| Vetëdijësimi
i arsimtarëve dhe i të gjithë qytetarëve, pas
kësaj vale të re të pakënaqësive sociale,
do të duhej të shkonte në atë drejtim që
të mos mbetet e bllokuar te kërkesa për rroga më
të larta. Krijimi i një shoqërie efikase, duhet të
jetë është preokupimi kryesor.
Grevat e arsimtarëve, dhe të minatorëve në
Kosovë, bashkë me grevat që janë paralajmëruar,
nga punëtorët shëndetësorë dhe pensionistët,
do të jenë të suksesshme, vetëm nëse do
të krijojnë një botëkuptim të ri për
përgjegjësinë e të gjithëve në shoqërinë
e re kosovare. Pra, epilogu i vërtetë i kësaj vale
të re të pakënaqësive sociale, do të duhej
të ishte vetëdijësimi për respektim rregullash
e ligjesh dhe kontribut të të gjithë faktorëve
socialë në zhvillimin dhe stabilitetin e shoqërisë.
Arsimtarët dhe të gjithë ata që kërkojnë
paga më të mëdha nga ato që i kanë, vërtet
kanë gjendje të vështirë sociale. Por, të
hollat për pagat e arsimtarëve dhe të gjithë
buxhetorëve të tjerë, nuk pikin nga qielli. Të
hollat njëherë duhet të mbledhen në buxhet e
mandej ndahen.
Ndërsa, Kosova e këtyre katër vjetëve, është
shembull i hidhur i qëndrimit minues të shumicës
së qytetarëve ndaj buxhetit dhe ndaj shërbimeve publike.
Injorimi i pagesës së shërbimeve, fshehja e tatimeve,
futja e mallrave kontrabandë, ka pamundësuar konsolidimin
e buxhetit të Kosovës në pajtim me nevojat e popullsisë.
Poashtu është e ditur se në këto vite fabrikat
praktikisht nuk punojnë. Madje edhe ato që punojnë
ngapak, nuk krijojnë të ardhura të mjaftueshme edhe
për buxhetin e Kosovës. Kjo do të thotë se buxheti
mbetet i dobët për të përballuar një rritje
të standardit të qytetarëve.
Me një fjalë, vetëdijësimi i arsimtarëve
dhe it ë gjithë qytetarëve, pas kësaj vale të
re të pakënaqësive sociale, do të duhej të
shkonte në atë drejtim që të mos mbetet e bllokuar
te te kërkesa për rroga më të larta. Krijimi
i një shoqërie efikase, duhet të jetë është
preokupimi kryesor.
Nëse mbetet puna vetëm në kërkesat për
rroga më të larta, faktikisht do të jetë një
version i njohur i presioneve sociale që bëheshin në
të kaluarën në ish federatën jugosllave. Ish
Jugosllavia, ishte një vend model sa i përket rritjes
së rrogave të punëtorëve dhe përmbushjes
së kërkesave sociale të qytetarëve, me dhënie
kredish e beneficionesh të shumta. Por, meqë ato para
nuk fitoheshin nga prodhimi, mirreshin kredi nga institucionet e
huaja financiare. Në atë mënyrë, ish federata
u zhyt në borxhe deri në fyt. Dhe kur e pllakosi kriza
ekonomike, shpërtheu pakënaqësia në formën
agresive të nacionalizmit, gjë që ia dha goditjen
fatale.
Më një fjalë, qytetarët duhet të edukohen
që të mos kërkojnë paratë që nuk ekzistojnë,
paratë që nuk i kanë i krijuar, ose që nuk kanë
kontribuuar të fitohen.
Krijimi i një shoqërie të begatë bëhet
vetëm në rast se krijohet një vetëdije e fortë
për të punuar të gjithë për realizimin
e shoqërisë së tillë. Në rast se kjo nuk
ndodh, atëherë shoqëria e fragmentuar dhe e konfrontuar,
mbetet në shtjellën e varfërisë dhe të
krizave që ndërrohen më shpesh se stinët e vitit,
pa gjetur asnjëherë zgjidhje të vërteta.
5 shtator 2003, REL, Prishtinë
|