| Ana
tjetër e medaljes
25.07.03
Duke i shikuar nëpër plazhet shqiptare krahët e shumë
djemve dhe burrave me tatuazhet që simbolizojnë djallin
dhe gjërat e tjera të frikshme, më rezulton se po
të kishte një letërsi me përmbajtje për
djajtë, për fantazmat, për vampirët dhe për
kriminelët e llojllojshëm që nuk lënë gjë
pa bërë, (kidnapim fëmijësh, trafik femrash,
trafik droge, kontrabandë me armë, vrasje për hakmarrje
të vjetra e të reja, lidhje të kriminelëve me
politikanë të profileve të larta), do të kishim
lexues të pasionuar të atyre veprave.
Prandaj, u bëj një apel kolegëve e mi shkrimtarë:
o burra, yrysh e të shkruajnë vepra për shijet e
lexuesve, e t’i lëmë përrallat për heroizmat
shqiptare të së kaluarës, se na mori lumi! Me honoraret
që marim tash për veprat e botuara, të cilat nuk
na i lexon askush, nuk mund të përtërijmë as
brekët e vjetëruara!
Është një punë shumë e hidhur mungesa
e lexuesit ndër shqiptarë, aq sa tematizimi i kësaj
mungese duket anakronike dhe kote. Vërtet, të gjithë
e dimë se libri letrar shqip botohet në 500 ose më
së shumti 1000 ekzemplarë, prej të cilit gati gjysma
shkon falas në duart e miqve të autorëve, ndërsa
një pjesë në sirtarët e bibliotekave, ku me
kohë i mbulojnë shtresat e pluhurit dhe ku pashmangshëm
fillon edhe procesi i grimcimit të tyre nga banorët më
të rregullt të bibliotekave shqiptare- nga minjtë.
Libri shqip, së paku në këto dhjetë vitet e
kaosit dhe të anarksië, që me eufemizëm, po
emërtohet si tranzicion, shkruhet për vetë tekat
e autorëve, e jo për nevojat e lexuesve. Edhe autorit
më të lexuar shqiptar, Ismail Kadaresë, në këto
vite veprat i botohen në tirazhe nga 1000 kopje, që do
të thotë njësoj si edhe të shumë shkrimtarëve
mediokër, ose të disa “talenteve”të reja,
të cilave baballarët pasanikë ua financojnë
botimin e librave sa për imixh.
Sidoqoftë, do të ishte e padrejtë të mos analizohej
më seriozisht shkaku i mungesës së nevojës për
lexim të librit shqip të njeriut shqiptar. Në atë
rast, akuza ndaj tij do të dukej arbitrare. Pra, hajde ta analizojmë
pse njeriu shqiptar nuk ka nevojë për letërsinë
që krijohet nga shkrimtarët shqiptarë?
Argumentat që njohim të gjithë: varfëria e qytetarëve,
çmimet e larta ë librave, mungesa e rrjetit të
shitjes së librit, botimet pa kriter, mungesa e kritikës
letrare, kualiteti i ulët i mësimit të letërsisë
në shkollat fillore dhe të mesme, etj., vërtet shpjegojnë
disa aspekte të kësaj forme të re të analfabetizmit
të shqiptarëve. Por, prapë se prapë, për
secilën nga këto aspekte, ka kundërargumente të
forta. Ta zëmë, cilat janë kundërargumentet
për varfërinë e qytetarëve si shkak për
moslexim? Varfëria e qytetarëve vërtet është
evidente, në shumë raste ekstreme, por nuk janë të
varfër të gjithë shqiptarët. Po të bëhet
një projeksion në shkallë kombëtare, mund të
shihet se së paku 100. 000 familje shqiptare janë në
gjendje solide materiale, e cila u mundëson të blejnë
të gjitha botimet shqipe, të cilat në përgjithësi
nuk kanë çmime aspak të larta. (Këtu hyjnë
familjet shqiptare që jetojnë dhe punojnë në
diasporë dhe familjet e kamura në Shqipëri, Kosovë,
Maqedoni dhe në viset e tjera shqiptare). Në një
rrethanë normaliteti kulturor, pra, libri shqip do të
mund të gjente blerës të sigurtë së paku
deri në 100. 000 ekzemplarë. Madje edhe në këtë
rast numri i lexuesve do të ishte nën standardet europiane,
ngase në shtatë milionë folës të shqipes,
vetëm çdo i shtatëdhjeti do të ishte lexues!
Mund të mirret edhe një kriter tjetër: edhe pse nuk
ka statistika të sigurta, nga intensiteti që shihet me
sy, është e qartë se së paku çdo i treti
shqiptar i moshës madhore është duhanxhi. Po të
ndanin të hollat e duhanit për libra, ata brenda një
viti do të mund të mburreshin me bibliotekat personale.
Qe edhe një kundërargument tjetër poaq i fortë:
në verime shkojnë së paku një milion shqiptarë,
ndërsa secili prej tyre harxhon së paku treqind euro.
Po të hiqte secili nga kjo shumë vetëm dy ditë
pushimi, do të mund të pasuronte bibliotekën personale
me disa tituj librash shqip. Pra, merre nga ta marrësh, varfëria
vërtet nuk rezulton si faktor përcaktues i mungesës
së lexuesit.
Së paku po kaq shumë kundërargumenta mund të
gjenden edhe për aspektet e tjera që llogariten si shkaktar
të mungesës së lexuesve.
Në rastin e dilemave të mia mbi këtë temë,
mund të them se atë që nuk ma ka mundësuar vetëm
studimi teorik i fenomeneve social-kulturore, në mënyrë
të habitshme ma ka zbuluar vëzhgimi pothuajse spontan
i preokupimeve dhe sjelljeve të njeriut shqiptar në kryeqytetin
e Koosvës dhe gjatë ditëve të plazhit në
Durrës. Takimet dhe “biznesi” me kamerierë,
me taksistë, me shitës ambulantë, me pronarë
hotelesh, me fotografë, bisedat me të rinj, etj., më
ka zbuluar të vërtetën se këta njerëz që
në start e kanë si qëllim fitimin pa pasur një
normë morale. Ata ta rrisin çmimin nga ora në orë,
nga rasti në rast, nuk ta kthejnë kusurin, të gënjejnë
për vlerën e mallit, e dredhi muhabetin gjithandej vetëm
për të të vënë në lajthitje e për
të të zhvatur para…
Ndërsa, kur flasin për ndonjë detaj të idealeve
së tyre, zbulojnë se më së shumti u pëlqejnë
“njerëzit e fortë”, që në fakt janë
trafikantë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar.
Lakmia e tyre bie mbi paratë që ata kanë grumbulluar,
mbi veturat e tyre dhe mbi luksin që i rrethon. Nga ana tjetër,
sipas shijes së tyre, më të shumtën i adhurojnë
këngëtarët, aktorët dhe sportistët e huaj,
bile ata që janë të njohur për afera dhe perversione
morale.
Me një fjalë, kjo dorë njerëzish, më së
shumti e pëlqejnë senzacionin, të panatyrshmen dhe
të pamoralshmen.
Ndërsa, pikërisht këto përmbajtje ata nuk kanë
ku t’i gjejnë në letërsinë shqipe! Kjo
letërsi në pjesën më të madhe të saj
është moralizuese, edukative, emancipuese, didaktike.
Edhe në veprat e saj më të mira, ajo I glorifikon
me parashenjë ideologjike vlerat e kombit shqiptar, e rritë
trimërinë dhe guximin e njeriut shqiptar, ia shpalos vlerat
njeriut të rëndomtë, aq sa e bën të jetë
si bashkëqytetar me dragojtë dhe me kreshnikët.
Mirëpo, me këto përmbajtje glorifikuese dhe moralizuese,
ajo nuk i jep asnjë përgjigje prirjes për aventurë,
për hakmarrje, për abuzim, për krim dhe për
përmbysje të rendit të vlerave të këtij
soji njeriu. Prandaj, ky nuk gjen përgjigjet adekuate për
preokupimet e veta në letërsinë shqipe. Dhe ky është
shkaku themelor që ai nuk e honeps këtë letërsi.
Madje e urren, sepse ajo i kujton diçka të largët,
që mund të kumbojë si vrasje e turbullt e ndërgjegjes.
Duke i shikuar nëpër plazhet shqiptare krahët e
shumë djemve dhe burrave me tatuazhet që simbolizojnë
djallin dhe gjërat e tjera të frikshme, më rezulton
se po të kishte një letërsi me përmbajtje për
djajtë, për fantazmat, për vampirët dhe për
kriminelët e llojllojshëm që nuk lënë gjë
pa bërë, (kidnapim fëmijësh, trafik femrash,
trafik droge, kontrabandë me armë, vrasje për hakmarrje
të vjetra e të reja, lidhje të kriminelëve me
politikanë të profileve të larta), do të kishim
lexues të pasionuar të atyre veprave.
Prandaj, u bëj një apel kolegëve të mi shkrimtarë:
o burra, yrysh e të shkruajnë vepra për shijet e
lexuesve, e t’i lëmë përrallat për heroizmat
shqiptare të së kaluarës, se na mori lumi! Me honoraret
që marrim tash për veprat e botuara, të cilat nuk
na i lexon askush, nuk mund të përtërijmë as
brekët e vjetëruara!
P. S. Lexojeni me vëmendje poezinë e Pano Taçit,
“Eja në Shqipëri”, para se ta refuzoni apelin
tim!
milazim_k@hotmail.com |