DASMAT - DERI NË SHQIPTARIN E FUNDIT!

Paradokse shqiptare 29.08.03

Mesazhi më i lexueshëm i shumicës së dasmave që u panë këtë verë në Kosovë, është agresiviteti. Bllokimi i komunikacionit, rënia e borive, ulërimat entuziaste të dasmoreve, vallëzimet mbi vetura, sado që të tingëllojë ashpër për veshët e dikujt, janë mungesë e etikës dhe e kulturës elementare. Nuk thuhet kot se liria e secilit njeri kufizohet aty ku ajo e atakon lirinë e tjetrit.

-------------------------------------------------

Verën e sivjeme të gjatë kosovare, e kanë shoqëruar dasmat e panumërta dhe të zhurmshme, si një dukuri shqetësuese e realitetit socialkulturor.
Gjatë këtyre muajve, rrugët kosovare kanë ndjerë ngulfatje nga radhët e gjata të veturave që vejevinin me flamuj në ballë dhe me vajza të kacavarura nëpër dritare veturash, duke vallëzuar nën ritme marramendëse. Më tutje, ahengjet e vazhduara nëpër hotele dhe restorante deri në mëngjes, kanë krijuar përshtypjen se në këtë vend ka vetëm gëzime e kremtime, si te Kandidi i Volterit.
Megjithë përvojën jo edh aq të vogël jetësore dhe profesionale, autori i këtij teksti e ka pasur të pamundur ta kuptojë mesazhin logjik që kanë dashur të përçojnë këto shfaqje nëpër rrugët e Kosovës.
Mbase i vetmi shkak psikologjik i këtyre dasmave të rrëmujshme dhe here- herë të frikshme, mund të jetë liria ende e pakonsumuar plotësisht. Me gjenerata njerëzit nuk kanë pasur mundësi të gëzohen, të bëjnë dasma e të qarkullojnë lirisht me flamuj kombëtar. Dhe kur kjo është mundësuar, duket se ka shpërthyer një dëshirë e madhe që të kompensohet edhe koha e humbur e robërisë. Aq më tepër që autorët më të shumtë të këtyre dasmave, kanë qenë bashkatdhetarët e ardhur me pushime nga Europa Perëndimore, të cilët kanë pasur përvoja të hidhura të privimit edhe nga ardhja e lirë në vendlindje. Rrjedhimisht, ky faktor i lirisë së pakonsumuar plotësisht, është bërë motiv qendror i vetërealizimit të tyre në vendlindje, me anë dasmash të mëdha e të zhurmshme, ku ata kanë luajtur rolin e heronjve të ditës, si në telenovelat e popullarizuara latino-amerikane.
Por, kur të shikohen këto dasma në prizmin e realitetit jetësor kosovar, ato vërtet nuk e arsyetojnë veten me asgjë.
E para, ato janë shumë të kushtueshme. Dasmat të organizuara nëpër hotele e restorante, me dreka e darka për qindra të ftuar, me udhëtime të qindra veturave andej-këndej, pa dyshim që kanë kosto të lartë. Një dasmë mesatare, si shumica e atyre që kemi parë gjatë kësaj vere nëpër Kosovë, kushton rreth 10.000 euro.
Për gjendjen sociale që ka Kosova dhe shumica e banorëve të saj, këto janë shpenzime të palogjikshme. Po të bënin bashkë mjetet e harxhuara në dasma, ta zëmë dhjetë familje, do të mund të ngritnin ndonjë fabrikë të vogël për përpunimin e produkteve blegtorale.
E dyta, këto dasma i shpërfaqin kosovarët para të huajve si njerëz tepër dorëlirë për ahengje dhe aspak të kujdeshëm ndaj nevojtarëve të shumtë. Ky imazh ndikon edhe në organizatat e ndryshme humanitare, të cilat përditë e më shumë po i mbyllin projektet e tyre të ndihmave, edhe pse gjendja e një pjese të madhe të popullatës është e vajtueshme.
E treta, mesazhi më i dukshëm i shumicës së dasmave që u panë këtë verë në Kosovë, është agresiviteti. Bllokimi i komunikacionit, rënia e borive, ulërimat entuziaste të dasmoreve, vallëzimet mbi vetura, sado që të tingëllojë ashpër për veshët e dikujt, janë mungesë e etikës dhe e kulturës elementare. Nuk thuhet kot se liria e secilit njeri kufizohet aty ku ajo e atakon lirinë e tjetrit. Dasma e një familjeje, nuk ka pse të bëhet shkas për çrregulimin e qetësisë së qytetarëve të një lagjeje të tërë.
Ka edhe shumë gjëra që mund të thuhen për këtë dukuri të re të dasmave kosovare, pa ndjenjën e masës dhe pa mesazh kulturor e etik. Por, edhe ka sa u tha mjafton që të nxirret urimi që kjo formë agresive e organizimit të dasmave, të mos përsëritet më.
Shoqëria e shumëvuajtur dhe e brishtë kosovare, ka nevojë për mesazhe më modeste dhe më humane të çdo aktiviteti, e pra edhe të gëzimeve familjare.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com 2002