DËSHTIM KATASTROFIK PO, POR EDHE I  QËLLIMËSHËM

27.07.04
Raporti i Human Rights Watch për trazirat e marsit 

Raporti i Human Rights Watch sjellë  argumente që deri tash janë fshehur dhe krijon hapësira të reja për analiza e vlerësime korrekte lidhur me trazirat e dhunshme dhe tragjike të marsit, përgjegjësitë për to dhe pasojat për Kosovën. Por, qysh nga reagimet e para po shihet se strukturat e sigurisë dhe të admninsitrarës civile ndërkomnëbare nuk kanë vullnet që t’i lexojnë ato si duhet.

Raporti i organizatës Human Rights Watch, i publikuar katër muaj pas trazirave tragjike të marsit në Kosovë, vjen e shndërrohet në një argument të fuqishëm se e vërteta nuk mund të fshihet përgjithmonë, as nga ata që kujtojnë se pushteti i pakontrolluar ua lejon përpjekjet për fshehjen dhe fshirjen e saj. Raporti i kësaj organizate ndërkombëtare që është e përkushtuar për të drejtat e njeriut në botë, ka adresuar përgjegjësinë për mossuksesin e ndalimit të dhunës në adresë të KFOR-it, të UNMIK-ut, të Shërbimit Policor të Kosovës, të institucioneve  të përkohshme të vetëqeverisjes dhe të politikanëve konkretë.

“Biznes si zakonisht”

Adresimi i fajësisë sipas shkallës së përgjegjësisë dhe të kapaciteteve të pushtetit, që në fillim e bën të besueshme qasjen e raportit. Përgjegjësia e strukturave të sigurisë në raste të trazirave të dhunshme, në çdo vend është më e madhe se e të tjerëve. Mossuksesi i strukturave të sigurisë që të mbrojnë qytetarët dhe pasuritë e tyre, nuk mund të fshehet duke akuzuar mediat apo strukturat e tjera profesionale. Edhe mossuskesi i politikanëve shqiptarë dhe i institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes që të ndikojnë te qytetarët që të mos ndodhin trazira të dhunshme, që shkaktojnë pasoja të rënda për imazhin e vendit, nuk mund t’u faturohet faktorëve të tjerë.
Kjo mënyrë e shpërndarjes së përgjegjësive, e inicuar nga organizata Human Rights Watch, nuk është pranuar as nga strukturat e sigurisë, as  nga administrata civile ndërkombëtare, të cilat menjëherë, me një efikasitet të paparë, kanë publikuar komunikata ku i mohojnë akuzat ndaj tyre. Kjo edhe është paraparë në raporti, sepse në të thuhet se “udhëheqja e KFOR-it dhe UNMIK_ut, duken të gëzuara të vazhdojnë me “biznesin si zakonisht” se sa të ktyejnë reformat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e dhunës masive dhe të kolapsit të sërishëm të institucioneve të sigurisë në të ardhmen”. Nuk mund të ketë diagnozë më të saktë për sëmundjen kronike nga e cila vuajnë KFOR-i dhe UNMIK-u në Kosovë. Shndërrimi i qëndrimit të prezencës ndërkombëtare në Kosovë në biznes, në përfitim material të pjesëtarëve të këtyre strukturave, veçmas të UNMIK-ut, ka arritur shkallë të patolerushme dhe ka marrë karakteristika tipike të prezencës kolonisaliste. Në një vend ku papunësia arrin në rreth shtatëdhjetë për qind të njerëzve të aftë për punë, ku shkalla e varfërisë është rreth pesëdhjetë për qind e numrit të popullsisë, jeta në luks e administratorëve të huaj, nuk ka si të përjetohet ndryshe vetëm si prezencë kolonisaliste. Ky “biznes si zakonisht” për të cilin alarmon Human Righst Watch, përfshinë edhe abuzimet drastike me femrat vendase, që përditë po rezulton me shkurorëzime e me dhunë në familjet shqiptare, të cilat tradicionalisht kanë qenë stabile. Kjo jetë në luks e administratorëve të huaj ose “biznes si zakonisht,  përfshinë edhe përhapjen e prostitucionit në përmasa të tmerrshme, në një vend me tradita të ruatjes së moralit të femrës dhe të familjes. Kjo jetë në luks e administratorëve të huaj përfshinë edhe  krijimin e sistemeve të veçanta të furnizimit me energji elektrike, në një vend ku për pesë vjet popullsia më shumë rri në terr se sa në dritë, edhe pse ka qenë vend i njohur për eksportimin e energjisë elektrike!. Prandaj, strukturat e sigurisë dhe të prezencës civile ndërkombëtare janë të interesuara që ta vazhdojnë këtë biznes të tyre, paçka se ky ka prekur në palcë ekzistencën dhe dinjitetin e qytetarëve të këtij vendi.

Më askush nuk mund të shet mjegull

Sinjalizimi i Human Righst Watch-it se kjo mënyrë e sjelljes rrezikon “përsëritjen e dhunës masive dhe të kollapsit të sërishëm të institucioneve të sigurisë në të ardhmen” është shumë real dhe shumë dashamirës. Vetëm naivët dhe keqdashësit nuk e dinë se vjeshta në Kosovë mund të sjellë trazira të mëdha sociale, (të cilat janë paralajmëruar nga sindikatat) dhe prej andej edhe efekte të paparashikuara për sigurinë në vend. Nëse gjatë këtyre ditëve të verës qytetarët e Kosovës mbesin edhe nga dhjetë orë në terr për shkak të kolapsit energjetik, qysh tash është alarmante për qytetarët se si do të hyjnë në dimër me këtë keqqeverisje të përgjithsme në vend. Më askush nuk mund të shet mjegull me premtime lidhur me “zhvillimin ekonomik, me vendet e reja të punës, punësimin e të rinjve”, as nga ndërkombëtarët e as nga politikanët e vendit,  sepse për këto vite u pa se këto janë fjalë boshe. Rinia dhe qytetarët e Kosovës më nuk kanë iluzione lidhur me lirinë si gjendje e vetëmjaftueshme dhe me “çlirimtarët” e ardhur nga rrota e s’amës, për të abuzuar me nderin dhe dinjitetin e  tyre. Ato ndjenja tashmë janë  konsumuar dhe janë krijuar ndjenja të pakënaqësisë së madhe. Njerëzit tash këkrojnë punë, duan siguri, duan mundësi të lëvizjes së lirë dhe duan që të jetë të respektuar në vendin e vet, ku aktualisht janë të poshtëruar. Në rast se këto nuk u afrohen, ka rrezik që reaksioni sërish mund të jetë i dhunshëm, duke gjetur një pretekst çfarëdofare.

“Mos e vet se t’kallxon vet”

Në raportin e organizatës Human Rights Watch është identifikuar qartë sabotimi (ose dezertimi) që kanë bërë strukturat e sigurisë, duke lënë protestuesit e dhunshëm që të realizojnë dëbimin e serbëve nga shtëpitë e tyre dhe djegien e shtëpive e të kishave ortodokse serbe. Identifikimi i sjelljeve të tilla sabotuese ose dezertuese, duket të ketë qenë i koordinuar, megjithë komandat jo mjaft të koordinuara të strukturave tësigurisë! Nëse në këtë sjellje ka pasur koordinim, ai mund të ketë qenë i motiviuar, jo vetëm për ruajtjen e jetëve të pjesëtarëve të këtyre strukturave të sigurisë, po mund të ketë qenë i motivuar më shumë politikisht. Lënia e lirë e grupeve të protestuesve shqiptarë, për të djegur shtëpitë dhe kishat serbe, në planin politik është shfrytëzuar për kompromentimin e kërkesës së shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës. Ngritja e akuzës për spastrimin etnik, ka synuar krijimin e shenjës së barazisë ndërmjet shqiptarëve në vitin 2004 dhe serbëve në vitin 1999, për të sjellënë pikën zero pozicionet morale të tyre për negociatat eventuale. Po të mos shfaqej iniciativa e diplomacisë amerikane, e mishëruar në ndihmëssekretarin Mark Grosman, ka pasur gjasa që fajësia ndaj shqiptarëve të përshkallëzohej e të institucionalizohej me “procedurë të shkurtuar”, duke shpallur tëmbyllur mundësinë e diskutimit për pavarësinë e Kosovës. Një kërcënim i tillë qe bërë nga Havier Solana, por pastaj u fashit. Megjithatë, kjo strategji e diplomacië europiane ende është ne veprim të plotë. Kjo u pa edhe në takimin e para dy ditëve të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në Bruksel, ku kryesuesi i radhës, Berend Bot, duke folur për statusin e Kosovës tha se “ tash nuk mund të konkludojmë asgjë lidhur me statusin, sepse këtu lidhet edhe Mali i Zi”. Populli ynë e ka një fjalë qëthotë: “Mos e vet se t’kallxon vet”. Federata serbo-malazeze ose “Solania” e Havier Solanës, duket sheshit se mbahet kacavartë për shkak se synohet pengimi i pavarësimit të Kosovës. Në një sfond të tillë diplomatik, nuk është jokreative ideja se mosefikasiteti i strukturave të sigurisë dhe tëadministratës civile ndërkombëtare në Kosovë, ka pasur për qëllim pikërisht forcimin e kësaj linje të diplomacisë europiane. Edhe plani i decentralizimit që po i imponohet Kosovës si prioritet pa qenë prioritet fare, është bërë më i mundshëm në rrethanat e fajësimit kolektiv tëshqiptarëve për trazirat e marsit. Bile dhe përpjekjet për të vu kontroll politik mbi mediat shqipe, ka qenë pjesë e strategjisë që synon eliminimin e strukturave që e afirmojnë dhe e mbrojnë opcionin e pavarësimit të Kosovës. Kësisoj, raporti i Human Rights Watch sjellë  argumente që deri tash janëfshehur dhe krijon hapësira të reja për analiza e vlerësime korrekte lidhur me trazirat e dhunshme dhe tragjike të marsit, përgjegjësitë për to dhe pasojat për Kosovën. Por, qysh nga reagimet e para po shihet se strukturate sigurisë dhe të admninsitrarës civile ndërkombëtare nuk kanë vullnet që t’i lexojnë ato si duhet. Besoj se të njëjtën prirje do ta manifestojnë edhe shumica  e politikanëve vendas dhe e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes, sepse edhe ato duan që ta vazhdojnë “biznesin si zakonisht”. Ndërsa, kush ka qenë  përjashtim nga “biznesi patriotik” edhe gjatë trazirave të marsit, si puna e kryeministrit Bajram Rexhepi, është përmendur edhe në raport.

mk@agimi.com

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com