A ndihet nevoja për reforma në shoqërinë kosovare

Dilemat konceptuale lidhur me reformat substanciale, që pritet të fillojnë në shoqërinë kosovare, kohët e fundit kanë filluar të duken në përmbajtje më të drejtpërdrejt në Universitetin e Prishtinës.Taksa admninistrative që duhet të paguajnë studentët për një vit shkollor, më shumë se një aspekt administativ i studimeve, është një testim i konceptit që do të inaugurohet lidhur me reformimin e shkollimit të lartë në Kosovë dhe me reformat arsimore e shoqërore në përgjithësi.
Dilema tashmë ka marrë përmbajtje konkrete: a do të vazhdojë praktika dhe mendësia e sistemit të kaluar, ku edhe shkollimi i lartë ishte tërësisht i financuar nga shteti, ose i varur nga donacionet e huaja, apo do të fillojë një praktikë e re e financimit dhe e subvencionimit të ekuilibruar, sikundër është rasti me universitette publike në vendet e tjera në Europë?
Në rast se mbrohet praktika e vjetër, atëherë është e qartë se Universiteti i Prishtinës do të mbetet një institucion më shumë i orientuar drejt shkollimit masiv, jokualitativ e jokonkurues. Në atë rast Universiteti i Prishtinës do të provincializohet skajshmërisht, sepse numri enorm i studentëve do të pamundësojë ngritjen e cilësisë së studimeve, të vendosjes së tyre e të organizimit institucional të jetës akademike.
Shkollimi gratis në të kaluarën, ka qenë pjesë e një ideologjie dhe e një sistemi politik, i cili përjetoi kolaps për shkak të megalomanisë ideologjike dhe të joefikasitetit ekonomik. Rrjedhimisht, modeli i dështuar i atij sistemi, nuk do të duhej të frymëzonte askend. Kosova e sotme, e cila funksionon si entitet më vete, nën një administrim civil ndërkombëtar, ka potenciale pakrahasimisht më të pakta ekonomike se kur ishte pjesë përbërëse e ish federatës komuniste t ëish Jugollavisë, dhe e ka krejt të pamundur që të mbajë sisteme të mëdha parazitare, qoftë arsimore, qoftë kulturore, shëndetësore a administrative. Fjala e urtë që thotë se duhet të shtrihen këmbët aq sa është jorgani,m në këtë rast merr fuqi të vërtetë iluminuese.
Ministria e Arsimit e Kosovës ka bërë propozimin për lartësinë e pagesës administrative, por ajo është refuzuar fuqimisht nga Unioni i Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ky asociacion ka kërcënuar edhe me organizimin e grevës, në rast se mbetet kuota e propozuuar nga Ministria. Kësisoj, një muaj e gjysmë pas fillimit të vitit shkollor, gjendja mbetet e bllokuar.
Ithtarët e pagesës së taksës administrative, të përfaqësuar edhe nga prorektori Musli Bajraktari, argumentojnë se pagesa e taksës administrative në shumë 200 euro në vit, do të rriste efikasitetin në studime, dhe do ta forconte bazën materiale të Universitetit.
Por, në kontekstin e tashëm të mosakceptimit të nevojës për reforma substanciale në shoqërinë kosovare, argumentet nuk janë një muzikë që parapëlqehet. Më shumë ka gjasa të parapëlqehen sloganet populiste për organizim grevash.
Është indikative se as në debatin e tashëm lidhur me këtë kontest administrativ e në esencë konceptual, lidhur me reformat, nuk po inkuadrohen pjesë të tjera të shoqërisë kosovare, sikundër janë shoqëria civile, intelektualët dhe mediat. Kjo mungesë e debatit më të gjerë, e bën retorikën e palëve në kontest, më të ashpër dhe me gjasa më të vogla për arritjen e kompromisit. Edhe kjo mungesë në debat e palëve të kualifikuara për ofrimin e ideve dhe të shërbimeve, është provë e mosgatishëmrisë së shoqërisë për të hyrë në një proces të dhimbshëm e të pakthyeshëm të reformave, të cilat do ta shkëputnin shoqërinë kosovare nga praktikat dhe mendësitë parazitare.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002