|
15.01.04
Ana tjetër e medaljes
Deklarata e Hari Holkerit për natyrën
klanore të politikës kosovare, duket se ka nxitur edhe
një debat tjetër, atë të financimit të
partive politike. Nga ajo që u tha deri tash, duket se edhe
në këtë fushë të ndieshme manifestohet
po e njëjta gjë: prirja klanore dhe dominimi i interesave
partiake mbi interesat e përgjithshme të qytetarëve
të Kosovës.
Deklarata e Përfaqësuesit Special, Hari Holkeri, se në
Kosovë bëhet politikë e qarshisë, ka prekur
në plagën e ndieshme të kulturës politike që
ekziston në këtë vend. Kjo deklaratë e Përfaqësuesit
Special, tregon se ai tashmë e njeh natyrën e politikës
kosovare edhe në pjesën e saj “të rezervuar”
për vendësit. Nga ana tjetër, kjo lë të
kuptohet se Holkeri është i disponuar që të
ballafaqohet edhe me aspektet negative të mendësisë
politike kosovare, sado të ndieshme që të jenë.
Për qytetarët e Kosovës kjo natyrë e politikës
kosovare është shumë e njohur. Këtë prirje
ata e kanë parë në këto vitet e konstitutimit
të administratës dhe të pushtetit lokal nëpër
komuna. Në shumë raste zgjedhjet e zyrtarëve nëpër
drejtori e në administratë, janë bërë mbi
kriteret e lidhjeve familjare dhe klanore. Po ato kritere kanë
mbizotëruar edhe në zgjedhjen e njerëzve nëpër
shumë ministri dhe përgjithësisht në administratën
qendrore. Sot është bërë proverb thënia
se prej nga është ministri, prej asaj ane do të jenë
edhe sekretarët, edhe zëdhënësit, edhe këshilltarët
edhe arkatarët.
Mediat shpesh kanë adresuar këso lidhjesh farefisnore,
në raste të zgjedhjeve joadekuate të kuadrove ose
të abuzimit me tenderë. Por, zbulimi i këtyre lidhjeve
nga mediat, ka mbetur vetëm si tentativë për vetëdijësimin
e opinionit publik për natyrën nepotiste të politikës
kosovare.
Kultura politike që anon drejt mbylljes në grupe të
ngushta të interesit, të cilat janë të lidhura
me lidhje familjare ose klanore dhe e shumta partiake, ka traditë
në vetë strukturat sociale të shoqërisë
kosovare. Kjo shoqëri ka mbetur e mbyllur në korniza fisnore
dhe klanore, për shkak të jetës së gjatë
nën sisteme totalitare dhe në robëri ngulfatëse.
Për pasojë, nuk ka qenë e mundshme të zhvillohet
një shoqëri e tipit të hapur, ku institucionet e
qeverisjes janë të detyruara të jenë transparente
para zgjedhësve të vet. Poashtu nuk ka qenë e mundshme
të krijohet një opinion publik me vetëdije të
lartë qytetare, i cili di të organizohet dhe të mbrojë
interesat e veta kundruall veprimeve eventuale abuzive të politikës
dhe të admninistratës.
Qyetetari mesatar i Kosëvs as nuk e ka idenë e qartë
për rolin e tij të mundshëm në kontrollin e
pushtetit. Bindja e tij është se roli i tij mbaron po
atë ditë kur ai e hedh votën e tij në kutinë
e votimit.
Në një ambient të tillë, ku edhe organizimi
i partive politike në bazë, shpesh herë është
mbi kritere farefisnore, të lagjeve ose të fshatrave,
politikanët ndihen më të relaksuar në veprimet
e tyre abuzive. Shumë prej tyre, të ashtuquajturat bastione
partiake, në fakt i konsiderojnë si feude të vetat,
ku imponojnë vullnetin e vet, që nga zgjedhja e kuadrove
lojale e deri te dhënia e tenderëve.
Megjithëse në rastin e Kosovës, kjo është
një llogari e gabueshme, për faktin se këtu pushteti
real është në duart e administratës civile ndërkombëtare,
e cila si koncept dhe si organizim, është krejt e kundërta
e organizimit të mbyllur klanor. Kjo administratë do të
duhej të shërbente si model, në aspektin e natyrës
plurale dhe madje heterogjene të saj. Ajo që është
e veçantë në këtë tregim, ka të
bëjë me faktin se kjo administratë, ka mundësi
që të çdo moment të ngre procese hetimore
ndaj kujtdo që dyshohet për abuzime. Fakti që administrata
civile deri tash ka treguar tolerancë të dukshme ndaj
kësaj dukurie të politikës vendore, nuk do të
thotë se ajo nuk mund të reagojë një ditë
dhe në një moment të përshtatshëm.
Deklarata e Hari Holkerit për natyrën klanore të
politikës kosovare, duket se ka nxitur edhe një debat
tjetër, atë të financimit të partive politike.
Nga ajo që u tha deri tash, duket se edhe në këtë
fushë të ndieshme manifestohet po e njëjta gjë:
prirja klanore dhe dominimi i interesave partiake mbi interesat
e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës.
Paralajmërimi publik i një zyrtari të UNMIK-ut se
do të zhvillohen hetime në këtë plan, gjithsesi
paralajmëron zhvillime interesante, të cilat mund të
dëshmojnë se deklarata e Holkerit nuk ka qenë e rastësishme,
po si hapje e një procesi që do të mund të emërtohej
si procesi i deklanizimit e mbase edhe i duarve të pastra në
politikë.
15 janar 2004
|