|
26 shtator 2002
Edhe aktiviteti i ditëve të fundit i një grupi shkrimtarësh
nga Shqipëria në Itali, ku përfaqësimi i letërsisë
shqipe, u bë vetëm nga krijues që janë shtetas
të Shqipërisë, është një nga shembujt
që tashmë e bëjnë të pashmangshem aktualizimin
e çështjes së prezentimit dhe të përfaqësimit
të letërsisë shqipe në botë. Pas pjesëmarrjes
së njëanshme të poetëve nga Shqipëria në
Mbrëmjet Strugane të Poezisë, nga të cilat tash
sa vite poetët shqiptarë të Kosovës janë
të mënjanuar, kjo dukuri po bëhet ngulfatëse
për letërsinë shqipe që krijohet në Kosovë.
Izolimi po merr karakteristika të reja, deri në fshirje
të identitetit të saj.
Rrjedhimisht, raportet ndërmjet institucioneve dhe asociacioneve
kulturore të Shqipërisë dhe të Kosovës,
në realitetin e ri të hapjes ndaj botës, tashmë
kanë hyrë në një fazë, kur do të duhej
të rregulloheshin, për të mos prodhuar moskuptime
a komplikime në të ardhmen. Krijimi i raporteve të
reja në këtë realitet të ri, kërkon jo
pak vullnet dhe jo pak mençuri të dyanshme, për
t'i ikur sindromit paternalist në njërën anë,
i cili ka dominuar në Shqipëri në të kaluarën,
dhe tendencës dezintegruese që po përpiqet të
nxjerrë krye në Kosovën e pasluftës.
Dihet se në të kaluarën e karakterizuar me ndarje
e me izolim ideologjik, përfaqësimi i kulturës shqipe
në botë është bërë nga insitucionet,
asociacionet dhe krijuesit nga Shqipëria, duke mbuluar me atë
përfaqësim kulturën shqiptare në tërësi.
Ndërsa, Kosova nga ana e saj, deri në fillim të viteve
të nëntëdhejta, ka qenë e përfaqësuar,
aq sa ka qenë, në kuadër të ish - Jugosllavisë
. Mirëpo, tash që Kosova është shndërruar
në një entitet të ri, kjo pashmangshëm shtron
edhe nevojën që prezentimi dhe përfaqësimi në
botë i kulturës shqipe që krijohet në të,
të rregullohet. Kjo punë kërkon zgjidhje të
programuar, me marrëveshje e partneritet, në mënyrë
që kultura dhe artet shqiptare që krijohen në Kosovë,
të dalin nga izolimi i gjatë ku janë katandisur që
nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, e nga ku nuk
po arrijnë të dalin as pas tri vjetësh të çlirimit
të Kosovës.
Mungesa e ndjeshmërisë ndaj këtij problemi e institucioneve,
e asociacioneve dhe e vetë krijuesve të Shqipërisë,
për një çast edhe mund të arsyetohet. Ajo
mund të jetë pasojë e përvojës së
gjatë të izolimit, po edhe e interesit konkret, që
të mos ketë konkurencë më të madhe të
përfaqësimit, e cila do t'ua shkurtonte mundësitë
disa krijuesve mediokër. Por është e pakuptueshme
indiferenca e asociacioneve, e institucioneve dhe e vetë krijuesve
të Kosovës, të cilët as që preokupohen
me çështjen e prezentimit dhe të përfaqësimit
të kulturës shqipe në botë.
Mirëpo, duket se s'ka si të jetë ndryshe kur këto
subjekte e bashkë me to edhe vetë krijuesit, po përjetojnë
një agoni të thellë. Ta zëmë, Lidhja e
Shkrimtarëve e Kosovës,më shumë ekziston në
letër se në realitet. Edhe tri vjet pas luftës, godina
e saj, në qendër të Prishtinës, ka mbetur pa
u rindërtuar, dhe shkrimtarët nuk kanë një adresë
të veten të saktë dhe as një ambient për
komunikim e për punë. Nuk është vënë
ndonjë lloj bashkëpunimi as me asociacione të vendeve
të tjera, edhe pse mundësitë janë të mëdha,
për faktin se në Kosovë ka një numër të
madh të përfaqësive diplomatike dhe kulturore të
vendeve të ndryshme të botës. Nga ana tjetër,
as shtëpitë botuese nuk janë ngritur në këmbë
dhe sot Kosova praktikisht nuk ka shtëpi të mirëfilltë
botuese, e cila do të mundësonte një minimum jetese
të krijuesit nga puna e vet artistike. E Ministria e Kulturës
nga ana e saj, ka prioritete krejt të tjera, ku spektaklet
e bukurisë zënë kryet e vendit.
Dhe mbase kjo gjendje e bën të vetëkuptueshëm
edhe përjashtimin e poetëve shqiptarë të Kosovës
nga përfaqësimi në botë, sepse ata vetë
sillen të pavullnetshëm. Por, kjo gjendje mund të
mos mbajë gjatë. Komplikimet mund të prekin edhe
në vetë konceptin e integrimeve kulturore kombëtare.
Ato mund t'u krijojnë alibi atyre që duan të bëjnë
separimin, dialektalizimin dhe shizmën e plotë gjuhësore
e kulturore kosovare, gjoja në emër të identitetit
të ri.
E kjo, në kohën e integrimeve globale, do të ishte
një rrjedhë antilogjike dhe antihistorike.
|