|
06.03.04
Ana tjetër e medaljes
Ka gjasë që indiferenca ndaj
sistemit zgjedhor në vend, të jetë edhe si pasojë
e mosbesimit të qytetarëve në kompetencat e institucioneve
kosovare. Pesë vjet të adminsitrimit civil ndërkombëtar
u kanë dhënë provën se pushteti faktik në
Kosovë është UNMIK-u, ndërsa institucionet vendore
kanë më shumë rol dekorativ.
Kërkesat e disa organizatave të shoqërisë
civile që të ndërrohet sistemi zgjedhor në Kosovë,
nga një sistem proporcional me lista të mbyllura në
një sistem proporcional me lista të hapura, ka disa javë
që po testojnë aspekte të mentaliteteve dhe të
kulturës politike në Kosovë. Debatet që u zhvilluan
në disa tryeza publike të këtyre organizatave, argumentuan
se listat e hapura vërtet u ofrojnë qytetarëve më
shumë mundësi që të dinë për kend
votojnë.
Pëkundër këtij argumentimi teorik, protestat publike
të organizuara prej tyre, zbuluan indiferencën e dhimbshme
të qytetarëve të Kosovës. Grumbullimi vetëm
i dhjetëra protestuesve në Prishtinë e në Pejë,
sikur e dha mesazhin se kjo temë nuk ka të bëjë
me qytetarët e Kosovës. Madje edhe publiciteti qe më
i pakët, mbase për faktin se këta protestues treguan
kulturë qytetare të lartë, sepse as nuk thyen xhama
as nuk sulmuan askend.
Indiferenca e qytetarëve të Kosovës ndaj kërkesave
në rritje që të adoptohet një sistem zgjedhor
me lista të hapura, është shenjë e mentaliteteve
që nuk kanë arritur të transformohen. Sipas mendësisë
së shoqërisë së mbyllur, zyrtarët e larët
e dinë paraprakisht se çfarë duhet të bëhet,
ndërsa qytetari i zakonshëm nuk ka pse mendon dhe pse
kërkon ndonjë gjë.
Krejt çka ai mund të bëjë, është
që të votojë për partitnë e vet të
preferuar, pa e ditur se kush do të jetë përfaqësuesi
i tij në parlament, çfarë profesioni ka, çfarë
aftësie dhe çfarë ndershëmrie posedon i zgjedhuri
i tij.
E pra, kjo topitje e kureshtjes së qytetarëve kosovarë
për kandidatët që nesër do ta përfaqësojnë,
është në kundërshtim me kurreshtjen enorme të
po këtyre qytetarëve për biogafitë dhe bëmat
e kanditatëve për senatorë ose për presidentë
në Shtetet e Bashuara të Amerikës.
Ka gjasë që indiferenca ndaj sistemit zgjedhor në
vend, të jetë edhe si pasojë e mosbesimit të
qytetarëve në kompetencat e institucioneve kosovare. Pesë
vjet të adminsitrimit civil ndërkombëtar u kanë
dhënë provën se pushteti faktik në Kosovë
është UNMIK-u, ndërsa institucionet vendore kanë
më shumë rol dekorativ. Në rast se ky është
perceptimi dominues i qytetarëve, atëherë para zgjedhjeve
është e domosdoshme që të ndodh bartja substanciale
e kompetencave, në mënyrë që të rritet
motivimi për dalje në vendvotime.
Organiztatat joqeveritare me debatet edhe me protestat e tyre, e
kanë kryer punën e vet në këtë temë.
Por, tashmë ato e kanë mbërritur pikën kritike
të angazhimit të vet. Nëse shkojnë më tutje,
në variantin e një ftese për bojkot, atëherë
do ta rrënonin edhe atë angazhim pozitiv të deritashëm.
Ftesa për bojkot të zgjedhjeve do të ishte një
komplikim i tërë procesit dhe marrje e përgjegjësisë
për dështimin eventual të procesit zgjedhor. Ndërsa,
në një zhvillim të tillë, subjektet që
janë bllokuese të vërteta të procesit, do të
dilnin të lara. Në atë rast edhe kultura politike
ekzistuese, shprehje autentike e një shoqëerie të
mbyllur, do të mbetej e ngurtësuar edhe për një
mandat.
|