OPTIMIZMI DHE APATIA - DY RRUGË NJËKAHËSHE

Kartolinë kosovare

Fundi i vitit 2002, në Kosovë përjetohet me ndjenja të përziera: në njërën anë është optimizmi i faktorëve politikë, të cilët flasin për suksese të mëdha, ndërsa në anën tjetër është apatia e qytetarëve, të cilët realitetin jetësor kosovar nuk e shohin me dioptrinë e të zgjedhurve të tyre.
Pak a shumë ndjenja të përziera, kur bëhen bilance vjetore, mund të ketë në çdo vend dhe në çdo shoqëri, sepse gjithkund kërkesat e qytetarëve janë më të mëdha se mundësitë e qeverive. Por, në vende me normalitet politik dhe social, diferenca në vlerësime është rezultat i komunikimit ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve. Në atë rast maten premtimet e dhëna elektorale dhe shkalla e realizimit të tyre, si dhe bëhet një lloj riprogramimi i obligimeve që mbeten për vitin pasues.
Ndërsa, në Kosovë nuk ka një komunikim të tillë. Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, i bëjnë dhe i shpallin vlerësimet e veta në mënyrë të parevokueshme, ndërsa qytetarët poashtu shfaqin ndjenjat e tyre në mënyra joformale, krejt larg mundësisë së ndikimit mbi institucionet. Fjala vjen, kryeadministratori i Kosovës dhe menagjeri ndërkombëtar i KEK-ut, në intervistat e fundvitit kanë dhënë vlerësime pozitive dhe optimiste për situatën energjetike në Kosovë, duke përmendur megavatët e prodhuar, mjetet e investuara dhe parashikimet për të ardhmen. Ndërsa, qytetarët e Kosovës, në çdo anketë që bëhet, shfaqin indinjatën e tyre me kolapsin energjetik, i cili po ua shkatërron bizneset dhe po ua pamundëson jetën normale. Mirëpo, as të parët as të dytet, nuk i adresohen situatës komplekse që mbretëron në këtë fushë, që nga menagjimi i keq dhe jotransparent e deri te “morali i ulët” siç u shpreh Rajder, lidhur me kryerjen e obligimeve për energjinë e shpenzuar.
Tash për tash nuk vërehen shenja të vullnetit se së paku vitin e ardhshëm të fillojë vënia e komunikimit më aktiv ndërmjet administratës dhe qytetarëve. Ndërsa, pa vënien e këtij komunikimi nuk mund të rritet as besimi i ndërsjellë, sepse administrata ndërkombëtare dhe qeveria vendore nga ana e tyre, për të arritur objektivart për një Kosovë stabile, multietnike dhe të integruar, duhet ta aktivizojnë më shumë qytetarët e Kosovës në këto procese. Stabiliteti askund nuk arrihet vetëm me polici dhe me organe të ndjekjes, po para së gjithash me kooperimin e qytetarëve. Në këtë kontekst, veçanërisht e rëndësishme është që të fitohet besimi i qytetëarëve për qëllimet e mira të administratës ndërkombëtare dhe të qeverisë vendore, lidhur me disa çështje të ndieshme, e që kanë të bëjnë direkt me të ardhmen e Kosovës. Në këto çështje bie edhe kthimi i të zhvendosurve në shtëpitë e veta, liria e plotë e qarkullimit të të gjithë qytetarëve dhe bashkëpunimi me vendet fqinje në kuadër të integrimeve rajonale. Për të realizuar këto obligime, nuk mjafton vetëm dërgimi i mesazheve me anë komunikatash, po një punë intensive politike dhe administrative në terren. Viti i ardhshëm nuk është vit elektoral, prandaj nga udhëheqësit vendorë do të mund të shfrytëzohej më shumë për këto punë, që janë edhe nje test për kapacitetet e tyre qeverisëse. Ata do të duhej të jepnin provë se janë drejtues për të gjithë qytetarët e Kosovës, e jo vetëm për elektoratin e tyre.
Nga ana tjetër, administrata civile ndërkombëtare, duke e ditur se në Kosovë ka filluar ndërtimin e një sistemi të ri shoqëror- ekonomik, i cili pashmangshëm kalon nëpër fazën e kapitalizmit të egër, do të duhej të manifestonte vitin e ardhshëm më shumë komunikim në formë të përkujdesjes për shtresat e varfëra të shoqërisë dhe për punonjësit e shërbimeve publike. Vetëm në atë mënyrë ajo do të arrinte një mobilizim përmbajtësor të potencialeve të shoqërisë për të realizuar reformat dhe përballimin e sfidave të tranzicionit të dhimbshëm. REL

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002