CAR LLAZARI I KEQ, CAR LLAZARI I MIRË

Paradokse shqiptare

20.05.03 Akuza e ngritur nga një zyrtar i Degës së LDK-së në Gjilan, kundër ish sekretarit të saj që ka dhënë dorëheqje, thotë se i përmenduri ka nënshkruar në vitin 1989 vendimin për ngritjen e përmendores së car Llazarit në qendër të Gjilanit. Brenda skemës së ngurtësuar politiko-patriotike, ngritja e një akuze të tillë për cilindo person, ka për qëllim denoncimin e plangprishësit, dhe në fund të fundit të tradhtarit. Kjo skemë jo vetëm në këtë rast, po në tërë rivalitetet dhe konfrontimet politike, si brenda partiake si ato ndërpartiake, funksionon si sahati. Dhe si pasojë e saj sot kemi një shkallë të lartë të kontaminimit të komunikimit publik, një numër të madh të eliminimeve politike dhe një ambient politik e kulturor mjaft të paralizuar.
Por, kësaj radhe këto nuk janë temë e këtij teksti. Temë e vërtet e këtij teksti është kontradikta ndërmjet vlerësimit politik dhe vlerësimit kulturor, lidhur me figurën e car Llazarit. Kështu, përderi sa në vlerësimin e politikës ditore, figura e car Llazarit bartë konotacion negativ, në historinë që mësojnë fëmijët shqiptarë, kjo figurë plasohet si krejt pozitive.
Edhe pse shembuj ka shumë, këtu do të sjellë një shembull të vetëm, por të jashtëzakonshëm përnga fuqia e argumentimit. Në librin Historia 5 për shkollat fillore, të autorëve Vilson Kuri,Ragip Zekolli dhe Bep Jubani, të botuar nga Libri Shkollor në vitin 1999, Beteja e Kosovës dhe car Llazari si prijësi i saj, vlerësohen kështu: “Popujt e Ballkanit: bullgarët, shqiptarët, serbët dhe hungarezët, (hungarezët nuk bëjnë pjesë në Ballkan-vërejtje imja), u përpoqën të organizoheshin dhe të pengonin me luftë depërtimin e ushtrive osmane në Ballkan. Por, në vitin 1371, në betejën në lumin Marica, ato u thyen nga ushtria e sulltan Muratit I. Edhe përpjekja tjetër për bashkim dhe për të luftuar së bashku më 1389 në Fushë Kosovë, nuk pati sukses. Ushtritë e bashkuara të popujve të Ballkanit, të udhëhequra nga mbreti serb, Llazari, ku shqiptarët luanin rolin kryesor, u thyen. (fq.151)
Nga kjo përmbajtje, sado konfuze: (“edhe përpjekja tjetër për bashkim…nuk pati sukses”, “ushtritë e bashkuara…”), nxënësi shqiptar kupton së paku dy gjëra: e para se shqiptarët dhe serbët kanë qenë miq e aleatë dhe e dyta që Llazari, edhe pse mbret serb, ka qenë prijës i shqiptarëve, të cilët paskëshin luajtur rolin kryesor (!) në ushtrinë e tij. Dhe nëse me mijëra nxënës shqiptarë mësojnë kështu historinë e car Llazarit, atëherë konkluzioni logjik është se car Llazari ka qenë mbret legjitim edhe i shqiptarëve. E prej këtu deri te një firmë në vendimin për ngritjen e përmendores së tij në një qytet të Kosovës, ku ai ka qenë mbret, (autorët nuk thonë që ka qenë pushtues i Kosovës!), është një hap krejt legjitim.
P.S. Ky tekst nuk ka për qëllim inkuadrimin në asnjë formë në debate politike Pra, as analizën dhe as vlerësimin e zhvillimeve në Degën e LDK-së në Gjilan. Ky është vetëm një sugjerim që të shikohet se me çfarë kontradiktash është mbarsur sistemi i vlerave tona. Një gjë që konsiderohet antikombëtare në veprimin administrativ a politik, në terrenin e arsimit ka të drejtë qytetarie dhe legjitimitet të plotë.
Pra, thirrja e këtij teksti është që të sheshohet sistemi i vlerave dhe të emërtohen gjërat me emrat e vërtetë.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002