ENERGJIA ELEKTRIKE NË KOSOVË

13 dhjetor 2002
Reduktimet e mëdha të energjisë elektrike në javët e fundit, më mirë se çfarëdo lloj sondazhi tjetër, kanë zbuluar nivelin e kulturës politike dhe qytetare që ekziston dhe që ka gjasa të kultivohet edhe më tutje në Kosovë. Edhe pse mungesa e energjisë elektrike brenda një dite mbërrin edhe deri në tetëmbëdhjetë orë, në skenën politike dhe institucionale kosovare nuk vërehet asnjë shqetësim. Përkundrazi, ritmet e aktiviteteve të tyre lënë mbresën se gjithçka është në rregull në këtë vend.

Përfaqësuesi Special mirret me punën e standardeve që duhet të plotësojnë kosovarët, ndërsa standardi më elementar i furnizimit me energji, të një vendi që është vetëm sa gjysma e Mynhenit, duket se për të është tepër i lartë dhe prandaj nuk mirret me të fare. Kryetari i Kosovës vazhdon të jetë shumë i preokupuar me çështjen e flamurit dhe të himnit, dhe lë përshtypjen se punët e tjera janë vënë në rregull të plotë. Nga ana tjetër, Kuvendi mban mbledhje solemne në njëvjetorin e punës së vet “jashtëzakonisht të sukseshme” sikundër thotë kreu i tij e në këtë eufori të shënimit të sukseseve, natyrisht që askujt nuk i shkon ndërmend që ta ftojë në interpelancë ose kryeministrin, ose së paku ministrin e resorit. Ndërsa kryeministri mirret me punë edhe më të mëdha, gjeopolitike, globale, duke mos përjashtuar as përmendjen e ndonjë lufte të re. Sa për ministrin e resorit, as që mund të pritet që ai të thotë ndonjë fjalë për mungesën e energjisë elektrike, sepse ka prioritete të tjera, si bie fjala reagimi ndaj politikave të flamujve të presidentit.

Pra, jo vetëm që nuk pritet ndonjë dorëheqje për shkak të kolapsit energjetik i cili e ka vu në kolaps mbarë Kosovën, por as një sqarim elementar për qytetarët e Kosovës nuk denjojnë të japin drejtuesit e këtij vendi. Po të ndodhte krize e përmasave kaq paralizuese në çfarëdo vendit tjetër europian, pasojat për drejtuesit e vendit do të ishin direkte. Ose do të jipnin vetë dorëheqjen ose do të shkarkoheshin. Por, në Kosovë kulturë e tillë politike nuk është mbjellë ende dhe duket se nuk do të mbillet edhe njëfarë kohe.


Edhe pse javët e fundit pasojat e kolapsit energjetik kanë goditur mbarë shoqërinë kosovare, e gjitha është e pllakosur nga heshtja dhe letargjia. Dhe kjo poashtu flet për kulturën qytetare në këtë vend. Nëse politikanët kanë arsyet e veta praktike që të mos mirren me përgjegjsinë e tyre, është e pakuptueshme se pse hesht e mbarë shoqëria kosovare. Ajo që quhet shoqëri civile, në situatën e tillë do të ishte normale që të krijonte mjete presioni ndaj administratës ndërkombëtare dhe insitucioneve kosovare, që të pounojnë për tejkalimin e gjendjes dramatike të mungesë s së energjisë elektrike. Por edhe insitucionet kulturore e arsimore do të duhej së aku të shfaqnin indinjatën e tyre. Javët e fundit mësimi në shkolla ëhstë reduktuar dhe ka vende ku nuk mbahet rregullisht, sikundër që të gjitha aktivitetet kulturore janë suspenduar, për shkak se është e pamundur të mbahen në salla të ftohta. Mirëpo, asgjë nuk ndihet gjallë as në këtë anë.

Ndërsa, qytetarët shfaqin pakënaqësinë e tyre në ndeja dhe bëjnë zëvendësimin e shpejtë të mënyrës së jetës së tyre, nga jeta urbane në jetë fshatare brenda natës. Tashmë ballkonet e banesave janë mbushur me stiva drush, ndërsa ambientet e banimit me stufa dhe me llampa vajguri.


Dhe këtu rrethi mbyllet. Dimri i Dardanisë dimërkeqe, sikundër e quante Homeri Kosovën para më shumë se dymijë vjetëve, do të bëjë punën e vet. Ndërsa, njerëzit e këtij vendi nuk e kanë ndërmend të përzihen në punët e veta, madje as kur duhet të luftojnë kundër mërdhirjes dhe paralizës së shoqërisë së tyre.


Milazim Krasniqi, Europa e Lirë, Prishtinë

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002