POLITIKANËT NË ROLIN E BABADIMRIT VIRTUAL

02.01.04
Ana tjetër e medaljes

Një mesazh tjetër që krijon informatë të gabueshme, si një thirrje telefonike e bërë në numër të pasaktë, është ajo që thotë se pavarësia do të realizohet në vitin 2004. Ndëra, ky mesazh u dëgja nga instancat më të larta të politikës kosovare. E vërteta që u përsëritë edhe nga Havier Solana, në një mesazh ekskluziv për kosovarët, thotë se “ mundësia e parë për një shqyrtim të përgjithshëm mund të ndodh në mesin e vitit 2005”. Prandaj, nuk është e qartë pse jipen mesazhe të pasakta për qytetarët nga ana e disa udhëheqësve të Kosovës.

Është krejt e kuptueshme që ndërrimi i moteve u përshkua nga vërshimi i mesazheve të shumta, në adresë të qytetarëve të Kosovës, nga ana e drejtuesve politikë pothuajse të të gjitha niveleve. Bilancet e bëra nëpër drejtori, nëpër komuna, nëpër minisitri e kudo tjetër, me anë konferencash shtypi e telegramesh urimi, u shndërruan në mesazhe me optimizëm kandidian, për të ardhmen e qytetarëve kosovarë.

E mira e këtyre mesazheve është se ato u inkuadruan në atmosferën festive, dhe u dhanë qytetarëve shkas që të jenë sa më të disponuar në natën e Vitit të Ri. Por, këto mesazhe ua kanë ngritur disponimin vetëm atyre qytetarëve që nuk i kanë marrë seriozisht. Ndërsa, ata që i marrin seriozisht fjalët festive të drejtuesve politikë, mund të kenë më shumë arsye të jenë të brengosur.

Njëri nga mesazhet që u erdhi qytetarëve kosovarë nga instancat e larta të vetëqeverisjes së përkohshme, e që mund ta rritë brengosjen, ka të bëjë me përmbushjen e standardeve për Kosovën. Në mesazhe u tha se Kosova vetëm sa duhet të bëjë vlerësimin e standardeve dhe puna do të konsiderohet e përmbushur. Pra, Viti 2004 kësisoj prezentohet si vit i vlerësimit të standardeve e jo i përmbushjes së tyre. Por, kjo qasje krijon pamje të gabueshme te qytetarët. Krijohet ideja se puna qenkësh kryer dhe nuk ka arsye për ndonjë angazhim të askujt, sepse vetëm pritet vlerësimi formal dhe njohja formale.

Ndërsa, në realitet, punët janë krejt ndryshe, që nga gjendja e institucioneve funksionale e deri te kthimi i të zhvendosurve dhe integrimi i minoriteteve. Sipas asnjë vlerësimi realist, nuk mund të konsiderohet funksional një institucion si puna e Kuvendit të Kosovës, i cili brenda vitit të kaluar ka miratuar vetëm njëzet ligje. Kaq ligje mund të përbëjnë një pako ligjore që miratohet brenda punës njëjavore të një Kuvendi funksional. E kur dihet nevoja e madhe e Kosovës për infrastrukturë ligjore, është e qartë se në këtë fushë mbetet që të bëhet punë shumë më e madhe, para se të bëhet vlerësimi i këtj standardi, në kontekstin e dialogur për statusin final të Kosovës.

As vlerësimi lidhur me minoritetet nuk ka gjasa të bëhet në këtë gjendje që është kthimi dhe integrimi i tyre, sepse në atë rast kjo do të shndërrohej në vlerësim negative ndaj Kosovës. Kthimi i të zhvendsoruve ende nuk është substancial, që të mund të vlerësohet si përmbushje e standardit. Ndërsa, sa i përket integrimit të serbëve, kjo mbetet një fushë edhe më e vështirë. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se votimi me shumicë i qytetarëve serbë të Kosovës, për Partinë Radikale, është tregues edhe për punën e pamjaftueshme që ka bërë UNMIK-u dhe institucionet e vetëqeverisjes së përkohshme, të cilat nuk kanë krijuar një ofertë serioze dhe atraktive, e cila gradualisht do t’i shkëpuste serbët nga ideologjia e nacionalizmit. Mungesa e vendeve të punës, mungesa e lirisë së lëvizjes së lirë në Kosovë dhe në vende të tjera, i mban ata të bllokuar në mendësitë e vjetra.

Një mesazh tjetër që krijon informatë të gabueshme, si një thirrje telefonike e bërë në numër të pasaktë, është ajo që thotë se pavarësia do të realizohet në vitin 2004. Ndëra, ky mesazh u dëgja nga instancat më të larta të politikës kosovare. E vërteta që u përsëritë edhe nga Havier Solana, në një mesazh ekskluziv për kosovarët, thotë se “ mundësia e parë për një shqyrtim të përgjithshëm mund të ndodh në mesin e vitit 2005”. Është e qartë se ky mesazh i Solanës është i bazuar në planin e paraqitur nga diplomati amerikan, Mark Grosman, dhe të miratuar nga të gjitha instancat e vendimmmarrjes ndërkombëtare lidhur me Kosovën. Prandaj, nuk është e qartë pse jipen mesazhe të pasakta për qytetarët nga ana e disa udhëheqësve të Kosovës.

Një shpjegim i mundshëm është se politikanët e shohin veten në rol të Babadimbrit, ndërsa qytetarët i trajtojnë si fëmijë, të cilët mund të mashtrohen vetëm me ekspozimin e dhuratave në ekranet televizive. (REL)

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002