| Pa krijimin
e një fronti të gjerë qytetar kundër krimit,
Kosova e ka të vështirë të del nga vorbulla
e riciklimit të tragjedive, që shkaktohen nga dora e zezë
e krimit dhe që përdoren nga ekstremistët si pretekst
për thirrje në tragjedi të reja.
E shtunë 16.08.03
Krimi që ndodhi në fshatin Gorazhdec të Pejës,
ku u vranë dy të rinj serbë dhe u plagosën disa
të tjerë, përveç që rëndoi edhe
një herë me peshën e vet makabre mbi politikat lokale
dhe ndërkombëtare, është edhe një flakaresh
për mbarë shoqërinë kosovare dhe veçmas
për shqiptarët. Reagimet e radhës të politikanëve,
ushtarakëve dhe diplomatëve, nuk mund ta zëvendësojnë
zërin e qytetarëve të Kosovës, i cili në
këso rastesh tragjike duhet të dëgjohet me forcën
e vet autentike. Ndërsa, reagimi i serbëve lokalë
ndaj këtij krimi, është i ngjyrosur me kërkesa
politike dhe si i tillë ai nuk e ka karaktetin qytetar e as
paqësor, po më shumë është gjetje e pretekstit
për thirrje që të kthehet gjendja e vjetër e
konfliktit.
Në Kosovë ka një spektër të gjerë
të organizatave joqeveritare, të cilat tash katër
vite vjelin fonde në të katër anët. Zëri
tyre nuk u ndie as kësaj radhe. Po të ishin ato organizata
aktive, së paku vetëm aq sa janë kur mbushin sallat
e hotel Grandit dhe të hoteleve të tjera kur mbajnë
seminare, do të ishim dëshmitarë të një
proteste mjaft masive krimit që ndodhi në Gorazhdec. Mirëpo,
këto lloje organizimësh, nuk ndihen gjëkundi në
këso rastesh.
Mirëpo, lidhur me krimin e rëndë në Gorazhdec,
është dashur të ndodhnin vërtet protesta të
qytetarëve shqiptarë dhe të të gjitha komuniteteve
të tjera të Kosovës, edhe pa e pritur organizimin
e organizatave joqeveritare. Së paku në Prishtinë.
Krimi në Gorazhdec është një krim i rëndë
kundër të gjithë qytetarëve të pafajshëm
të Kosovës dhe kundër vetë stabilitetit të
Kosovës. Prandaj, secili qytetar e ka me borxh të reagojë.
Natyrisht, qytetarët nuk mund të kryejnë punën
e policies e të hetuesisë. Por kur ndodhin krime të
shëmtuara, qytetarët kanë për detyrë të
shprehin indinjatën e tyre, jo vetëm kundër të
keqes së ndodhur, po edhe kundër qeverisjes, e cila nuk
ka aftësi që të përballet me krimin.
Qytetarët e Kosovës do të duhej definitivisht të
mësonin nga protestat e qytetarëve europianë dhe
amerikanë, të cilët ngriten në protesta të
shpeshta. Ata dinë të protestojnë për arsye
të llojllojshme, që nga reagimi ndaj ndotjes së ambientit
e deri te qëndrimi kundër luftës. Është
vërtetuar se pa atë lloj presioni të qytetarëve,
qeverisja nuk a shkallën e lartë të përgjegjësisë
dhe të efikasitetit.
E drejta, shqiptarët e Kosovë kanë një përvojë
të gjatë të reagimit ndaj krimeve që ndodhnin
në të kaluarën ndaj qytetarëve të pafajshëm
nga regjimi shtypës i Millosheviqiit, Por tash është
koha që në këso rastesh, parashenja kombëtare
e protestave të dikurshme të zëvendësohet edhe
me parashenën qytetare të protestës. Viktimat në
Gorazhdec janë qytetarë të Kosovës dhe vrasja
e tyre është krim kundër qytetarisë dhe kundër
ardhmërisë së Kosovës. Në raste të
tilla, këmbana e vdekjes bie për secilin, sikundër
thotë mesazhi i romanit të Heminguejt.
Lidhur e krimet si ky i ditëve të fundit, është
e domosdoshme të dëgjohet edhe reagimi i artistëve,
intelektualëve dhe asociacioneve të tyre. Mbyllja në
guacat e patriotizmit verbal, nuk është kurrfarë
alibie morale për mungesën e kurajos që të reagohet
kundër krimit. Reagimi publik i autoriteteve nga fushat e arteve
dhe të dijes, mund të ndihmojë edhe në krijimin
e një fronti të përbashkët qytetar kundër
të keqes, që si shumkëmbësh po përpiqet
ta mbajë në kthetra Kosovën e shumëvuajtur.
Përfundimisht, pa krijimin e një fronti të gjerë
qytetar kundër krimit, Kosova e ka të vështirë
të del nga vorbulla e riciklimit të tragjedive, që
shkaktohen nga dora e zezë e krimit dhe që përdoren
nga ekstremistët si pretekst për thirrje në tragjedi
të reja.
|