHJA E MIQËSISË ME SLLOVENINË?

Ana tjetër e medaljes

Në kohën kur Kosova përpiqet që të formësojë identitetitn e vet politik dhe institucionet e saj të pajisen më më shumë kompetenca, është e domosdoshme që të tregohet maturi maksimale edhe në situata të tilla të ndjeshme të provokimeve të çastit, sikundër ishte rasti me arrestimin e gjenerallejtënant Agim Çekut.
Shpalljet e bojkoteve dhe tonet e larta mediatike, nuk paraqesin një imazh të dëshiruar në dioptrinë e atyre që i bëjnë politikat për Kosovën.

--------------------------------------------

01.11.03 Reagimi me emocione të forta dhe me mediatizim të ngjyrosuar me ngjyra të idesë kombëtare, edhe për punët që më shumë i takojnë administrimit dhe diplomacisë, dalin edhe më tutje në disa raste si tipare të sjelljes së njeriut shqiptar të Kosovës. Kjo mënyrë reagimi është e rrënjosur nga e kaluara e para çlirimit të Kosovës, kur ndaj masave represive të regjimit të Millosheviqit, praktikisht nuk kishte një mjet tjetër të kundërvënies. Rrjedhimisht, protestat populiste dhe ngjyrat e forta kombëtare të gazetarisë, përbënin një satistafksion.

Rikthimi i kësaj mënyre të reagimit, me rastin e protestave dhe thirrjeve për bojkot ndaj Sllovenisë, si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të gjenerallejtnant Agim Çekut, kërkon një analizë serioze. Sepse në një realitet të ndryshuar, është normale që të pritet edhe ndryshimi i reagimeve dhe i diskursit medial.

Për njohësit e historisë së marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Sllovenisë, veçmas në periudhën e shpërbërjes së ish Jugoslavisë, ashpërsia e reagimit në Kosovë, lancimi i idesë për bojkot ndaj mallrave sllovene, vërtet është i papritur.

Në vitet 1988/89 e deri në shpërbërjen e ish Jugosllavisë, shpesh herë Sllovenia ishte avokati kryesor u çështjes së Kosovës. Mitingu si ai në Shtëpinë e Cankarit, në përkrahje të minatorëve të Trepës, kanë qenë kyçi i ndërkombëtarizimit të kësaj çështjeje. Reagimi me rastin e izolimeve të vitit 1989, mikpritja e treguar ndaj të ikurve politikë nga Kosova dhe madje edhe ndaj delegatëve të Kosovës, që e shpallën Kushtetutën e Kaçanikut në shtator 1990, patën krijuar një miqësi bukur të thellë.

Ndërsa, nga praktikat është e njohur se miqësitë që krijohen ndërmjet popujve dhe vendeve në situata të kthesave historikëe, janë afatgjata dhe u rezistojnë edhe krizave që shfaqen. Mund të merret si shembull konkret nga afërsia, sjellja e serbëve ndaj Francës. Edhe pse Franca ka qenë në anën e koalacionit të NATO-s, nuk është raportuar që serbët të kenë deklaruar armiqësi ndaj Francës, të cilën e mbajnë aleate që nga Lufta e Parë Botërore.

Pavarësisht nga pasojat që do të ketë në marrëdhëniet ekonomike dhe të tjera ndërmjet Kosovës e Sllovenisë, për kosovarët mbetet që të analizojnë, jo vetëm sjelljet e të tjerëve ndaj tyre, po edhe kulturën e vet të sjelljes në situata të këtilla. Përderisa nuk janë aplikuar masa të bojkotit as ndaj Serbisë, kërkesa për bojkot ekonomik ndaj Sllovenisë, duket vetëm një reagim i shkaktuar nga emocionet e forta dhe eventualisht nga manipulimi medial. Kosova nuk aplikon bojkot as ndaj që nuk i pranojnë dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut, as ndaj vendeve që i deportojnë qytetarët e Kosovës. Në fund të fundit, Kosova nuk është në situatë që të luajë me këtë kartë në asnjë rast.

Në kohën kur Kosova përpiqet që të formësojë identitetitn e vet politik dhe institucionet e saj të pajisen më më shumë kompetenca, është e domosdoshme që të tregohet maturi maksimale edhe në situata të tilla të ndjeshme të provokimeve të çastit, sikundër ishte rasti me arrestimin e gjenerallejtënant Agim Çekut.
Shpalljet e bojkoteve dhe tonet e larta mediatike, nuk paraqesin një imazh të dëshiruar në dioptrinë e atyre që i bëjnë politikat për Kosovën.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002