NJË KONCENSUS PËR DY VITET E ARDHSHME?

Sa i përket qytetarit të Kosovës, që është kategoria që përbën shtyllën kryesore dhe mbase edhe korrektorin e administratës, ai do të jetë më aktivë nëse shprehjen “standardet para statusit” e akcepton si “standardet para pavarësisë”. Meqë diplomati Grosman nuk ka përjashtuar asnjë opcion, atëherë mbetet që ky akceptim të shndërrohet në kulturë të sjelljes e të veprimit për dy vjetët e ardhshme.

07.11.03 Dhurata më e vlefshme që solli në Prishtinë ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Mark Grosman, ka të bëjë me koncensusin e arritur brendakosovar, i cili si tillë u shfaq pas një kohe tepër të gjatë. Plani i operacionalizimit të strandardeve dhe afatizimi i vlerësimit të përparimit të arritur, me atë që u quajt “strategjia e datës së rishikimit”, u ka ofruar të gjitha palëve një lehtësim. Edhe kësaj radhe u vërtetua se është administrata amerikane ajo që i ka potencialet dhe legjitimitetin e nevojshëm për të lëvizur proceset përpara, duke krijuar edhe koncensusin e nevojshëm të palëve të ndryshme.
Po aq e rëndësishme është se plani i paraqitur nga diplomati amerikan, fitoi koncensus edhe në shtetet ballkanike, që u vizituan prej tij. Tirana, Shkupi e madje edhe Beogradi maifestuan tone konvergjente lidhur me planin e ri të operacionalizimit të standardeve, para se të vlerësohet se a duhet të hapet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës në vitin 2005.
Paraprakisht, ky plan e kishte edhe miratimine Grupit të Kontaktit dhe të strukturave të tjera relevante të politikës ndërkombëtare. Kjo do të thotë se ai paraqet një moment të ri të koncensusit të procesit të cilin duhet ta përshojë Kosova në dy vitet e ardhshme.
Qoftë dhevetëm ky sheshim i divergjencave që janë lancuar në këto dy vitet e fundit, është një hap përpara.
Tash mbetet që kjo frymë pozitive të manifestohet edhe në ndjenjat dhe në motivimin më të madh të qytetarëve dhe të shoqërisë kosovare. Sa u përket qytetarëve, vërtet ka hapësira që të ndodh një aktivizim më i madh i tyre, së paku tri fusha që kanë të bëjnë realisht edhe me përbushjen e standardeve.
Një participim më i madh i tyre në jetën politike e publike mund të bëhet me rritjen e kërkesave që institucionet e pushtetit të jenë më funksionale, më efikase në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe dhe më transparente në politikat e tyre.
Poashtu, edhe sa i përket lirisë së lëvizjes, që është njëri nga standardet kyqe që kërkohet të përmbushet, një konventë qytetare do të mund të ndihmone më efektivisht se eskortat e policisë. Nëse kjo adoptohet si interes imediat i Kosovës, vërtet mund të aktivizohet edhe ky potencial i rëndësishëm.
Edhe sa i përket aspektit të kthimit të të zhvendosurve, krijimi i një klime tolerante nga vetë qytetarët, do të ishte ndihmesë për realizimin e këtij standardi të domosdoshëm.
Aktivizimi qytetar në këtë aspekt është më i lehtë, sepse ekzisotn edhe koncensusi i faktorëve kryesorë politikë dhe i institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Viti 2005 tashmë paraqet kufirin ku do të bëhet vlerësimi se a janë përmbushur standardet që do t’i hapnin rrugë përcaktmit të statusit final të Kosovës. Me koncensusin fillestar të arritur nga të gjithë, është e dëshirueshme që për këto dy vjet do të punohet seriozisht nga të gjithë.
Sa i përket qytetarit të Kosovës, që është kategoria që përbën shtyllën kryesore dhe mbase edhe korrektorin e administratës, ai do të jenë më aktivë nëse shprehjen “standardet para statusit” e akcepton si “standardet para pavarësisë”. Meqë diplomati Grosman nuk ka përjashtuar asnjë opcion, atëherë mbetet që ky akceptim të shndërrohet në kulturë të sjelljes e të veprimit për dy vjetët e ardhshme.
Sigurisht që ky operacionalizim e ka edhe një të mirë: e heq nga loja çështjen e statusit si argument elektoral. Dhe kjo është një rrethanë lehtësuese shtesë për thellimin e shtensionimit politik, i cili është parakusht edhe për realizimin më efikas të obligimeve të marra.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002