SAMITI I SELANIKUT DHE DIALOGU ME SERBINË

04.06.03 Kultura politike në Kosovë, në këto katër vite, është testuar me tri palë zgjedhje të lira dhe demokratike, të organizuara nga OSBE-ja, me çka edhe ka hyrë në një proces europianizimi. Vitin e fundit në Kosovë ka pasur edhe një rënie të intolerancës ndëretnike, me çka gradualisht po zgjerohet kultura e bashkëjetesës dhe e tolerancës ndërmjet qytetarëve të Kosovës. Kthimi i banorëve shqiptarë të Bitisë së Epërme në bashkëpunim me banorët serbë të Shtërpcës, shënon edhe një mundësi të re, që mbase duhet të përforcohet në të ardhmen. Ideja e një kontrate shoqërore, e dhënë në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, mbase do të duhej të përpunohej e të rezultonte me promovimin e një kulture stabile të bashkëjetesës në Kosovë.

Por, Kosova gradualisht po afirmohet edhe si subjekt që duhet të manifestojë identitetin dhe qëndrueshmërinë e vet edhe në komunikime ndërkombëtare. Oferta europiane për fillimin e një dialogu shqiptaro-serb në Samitin e Selanikut, më shumë se një ngjarje konkrete politike, ka simbolikën e vet në këto nivele. Kjo simbolikë ka të bëjë me një spektër elementesh, që nga qëndrimi i qytetarëve, e deri te përfaqësimi në delegacionin kosovar, ku pritet të jetë edhe një përfaqësues i komunitetit serb, si shenjë e procesit të integrimit të tyre në institucionet demokratike kosovare.

Përderi sa në nivelet e politikës europiane ende vazhdojnë kalkulimet lidhur me pjesëmarrjen e një delegaciuoni kosovar në Samitin e Selanikut, duket se sa i takon opinionit të qytetarëve të Kosovës për këtë çështje, ai është në favor të pjesëmarrjes. Por, ajo që duhet të bëhet, është thyerja e barrierës psikologjike të qytetarëve lidhur me kontaktet dhe dialogun me Serbinë. Atyre duhet shpjeguar se për t’u afirmuar Kosova si entiet në arenën ndërkombëtare, duhet të merr përgjegjësitë që i kërkohen. Përvoja e Bosnjës dhe e Kroacisë, do të duhej të shërbenin si udhërrëfyes për qytetarët kosovarë.

Qytetarët e Kosovës, si gjatë viteve të luftës si në këto katër vite të administrimit ndërkombëtar të vendit, kanë mësuar shumë gjëra lidhur me fuqinë dhe rëndësinë që ka bashkësia ndërkombëtare. Besueshmëria e kosovarëve në institucionet ndërkombëtare arrinë në kuota të larta. Dhe kjo rrethanë e bën poashtu të favorshëm promovimin e politikave të hapjes e të komunikimit, që kërkohen nga lidershipi i Kosovës.

Por, në tërë këtë proces mungon debati publik profesional dhe inteklektual. Edhe kësaj here, po provohet se elita intelektuale ka zgjedhur abstenimin nga debati dhe nga ofrimi i argumenteve të saj për alternativat politike, sociale dhe kulturore që i duhen vendit. Mungesa e tribunave, e analizave dhe e debateve mediale për projekte si ai i G17 Plusit, pastaj i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i dëshmive në Kongresin amerikan, etj., është provë e këtij abstenimi tashmë tradicional.

Një pjesë e kësaj elite është e barrikaduar për shkak se nuk ka arritur të transformohet në realitetet e reja, dhe ka parapëlqyer që edhe më tutje të vazhdojë moralizimin e vet retorik. Mirëpo, zhvillimet kanë shkuar më larg nga sa u duket atyre. Katër vjet pas mbarimit të luftës, kultura e hapjes, e dialogut dhe e integrimeve është institucionalizuar dhe ka bërë disa hapa të mëdhenj, që e bëjnë të pakthyeshëm kthimin e gjendjes së izolimit dhe të përjashtimit. (REL)

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002