CISTERNA ME UJË, CISTERNA ME BENZINË

22.03.04
Kriza e re e Kosovës

Bashkësia ndërkombëtare pësoi disfatë në projektin e multietnicitetit jorealist, serbët pësuan disfatë në idenë e ruajtjes së idesë së Kosova është Serbi dhe shqiptarët pësuan disfatë në idenë e eliminimit të rolit destabilizues të serbëve e të Serbisë.
Nëse nxirret ky vlerësim dhe nëse fillon të implementohet në një strategji të re dalëse, që do të rezultonte me sigurimin e bashkëjetesës dhe të paqes së mirëfilltë, në një Kosovë të pavarur e të futur në një kuadër euro-atlantik, kjo do të ishte e vetmja e mirë e prodhuar nga këto ngjarje tragjike.

Zhvillimet tragjike të mesit të marsit 2004 në Kosovë, do të mbeten për një kohë të gjatë në fokusin e analizave dhe të vlerësimeve të shkaqeve që i prodhuan këto ngjarje, të pasojave që kanë lënë ato prapa vetes për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe eventualisht të mësimeve që mund të nxirren prej tyre, e që do të jepnin një zgjidhje më të qëndrueshme.
Provokimet serbe në Çabër dhe në Çagllavicë dhe përgjigja e shqiptarëve me protesta të dhunshme jashtë parashikimeve më oguerzeza që kanë mundur të bëhen, sugjerojnë se mund të ketë ekzistuar një skenar i destabilizimit të Kosoëvs për një qëllim më të thellë politik e gjeopolitik. Edhe orientimi i protestave të dhunshme kundër objekteve fetare serbe, kundër mjeteve të motorizuara të UNMIK-ut dhe konfronitimi me policinë e UNMIK-ut, e madje edhe me pjesëtarët e KFOR-it dhe tonet skajshmërisht qortuese ndaj institucioneve të zgjedhura të vendit, kanë poashtu një element që mund të sugjerojë në këtë drejtim.

Si u krijua “Baraspesha e revoltës”

Nëse këto premisa mirren si pikë fillestare për një analizë provizore, ndoshta mund të rekonstrukotohet më lehtë edhe ndërlidhja e ngjarjeve fillestare dhe të atyre që më vonë e shkaktuan eksplodimin e dhunës. Në këtë kontekst duket se ekziston një ndërlidhje ndërmjet plagosjes vërtet enigmatike të një riu serb në fshatin Çagllavicë, bllokimit të rrugës Prishtinë- Shkup dhe Prishtinë- Gjilan në këtë fshat si hakmarrje dhe ndjekjes fatale të fëmijëve shqiptarë të fshatit Çabër nga disa serbë, e që kulmoi me mbytjen e tre prej tyre në lumin Ibër.
Përderi sa plagosja e të riut serb pati funksionin e provokimit të reagimit serb, që rezultoi me bllokimin e arteries kryesore të komunikimit të Kosovës, mbytja e tre fëmijëve shqiptarë të fshatit Çabër, pati funksionin e provokimit të revoltës dhe të protestave të shqiptarëve në Mitrovicë. Në këtë mënyrë sikur u krijua “baraspesha e revoltës” dhe u arrit pika kritike e gatishmërisë së të dyja palëve për konfrontim të dhunshëm. Kjo edhe ndodhi që më 17 mars në Mitrovicë, paradite dhe në Çagllavicë e në disa vendbanime të tjera të Kosoëvs, (Prizren, Priushtinë, Gjilan e gjetiu) pasdite dhe gjatë natës.

Për shpërthimin e dhunës pas krijimit të “baraspeshës së revoltës” në të dy komunitetet, është me interes të analizohet qëndrimi i policisë ndërkombëtare. Si u bë që në momentet kur kulmoi revolta në të dyja anët, policia e UNMIK-ut praktikisht u tërhoq nga mbrojtja e objekteve që i ka mbrojtur këto pesë vjet të administrimit ndërkombëtar të Kosovës? Ndoshta edhe në këtë aspekt hedhin dritë deklaratat e dëshmitarëve të këtyre ngjarjeve, sado që ato duhet të verifikohen nga gjyqësia kompetente. Një dëshmitar serb me mbiemrin Vuçkoviq, në një deklaratë që e transmetoi RTS më 20 mars 2004 në rubriken “Kosovo-teror- Svet” ( Kosova-Terrori-Bota), ndër të tjera ka deklaruar se kur kafeneja që ishte në pronësi të Vuçkoviqëve po digjej, një polic ndërkombëtar, me revole në dorë, i ka penguar që ta shuanin zjarrin. Ai u ka thënë se “kjo duhet të digjet sonte”. Më vonë, po sipas këtij dëshdmitari, ka ardhur një cisternë, dhe ata janë gëzuar që do të shuhej zjarri, mirëpo sipas dëshmisë së tij, ajo cisternë nuk ka pasur ujë, po benzinë, e cila është hedhur për ta finalizuar djegien e objekteve serbe! Nëse ky rrëfim është i saktë, atëherë shtrohet pyetja themelore: cili ka qenë roli i policit të tillë të UNMIK_ut? Kush ka pasur në dispozicion cisterna me benzine?, Më konkretisht: cili ka qenë roli i strukturave të sigurisë në krijimin e “barazspeshës së revoltës” dhe në menagjimin e shpërthimit të saj? Duket se në këtë përgjigje do të pritet më së shumti.

‘Tentimi për spastrim etnik” i shqiptarëve dhe “Partneriteti për Paqe” i serbëve


Një element tjetër që mund të integrohet në një analizë provizore të shkaqeve që e shkaktuan dhunën, ka të bëjë me zhvillimet në Serbi dhe reaksionet e atjeshme. Kundërpërgjigja ndaj djegies së kishave serbe në Kosovë, ishte djegia e xhamive në Beograd dhe në Nish dhe një histeri e paparë nacional-shovensite në protestat në Beograd dhe në shumë qytete të Serbisë. Kundërpërgjigjja me djegien e xhamive, ka pasur për qëllim të përçojë mesazhin e një “lufte fetare”, ku zjarrvënësit shqiptarë të kishave do të emërtoheshin si fanatikë të “fundamentalizmit islamik”. Meqë kjo skemë nuk funskionoi, qeveria e Beogradit u tërhoq prej saj dhe shpalli se po i arrestonte zjarrvënësit serbë të xhamive.
Mirëpo, histeria nacionaliste në media përjetoi një përshkallëzim edhe më të madh se në kohën e Millosheviqit. Sajimi i emisioneve speciale njëzetekatërorëshe, me biseda në studio, me telefonata në terren, me reagimet ndërkombëtare të seleksionuara, etj., ndikuan që të bëhet një mobizilim i paparë dhe me një koncensus që në partitë dhe në shoqërinë serbe nuk ka ekzistuar në këtë përmasë as në kohën e bombardimeve të NATO-s.
Këtë koncensus qeveria e Koshtunicës e shfrytëzopi për të realizuar dy punë të mëdha: e para, duke udhëhequr protestat në Beograd, ai po i siguron vetes oreolin e vozhdit të ri serb. E dyta, në këtë hallakamë nacionalshoveniste, Këshilli Suprem i Mbrojtjes i federatës Serbi-Mali i Zi, siguroi vendimin që të inkuadrohen urgjentisht në “Partneritetin për Paqe” me arsyetimin se gjoja në atë rast ushtria serbe mund të kthehet në Kosovë, brenda mandatit të KFOR-it. Ky ndërrim i kursit lidhur me Partneritetin për Paqe, është suksesi më i madh i qeverisë serbe, sepse ka arritur që ta mobilizojë opinionin serb në linjën e integrimit euroatlantik, nën arsyetimin se ashtu mbrohet Kosova dhe mund të realizohet kthimi në Kosovë. Bile, edhe analistët serb që konsiderohen si më të moderuar, Predrag Simiq dhe Dejan Anastasijeviq, këto ditë vetëm sa nuk kanë fjetur në studiot televizive, duke propaganduar këtë kurs të ri si kurs shpëtimtar për kthimin e Serbisë në Kosovë.
Nga ana tjetër, ky kurs për integrimin euroatlantik, sado i paketuar me një histeri të paparë nacionalshoveniste, duket se i konvenon Perëndimit, i cili nuk ka gjetur formulën e integrimit të Serbisë në këto struktura, sepse refuzimi i politikës serbe dhe i shoqërisë serbe, (që u manifestua edhe në zgjedhjet e para tre muajve me fitoren e ekstremit të djathtë), ishte shumë i madh. Prandaj, sa i përket mobilizimit të shoqërisë serbe dhe ndërrimit në kursit në raport me strukturat euroatlantike, Serbia ka arritur sukses fillestar, i cili në të ardhmen mund të jetë frytdhënës për politikat e Beogradit. Fakti që Perëndimi nuk e ka qortrutar puibnlikist udhehëejqne protestave nga kryenisnitri dhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, është indikativ në këtë aspekt. Ne vetëm mund ta imagjinojnë reagimin që do të pasonte në rast se Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Rugova ose Nexhat Daci, të bashkoheshin me protestuesit, që do të thërrisnin parulla “Vdekje serbëve”. Kjo tolerancë ndaj udheheqëve serbë, erdhi edhe për faktin se në protestat e dhunshme të shqiptarëve në Kosovë, komuniteti serb dhe objektet e tyre fetare, ishin viktima të dhunës.
Për më tepër, kualifikimi për këtë dhunë të protestuesve shqiptarë, si “tentim i spastrimit etnik” që u tha nga Gregori Xhonson, ka rrezik që të promovohet dhe të krijojë idenë e barazimit të fajit të serbëve për spastrimit etnik të viteve 1998/ 1999 dhe të shqiptarëve për tentimine vitit 2004. Kjo pastaj do të mund të ishte një element relativizues në bisedimet për statusin final të Kosovës.

Çagllavica dhe Çabra si pika testuese të ndarjes së Kosovës

Nëse shihen në kontesktin e bisedimeve të ardhshme për statusin e Kosovës, ngjarjet e dhunshme të këtij marsi, janë në funksion të ndarjes së Kosovës, për çka ka sinjalizuar disa herë kryeminstri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Edhe pa ngjarjet e fundit, ka pasur shumë zëra për ndarjen e Kosovës. Nga zërat më të rinj dhe më influent kanë qenë: programi i qeverisë së re serbe të drejtuar nga Koshtunbica për kantonizimin e Kosovës, që është një eufemizëm për parcelizim ose edhe ndarje territoriale të Kosovës. Edhe projekti i ESI-it ka elementë të kësaj natyre, për faktin se në pikën 2 parasheh bashkimin e pjesës veriore të Mitrovicës në komunën e Zveçan/Mitrovicës. Ndërsa, siç e dëshmuan edhe ngjarjet e fundit, Mitrovica është si një gur, që nëse rrokulliset vetë, rrokullisë gjithçka para vetes.
Nuk është larg mendësh që ka edhe instanca të politikës ndërkombëtare që janë lodhur nga përpjekjet për multietnicitetin e imagjinuar të Kosovës dhe duan ta “thjeshtojnë lojën”, duke lejuar zhvendosjen e popullatës dhe duke e bërë ndarjen territoriale si fakt të kryer. Ndoshta bash për këtë arsye janë zgjedhur Çagllavica dhe Çabra si pikat testuese për zhvendosje të popullisë.

A mund të bëhet një ofertë e re

Përshkrimi i ngjarjeve dhe i pasojave mund të jetë i pafund, por ai përshkrim mund ta humb esencën e problemit. Ndërsa, esenca ka të bëjë me përgjigjen në këtë pyetje themelore: a mund të jetojnë bashkë shqiptarët dhe serbët? Nëse bashkëjetesa e tyre në një kuadër shtetëror si federate jugosllave( tash Serbia e Mali i Zi), u tregua i pamundur, atëherë edhe bashkëjetesa e tyre në një entitet pa status, sikundër është Kosova, duket krejt e pamundur, sepse në këtë situatë, të dyja palët ngrehin në drejtime të kundërta.
Në këtë situatë, e vetmja zgjidhje që do të mundësonte një bashkëjetesë normale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, do të ishte një Kosovë e pavarur dhe e pranuar me procedura të përshpejtuara në Bashkimin Europian dhe në NATO, e ku do të sigurohej nivel shumë më efikas i mbikëqyrjes së raporteve ndëretnike dhe të të drejtave të njeriut.
Zgjidhjet që u provuan në këto pesë vjet: statu kuoja e Kosovës pa status, duke lejuar enkalvizimin/ kantonizimin dhe ndarjen faktike, nuk e siguruan as bashkëjetesën e as paqen. Bashkësia ndërkombëtare pësoi disfatë në projektin e multietnicitetit jorealist, serbët pësuan disfatë në idenë jorealiste të ruajtjes së idesë së Kosova është Serbi dhe shqiptarët pësuan disfatë në idenë jorealiste të eliminimit me dhunë të rolit destabilizues të serbëve e të Serbisë.
Nëse nxirret ky vlerësim dhe nëse fillon të implementohet në një strategji të re dalëse, që do të rezultonte me sigurimin e bashkëjetesës dhe të paqes së mirëfilltë, në një Kosovë të pavarur e të futur në një kuadër euro-atlantik, kjo do të ishte e vetmja e mirë e prodhuar nga këto ngjarje tragjike. Në një rast të tillë, së paku do të dihej kur një cisternë ka ujë, e kur ka benzinë dhe kur përdoret uji e kur benzina.

shkruan

Milazim Krasniqi
Copyright www.agimi.com