| Dimri i ashpër i Kosovës,
sivjet karakterizohet edhe nga disa dukuri, që zbulojnë
gjendjen prej djerrine psiko-sociale dhe social-kulturore në
këtë vend. Dukuria e parë ka të bëjë
me rritjen enorme të numrit të qenve endacakë, të
cilët tashmë kanë marrë jetën e një
fëmije në Turiçec të Drenicës dhe janë
promovuar edhe me disa sulme ndaj banorëve të vetë
kryeqytetit. Dukuria e dytë ka të bëjë me rritjen
në shifrën 50 përqind të dëshirës
së popullatës kosovare që të largohet nga ky
vend.
Këto dy dukuri e kanë të përbashkët deprimimin
dhe mosfunksionimin e shoqërisë kosovare, sipas standardeve
elementare të një shoqërie, që ofron siguri
dhe shpresë.
Nëse qentë endacakë terrorizojnë qytetarët,
kjo do të thotë se pushtetet komunale nuk kanë arritur
që të fusin në prioritetet e punëve të
tyre mbrojtjen e njerëzve, së paku nga keqbërës
të identifikueshëm. Por, kjo do të thotë poashtu
se vetë qytetarët nuk kanë një përkushtim
ndaj vetorganizimit për çështje, që kanë
të bëjnë me interesat e tyre si komunitete të
caktuara. Për rrjedhojë, rritja e numrit të ikanakëve
potenciale nga Kosova, nëse nuk ka të bëjë direkt
me frikën nga qentë endacakë, në fakt ka të
bëjë me mosdefinimin e të ardhmes, në kuptimin
elementar të fjalës.
Është e ditur se shoqëria kosovare një kohë
tepër të gjatë e ka përdorur vetëm mekanizmin
e refuzimit të masave shtrënguese, që vinin nga pushteti
okupues. Si pasojë ajo nuk e ka sprovuar ende mekanizmin e
funksionimit të shoqërisë nga aksionet praktike sociale
e kulturore në komunitet, dhe as mekanizmin e koopperimit të
qytetarëve me organet e pushtetit.
Edhe pse ekziston një periudhë më shumë se dhjetëvjeçare
e testimit të plularizmit partiak, shenja themelore dalluese
e organizimit të sotëm, veçmas në ambientet
rurale, është identifikimi sipas farefisit. Bile, kjo
formë e ndarjes më të shumtën shkon e shtrihet
në vetë organizimin partiak ashtu që nëse një
person me ndikim i një fisi është në një
parti, në atë rast edhe anëtarët e tjerë
pothuajse kolektivisht janë në atë rreshtim partiak.
Kjo mënyrë e rreshtimit, e bën shoqërinë
fragmentare në njërën anë edhe konfliktuale
në anën tjetër. Për pasojë ajo nuk mund
të organizohet, bie fjala, as në nivelin sa të mbrohen
fëmijët nga qentë endacakë. Ndërsa, në
fshatrat kosovare ndeshen gjithandej burra që mërdhezen
në debate të kota politike, madje edhe për zhvillimet
rreth Irakut, por që nuk e luajnë këmbën e të
organizojnë bashkëpunim lidhur me gjëra që kanë
të bëjnë me sigurinë e fëmijëve të
tyre.
Në një ambient të tillë, prodhues i kotësive
dhe i plogështisë, pas tri vjet pritjeje, nuk është
e habitshme rritja e numrit të të rinjve, të cilët
si zgjidhje e shohin ikjen nga vendlindja e tyre.
Prandaj, sot është e nevojshme që krahas aksioneve
konkrete të administratës për mbrojtjen e fëmijëve
nga qentë endacakë, të promovohen aktivitetite sociale
e kulturore në komunitete, gjë që do të rikthente
shpresën e njerëzve për jetë të qetë
në këtë vend.
Ky do të ishte investim serioz i pushtetit, më parë
se fjala vjen, shtrirja e tubave të kanalizimeve, për
të cilat ekzaltohen komunarët para kamerave.
Në fund të fundit, banorët e Kosovës nuk janë
makinë votuese për të cilën duhet të kujtohen
vetëm kur janë fushatat elektorale, sepse po të marrin
shtrirje dukuritë e evidencuara në fillim të këtij
teksti, mund të vijë puna të mos kenë as votues
të mjaftueshëm. Disa i hanë qentë e së
paku gjysma e popullsisë, mund të ikin nga sytë këmbët,
siç tregon anketa më e fundit..
|