METASTAZAT E GRABITJEVE “PATRIOTIKE”

30.04.04
Leximi i mbrapshtive

Kjo çoroditje morale dhe ligjore që po ngulfatë shoqërinë kosovare, ka rrezik që të vazhdojë edhe për aq kohë sa demagogjia politike dhe patriotizmi verbal, të jenë mbulesë për shpërdorime, për vjedhje dhe krime. Ndërprerja e këtij cikli vetëvrasës është e mundshme vetëm me një kuadër të qartë ligjor, i cili do të saktësojë se cilat veprime janë ligjore e cilat janë në sferën e shpërdorimit e të krimit ordiner.

Zemërimi i dy piktorëve shqiptarë nga Shqipëria, të cilëve u janë vjedhur pikturat për të bërë muralet problematike në ambientet e Kuvendit të Kosovës, është një denocim publik ndaj kulturës së shpërdorimit dhe të vjedhjes, që është instaluar gjithandej në jetën shoqërore në Kosovë. Vjedhjet individuale dhe kolektive, private dhe institucionale, janë shndërruar në dukuri gjithëpërfshirëse: ato ndeshen edhe në fushën e muzikës, ku thjesht vidhen meloditë nga muzika e huaj dhe pastaj i adoptohen një teksti shqip. Vjedhje dhe abuzime janë përhapur si metastaza në administratën dhe në menagjmentin e shumë ndërmarrjeve publike kosovare, për çka aty-këtu kanë filluar edhe kundërpërgjigjet simbolike të gjyqësisë.

Kjo prirje euforike pas grabitjes së pronës së tjetrit, pa vrasjen më të vogël të ndërgjegjes, pati filluar menjëherë pas luftës. Në fillim cak i kësaj prirjeje ishin kryesisht pronat e serbëve. Paaftësia e administratës që të ndërpritej kjo dukuri e shëmtuar, ishte e bashkëdyzuar me një moral të rremë patriotik, që gjëja ishte e lejuar të mirrej prona serbe. Në këtë mënyrë u instalua kultura e grabitjes dhe e shpërdorimit të pronës së tjetrit, dhe që pas pesë vjetësh arriti me simbolikën e vet deri në hollet e Kuvendit të Kosovës. Zbulimi i vjedhjes ordinere që u është bërë veprave artistike të piktorëve Qamil Prizreni dhe Zef Shoshi, nga organi ligjvënës dhe përfaqësues i qytetarëve, vetëm e simbolizon gjendjen që ka pllakosur nga metastazat e grabitjes dhe të shpërdorimit në shoqërinë e sotme kosovare.

Edhe nëse piktorët e grabitur e marrin një satiskaksion gjyqësor dhe material për abuzimin që u është bërë punëve të tyre artistike, prapë se prapë pasojat që janë shkatuar nga kjo kulturë e shpërdorimit, do të mbeten. Kjo për një arsye logjike: kur organi ligjvënës është autor i abuzimeve, atëherë gjasat që të korrigjohen dukuritë e tilla në shoqëri janë të zymta.

Aq më pak mund të korrigjohen pasojat politike që janë shkaktuar prej veprimeve të tilla. Është e ditur se ato murale shërbyen si provokim ndaj administratës civile ndërkombëtare në Kosovë. Përfaqësuesi Special, Hari Holkeri, pati premtuar se nuk do të hynte në ato ambiente të Kuvendit, deri sa të hiqeshin muralet kontestuese. Ndërsa deputetët serbë e shfrytëzuan promovimin e atyre muraleve, si pretekst për largim nga Kuvendi. Përderi sa Holkeri u rikthye në ato ambiente, pas fshehjes së muraleve prapa bezeve, deputetët serbë ende nuk janë kthyer në ulëset e tyre, gjë që paraqet një ngarkesë të rëndë për jetën institucionale të Kosovës.

Kur shikohen zhvillimet e tilla , nuk duket aspak e çuditshme që Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar ndonjë ligj për mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga grabitja. Nuk është e çuditshme që Kuvendi i Kosovës, nuk ka miratuar as ligj për të drejtat e autorit.

Për të qenë situata krejt absurde, kohë më parë presidenti i Kosovës ka propozuar edhe legalizimin e ndërtimeve pa leje në Prishtinë. Askush nuk ka denjuar të jep përgjigje se si mund të bëhet kjo, kur legalizimi i tillë, në shumë raste legalizon grabitjen, vjedhjen dhe përvehtësimin e pronës së tjetrit.

Kjo çoroditje morale dhe ligjore që po ngulfatë shoqërinë kosovare, ka rrezik që të vazhdojë edhe për aq kohë sa demagogjia politike dhe patriotizmi verbal, të jenë mbulesë për shpërdorime, për vjedhje dhe krime. Ndërprerja e këtij cikli vetëvrasës është e mundshme vetëm me një kuadër të qartë ligjor, i cili do të saktësojë se cilat veprime janë ligjore e cilat janë në sferën e shpërdorimit e të krimit ordiner. Por, kjo kërkesë na kthen në fillimin e tregimit: te Kuvendi i Kosovës si organi ligjvënës, i cili as për veten e vet nuk e ka krijuar vijën ndarëse ndërmjet veprimit korrekt ligjor dhe shpërdorimit të pronës së tjetrit, për çka është paralajmëruar nxjerrja e tij në gjyq, nga piktorët e grabitur.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com