MËSUES REMKA PËRSËRI NË SHKOLLË

28.06.03 Shoqëria kosovare e pasluftës, e përfshirë në trendin kaotik të akumulimit të pasurive, ka shmangur nga vëmendja e saj vlerësimin për punën intelektuale. Për pasojë, ka një moskomunikim ndërmjet prindërve e mësimdhënësve dhe madje edhe ndërmjet prindërve e fëmijëve të tyre shkollarë. E tëra kjo e ka krijuar ambientin për mospunë, për mosdidiplinë dhe për mungesë respekti edhe ndaj mësuesve E në një situatë të tillë, zgjidhja e raportit të çrregulluar ndërmjet tyre dhe nxënësit, shumë lehtë kërkohet te shuplaka ose te gota e alkoolit.

Fundviti i sivjemë shkollor në Kosovë, është përmbyllur edhe me hapjen e debateve lidhur me dhunën që ushtrohet ndaj nxënësve nga mësimdhënësit e tyre. Lidhur me dhunën në rritje ndaj nxënësve, që nga sharjet e deri te rrahjet e rënda, është ditur e është folur më së shumti jopublikisht. Ndërsa, në mënyrë publike kjo temë u hap para disa javësh nga Qendra për Arsim e Kosovës, me ç’rast dolën të dhëna alarmante. Sipas të dhënave të kësaj qendre, ndaj 10-15 për qind të fëmijëve ushtrohet dhunë nga mësimdhënësit e tyre, të cilët “i fyejnë nxënësit, i ofendojnë, i rrahin dhe shkelin mbi dinjitetin e fëmijëve”.
Në ndërkohë, pati edhe raste të denoncimit të arsimtarëve që hyjnë më klasa të dehur, sikundër ishte rasti në Pejë, për çka Ministria e Arsimit paralajmëroi suspendimin e tyre nga puna pas përfundimit të vitit shkollor.
Por, këto publikime të rasteve ekstreme të dhunës ndaj nxënësve, paraqesin vetëm majën e ajsbergut të një gjendjeje të rëndë në arsimin kosovar dhe veçmas të raportit të çrregulluar ndërmjet nxënësve e mësuesve të tyre.
Në fakt, kjo gjendje është si pasojë e disa defekteve serioze që e karakterizojnë shkollën shqipe në Kosovë, përfshirë këtu edhe pozitën sociale të mësimdhënësve dhe sistemin e çrregulluar të vlerave në vetë shoqërinë kosovare të palsuftës.
Defekti i parë ka të bëjë me vetë reformën e shkollës. Ajo është proklamuar dhe inicuar, por nuk ka lëvizur nga vendi. Shtyrja e miratimit të ligjit për arsim për gati një vit, ka mbajtur të bllokuar çdo nismë serioze. Ndërsa, tash që ligji është miratuar, pritet që të krijohen struktura të përshtatshme për realizimin e reformave në arsim, por krijimi i tyre ka rrezik të mbetet brenda qarkut të ndërrimeve kadrovike, e jo konceptuale dhe strukturale. Mediat më së shpeshti raportojnë për ndërrime drejtorësh të shkollave dhe reagime ndaj nbdërrimeve, e fare pak për aplikimin e metodave të reja të mësimit, ose për publikimin e teksteve mësimore sipas standardeve të kohës në të cilën jetojmë.
Defekti i dytë ka të bëjë me të ardhurat e vogla të mësimdhënësve, që punën e tyre e kanë bërë jashtë mase depresive. Me pozitë inferiore sociale, mësimdhënësit kanë mungesë mitivimi për punë kreative dhe për freskim permanent profesional, I cili do të shmangte metodat e vjetra të imponimit e të dhunës ndaj nxënësve.
E treta, shoqëria kosovare e pasluftës, e përfshirë në trendin kaotik të akumulimit të pasurive, ka shmangur nga vëmendja e saj vlerësimin për punën intelektuale. Për pasojë, ka një moskomunikim ndërmjet prindërve e mësimdhënësve dhe madje edhe ndërmjet prindërve e fëmijëve të tyre shkollarë. E tëra kjo e ka krijuar ambientin për mospunë, për mosdidiplinë dhe për mungesë respekti edhe ndaj mësuesve E në një situatë të tillë, zgjidhja e raportit të çrregulluar ndërmjet tyre dhe nxënësit, shumë lehtë kërkohet te shuplaka ose te gota e alkoolit.

Tash që është mbyllur viti shkollor, është i domosdoshëm një vlerësim real i sukseseve dhe i dështimeve që janë vërejtur. Kuvendi i Kosovës duket ta ketë ndier këtë nevojë, sepse në seancën e vet të fundit nxori disa rekomandime për Ministrinë e Arsimit, e që kanë të bëjnë me përmirësimin e të ardhurave të mësimdhënësve dhe me përshpejtimin e reformave. Pas kësaj, topi gjendet në fushën e Ministrisë së Arsimit, të cilën e pret një punë e vështirë në këtë terren. Puna e parë që do të duhej të bëhej prej saj, sigurisht se është largimi i peshës së shuplakës nga fytyrat e fëmijëve, të cilët në tërë këtë lojë megjithatë janë më të pafajshmit.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002