| 22.07.04
Takimi i radhës i Grupit Përkrahës për Kosovën
Grupi Përkrahës për Kosovën do të mund të luante një rol të rëndësishëm, nëse do të iniconte një proces a mbase një procedurë për decentralizimin dhe për demontimin e pushtetit enorm të PSSP dhe për rishpërndarjen e arsyeshme të pushtetit ndërmjet administratës civile ndërkombëtare dhe institucioneve të zgjedhura të vendit. Në atë rast ky grupim do të arsyenonte shpenzimet që bëhen nga turizmi politiko-diplomatik i diplomatëve dhe ekspertëve që edhe vetë janë lodhur nga vajtje- ardhjet e panumërta në Kosovë.
Takimi i radhës i Grupit Përkrahës për Kosovën, u kujton të gjithë atyre që dinë të mendojnë, ritmin e kohës që humbet për të gjithë ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me të. Gjashtë javë kaluan shpejt dhe Grupi Përkrahës për Kosovën u rishfaq në Prishtinë, si një revizor i rremë në dramën e Gogolit. Grupi Përkrahës për Kosovën është shfaqur në takimin e radhës për të kërkuar nga institucioent e Kosovës llogarinë e mosrealizimit të detyrave dhe njëherësh për t'u dhënë atyre detyra të reja, të cilat ato as që kanë kompetenca t'i kryejnë. Thënë më thjesht, Grupi Përkrahës për Kosovën edhe këtë herë bën spektaklin politico-diplomatik të radhës dhe kërkon llogari në adresën ku llogaria e vërtetë nuk mund të kërkohet.
Demontimi dhe decentralizimi i pushtetit të UNMIK-ut
E drejta, joserioziteti i angazhimit ndërkombëtar në disa muaj të fundit në Kosovë, jo vetëm në rastin e Grupit Përkrahës për Kosovën po sa i përket angazhimit ndërkombëtar për Kosoëvn në përgjithësi, shihet në një fakt themelor: Kosova ka katër muaj që nuk e ka në vendin e tij të punës Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjitshëm të OKB-së. Ndërsa, dihet saktë se pozita e tij është pozita më përcaktuese e pushtetit të tërësishëm në Kosovë. Në autoritetin e PSSP-së është i koncentruar pushteti legjislativ (jo vetëm hartimi i rregulloreve, po edhe vendimet e Kuvendit të Kosovës janë të pavlefshme pa nënshkrimin e tij), pushteti ekzekutiv (pjesa e rezervuar e qeverisjes, në fakt është qeverisja e vërtetë) dhe pushteti gjyqësor (shtylla e parë e UNMIK-ut administron gjyqësinë në Kosovë.) Mungesa për katër muaj e kësaj instance supreme të pushtetit, nuk mund të kompensohet as me zëvendësin e tij e as me asociacione si Grupi Përkrahës për Kosovën. Në rast se zëvenësimi i PSSP do të ishte i plotë nga zëvendësi, ose nga Grupi Përkrahës për Kosovën, atëherë pozita e PSSP-së, do të ishte e panevojshme. E në rast se zëvendësimi është vetëm i përkohshëm dhe i pjesërishëm, atëherë mungesa për katër muaj e PSSP në vendin e punës, tregon joseriozitetin e OKB-_së dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që particippojnë në administrimin e Kosovës.
Grupi Përkrahës për Kosovën do të mund të luante një rol të rëndësishëm, nëse do të iniconte një proces a mbase një procedurë për decentralizimin dhe për demontimin e pushtetit enorm të PSSP dhe për rishpërndarjen e arsyeshme të pushtetit ndërmjet administratës civile ndërkombëtare dhe institucioneve të zgjedhura të vendit. Në atë rast ky grupim do të arsyenonte shpenzimet që bëhen nga turizmi politiko-diplomatik i diplomatëve dhe ekspertëve që edhe vetë janë lodhur nga vajtje ardhjet e panumërta në Kosovë. Mirëpo, nga ajo që është e mundshme të mirret vesh nga puna e këtij Grupi, detyra e tij është më shumë presioni mbi institucionet e zgjedhura të vendit dhe imponimi i disa zgjidhjeve jashtëinsittucionale. Edhe tematika e takimit të tretë të Grupit Përkrahës për Kosovën është e kësaj natyre. Fokusimi në temën e decentralizimit, të sigurisë dhe të kthimit të të zhvendosurve, është në akord me prioritetet që ka vu qeveria e Serbisë dhe plani austriak për Kosovën, i prezentuar para dy javësh nga ministrja austriake Benito Ferrero- Valldner.
Mbjellja e iluzioneve
Tema e decentralizimit ashtu si po imponohet kjo temë nga Grupi Përkrahës për Kosovën dhe nga insianca të tjera ndërkombëtare, është i nxjerrë nga konteksti i prioriteteve që ka Kosova. E para, Kosova ka nevojë urgjente për decentralizimin e pushetit qendror të UNMIK-ut, i cili është një rast eklatant i pushtetit të tipit diktatorial që koncentrohet në një person të vetëm. Decentralizimi i këtij pushteti është i nevojshëm edhe për faktin se ai nuk ka treguar efikasitet në qeverisje dhe as në krijimin e vlerave demokratike në shoqërinë e re kosovare. Edhe trazirat e marsit, me tërë tragjicitetin e tyre, e zbuluan dështimin e kësaj forme të qeverisjes së centralizuar. Prandaj, nuk mund të ketë decentralizim të pjesshëm, nëse synohet zgjidhja e problemeve të grumbulluara. E dyta, decentralizimi vetëm i pushtetit local, i konceptuar si favorizimi i komunitetit serb, mbartë rrezikun e dezintegrimit të Kosovës dhe të rritjes së mëtejshme të tensioneve ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Kushdo që mendon se liria e lëvizjes mund të sigurohet me decentralizimin e pushtetit lokal, ose është naiv ose është qëllimkeq. Liria e lëvizjes dhe kthimi i të zhvendosurve mund të sigurohen me veprime dhe me zgjidhje politike të tjera. Në rend të parë, me zhvillimin ekonomik të vendit, me hapjen e vendeve të Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe me qartësimin e agjendës për të ardhmen e Kosovës. Nëse Kosova mbahet kështu e getoizuar, nëse varfëria rritet dhe nëse luhet me nervat e shqiptarëve sa i përket të ardhmes së pavarur të vednit të tyre, kurrfarë decentralizimi nuk do të ndihmojë as kthimin e të zhvendoisurve e as lëvizjen e lirë. Prandaj, qysh tash mund të thuhet se rezultati i Grupit Përkrahës për Kosovën, nëse mbetet në suazat e dhënies së përparësisë vetëm decentralizimit të pushettit lokal si koncesion ndaj serbëve dhe të kthimit të të zhvendosurve, pa krijuar një ofertë serioze të zhvillimit ekonomik dhe të qartësimit të së ardhmes së Kosovës, do të jetë vetëm vazhdim i mbjelljes së iluzioneve.
Grupi Përkrahës për Kosovën dhe të gjitha institucionet që mirren me Kosovën mund të shpresojnë se do të mbërrijnë rezultate vetëm nëse bëhet ristrukturimi esencial i UNMIK_ut, me reduktimin dhe me decentralizimin e pushtetit të tij, dhe nëse ndodh bartja e pushtetit te institucionet e zgjedhura të vendit.
Për hir të së vërtetës do thënë se kjo do të duhej të nënkuptonte edhe ndryshimin e madh të mentaliteteve dhe të sjelljeve të subjekteve shqiptare. Nëse ato në rrethanat e kuazipushtetit kanë manifestuar dobësi, në rrethanat e ushtrimit të një pushteti real, nuk do të mund të silleshin me papërgjegjësinë e treguar në këto tri vjet. Në atë rast, edhe Grupi Përkrahës për Kosovën e edhe instancat e tjera do të kishin të drejtë që të bënin presion mbi to për rritjen e përgjegjësisë dhe për kryerjen e detyrave. |